BEDRI ZENEL ISLAMI: SADETE ZHITIA NË RRUGËN E POEZISË – ‘MË RUAJ NJË VDEKJE ATDHE’

Pashtriku.org, 29. 03. 2013 – Sadete Zhitia ka hyrë tashmë denjësisht në rrugën e poezisë. Ajo nuk pret që një ditë të bëhet poete. Sepse ajo është poete. Lagjja e krijuesve i thote asaj mirë se erdhe. 

Ka shumë vite që e njoh Sadete Zhitinë, e cila vjen sot me dy libra njëherësh, vëllimin poetik, “Ma ruaj një vdekje atdhe” dhe romanin e saj të parë. Thuajse 20 vite me parë jemi takuar në shtëpinë e Lladrocve në perëndim, ku ishin edhe Fehmiu e Xheva, njëra nga mikeshat dhe shoqet e saj më të afërta. Ka pasur gjithnjë diçka te vecante ne qendrimin e saj, kishte mall dhe vuajtje, dhe kjo ishte e natyrshme qe te lidhej me vrasjen heroike te pak viteve me pare te vellait te saj, Afrim Zhitise, njera nga figurat me lapidare te qendreses sone kombetare.
Por kishte edhe diçka tjetër, që asaj kohe nuk e spjegoja dot, dhe befas, e gjitha ajo që kisha parë dhe nuk e kisha kuptuar, u shfaq në poezite e saj. Brenda vetes ajo kishte ruajtur shpirtin poetik, i cili , kishte pritur edhe kohen e vet per te shperthyer, pra, si te thuash, kishte prite nje dite me te mire, si thote Migjeni, “me shperthye pa frike e pa zori”.
Vete jeta sociale, familjare e politike e Sadete Zhitise nuk e lejonte ate te thurte as poezi te thjeshta, e aq me pak hymne per idhunj të rremë dhe për nje kohe qe shkoi, sepse me ate kohe, që kur ajo kishte vendosur prapthi e dhunshëm të sundonte ne ndergjegjen kombetare, ajo, dhe e gjithe familja e saj, kishte qene ne lufte, ishte gjakosur, ishte ngritur, ishte vrare dhe kishte vazhduar.
Dhe tashme ajo vjen ne kohen e duhur.
Mua do te lejoni te ndalem me shume ne vellimin e saj poetik,”Ma ruaj një vdekje ,atdhe” ndoshta edhe si një ndjenjë pendese që këtë shpirt poetik nuk e kuptova qe në fillimet e saj, pra që asaj kohe, kur qëndresën, ajo, si bijtë e familjes se saj, e shfaqte stoikisht, e kjo do te thote edhe poetikisht.

Cila eshte pershtypja e pare e vellimit poetik:
Do te mundohem te sjell fillimisht mendimin e parë timin, ate qe më lindi sapo lexova poezitë e para, pra atë ndjenjë fillestare që më pas, jo rastësisht, u bë edhe më e qartë, më vendosëse dhe më shprehëse:
Trill dhe shqetësime, tejdukshmëri dhe reliev kristalesh, emocion mendimesh, elegancë poetike dhe guxim qytetar, pa e tejkaluar guximin, zhgënjime dhe pohime metaforike, ja, ashtu siç është në përgjithësi krijimtaria e sapo paraqitur e Sadete Zhitise. Të shkruara jo rrëmbyeshëm, sikur të kishin qenë prej kohe në vëmendjen e poetes, pjesë e shqetësimeve të estetikës së saj, sa qetësuese, po aq dhe rebeltare, me politikën brënda, një përzierje e tyre me një lloj madhërimi kapriçoz dhe me zbulesa, ku diku shpaloset enigma dhe diku optimizmi, pa asnje lloj dëshpërimi dhe me një si dritë, fosforeshente, të cilën nuk e kanë errësuar humbjet jetësore qe ka pasur.
Kam pasur një ndjenjë të çuditëshme kur kam lexuar poezitë e para. Pa dashjen time, natyrshëm, ata më sillnin pranë figuren madhore të një njeriu që nuk e kisha njohur, por që më dukej gjithnjë e afërt, figurën e Afrim Zhitisë. I shkrova Sadetes për ketë ndjenjë që kisha dhe pergjigjja e saj se, nuk e kishte ditur se do të sillte një ndjenjë të tillë, do të thotë se gjithçka kishte qenë e natyrshme, njerëzore, e vetvetishme, njëra nga enigmat poetike të passpjegueshme, jo vetëm në këtë rast dhe që të shkuklon gjërat që i ke mbajtur brenda vetes.
Afrim Zhitine une e kam njohur permes rrefimeve te miqve te tij, te Halil Selimit, Bardhyl Mahmutit, Ramadan Avdiut, Beqir Beqës apo Ramiz Lladrovcit, por fakti që unë përjetoj edhe një rinjohje, përmes poezisë së shfaqur tashmë, edhe kur ai nuk është i pranishem, pra fakti që e njoh përmes magjisë poetike, do te thotë se, dashje pa dashje, me vetdije ose jo, poetesha ka sjellur me shumë se sa është menduar.Dhe kjo nuk ndodh vetem me atë ndjenjë të njohur tashmë, balladiane do të thoja, të lidhjes së motrës me vëllain, por edhe në poezitë e tjera, në të cilat, krejt logjikshëm, Kosova më vjen më afer, më e bukur, me më shumë dritë, do të thoja krejt e dritëzuar, pa e hyjnizuar atë. Më vijnë ndër mend shumë gjëra , që kane ardhur poetikisht, dhe, nuk do te doja ti harroja.
Kur thashe me siper se poezia e saj nuk eshte ngritur rrembyeshem, pra nuk eshte fryt i nje casti, megjithese secili cast poetik ka ne vetvete faren e krijimit te ardhshem, kam menduar se, krejt natyrshem, gjithçka ështe brujtur fillimisht në nënndergjegjen e saj poetike, ashtu si ngjizet buka permes tharmit, por kësaj here gjithçka është nje proces tjetër, i cili sa të sjell magjinë e krijimit, të sjell edhe vuajtjen e tij.Them se nuk ka ngutje, pasi vargjet qendrojne mrekullisht prane njeri tjetrit, vrulli i fjales eshte mrekullisht i nderthurur me ndjenjen, godina e poezise eshte ngritur per te qendruar dhe kjo e ben jo vetem te lexueshme, por edhe te mbajtur mend per shume kohe.
Altari i saj është Kosova.është jo vetëm dheu i saj, është trualli, në të cilin, si thote poetja, ” maleve tua dua t’u bëhem jug, tua shkund lisave atë ngricë dimri”, është ai peisazh zemre, ku si thote ajo mrekullisht, ” të shndërrohem në shi dua, e të bie pastaj me pika të imëta, butësisht, si vesa” dhe, për të cilën shpërthen ” Kosovë imja, me hir perëndeshe”.
Kosova, për të, është vendi ku “loti ngroh dhëmbjen me një kujtim të zgjuar”, përmes të cilit ndjehet hapi i nënës, meraku i saj, është caku ku ndjehet gjithnjë prania e Babushit,qetësia e tij e pazakontë dhe mrekullia e qenies së tij mes nesh.Por jo vetëm kaq, butësisht ajo mbështell në poezinë e saj gjithçka që është rrotull nesh,bjeshkimi i maleve, zogjte që kthehen, njerëzit e mirë të saj, e mbi të gjitha, të rënët. Të rënët janë në të gjithë qënien e saj, edhe kur shkruan direkt për to, edhe kur ngjall ndjenjën e bukur të riardhjes.Ata mund të quhen , ashtu si ishin, Fadil Vata, Afrim Zhitia, Fahri Faslia, por ata kanë të përbashktën poetike që, ” në Bregun e Diellit, ju luftonit errësirën”.
Nuk e di përse, por shpesh herë, duke ju rikthyer vargjeve, ashtu si bëjnë njerëzit kur rikthehen tek të afërmit e tyre, dhe ngutja është jashtëzakonisht normale, njerëzore do të thoja, ashtu më ndodhte edhe kur rilexoja ,”Ma ruaj një vdekje,atdhe”. Mund të duket e bafasishme, por edhe pse është nën një titull vdekje, në të gjithë librin bulon jeta, edhe tek ëndërrimet e vajzave, edhe tek një ndarje mes miqve, edhe tek malli për Shqipërinë, sepse i gjithë libri, sipas mendimit tim, ka një devizë të vetme, thënë shprehimisht që në hapjen e tij, se, ” më kthe në botën tënde ku mësova dashurinë, në zemrën e gjërë ku s’e njoha harresën asnjëherë”.

Pastaj gjëmtoj përmes vargjeve ata që më bënë më shumë përshtypje, u rikthehem atyre herë pas here, mendoj se si do të dukej kur, ” në dritare troket një rreze, në zemër zgjohet dëshira e fjetur”, kur ” ikja mbështjell agimin gri” e ” hije e hije mbështjellin dhëmbjen”, në një kohë kur ” është ndarë qielli më dysh, paqe e mjegull e dritë njëkohsisht”, kur ” degët e shelgut nanurisin nën avujt e tokës së shkriftë”, dhe mbes tek përceptimi i saj poetik, se
Atje tej maleve , si pranvera grishem,
nga kënga e zogjve kthyer nga përtej detit,
shpërthimi i petaleve shumëngjyrëshe
fustan nusërie më bëhet…
Dhe, më parë se të bëj përmbylljen e këtij diskutimi modest, do më lejoni të bëj një ndërthurje:
E kam ditur gjithnjë, edhe pse nuk e kam njohur nga afër, se tek Afrim Zhitia, ishte luftëtari dhe poeti. Jo më kot ai do të kishte pseudonimin Ismaili, e kam menduar gjithnjë në nderim të kadaresë, e kjo më shtohej , kur dija se nipit të tij ia kishte vënë emërin Dritëro. Lidhja poetike nuk kishte ku shkonte më tej se kaq.Mirëpo më pas, kur po punoja librin tim më të shtrenjtë, “Përjetësia e dyfishtë”, jeta e jashtëzakonshme e Fehmiut dhe e Xhevës, shumë njerëz të afërt të tyre më sollën kujtimet. mes tyre edhe Babushi ynë, Osman Zhitia. Ishte ndër të paktët kujtime që nuk kishte nevojë për asnjë redaktim, të cilit i kemi hequr vetëm një fjalë të vetme, dhe që në libër është si një margaritar i rrallë.Tani lexoj e rilexoj vëllimin poetik,”Ma ruaj një vdekje,atdhe”.
Dhe jam i lumtur të them se :
Sadete Zhitia ka hyrë tashmë denjësisht në rrugën e poezisë. Ajo nuk pret që një ditë të bëhet poete. Sepse ajo është poete. Lagjja e krijuesve i thote asaj mirë se erdhe.

=============================


 *  *  *

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura