Prishtinë, 21 prill 2017: (Çapkënët e politikës dhe dhunuesit e retorikës) – Kosova, si rast sui generis po kalon nëpër një krizë të përhershme gjithmonë duke u marrë me raste dytësore apo tretësore në planin e brendshëm kurse , si faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i pashmangshëm në formimim e politikave strategjike globale, po merret vetëm me çështje madhore ndërkombëtare . Kjo është sikur ajo përralla kur një i pastrehë , endacak dhe pa një kacidhe në xhep i premton dikujt Kullën e Ajfelit , hotelin Ritz apo modelin e fundit të Bugati Vejron sikur edhe një llogari bankare me së paku 5 miliardë euro ! Shumica e politikanëve që operojnë sot në Kosovë , nuk kanë as njohuri elementare politike ose , nëse kam guxim ta them , janë analfabetë total në këtë fushë. Prandaj , edhe nuk i kemi punët aq keq nëse i marrim parasysh këto rrethana. Vetëm në Kosovë mund të bëhet politikan një analfabet i cili në jetën e vet nuk e ka lexuar një libër të vetme madje as “Afërdita përsëri në fshat“, “Sikur të isha djalë“ apo “Lulja e Kujtimit“. Kosova është vend i mundësive të mëdha për injorantët e të gjitha llojeve , vendorë dhe ndërkombëtarë. Injorantët e kanë filluar decentralizimin dhe të tillët e përfunduan duke i krijuar të gjitha kushtet për një ndarje të brendshme të Kosovës. Injorantët dhe lakmitarët po e bëjnë , por edhe po e kundërshtojnë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Krejtësisht të padijshmit dhe horrat u bënë deputetë , një pjesë e tyre , duke blerë vota apo , kur ishte “aksham pazari“ , duke i vjedhur ato. Ndërkombëtarët , pjesë e misionit më relaksues në botë në Kosovë po zbatojnë standarde të dyfishta apo të shumfishta duke ndarë të drejtën sipas parimit :” të dobtit i premto, të fortit i jep të drejtën “. E vërteta dhe faktet nuk kanë rëndësi në këtë gjykim. Sipas këtyre “ parimeve “ , Serbia u bë pronare dhe përcaktuese e të gjitha proceseve politike në Kosovë pas përfundimit të luftës kurse shumicës absolute numerike në Kosovë , shqiptarëve dhe kosovarëve të klonuar u komunikohej përmes medieve apo në takime se çka kanë vendosur me Serbinë ! Kosovës iu disejnua një monstrum juridik e quajtur Kushtetuta e Ahtisarit e që diçka të tillë nuk e kishte asnjë vend në botë për ta bërë Kosovën jofunksionale të përhershme dhe , për të gjitha dështimet , përgjegjësia i adresohej te institucionet kosovare. Më duket çmenduri kur figurat më të larta “ politike “ të vendit , kur flasin për kriminelin kushtetues Mati Ahtisari vetëm sa nuk përjetojnë orgazëm në perversitetin e tyre nënshtrues ! Në perversitetin dhe pasionin e sëmurë për kriminelin kushtetues Mati Ahtisari këta injorantë dhe pakurrizorë e tejkalojnë edhe Komleksin e Edipit sepse , me nënshtrimin e pakusht ata e kanë dhunuar ardhmërinë e Kosovës dhe qytetarëve të saj! Me kompleks të inferioritetit nuk mund të preshë bilet për parajsë , madje as ferrin nuk e ke të garantuar . Tash , nëse e analizoni rrjedhën e bisedimeve sikur edhe ogiçëve të një kopeje të pakoordinuar , nuk kemi pasur mundësi të ndahemi më mirë përveç se të lagur dhe stërlagur . Krejtësisht është e natyrshme që lufta zëvendësohet me paqe dhe kjo arrihet përmes bisedimeve por kjo nuk nënkupton se duhet të lëshoni brekët dhe të pretendoni pastaj se jeni dhunuar ! Në këto rrethana pastaj dalin kërcënimet për një luftë dhe bashkim me Shqipërinë. Lufta nënkuptohet të bëhet sipas teorisë së Don Kishotit kurse bashkimi sipas modelit që e refuzon bashkimin me Shqipërinë i patentuar si modeli Rama – Thaçi . Po të donin Rama dhe Thaçi , bashkimi do të ndodhte dhe do ishte harruar mirëpo , nëse nuk jeni në gjendje të bashkoheni rreth një thesi me patate atëherë mos na dhunoni me tema të mëdha për të cilat nuk keni , as këllçe a as koqe ! Shpërdoroni këto tema të mëdha dhe të shenjta për mbajtjen e pushtetit për aq sa ju lejohet dhe mos përdorni një retorikë dhunuese ! Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të ndodhë , është një proces i pandalshëm dhe nuk do të mund të pengohet nga dhunuesit e tashëm të retorikës . Këtë detyrë e patën edhe dëmtuesit më të mëdhenj të interesave të shqiptarëve ; mbreti malok Ahmet Zogu , diktatori Enver Hoxha dhe mashtruesi Sali Berisha. Që të tre ishin jashtëzakonisht të dhunshëm ndaj atyre që ishin për bashkim kombëtar duke i vrarë , arrestuar , dënuar dhe margjinalizuar patriotët më të mëdhenj shqiptarë . Për bashkimin kombëtarë nuk duhet të flitet por të punohet kurse angazhimi i tyre është pikërisht e kundërta e asaj që duhet bërë .
Zgjedhjet si zgjidhje apo rruga drejt kaosit
Kosova është në krizë , morale dhe politike . Kriza ekonomike është si e drejtat e njeriut , na takon me të lindur ! Si rezultat i saj thuaja nuk e hetojmë krizën fare sepse rritemi me te . Koalicioni i madh i sajuar për vendime të mëdha që strategjikisht e dëmtojnë Kosovën ; demarkacioni , bisedimet nënshtruese me Serbinë, Gjykata Speciale , Asociacioni i Serbisë në Kosovë u ndal nga pykat e opozitës dhe e një pjese të pozitës. Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi u shndërrua në ankth për pozitën dhe në një shans të artë për opozitën për të provokuar zgjedhjet e parakohshme . E ashtuquajtura shoqëri civile , e uritur për pushtet vetëm sa po kontribuon në përshkallëzimin e situatës duke shkelur mbi të gjitha parimet morale dhe profesionale. Kundërshtimin ndaj Demarkacionit nuk e mbështes në njohurit e mia për këtë proces por në intuitën dhe kujtesën historike ku , në të gjitha proceset shqiptarët kanë humbur territore duke u tëkurrur në një grusht vend. Procesi i demarkimit të kufirit me FYROM ku humbëm toka kaloi pa ndonjë reagim kurse tash, me Malin e Zi kjo çështje u bë tërkuzë e manipulimeve për të mbetur në pushtet apo për ta marrë pushtetin në mënyrë klandestine . Këtu ka humbur çdo arsye e gjykimit të drejtë dhe “ mbrojtësit “ e kufirit luftën po e bëjnë nëpër kafeteritë e Prishtinës. Një herë shkuan te kufiri , pas vërejtjes së policëve malazias u larguan për ta lënë flamurin aty që policët malazias e shtrinë për tokë e që nënkupton përdhosjen e flamurit që mbeti pa mbrojtje. Tash po kërkojnë arbitrazh ndërkombëtar sikur nuk kanë mësuar nga pësimet e arbitrazheve ku Kosova ka humbur , deri më tani dhjetra milionë euro me mundësi reale që këto shifra ta tejkalojnë qindra milionë euro. Punën e arbitrazhit po e marrin si lojë fëmijësh dhe muk e dinë se për arbitrazh duhet pëlqimi i dy shteteve në kohën kur Mali i Zi këtë çështje e konsideron si të përfunduar . Të tillë e konsiderojnë edhe ndërkombëtarët . Tash , kur Mali i Zi do të bëhet anëtare e NATO –s , kjo çështje përfundon përveç atyre që mendojnë se mund të konfrontohen ushtarakisht edhe me NATO-n . Gabimi për Demarkacionin është bërë shumë më heret kur , në mungesë të transparencës kemi hyrë në detyrime ndërkombëtare . Isa Mustafa e ka trashiguar Demarkacionin dhe gabimi i tij është se ka marrë përgjegjësi që realisht nuk i kanë takuar mirëpo, dëshira për pushtet ka qenë aq e madhe sa që edhe Isa është bërë pjesë e pandashme e përgjegjësisë . Jam i sigurt se edhe opozita , po të ishte në pushtet ose nëse e merr pushtetin nuk do të bënte asgjë më shumë se pozita . Deri më tani , mua nuk më ka bindur as pozita e as opozita se kanë të drejtë në “ luftën e tyre për mbrojtjen e kufijve “ dhe unë , si mosnjohës i çështjeve të demarkimit të kufijve kryesisht i referohem pësimeve nga e kaluara kur kemi humbur territore sikur që është rasti i Çamërisë , Shën Naumit , Plavës , Gucisë , Hotit , Grudës dhe Ulqinit e mos të flasim për territoret që i ka pushtuar Serbia , që nga Sanxhaku i Nishit , Lugina e Preshevës , Tivari dhe Shkupi dhe territore të tjera të cilat pastaj i janë dhuruar FYROM dhe Malit të Zi. Duket se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi ka përfunduar për të vazhduar rrugës për në ferr apo demarkimit të kufirit me Serbinë! Prandaj , do të ishte mirë që pushtetin ta marrë opozita dhe do ta shihnim se si do t’i zgjidhnin çështjen e Demarkacionit , Gjykatës Speciale , Asociacionit të Serbisë në Kosovë , bisedimet me Serbinë , bisedimet për pronat , kontestet e arbitrazhit dhe humbjet e mëdha financiare. Sigurisht se do ta përdornin arsyetimin se ne nuk i kemi krijuar këto probleme andaj nuk mbajmë përgjegjësi për to! Gjykata Speciale u votua pas një presioni të hatashëm mbi krerët e partive politike dhe deputetët e Kuvendit. Tash , pasi përfunduan të gjitha procedurat rreth kësaj Gjykate dhe ajo u bë operacionale dikujt i ra ndërmend të futet edhe një amandament me të cilin do të dënoheshin të gjitha krimet në Kosovë duke listuar masakrat që Serbia i bëri në Kosovë kundër shqiptarëve. Po të ishte kjo Gjykatë vërtetë e Kosovës dhe po të funksiononte sipas ligjeve të Kosovës , amandamentimi do të ishte një çështje teknike. Mirëpo , pasi kjo Gjykatë nuk ka asgjë të përbashkët me Kosovën përveç se do të ndajë drejtësi selektive duke dënuar vetëm shqiptarët për krimet që mund t’i kenë bërë ndaj serbëve por jo edhe serbët për krimet, deri në përmasa gjenocidi ndaj shqiptarëve , manipulimi me shoqatat e dala nga lufta është veprim shumë i pandershëm dhe shpërdorues. Këto reagime shumë të vonuara nuk prodhojnë asnjë efekt përveç se i kthehen si bumerang pikërisht shqiptarëve që do të cilësohen si pengues të zbatimit të drejtësisë ! Mbështetur në praktikat deri më tani , Gjykatat për krime lufte kanë qenë kryesisht të instrumentalizuara nga politika që i ka themeluar dhe financuar duke shërbyer si instrument për ndërprerje të luftës apo ndërtim të paqes edhe kur kanë vepruar në dëm të drejtësisë dhe viktimave. Edhe kjo Gjykatë do ta ketë fatin e tillë sepse do ta ketë shumë vështirë t’i mbështesë aktakuzat të cilat nuk i vërtetoi as Tribunali i Hagës ! Ata që kanë kryer krime duhet të dënohen nëse u dëshmohet fajësia pavarësisht përkatësisë etnike , fetare , racore , bindjeve politike apo statusit shoqëror . Nuk ka luftë të pastër qoftë edhe nëse ajo që ka karakter çlirimtar prandaj përsëritja se ne kemi bërë luftë çlirimtare nuk është argument bindës për ta kundërshtuar Gjykatën Speciale. Pritjet nga kjo Gjykatë janë shumë të mëdha nga ata që duan të përfitojnë politikisht , materialisht apo ata që duan ta pastrojnë të kaluarën e tyre të ndyrë , njerëzore dhe kombëtare . Rezultatet do të jenë dekurajuese dhe kjo vetëm sa do të thellojë përçarjet midis shqiptarëve . Vazhdimi i bisedimeve me Serbinë dhe sidomos Asociacioni i Serbisë në Kosovë është lak në fyt për qeverinë aktuale dhe armë e opozitës sikur edhe disa deputetëve të pozitës që po e hajnë bukën e pozitës ndërsa po shiten si opozitarë! Tash kemi një çarje të koalicionit qeverisës ku partnerët që kanë fjetur bashkë po e akuzojnë njëri – tjetrin për shkelje të kurorës në vend se të ulen bashkë dhe të divorcohen , pa kaluar në procedurat e turpshem sepse edhe nesër mund të jenë partnerë. Po kërkohen zgjedhje të parakohshme duke vlerësuar se mund të fitojnë në kurriz të fatkeqësive të tjerëve . Të fillojmë pra me një analizë sipërfaqësore . Po flitet se për zgjedhje është e interesuar PDK , si më e goditura nga Gjykata Speciale prandaj ka interes që të shkojë në zgjedhej para arrestimeve . Unë mendoj të kundërtën , PDK ka interes politik ta përfundojë mandatin sipas orarit të paraparë. Gjykata Speciale vetëm sa do ta forcojë PDK sepse do ta bëjë profilizimin politik të saj dhe do ta rrisë numrin e votave . LDK nuk ka gjasa të plasohet aq ultë sipas sodazheve të porositura . Nëse nuk del partia fituese atëherë e dyta është e sigurtë . Deputetët rebelë brenda LDK-së , pa përkrahjen e partisë ( edhe nëse futen në lista ) nuk do të kenë gjasa të fitojnë vota të mjaftueshme . Te ne , Partia të bënë zojë , Partia të bënë tojë ose Partia të bënë zotëri , Partia të bënë dilinxhi ! VV po peshkon vota te të dyja partitë opozitare te të pakënaqurit që nuk ju garanton fitore në zgjedhje apo ngritje të madhe të votave. Në VV është një çarje midis krahut konservatorë ( kombëtar apo nacionalist ) dhe krahut progresit apo krahut me proveniencë ish – jugosllave . Këta të fundit po sillen sikur të ishin më VV se vet VV –ja ! Nëse dikur Albin Kurti llogaritej si mendja dhe shpirti i VV , sot po llogaritet si pengues i VV , sidomos në raport me ndërkombëtarët ! Është një tendencë që ai të margjinalizohet brenda VV e pastaj të eliminohet politikisht ! Për shkak të sigurisë që të prejnë biletën për Kuvend , AAK dhe Nisma u lidhën në një lidhje paramartesore ( parazgjedhore ) por kjo nuk do të prodhojë ndonjë efekt të madh. Një miku im nga AAK , para një jave më bëri të qesh shumë kur më tha se, sipas sondazheve del se koalicioni AAK – NISMA mund të fitojë mbi 50% të votave. Kështu më tha Zhyl Verni i AAK-së . AKR mund ta kalojë pragun zgjedhor kurse Alternativa e Mozës dhe Lilit , pa bankomatët e Gjet Pacollit do të sillet rreth “ dardhës së Ahmatit “ duke pritur ditë më të mira . Eventualisht mund të forcohet me krahun ish jugosllavë të VV dhe kjo do ta ndryshonte situatën. Koalicionet e mundshme . Koalicioni eventual PDK – AAK dhe Nisma nuk funksionon dhe nuk i bënë mirë Kosovës. Ky koalicion do ta provokonte koalicionin LDK –VV – AKR që lehtësisht do t’i fitonte zgjedhjet . Eventualisht mund të flitej për një koalicion PDK- LDK – AAK – Nisma dhe AKR që do të siguronte shumicën absolute. Duhet gjithmonë ta kemi parasysh se , as zgjedhjet e as koalicionet nuk bëhen pa “ lehtësuesit “ ndërkombëtarë . Deri më tani ata u deklaruan kundër zgjedhjeve . Këta “ lehtësues” shumë të rëndë nuk do të lejojnë koalicione që ua rrezikojnë realizimin e projekteve politike ku kanë investuar shumë . Prandaj , jam i sigurt se opozita , po të vinte në pushtet do të tregohej shumë më fleksibile për zgjidhjen e çështjeve të mëdha ndryshe nuk do ta kërkonte pushtetin nëse e vlerësojnë se do të ishin të papranueshëm nga ndërkombëtarët ! Lërini kasnecët e partive politike që vëjnë kushte për koalicione të mundshme sepse ata nuk janë vendimmarrës , nuk pyeten për asgjë . Ata do të përfundojnë si këndesët që kukurisin para kohe , si një supë pa shije në mungesë të mëlmesave ( përkrahjeve të atyre që marrin vendime ) . Në Kosovë çdo gjë është e mundur përveç ndryshimeve të shpejta sepse është një shresë e trashë ndryshku. Zgjedhjet që do të mbaheshin në 3-4 muajt e ardhshën nuk do të sillnin asnjë ndryshim sepse po luhet me lojtarë të njëjtë që kanë kontribuar për këtë gjendje. Ta ilustroj këtë me tjë tregim që pasqyron gjendjen tash sikur edhe të asaj pas zgjedhjeve. Hasani , i varfër ekonomikisht por i pasur me fëmijë të shumtë u thotë 7 djemëve të vet që të shtunën duhet të qëndrojnë në shtëpi sepse do t ‘i ndërrojnë brekët apo ato që ngjajnë në brekë. Fëmijët e gëzuar u mblodhën në oborr ditën e shtune duke pritur ma padurim ndërrimin e brekëve. Pas një kohe erdhi babai i tyre Hasani , i mblodhi rreth vetes dhe filloi me fjalët “ Xhymshiti do t’i veshë brekët e Ekremit . Ekremi brekët e Halilit , Halili brekët e Xhymshitit , Sahiti brekët e Kahrimanit , Kahrimani brekët e Sinanit …e kështu me radhë” ! Kështu do të ndoshë edhe pas zgjedhjeve të parakohshme ! Ashtu mendoj dhe deri sa mendoj , mund edhe të gaboj !
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë – 20 prill 2017