BEHXHET SH. SHALA: SULLTANATI I MITROVICËS ME SHEIK TË GRAÇANICËS!

(Prishtinë, 06. 07. 2012) – Kur atdheu është në rrezik gjithmonë gjinden persona që interesin e atdheut e kanë mbi interesin e vet. Që tërë pasurinë që e kanë e shkrijnë për të mirën e atdheut. Dhe në fund, nëse e lypë vendi dhe Kuvendi (i Hajkobillës) e japin edhe ate më të shtrenjtën – JETËN. Jetën e të tjerëve! Në çastet e vështira nëpër të cilën po kalon Kosova në skenë doli shpëtimtari. Kalorësi i patriotizmës, atdhedashurisë dhe sakrificës! Shoku Gjet Macolli.
Dy betime, dy krahasime, dy përjashtime
Pjesëtarët e Xhandarmërisë serbe ndryshe njësia speciale e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, e njohur për veprime shumë të dhunshme ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe sidomos pasi i lidhi policët e Bajramit gjatë kohës së tea’time (koha për të pirë çaj rusi) në territorin e Kosovës duke i shndërruar në sfilatistë të turpit për ballinat e medieve serbe dhe botërore e dha betimin solemn i cili dallon nga ai i mëparshmi. Tekstshkruesi i këtij betimi ishte Bratisllav Dikiq, njeriu i parë i Xhandarmerisë. Shkurtabiqi i politikës serbe dhe kolosi i shovinizmit serb, Ivica Daqiq fillimisht heshti për tekstin e betimit pastaj e bëri një distancim të qullët duke deklaruar se nuk është pyetur për këtë betim i cili ndërlidhej me festën e Shën Vidit apo Vidovdanit. Nuk e besoj se ka aq të marrë e të bindet se pohimi i Daqiqit është i vërtetë.
Teksti i betimit ishte:
Pa Kosovën nuk ekziston as populli serb,
Pa Kosovën nuk ekziston Serbia ime,
Pa Kosovën nuk ekzistoj as unë,
Popull serb, vëllezër dhe motra,
Betohem para Zotit,
Do të fitoj me nder apo do të vdes,
Për nderin tim,
Për origjinën time,
Për familjen time,
Për Serbinë time…

………………………………..

SHIKONI BETIMIN E XHANDARMËRISË SERBE, MË 28 QERSHOR 2012!

………………..

DERISA XHANDARËT NË BEOGRAD BETOHESHIN PËR KOKË TË KOSOVËS,

NË GAZIMESTAN SERBËT HULËRININ “HOČEMO ORUZJE”…!

________________________

Ky është tekst i një betimi për të cilin nuk reaguan fare ndërkombëtarët që kanë fuqi vendimmarrëse. As në Bruksel e as në Washington. Rusia dhe Siria e përkrahën. Institucionet e Kosovës dhe kosovarët reaguan si teneqja; shpejt i dhanë flakë edhe më shpejt u bënë hi! Shqiptarët nuk reaguan fare sepse janë europeanë dhe duan të bëhen pjesë e integrimeve euroatlantike. Si bira e fundit e kavallit. Me disa zëvendësime të vogla teksti i betimit do t’u bënte nderë të madh shqiptarëve. Shqiptarët do të identifikoheshin me këtë betim sepse ka përmbajtje patriotike. Sepse ka zemër dhe ka shpirt.
Po cili është teksti i betimit për kosovarët?
Me tekstshkruesin Marti Ahtisari, dhunuesin faktik dhe strategjik të pavarësisë së Kosovës. Disi kështu:
Oj Dragane iza brega, ta kisha njoh pavarësinë por Serbia ne da,
Alam biklama çaje shukarije oj Kosovë o jemek turlije,
Çok gizelj Radë lepotican’Ferizaj polli bollica,
Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë Astriti ka pordhë n’Gjakovë,
Qeveri o t’puthsha pragun, ndërkombëtarët ta kanë vu lakun,
Dosvidanja druzhe Gjet, Lulebora me lezet,
Shoku Dell ta puthsha dorën me Zezditën edhe fjollën,
Oj Kosovë kala burrnije me plotë hajna dhe hafije,
S’guxon kush me ta shkel kufirin pa e vra Ismet Beqirin,
Zhe tem Nafije spikerica me shumë dashuri nga De Marnaku nga Çagllavica dhe Pomozi Bog junaci da nam se dizhu kuraci!

Merreni me mend që edhe përmbajtjen e këtij betimi nuk po e përkrahin miqtë ndërkombëtarë. Po thonë se është përjashtues, nacionalist, irredentist dhe se është platformë politike për Shqipërinë e Madhe! Kam rënë në depresion dhe thjesht nuk po gjej një zgjidhje që u pëlqen Serbisë, miqve ndërkombëtarë, Putinit dhe Platinit, Llukashenkos dhe Nexhmedinenkos, Ban ki Munit dhe Halil Nunit, Nikoliqit dhe Gjen Çekiqit dhe të tjerëve që kanë kontribuar dhe po kontribojnë për Kosovën, të cilëve nuk po ua përmend emrat, mbiemrat, nofkat, pozitat, cilësitë, gjinitë, hajnitë, matrapazllëqet, pisllëqet, etj. Sinqerisht ju kërkoj falje!
Veriu i Kosovës u fitua vetëm pasi Gjeti u vetflijua
Kur atdheu është në rrezik gjithmonë gjinden persona që interesin e atdheut e kanë mbi interesin e vet. Që tërë pasurinë që e kanë e shkrijnë për të mirën e atdheut. Dhe në fund, nëse e lypë vendi dhe Kuvendi (i Hajkobillës) e japin edhe ate më të shtrenjtën – JETËN. Jetën e të tjerëve! Në çastet e vështira nëpër të cilën po kalon Kosova në skenë doli shpëtimtari. Kalorësi i patriotizmës, atdhedashurisë dhe sakrificës! Shoku Gjet Macolli. Ndonëse as në ëndërr nuk ka dëshiruar të bëhej president, pranoi të bëhet. Për ta shpëtuar Kosovën. Kur i thanë se interesi i Kosovës kërkon që të largohet nga ky post, me babaxhanizëm e pranoi pa i bërë zhvërrë syri. Sakrifica e radhës që kërkohej nga ky kalorës që kalëron mbi të gjithë ata që mund t’u hypte pavarësisht gjinisë, racës, profesionit, përkatësisë fetare, etnike, fisnike, seksuale, etnike dhe politike ishte zëvendëskryeministër i Parë sepse i Dytë nuk bënë kurrsesi. Sepse, nëse nuk je i Parë paragjykohet se je b…palarë! Madje e mori edhe një barrë shtesë, zv’kryeministër për lobim. Për pavarësinë e Kazakistanit! Kaloi ditë, netë, javë dhe muaj të tërë në vapën Afrikane, acarin e Siberisë dhe stepat e Rusisë! Mbi supet e tij të stërlodhura bartte një thes, për biznes! Nuk ka lënë vend pa shkel ky zotni, vetëm për xhirollogari! Është bujar ky zotni sepse strehon në bujtinën e tij mysafirë të kuq, të verdhë, të bardhë dhe të zi! Nga ata nuk kërkon të paguajnë llogari sepse faturat i dërgon drejt në Qeveri! Paguan oborrtarë, rrogëtarë, gazetarë, intelektualë dhe politikanë që i angazhon si këshilltarë. Dhe si zagarë! Që lehin për të në dritë të hënës e që ua shajnë kundërshtarëve të tij nënën e nënës!

_____________________

DËGJONI – DY IDE ‘SUI GENERIS’ TË BEH(XHET) P(M)ACOLLIT,

PËR NJOHJEN E KOSOVËS DHE VERIUN E SAJ!

…………………………………….

Po ta lëmë tani këtë pasul pa krip se ndryshe e kemi shumë të vështirë të hypim në fik! Po thashë se kur atdheu është në rrezik del Gjergj Elez Alia, për të na drejtuar kah Serbia! Edhe ne e kemi Gjet Macoll Alinë që vullnetarisht dëshiron të bisedojë me Serbinë! E preu biletën duke çortuar policët e Bajramit për dhunë ndaj serbëve ”paqësorë“ në fushën e Gazimestanit. Për festën e Vidovdanit. Të Artemisë, Teodosisë, Mlladiqit, Nikoliqit dhe Daçiqit e sidomos të “ndërtuesit të paqes“ Sllobodan Millosheviqit! Paqka se policët e Bajramit dukeshin si viktima të talibanëve të Afganistanit! Nga ”pelegrinët” që kishin ardhur për të përmbushur ritet “fetare” me kanotiere të stampuara me fotot e “shenjtorëve“ Sheshel, Mlladiq, Karaxhiq dhe Millosheviq, me slogane ‘Kosovo je Srbija’, ‘hoçemo oruzhje’, ‘ubijte shiptare’, ‘Kosovo – srpski Jerusalem’ dhe slogane tjera ekskluzivisht si këto, të natyrës “fetare“. Gjet Macolli e flet gjuhën serbe më mirë se gjuhën shqipe. Duhet t’i dallojë sloganet fetare prej atyre politike! Si politikan i shquar, i ditur dhe inteligjent që është si dhe atdhetar i pakontestueshëm që është nuk ka gabuar që ka përkrahur Almhoverin e OSBE dhe Radë llapjankën me trup në Graçanicë dhe kokë në Beograd. Varianti femëror i Ali Pashë Tepelenës. Diplomat e larta të fituara në universitetet perëndimore nuk e kanë lënë të gabojë në këtë gjykim Gjet Macollin. Me këtë e ka fituar përkrahjen multietnike dhe ndërkombëtare që të bëhet kryenegociatori në bisedimet “teknike“ për statusin e veriut të Kosovës. E kemi një zëvendësim të natyrës gjinore. Një Zezditë zëvendësohet me një Babëzi! Çdonjëri që ka një koqe mend e dinë se nëse Gjet Macolli udhëheq bisedimet me Serbinë (sinqerisht nuk besoj) atëherë nuk mund të flasim për bisedime bilaterale midis dy shteteve por për bisedime unilaterale! Po Gjet Macollit nuk i intereson fati i veriut por për synim e ka që veriun ta bëjë si Dubain. Biznes dhe sulltanat të vetin. Dhe të kurvave të tija politike dhe intelektuale që aktualisht janë pjesë e haremit të tij! Dëshiron Baci ta zgjërojë haremin. Pse jo? Kosova është rast sui generis! A nuk është a?
Përfundim i pavarësisë apo forcim i vartësisë
Terminatori apo shkatërruesi i korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit në Kosovë, bosi i EULESH-it , gjenerali i pensionuar me pushime disavjeçare relaksuese në Kosovë, Ksavier de Marnak deklaroi se “Kosova pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur do të ketë më shumë të drejta“. Nuk tha se do t’i ketë të gjitha të drejtat që i kanë shtetet vërtet të pavarura dhe sovrane. E tha të vërtetën dhe hallall i qoftë! Kosova me Ahtisarin e metastazuar në tërë territorin e saj dhe që u bë shpirt i Kushtetutës së Kosovës, me përpjekjet që të sigurohet atësia (baza ligjore) për një fëmijë të padëshiruar dhe të jashtëligjshëm siç është EULESH e ka të pamundshme të bëhet shtet normal dhe funksional! Plus edhe Serbia brenda. Zoti na ndihmoftë!
Kumbara – Nuni dhe Muret
Mario Puzo ka shkruar librin Kumbara. Frensis Ford Kopola ka shkruar skenarin për këtë film të mrekullueshëm. Marlon Brando u bë i pavdekshëm me rolin e Don Vito Korleones apo Kumbarës sikur që edhe Al Paçino në rolin e trashigimtarit të Kumbarës. Në Kosovë u xhirua seriali Muret. Si skenarist është edhe Kristofer Dell. Rolin kryesor e ka Blerim Gjoci varianti kosovar i Al Paçinos. Mungon në fillim roli tjetër. Ai i Marlon Brandos. Roli i Kumbarës. Ndoshta edhe do të jetë ky rol më vonë. Kam menduar se kush në serialin Muret do ta luante rolin e Don Vito Korleones. Që i përngjan fizikisht Marlon Brandos por jo edhe vetëm fizikisht. Që do të kishte një ecje të shkujdesur, një zë të mbytyr prej baritoni, një dinakëri të madhe dhe i cili do të ishte vendimmarrësi kryesor nga hija. Që ka mashën në dorë dhe të lë patatet e shkrumbuara në duar. Më shkrepi. E gjeta! Askush nuk është më i përshtatshëm për këtë rol se Piter Fejt. Ka përvojë shumëvjeçare në aktrim. Madje ka pasur një rol episodik në një serial kosovar. Një rekomandim për ate që e bënë skenarin. Zotin Dell. Mikun tim më të madh! Thuhet se kur ka shkruar skenarin për filmin Kumbara, Frensis Ford Kopola ka qenë në siklet të madh. Nuk besoj se skenaristi i serialit Muret, zoti Dell ka qenë në siklet kur ka shkruar skenarin për këtë serial. Madje, jam i sigurt se e ka pasur shumë lehtë. Çështje rutinore! Në fund të fundit përvoja e bën të veten dhe të ofron siguri! Për të krijuar dhe për të vepruar. Nuk është ky skenari i parë për zotin Dell në Kosovë. Botërisht dihet se të gjithë skenarët në Kosovë që nga ardhja e zotit Dell janë shkruar nga ai. Janë skenarë të tij!

————————–

Shikoni një fragment të serialit “Muret” me skenarist Kristofer Dell!

……………………………………….
(VIDEOMATERIALET ILUSTRUESE I PËRZGJODHI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura