BEDRI ISLAMI: ZAHIR PAJAZITI, EDMOND HOXHA DHE HAKIF ZEJNULLAHU – TRE USHTARËT EMBLEMATIK TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

Pashtriku.org, 31. 01. 2013 – (Në 16-vjetorin e rënies së Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut) – Më 31 janar të vitit 1997, rreth orës 16.30 minuta, pikërisht në kufirin mes ditës dhe natës, ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rrugës për një mision të veçantë, siç kishte bërë të njohur Komunikata nr.30 e Shtabit Qendror të UÇK-së, në afërsi të fshatit Pestovë, tre luftëtarë u ndeshën me forca të shumta të policisë, të sigurimit të fshehtë dhe njësi speciale serbe, të përforcuara me helikopterë dhe tanke. Emrat e të tre të rënëve në pritën e 31 janarit tashmë dihen. Ajo që nuk dihet ende qëndron në faktin se si ranë ata në këtë pritë, e organizuar sipas të ashtuquajturës “ndjekje japoneze”, si kishte rrjedhur fillesa e ndjekjes së tyre dhe ku e kishte gjenezën e saj? Që nuk kishte qenë një ndjekje e rastësishme, kjo është tashmë tepër e qartë për të gjithë. Që nata e 31 janarit ose një natë tjetër e afërt me të, kishte qenë e përgatitur në të gjitha detajet nga sigurimi i fshehtë serb e bashkëveprues serbë, edhe kjo nuk do shumë mend të jetë qartësisht e kuptueshme. Njëri nga tre të rënët ishte Zahir Pajaziti, anëtar i Shtabit Qendror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (më pas Shtabi i Përgjithshëm) dhe njëkohësisht anëtar i Shtabit Qendror Operativ të saj. Figurë madhore e luftës. Komandanti i parë i Zonës Operative të Llapit, njëri ndër atentatorët dhe organizatorët më të mëdhenj të luftës. Kishte ngritur nga përgjakimet e mëparshme ngrehinën e re të luftës në Llap dhe kishte marrë me vete gjithçka të mirë që kishte pasur lëvizja ilegale e pas viteve ‘70-ta. Ndoshta më shumë se gjithçka aty ishte mendimi dhe njëkohësisht qëndresa me pushkë në dorë e Ali Ajetit, pararendësit të tij, komandantit të njohur të Çetës së parë të Llapit; ndoshta kishte marrë nga një tjetër llapjan i lavdishëm, Afrim Zhitia, komandanti i njësiteve të para të Lëvizjes Popullore të Kosovës në fundin e viteve ‘80-ta dhe drejtuesi politik i organizatës; ndoshta kishte marrë nga qëndresa e llapjanit tjetër, Hasan Ramadanit, dhe duke u ngritur mbi gjithçka ishte bërë traditë e së mirës dhe e qëndresës, e kishte vendosur të luftonte.
Zahiri ishte drejtuesi i njërës nga degët e mëdha të luftës, që më pas, natyrshëm, është shkrirë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Se kur është bërë kjo shkrirje, në cilin vit apo pas cilit takim, kjo nuk është e rëndësishme. Sepse nuk ka të bëjë aspak me ditëhyrjen e luftëtarëve të Llapit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Më shumë se gjithçka, ky është një aktbashkim i natyrshëm i degëve që përbëjnë të njëjtin lum apo i dallgëve që përbëjnë të njëjtin det. Duke qenë drejtues i njërës nga degët e mëdha të luftës, ai ishte njëkohësisht edhe njëri nga bashkëkrijuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Edmond Hoxha ishte junikasi që kishte ndër mend të krijonte përmasat e reja të traditës së tij familjare apo të Kosovës. Duke qenë se në moshën gjashtëvjeçare, kur ishte ende fëmijë, kishte parë prangimin e burgosjen e të vëllait të tij të madh, Xhavitit, duke qenë se nga kjo kishte parë se kishte pasur dhimbje, por nuk kishte pasur thyerje, ai kishte vendosur të bëhej shtyllë e mosthyerjes, sado e dhimbshme të kishte qenë kjo dhe sado e mundimshme të kishte qenë rruga. Edmondi ishte studenti mes dëshirës për t’u bërë ushtarak dhe njeri i shkencave, i riu që kishte zgjedhur të bënte një jetë ndryshe e megjithatë tepër rinore; ndoshta më shumë se gjithçka ai do të niste një rrugë që njerëzit e tij e kishin hapur, me gjithë dhimbjen që kishte mbartur ajo, me gjithë gjakimin që kishin përjetuar e do të përjetonin. Duke qenë më i vogli nga fëmijët, djali pas shtatë motrave, ai qe krejt natyrshëm thelbi i zemrës së tyre, dritësim nga jeta e prindërve të tij e, megjithatë, kjo nuk e bëri atë, dhe mendoj se nuk kishte se si ta bënte, një djalë të ri, por të plakur që në moshën njëzetvjeçare, pra një djalë plak njëzetvjeçar. Në të kundërtën, e gjithë ajo që kishte lidhje me përkujdesjen ndaj Edit, me thelbëzimin e zemrës së motrave dhe dritësimin e prindërve, ishte e lidhur me Kosovën. Asnjëherë në kullën e Junikut dhe përgjithësisht në kullat dukagjinase dita e zakonshme e secilës stinë nuk ka qenë e shkëputur nga Kosova.
Hakif Zejnullahu është një nga figurat më të pabujshme të luftës. Si duket, edhe natyra e tij njerëzore ka qenë e tillë, e pabujshme. Ka një kontradiktë mes heshtjes së tij dhe punës së bërë prej tij. Nëse heshtjen e ka të jashtëzakonshme, punën e ka po ashtu të jashtëzakonshme. Është një nga rastet më të veçanta të luftës, kur një figurë e rëndësishme si ai të ketë qëndruar, me një natyrshmëri të thellë, në vendin që i ishte caktuar, si zëvendës i Zahir Pajazitit dhe ndihmës i tij, dhe e gjithë kjo të ishte shumë e heshtur. Hakifi dhe Zahiri ishin jo thjesht nip e dajë, por kishin të përbashkët gjithçka të virtytshme. Ai kishte virtytin e luftës dhe të guximit, të mosthyerjes dhe mosfjalëve të mëdha, kishte identitetin e tij të pashoq dhe njëkohësisht merakun e gjithkundshëm për shokët, i pafjalë e gjithsesi një urë lidhëse mes komandantit të zonës dhe luftëtarëve
.
( … )

MË GJERËSISHT LEXONI KËTU: KLIKONI:
http://pashtriku.beepworld.de/files/zahiri/bedri-islami-si-u-vrane-zahiri-edmondi-dhe-hakifi-30.1.12.htm

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura