DETIONA GËRMIZI: ROMANI ‘RIKTHIM NË JETË’ I SHKRIMTARIT LULZIM HAJDARI – NJË RRËFIM DASHURIE NDËRMJET DY KOHËRAVE

Kukës, 16. 09. 2014: Autori Lulzim Hajdari pas suksesit të disa botimeve në prozë, me novelat ”Vajza që trazoi jetën time”, ”Dëshmia e hënës” dhe ”Sytë mashtrues” del para lexuesit me romanin e tij ”Rikthim në jetë”. Romani me titullë ”Rikthim në jetë” paraqet një përshkrim të Shqipërisë së dikurshme dhe asaj të tanishme nëpërmjet rrëfimit të një historie dashurie, e cila zhvillohet ndërmjet dy kohërave. Romani hapet me përshkrimin e natyrës dhe kujtimet e personazhit kryesor, i cili është dhe protagonisti i të gjitha ngjarjeve të këtij rrëfimi sa rrënqethës, të dhimbshëm dhe të ndieshëm në çdo hap të narracionit të tij. Ngjarjet zhvillohen jo vetem në dy periudha të ndryshme, por edhe në dy vendndodhje të ndryshme, në malësi në veri të Shqipërisë dhe në Kryeqytet.
Në këtë roman autori është përpjekur të pasqyroj realitetin e atëhershëm, gjë të cilën e ka arritur me përdorimin e emrave metaforik të tillë si: Vujtjam dhe Dallëndyshe që në të vërtet nënkuptojnë dy epoka të ndryshme të vendit tonë, atë të vuajtjeve të dikurshme si dhe lirinë e sotme që personifikohet me personazhin e Dallëndyshes. Edhe titulli i këtij romani është i lidhur ngushtë me ndryshimin e madh të vendit tonë, nga izolimi total në liri, të cilën autori e paraqet nëpërmjet historisë së jetës së protagonistëve të kësaj vepre.

Veç të tjerash, ky roman karakterizohet nga thjeshtësia, të cilën autori mbase e ka përdorur si armë per të depërtuar në mënyrë sa më të natyrshme dhe reale tek lexuesi i tij. Në tërë kompleksin e vet romani është i thjeshtë, me një gjuhë të kuptueshme dhe dialog të drejtpërdrejtë brenda vetë personazheve që ndërthuren me thjeshtësinë dhe natyrën, duke u bërë edhe më interesant dhe duke i sjellur ngjarjet më pranë lexuesit. Në tërësi të ngjarjeve dhe rrjedhave të tyre autori ka kombinuar në përputhshmëri të plotë personazhet me gjithçka tjetër që i rrethon. Këtu kemi parasysh emrat të cilët përfaqësojnë jo vetëm karakterin e secilit prej tyre por edhe anën psikologjike, në kombinim me natyrën dhe ambientin në të cilin zhvillohen ngjarjet.
Me anë të këtij romani, autori na rrëfen historinë e Vujtjamit tek i cili mishëron të gjitha vuajtjet e Shqiptarëve si dhe aftësinë për të ecur përpara duke gjetur forcën për motivim të mëtejshëm. Ky element është përshtatur mjaft mirë tek personazhi i Silvës i cili nuk bën pjesë tek protagonistët kryesor, por në thelb përbën pjesën me kulminante dhe njerzore të të gjithe veprës.
Silva përfaqeson atë pjesë të njerëzve të cilët në heshtje sakrifikojnë deri edhe organet e trupit, duke u përballur me vdekjen dhe duke i thënë asaj stop. Ajo na tregon se jeta duhet jetuar në mënyrën më të mirë të mundshme jo vetëm në aspektin personal, por kur na jepet mundësia edhe duke sakrifikuar për shoqërinë ku jetojmë e më gjerë. Skenar të tillë shpesh në tregime, krijime të ndryshme, romane dhe novela shfaqen sa për të na bërë të vetëdijshëm për atë çfarë jemi, pra kryesoren, njerzoren dhe befas largohen duke lënë gjurmë të thella në jetën tonë.
Edhe protagonisti i romanit ”Rikthim në jetë” arrin të gjejë forcën, kurajon duke depërtuar e vëzhguar thellë në brendësi të të tjerëve, për të rifilluar jetën aty ku e kishte lënë para se të përballej me sfidat që vetë fati i kishe rezervuar si shpërblim i asaj çfarë kishte lënë e hedhur pas krahëve vite më parë. Gjithashtu, jo më pak të rëndësishme janë edhe elementet e vogla plotësuese të cilat në dukje janë thjeshtë detaje, por që krijojnë kornizën e thjeshtësisë që ky roman na pasqyron.
Natyra, bjeshkët, lëndinat, pemët, [dardha e vjetër], shtëpitë e fshatit, oxhaku i vjetër, dhe bagëtitë janë të gjitha elementë të cilët e bëjnë romanin jo vetëm të natyrshëm, të thjeshtë e shumë domethënës dhe me vlerë për ne dhe lexuesin e gjerë. Ashtu si hapja edhe mbyllja e romanit është element jo më pak i rëndësishëm, të cilën autori është përpjekur të na e servoj në mënyrë shumë modeste, duke rifilluar jetën aty ku mendohej se kishte mbaruar shumë vite më parë. Në këtë Roman trajtohen shumë rikthime jetësh e dashurish, por po e lë me kaq duke ju uruar lexim të këndshëm, e pse jo duke mirëpritur mendime, analiza dhe sugjerime të tjera.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura