Prishtinë, 27 nëntor 2019: Katër kalorësit e shqiptarisë: Në historinë e re të shqiptarëve, që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë, janë katër udhëheqës apo katër kalorës shpirtërorë dhe politikë që i dhanë vulë dhe përmbajtje këtij shekulli që shqiptarët e jetuan në gjysmë liri dhe pavarësi të cunguar. Ismail Qemali ishte lexues i Deklaratës së Pavarësisë kurse Hasan Prishtina ishte mendja, truri, shpirti dhe forca lëvizëse e shqiptarëve drejt pavarësisë. Adem Demaçi ishte Prometeu, Marathomaku dhe Feniksi në luftë për çlirim, liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar duke kaluar afërsisht 30 vjet burgje në kampet e përqëndrimit të ish Jugosllavisë dhe të Serbisë. Adem Demaçi, njëqindmijë herë ka vdekur dhe është ringjallur për të vazhduar luftën dhe për ta jetësuar ëndrrën e të gjithë shqiptarëve të jetojnë në një shtet e që ende nuk është përmbushur, kryesisht për fajin e vet shqiptarëve. Adem Jashari, së bashku me familjen Jashari dhe bashkëluftëtarët që tërë kohën ishin me te, bënë një sakrificë, të paparë deri atëherë duke sakrifikuar jetët e tyre për të fuqizuar shpirtin liridashës dhe për të mbajtur gjallë flakën e lirisë që tashmë, me luftën e lavdishme të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës ishte përhapur me fuqinë e zjarrit e që nuk shuhej përkundër krimeve të tmerrshme që bënte makineria ushtarake jugosllave dhe serbe, në përkrahje të heshtur të “paqësorëve“ të Kosovës! Nuk ka komb apo popull në botë, që nga fillet e njerëzimit dhe luftës për liri të kenë bërë një sakrificë siç e bënë Adem Jashari dhe familja Jashari por që mbetën të pavlerësuar nga politika e cila, kur kishin nevojë për ta , nuk i lëshonin nga goja kurse kur i vlerësonin si pengesë, ose i injoronin ose i fajësonin si përgjegjës për humbjen e jetëve të fëmijëve dhe grave të kësaj familjeje ndonëse me politikën e tyre, në një mënyrë kishin përgjegjësi për vrasjen e të gjithëve për faktin se ishin kundër lirisë së popullit, gjuhën e të cilëve e flisnin dhe e quanin gjuhë amtare në kohën kur me mish e shpirt ishin në shërbim të vrasësve të lirisë dhe jetës së shqiptarëve. Adem Demaçi , përveç 30 jetëve që i kaloi në llogoret jugosllave dhe serbe , në kushte poshtëruese dhe çnjerëzore, edhe ato pak vite që i kaloi në kushte gjysmëlirie, parreshtur u sulmua nga shqitarët me përkatësi kombëtare jugosllave dhe serbe kurse, nga “shokët“ e idealit, vuajtjeve , burgjeve dhe të luftës u margjinalizua në mënyrën më të paskrupullt , më të pandershme dhe më të ulët të mundshme, duke ia ngushtuar dhe pamundësuar hapësirën për veprim politik . Pikë kthese kundër Adem Demaçit llogaritet koha kur pikërisht “ shokët “ e Bacës Adem e përjashtuan Bacën e Shqiptarëve nga mundësia të bëhej President i Kosovës dhe u përcaktuan për një “ bacë “ tjetër , “ Bacin e Marecit “ që ua mbushi cullën me gjellë të kripur kurse kuletat me para që aq shumë u mungonin dhe ishin të pangopshëm për to. Kurrë nuk kam besuar se midis Adem Demaçit dhe Behgjet Pacollit , trimat e luftës dhe horrat e paqes do të përcaktohen për Bacin e Marecit. Dhe se kurrë nuk pata besuar se shqiptarët kanë hyrë në aq shumë mëkate e të dënohen me dënim kapital ; Behgjet Pacolli , President i Kosovës përballë Adem Demaçit . Prandaj , cullërat e mbushura me gjellëra zbrazen dhe kunërmojnë erë të keqe , kuletat zbrazen por turpi , i shndërruar në “ vlerë “ është i përjetshëm , për së gjalli dhe si pjesë e historisë ! Historisë së vërtetë e jo historisë që e shkruajnë horrat , për horrat !
Ngjyra kuq e zi kundër atyre që janë faqezi: Ismail Qemali krahas Deklaratës së Pavarësisë e kishte Flamurin Kuq e Zi , me shqiponjën dykrenare. Po për këto ngjyra dhe për këtë Flamur , Hasan Prishtina e shkriu mendjen , mundin , sakrificën dhe pasurinë e në fund edhe jetën . Komandanti Legjendar , Adem jashari e forcoi edhe më shumë Flamurin Kombëtar duke larë me gjakun e pastër shqiptar pjesën e kuqe të këtij flamuri e që ia fuqizon sfondin e shqiponjës dykrenare. Adem Jashari iku në përjetësi dhe e shkroi historinë pikërisht me këtë Flamur dhe pikërisht për Kosovën , si pjesë e pandashme e Atdheut tonë – Shqipërisë së Përjetshme! Baca i Shqiptarisë, Adem Demaçi , sikur dikur Deddë Gjon Luli i Malësisë së Madhe , për këtë flamur dhe për Shqipërinë : “hiç me vdekë nuk e kish gajle …”. Në kohën kur , me motive grafike dhe joestetike, “nga të brendshmet e Tinës“ u bë flamuri i Kosovës që dhunshëm u imponua nga ajo (Tina, ish ambasadore), Baca Adem erdhi te unë me një Flamur kombëtar , i punuar në Shqipëri dhe jo në Kinë dhe m’u drejtua me fjalët : “ Qupinë , këtë Flamur po ua dorëzojë ushtarëve të mi , Shkëmbit dhe Blinit në mënyrë që, në të ardhmen të mos i ngatërrojnë ngjyrat kombëtare dhe vulosin në vetëdije dhe ndërdije se kjo është qenia dhe ekzistenca jonë dhe se pa të jemi askushi dhe asgjë …”. Prej asaj kohe, Flamuri Kombëtar i Bacës Adem përdoret në familjen tonë në çdo 28 Nëntor kur festohet Ditëlindja e Shqiptarëve, kudo që jetojnë ! Dhe asnjë flamur tjetër Bacës Adem nuk i bënte aspak përshtypje “flamuri i Tinës“ sepse thoshte se nuk i prodhon asnjë ndjenjë apo emocion dhe se ka për qëllim ndarjen e shqiptarëve sikur edhe krijimin e një kombi artificial , të rremë , pa rrënjë dhe pa trung e që përngjanë në një cung të tharë – “kombi” kosovar !
Flamuri Kombëtar i Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Adem Jasharit dhe Adem Demaçit ishte edhe Flamuri i Qerqiz dhe Bajo Topullit , i Gjon Serreçit dhe Marie Shllakut , i At Gjergj Fishtës , Ndre Mjedës , Pashko Vasës , vëllezërve Frashëri , i Mihal Gramenos dhe Lasgush Poradecit , i Çajupit dhe Migjenit , i Mit-hat Frashërit dhe i gjithë atyre që e dhanë jetën apo vuajtën në burgje , në kundërshtim të Jugosllavisë apo dominimit sllav e që ishin shumë në Shqipëri , andej Drinit dhe këndej Drinit ! Flamuri Kombëtar ishte xhamadani i Azem Bejtës dhe Shotë Galicës , ishin tirqit e Shaban Polluzhës dhe të Mehmet Gradicës , ishte plisi i Shyt Marecit , ishte veloja e nusërisë e Marie Shllakut , Shotës , Xhevë Lladrovcit dhe Musine Kokollarit . Ky Flamur ishte kushtrimi i Tahir dhe Nebih Mehës dhe partiturë për veprën madhështore kënduar lirisë për Adem , Shaban , Hamëz Jashari , Rexhep Malën , Ilaz Kodrën , Fehmi Lladrovcin , Remzi Ademajn , Bardhosh dhe Jusuf Gërvallën , Shaban Shalën që edhe duke dhënë jetë në burgun e Prishtinës i këndonte Flamurit dhe këngën se : “ O more , këtu është Shqipëri e nuk është Serbi …”. Është Flamuri i Fazli Grajçevcit dhe Xheladin Rekaliut . Është Flamuri i të gjithë atyre që i shërbyen Kombit dhe Atdheut – Shqipërisë së Pavdekshme dhe të Përjetshme.
28 Nëntori apo Dita , Java , Muaji , Viti , Shekulli dhe Përjetësia e Kombit Shqiptar dhe Nënës Shqipëri na bashkon dhe do të na bashkojë gjithmonë. Nuk ka Flamur më të bukur në botë , nuk ka ngjyra që aq bukur kombinohen në çdo situatë, nuk ka Flamur dhe ngjyra që janë aq motivuese , aq ngushëlluese , aq qetësuese , aq frymëzuese e që , edhe në çastet më të vështira të jetës na bënin më të fortë . Edhe kur humbnin ndjenjat gjatë hetimeve në duart e OZNA-së dhe UDB-së famëkeqe , para syve na dilte Flamuri Kombëtar që na shëronte plagët , përkujdesj për neve , ishte shtrat dhe mbulojë mbrojtëse , ishte rikthim në jetë dhe vet jeta ! Ushtarët e së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës betoheshin para Flamurit Kombëtar , rreshtoheshin në nder të këtij Flamuri edhe në raste kur vdekjen e kishin më afër se këmishën , shkonin me amshim me këtë Flamur dhe me Himnin Kombëtar . Nënat dhe gjyshet tona e qëndisnin këtë Flamur , që nga Marigo Posi në Vlorë dhe Elhame Shala – Bogujevci në Besianë dhe për këtë arrsetoheshin , torturoheshin dhe dënoheshin me dënime të rënda ! Për këtë Flamur u pushkatua dhe u zhduk , pa nam dhe nishan , nacionalisti Jahja Fusha në Besianë sikur që u torturua , arrestua dhe dënua me burg Hamit Abdullahu – Berberi .
Si motiv për frymëzim artistik dhe patriotik dhe veprimtari kombëtare Flamurin Kombëtar e kishte Bajrush Behrami – Bali sikur që tërë jetën në shërbim të këtij Flamuri dhe Atdheut ia kushtoi Shashivar Makolli – Qali.
Si është gjendja sot për dhe rreth Flamurit Kombëtar : Në pjesën e Shqipërisë së Dedë Gjon Lulit dënohesh nëse e përdor këtë Flamur të pashoqëruar me Flamurin e Knjaz Nikollës së Cetines . Në Luginën e Preshevës , varësisht nga situata , trajtoheni apo , më mirë të them , keqtrajoheni nëse këtë Flamur e përdorni si identietet kombëtar , shtetërorë , shpirtërorë dhe politik. Çdo gjë që del jashtë planeve të Garashaninit dhe Vaso Çubrilloviqit , është e dënueshme. Në Maqedoninë e Veriut , Jugut , Lindjes apo Perëndimit , po bëhen përpjekje që Flamuri Kombëtar të zëvendësohet me flamurin fetar duke e maqedonizuar dhe islamizuat identitetin kombëtar . Në Kosovën e ditëve tona , i vetmi subjekt politik që ende nuk ka hequr dorë nga ky Flamur është LVV dhe për këtë kritikohet dhe sulmohet në ndërkohë që askujt nuk i pengon flamuri i Serbisë , një shteti të huaj dhe armiqësisht të rreshtuar ndaj Kosovës e që politikanët serbë të Kosovës e mbajnë në zyrat e institucioneve të Kosovës . Në çdo protestë që serbët e organizojnë kundër Kosovës , keni një ikonografi me flamuj të Serbisë e që askujt nuk i pengojnë sepse nuk guxojnë t’iu pengojnë . në disa komuna paralele të Serbisë në territorin e Kosovës e që financohen nga Buxheti i Kosovës e keni tëp vendosur flamurin e Serbisë por jo edhe të Kosovës.
Sot ; Flamuri Kombëtar valon lirshëm në Kullat e Glloxhanit , te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit , te Varrezat e të Merituarve të Kombit , në ndeshje sportive , në dasma dhe në ahengje familjare. Sot Flamuri Kombëtar valon lirisht në Shtëpinë rrënojë të familjes Jashari në Prekaz , ku ishte pikënisja e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryeqyteti i lirisë së Kosovës me të cilën kanë abuzuar aq shumë pikërisht një pjesë e atyre që është dashur ta mbrojnë këtë. Shtëpia e shkatërruar e që rrezikon të rrënohet e Jasharajve në Prekaz është Monument i Qëndresës dhe Orakull i Flijimit për një çështje që nuk ka çmim – për Çlirimin , Lirinë dhe Bashkimin e Kombit Shqiptar . Prekazi , si kryeqytet i lirisë së Kosovës është Vendi më i Shenjtë për të gjithë shqiptarët pavarësisht besimeve dhe bindjeve politike. Aty është rikthyer dhe është rimishëruar kuptimi i Nderit , Sakrificës , Gjakimit për Liri dhe aty është vulosur historia dhe vet qenia kombëtare . Aty është siguruar Përjetësia ! Aty ka gjetur zbatim thënia se për një vend ku bukës i thonë bukë , ujit i thonë ujë , ku jetohet dhe ëndërrohet shqip , ia vlenë edhe të vdiset shqip. Siç kanë vepruar edhe Ismail Qemali , Hasan Prishtina , Adem Jashari dhe Adem Demaçi dhe të gjithë Dëshmorët e Kombit , andej dhe këndej Drinit !
Urime Festa e 28 Nëntorit , Ditën e Flamurit dhe Ditën e Shqiptarëve për të gjithë ata që ndjehen të tillë dhe që tërë jetën e tyre kan qenë dhe janë në shërbim të Kombit dhe Atdheut !
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, 27 Nëntor 2019 Prishtinë
Postime të Lidhura
SHERADIN BERISHA: TA NDRYSHOJMË MENDËSINË POLITIKE E INSTITUCIONALE!
Pashtriku, 23 janar 2020: Kur e keqja dominon e mira vonon! Madje fare nuk duket, sepse nga e…
BEHXHET SH.SHALA: A VËRTETË HUMBI SHIK’u APO FITOI UNMIK’u?!
Prishtinë, 06. 12. 2013 – (Krejt normale, dikush po këndon, tjetri po vajton dhe arsyeton) – Pas zgjedhjeve…
JAHIR BEJTA: PËR SHKAK TË DREJTËSISË SË MUNGUAR NGA POLITIKA PËR QYTETARËT E SAJ “NGRITJ E ZËRIT†PROTESTOJ PUBLIKISHT!
Prishtinë, 1 tetor 2019: Shoqata profesonale per deme te luftes ne nivel shteti qe nga data 30.09.2008, eshte…
LUAN ALIU: VETËREKLAMIMI DHE GËNJESHTRAT
(Gjilan, 02 mars 2012) – Reagim ndaj shkrimit të Sabri Maxhuni Novosella me titull “Letër e hapur Albin…