BEHXHET SH. SHALA: MISIONI I EULEX’it DHE KRIMET E LUFTËS NË KOSOVË!

Prishtinë, 18. 06. 2013 – Titulli i lartëpërmendur është një kombinim i një letreje të hapur të deputetëve të PDK-së dhe LDK-së zz. Berat Buzhala dhe Lutfi Haziri drejtuar shefit të EULEX-it z.Bernd Borchardt: “Cili është misioni juaj!” dhe përgjigjja e shefit të misionit të EULEX-it: “EULEX dhe krimet e luftës”. Pas kësaj letre të hapur të zz. Buzhala dhe Haziri pati shumë reagime kryesisht me një pikëpyetje dhe pikëçuditëse se kush janë këta dhe si e marrin guximin t’i drejtohen Shefit të Madh të EULEX-it duke e kundërshtuar drejtësinë që po e ndanë EULEX-i. Lutfi Hazirin e sulmoi edhe një pjesë e anëtarësisë së partisë më të madhe opozitare LDK duke e quajtur renegat dhe anëtar të SHIK-ut që në fakt është përpjekje për linçim politik. Berat Buzhalën po e sulmojnë se është çekani i Hashim Thaçit që me këtë reagim duke mbrojtur luftën, në fakt po ua thyen kokat kundërshtarëve politik të Hashim Thaçit dhe të tjerët që kanë potencial dhe disponim rebelues po i mbanë nën kërcënim. Është fakt se Berat Buzhala di të shkruaj, qoftë për së mbari, qoftë mbrapshtë! Madje, shkruan shumë mirë!

======================

– LEXONI –


Bernd Borchardt: EULEX dhe krimet e luftës
http://www.gazetaexpress.com/?cid=1,90,114316


Berat Buzhala&Lutfi Haziri
Letër e hapur për shefin e misionit të EULEX-it
http://www.zeri.info/artikulli/7685/leter-e-hapur-per-shefin-e-misionit-te-eulex-it

*   *   *

Po shtrohet pyetja, në formë të mëdyshjes: çfarë i duhej Luftës të ngrehë bishtin duke e kruar arushën (EULEX nga prapa?!) dhe me kend se? Me Beratin që më parë kanë kaluar si mos më keq?! Kjo, në fakt tregon katërcipërisht se te ne mungon kultura e dialogut dhe llaskucëria sidomos ndaj të huajve është e shprehur deri në bindje të një besimtari fanatik?!
A e kanë shpikur Amerikën Berati dhe Luta kur kanë shkruar për drejtësinë e UNMIK-ut dhe trashëgimtarit të tij EULEX?! Jo, sepse për këtë është shkruar dhe folur edhe më herët. Por, ata që kanë pasur guxim të flasin apo të shkruajnë më herët kanë përfunduar në margjina duke u sulmuar edhe nga ndërkombëtarët por edhe nga vendorët. Berat Buzhala dhe Lutfi Haziri kanë të drejtë për shumë gjëra ndonëse disa çështje nuk i kuptojnë apo për to kanë qëndrim ekskluzivisht politik. Te krimet e luftës në veçanti! Ata në letrën e tyre të hapur tregojnë edhe për dhunën ndaj serbëve pas përfundimit të luftës. E cila ka qenë e pranishme sidomos në vitin 1999, 2000 dhe pjesën e parë të vitit 2001! Edhe ndaj romëve gjithsesi! Në atë kohë ka qenë shumë e rrezikshme për jetën të flasësh serbisht në Prishtinë sepse të ka shkuar edhe koka! Por, e them me përgjegjësi se pjesa dërrmuese e vrasjeve, përndjekjeve të serbëve, romëve etj ka qenë për motive të ulëta siç janë plaçkitja dhe uzurpimi i pasurisë së tyre e njohur si “e zënë-UÇK!”. Cubat, hajdutët dhe kriminelët në mënyrë flagrante e kanë keqpërdorur UÇK-në! Jo luftën! Lufta e UÇK-së është e lavdishme dhe ajo nuk mund të kriminalizohet por kriminalizohen individët e pandërgjegjshëm! Prandaj mbrojtja më e mirë që i bëhet luftës është distancomi nga personat e kriminalizuar. Nuk ka përgjegjësi kolektive por ajo është individuale. Berat Buzhala dhe Lufti Haziri me shumë të drejtë kërkojnë sqarime se kush i vrau mbi 10,000 qytetarë të Kosovës prej të cilëve së paku 97% janë shqiptarë!
Unë do ta zgjeroj këtë pyetje:
– Kush është përgjegjës për zhdukjen e 1723 qytetarëve të Kosovës, pjesa dërrmuese e të cilëve janë shqiptarë?!
– Kush kreu mbi 186 vrasje në masë dhe i bëri 196 varreza masive (të zbuluara deri më tani)?
– Kush pjesërisht apo tërësisht i ekzekutoi 170 familje shqiptare prej 2 deri në 69 anëtarë?! Më i vogli i ekzekutuar është foshnje një muajsh ndërsa më i moshuari është plaku 97 vjeçar . Të gjithë këta kanë qenë të mbrojtur me konventat ndërkombëtare.
– Kush i barti kufomat apo i bëri kufoma shqiptarët në Batajnicë, Petrovo Sellë e gjetiu?!
– Kush i shkatërroi apo i dogji (paraprakisht i plaçkiti) mbi 230,000 objekte banimi, shtëpi, objekte afariste, kulturore, fetare etj.?!
– Kush i dhunoi femrat shqiptare gjatë luftës duke ua shkatërruar jetën atyre dhe familjeve të tyre?
– Kush i depërtoi dhunshëm mbi 800,000 shqiptarë gjatë bombardimeve të NATO-së?!
Duhet të jesh i marrë dhe skajshmërisht i zhveshur nga çdo skrupull moral e të harrosh Çirezin dhe Likoshanin apo foshnjën që qanë mbi trupin e vdekur të së ëmës në masakrën kundër Deliajve, masakrën kundër familjeve Duriqi dhe Bogujevci në Besianë, kundër familjes Berisha në Therandë, masakrën në Meje, Çyshk dhe Lybeniq, Prekaz dhe Studime, plojën e Krushës. Masakrën në Burgun e Dubravës, në Koliq dhe Mitrovicë, Rahovec dhe Malishevë, Izbicë të Skenderajit, Reçak dhe Kotlinë dhe shumë masakra të tjera!
Kush u dënua për këtë në Kosovë?! Sa vetë u dënuan! Vetëm tre serbë në Kosovë janë dënuar me aktgjykim të formës së prerë! Të gjithë të tjerët janë liruar! Në mungesë të fakteve!! Këto që i ceka më lartë mbase nuk janë fakte?!!
Pyes më tutje:
– Kush u dënua për krimin në Merdare kur u bombardua autobusi me serbë duke vrarë dhe plagosur shumë prej tyre?!
– Kush u dënua për vrasjen e serbëve në fshatin Gracë e Vogël ( Lypjan ) që ishin duke punuar në ara?!
– Apo kush u dënua për vrasjen e të rinjve serb në fshatin Gorazhdec?!
– Edhe në këto raste dhe raste të tjera të pas luftës kur viktima ishin serbët, romët dhe jo shqiptarët por edhe shqiptarë aktivist politik ish pjesëtarë të UÇK-së drejtësia ka dështuar plotësisht. E dihet që kompetenca të 100% ka pasur UNMIK siç kishte dhe ka tash EULEX!
Jam i bindur se këto sqarime kanë kërkuar edhe Berat Buzhala dhe Lutfi Haziri. Prandaj, nuk mund të konsiderohet më asnjë mënyrë që ata po bëjnë presion te EULEX apo po e pengojnë gjyqësorin! Është shumë i vërtetë fakti se misioni i UNMIK-ut dhe tash EULEX kanë dështuar në arrestimin dhe dënimin e atyre siç janë për krime me motive etnike dhe politike pas përfundimit të luftës, për krim të organizuar dhe korrupsion të profilit të lartë! E them me përgjegjësi se vënia e drejtësisë në vend është sakrifikuar nga këto misione për shkak të oportunitetit politik! Numri i të dënuarve për këto krime ka qenë dhe mbetet simbolik që skajshmërish i fyen viktimat, familjet e tyre dhe në asnjë mënyrë nuk mund të shërbejë si shembull i mirë për parandalimin e krimeve në të ardhmen! Zhvillimet e fundit indikojnë se bëhet fjalën për një fushatë kundër shqiptarëve dhe luftës së UÇK-së për të cilën pohojnë zz. Buzhala dhe Haziri ndërsa kategorikisht e mohon z. Borchardt, shef i misionit të EULEX-it në Kosovë.

………………………………………………………..

NJË FOTO FLET – MË SHUMË SE 10 000 FJALË!

Nëse krahasohen shifrat e viktimave dhe mosndëshkueshmëra e përgjithshme për krime atëherë mund të thuhet se Berati dhe Luta kanë të drejtë. Nga aspekti politik gjithsesi! Sepse, nga aspekti i drejtësisë dhe i të drejtave të njeriut krimi është krim dhe viktimat janë viktima. Sidomos krimet e luftës të cilat nuk do të duhej të vjetrohen e as kriminelët të mbesin të pa dënuar. Pavarësisht a janë ata shqiptarë, serbë, romë, anglezë, kinezë etj. Solidarizimi vetëm me viktimat e kombit tënd dhe injorimi i viktimave të kombeve të tjera është e papranueshme dhe krejtësisht e pamoralshme. Sikur që është e ngjashme përpjekja për arsyetimin e kriminelëve tuaj dhe fajësimin apo kërkesa për dënim vetëm të kriminelëve të palës tjetër. Palës kundërshtare! Të gjithë ata që dyshohen për krime të rënda sidomos për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe ku sigurohen prova të fajësinë e tyre duhen të dalin para drejtësisë. Gjyqi është kompetent të caktojë fajësinë apo pafajësinë e të dyshuarve duke u mbështetur në prova! Kjo është praktikë e pranuar në të gjitha shtetet demokratike! A është zbatuar kjo në Kosovë?! Në të shumtën e rasteve jo. Ka pasur dhe ka padrejtësi jo vetëm nga UNMIK dhe EULEX por edhe nga Tribunali i Hagës. Kujtojeni torturën juridike të ushtruar ndaj Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj në këtë Tribunal!! Kush ua shpaguan vuajtjet e tyre, të familjeve të tyre dhe luftës që e bënë!? Ata dolën të pafajshëm para atij Tribunali! Dikush është dashur t’i nënshtrohet përgjegjësisë për dhunimin e drejtësisë nga ana e Tribunalit të Hagës ndaj Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj!! Sikur që do të duhej të japin përgjegjësi edhe për disa procese në Kosovë dhe për dështimin e drejtësisë. Jo vetëm përgjegjësi morale!
Është shumë pozitive që shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë është përgjigjur publikisht me një letër sqaruese e cila më shumë është arsyetim për dështim të luftimit të krimit se një zotim se kriminelët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike do të dalin para drejtësisë për krimet e kryera. Shifrat e prezantuara në këtë letër janë inkurajuese si shifra por dekurajuese si rezultat i suksesit në luftimin e krimit. Arsyetimi se të dyshuarit për krime lufte ndaj shqiptarëve nuk janë të kapshëm për drejtësinë e EULEX-it sepse janë në Serbi është i papranueshëm për faktin se EULEX-i ka marrëdhënie të shkëlqyera me Serbinë dhe përmes Interpolit do të duhej të kërkonte ekstradimin e tyre. Sikur edhe të 20 serbëve të dyshuar për krime lufte e të cilët paskan “ ikur “ nga burgu i Mitrovicës. Ata janë në Serbi dhe në veri të Kosovës duke pritur miratimin e Ligjit për Amnisti! Ndryshe edhe Sylejman Selimi ka qenë me një shtet tjetër ( Shqipëri ) mirëpo, EULEX-i e gjeti mënyrën si ta arrestojë atë! Nëse në drejtësi zbatohet kriteri i standardeve të dyfishta atëherë aty nuk mund të flitet për luftë kundër krimeve të gjitha llojeve! Përkundrazi , standardizimi i krimeve sipas parimit etnik, interesit politik, strategjik është shërbimi më i keq që i bëhet drejtësisë! Prandaj edhe e kemi këtë gjendje në Kosovë. Dhe duket se do ta kemi deri në përmbyllje të procesit politik me Serbinë! Për këtë arsye edhe janë shpeshtuar këto arrestime. Si mjet presioni! Prandaj, mos u befasoni se mund të ketë edhe arrestime të tjera! Berat Buzhala dhe Lutfi Haziri nuk kanë bërë as mëkat e as keq që e kanë e shkruar këtë letër të hapur. Ata kanë kërkuar sqarime dhe kanë hapur një debat që deri tani ka qenë i ndaluar dhe i anatemuar sepse është llogaritur me servilitetin antologjik që e kemi se nëse je kundër të huajve apo miqve ndërkombëtarë je kundër vet Zotit! Ata , në fakt edhe e kanë për detyrim si deputet që janë ta bëjnë këtë.
Autorët e kësaj letre të hapur nuk kanë forcë e as mundësi të ndikojnë në gjykata apo ta rrezikojnë EULEX-in. Jam shumë i sigurt se nuk është ky qëllimi i tyre. Këta të dy nuk mund ta luftojnë krimin sepse nuk kanë mekanizma. Bernd Borchardt , shefi i EULEX ka mundësi ta luftojë krimin sepse është në mandat të tij dhe ka mekanizma shumë të fuqishëm dhe efikas nëse ka vullnet ta bëjë këtë! Mirëpo, dështimi në kapjen dhe vënien para drejtësisë të serbëve të dyshuar për krime ndaj shqiptarëve dhe entuziazmi dhe efikasiteti i intensifikuar i arrestimit të shqiptarëve për dyshime se kanë kryer krime lufte kundër serbëve dhe shqiptarëve nuk është dëshmi se ka vullnet të luftohet krimi si krim dhe se drejtësia është e pavarur nga ndikimi politik! Në fund të fundit as Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte në Hagë nuk ka qenë i pandikuar politikisht dhe për këtë kanë dëshmuar shumica e zyrtarëve të lartë të këtij Tribunali pas përfundimit të mandatit të tyre apo kur janë detyruar ta përfundojnë mandatin para kohe për shkak të presioneve politike. Duhet të pajtohemi se edhe Gjykatat Speciale për Krime Lufte në Beograd, Sarajevë dhe kjo e EULEX-it në Prishtinë janë vetëm degë të trungut të Gjykatës së Hagës. Prandaj, e kemi ende Ballkanin e kriminalizuar dhe rrjedhimisht Kosovën e kriminalizuar si pjesë integrale e këtij krimi i cili për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe projekteve politike nuk po luftohet!

– Autori është Drejtor Ekzekutiv i KMDLNJ’së në Prishtinë.

…………………………………………

(Ilustrimet i bëri kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura