Prishtinë, 4 mars 2020: Po mungon largpamësia e Bacës Adem
Nuk ka shqiptar, përjashtuar këta ata që e dhanë jetën gjatë kundërshtimeve ndaj robërisë një shekull e më shumë ndaj pushtuesve të Mbretësisë Serbo-Kroato-Sllovene, Jugosllavisë së AVNOJ-it, Jugosllavisë Vetëqeverisëse ku bënin pjesë edhe shumë shqipfolës që sot po bëjnë shtatë palë qejfe në Kosovën e lirë, Jugosllavisë së Zhablakut dhe Serbisë së kriminelëve të luftës, që nga Sllobodan Millosheviqi e deri te Alkesandar Vuçiqi se që bëri i Papërsëritshmi dhe Marathomaku i luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar, Baca Adem Demaçi. Gjithashtu, nuk ka njeri që ka dhënë aq kontribut për komb dhe shtet e të jetë sulmuar aq shumë dhe penguar, jo vetëm nga ata bastardë shqipfolës që na torturuan më shumë se vet kriminelët serbë , por edhe nga ata me të cilët i ndau vuajtjet, idealin, sakrificën dhe ëndrrën për liri dhe të cilët ia mbyllën çdo derë dhe mundësi të jetë në vendin e merituar. Kam dëgjuar shumë njerëz të ligë dhe ata që janë kundër çdo interesi kombëtar apo shtetërorë se Baca Adem po manipulohet nga politikanë dhe sharlatanë, këtej e andej kufirit. Ata që nuk bënë asgjë për këtë vend , për kombin dhe njerëzimin nuk ka si të mendojnë ndryshe prandaj edhe jemi ku jemi në ndërkohë që kemi mundur të jemi shumë më mirë. Nuk ka pasur politikan apo njeri, parti, sistem, para, post, pasuri apo shtet që ka mundur të manipulojë me Bacën Adem nëse kjo ka qenë në kundërshtim me interesin kombëtar apo shtetërorë ose që ka qenë në kundërshtim me vlerat njerëzore. Mirëpo, Baca Adem, për interes kombëtar, shtetërorë apo njerëzorë ka qenë në gjendje të shtrihet, të bëhet tepih mbi të cilin pafytrësisht kanë shkelur të poshtrit që menduan se po manipulojnë me këtë vlerë universale njerëzore dhe të papërsëritshme. Të gjithë ish të burgosurit politikë mund të dëshmojnë se në Llogorin e Stara Gradishkës ku ishin disa dhjetëra të dënuar politikë shqiptarë, Baca Adem kërkonte të përkrahej Ibrahim Rugova dhe të mos pengohej. Madje, kërkonte nga ne të mos bëhemi anëtarë të LDK-së sepse, siç thoshte, jemi me baloshë (të dënuar politikë) prandaj regjimi serb mund ta përdorë si pretekst për ta shtuar represionin ndaj LDK-së dhe vet Ibrahim Rugovës. Me sugjerimin e Bacës Adem, shumë të burgosur politikë votuam për Ibrahim Rugovën në mënyrë që ta fuqizojmë këtë lëvizje për të cilën mendonim se do të bëjë rezistencë. Dolëm se u mashtruam keq por Baca Adem vazhdoi t’i besonte Rugovës deri në çastin kur u bind se ky nuk është në gjendje ta bëjë edhe as një sakrificë të vetme personale duke e instaluar një frymë dhe qëndrim defetiste dhe nënshtruese. Atëherë, Baca Adem bashkë me Ahmet Haxhinë, gjeneralin Shaban Shala, disa shokë nga burgu ku isha edhe unë e bëmë një organizim për furnizim me armë (përgjegjësinë kryesore për këtë e kishte Baca Ahmet Haxhiu). Pas krimit kundër Lagjes së Monollëve në fshatin Pollatë të Besianës, Baca Adem Demaçi ka qenë i prerë për luftë të armatosur. Baca Adem nuk ka ditur çka është frika, kur nuk ka llogaritur se çka do të ndodhë ditën që vjen. Ndonëse ka qenë plotësisht i vetëdijshëm për pasojat ai haptasi e kundërshtoi Gelbardin që e cilësonte UÇK-në si terroriste. Në rezidencën amerikane në Beograd, Gelbard tetë herë tha se UÇK-ë është organizatë terroriste, Baca Adem, nëntë herë i tha se është organizatë dhe ushtri çlirimtare. As me Holbrukun nuk ka qenë aspak i mëshirshëm sikur as me vëllezërit Hill që çonin ujë drejt një autonomie kulturore. E refuzoi shkuarjen në Rambuje sepse në mesin e 8 pikave të panegociueshme, e para ishte se garantohej integriteti dhe sovraniteti i Jugosllavisë mbi Kosovën. U pushkatua nga shumë ish-jugosllavë dhe ish-enveristë, prijatarë e të cilëve ishin Vetoni dhe Kadareja. Sot krenohen me Rambujenë por, po ta nënshkruante Serbia këtë Marrëveshje sot do të ishim në një situatë tjetër. E kundërshtoi Cezarin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bernard Kushner i cili i pari përligji institucionalisht korrupsionin në Kosovë duke i dhënë monopol absolut Pro Credit-it që nuk ishte fare bankë por institucion mikrofinanciar sikur që i dha monopol të vetëm Monakos në fushën e telefonisë mobile. Kushneri donte ta përmbyllte misionin e pajtimit me Serbinë duke i rënë hekurit sa ishte i nxehtë. Baca Adem i vuri kushte duke e mbyllur këtë kapitull. Baca Adem, kur shqiptarët ishin në rrezik ishte shqiptari më i madh, kur pakicat u rrezikuan pas përfundimit të luftës në Kosovë u deklarua se është edhe vet pakicë. Nuk kishte post që meritonte që Baca të sakrifikojë vlerat njerëzore në interes të njerëzimit, kombit dhe shtetit. Dha dorëheqje nga Përfaqësuesi Politik i Zyrës së UÇK-së në Prishtinë, nga kryetari i Bordit të RTK-së. Adem Demaçi ishte spiritus movens i Albin Kurtit dhe përkrahës i 100% deri në çastin kur kjo u shndërrua në lëvizje politike. Nuk kishte protestë të organizuar nga LVV-ë e që Baca Adem, së bashku me Shashivar Makollin-Qalin, Fexhën, Shkëmbin dhe Blinin e që nuk ishin në radhët e para. Baca Adem kundërshtoi bisedimet e Vjenës dhe Pakon e Ahtisarit sepse nuk garantonin pavarësi të plotë për faktin se krijoi Zona të Mbrojtura, decentralizim në baza etnike dhe e bënte Serbinë hisedare në Kosovë. Merreni me mend, Pakoja e Ahtisarit e bëri një Kosovë jofunksionale e mund ta imagjinoni se si do të duket Kosova me një Ahtisari Plus apo Ahtisar++?! Baca Adem ishte i pari që në Beograd ua theu turinjtë shovinistëve serbë. Kur shumica e qytetarëve të Kosovës ikën nga Kosova gjatë bombardimeve, Baca Adem nuk lëvizi dhe, pa asnjë dyshim, vetëm të vdekur do të kishin mundësi ta largonin nga Kosova. Baca Adem ishte rreptësisht dhe padiskutueshëm kundër Zajednicës dhe kundër Gjykatës Speciale për Kosovën dhe kundër UÇK-së. Krejt këtë hyrje të shkurtër e bëra për të treguar se çfarë sjellje do të kishte Adem Demaçi përballë arrogancës së Grenellit. Pa asnjë dyshim do të sillej sikur që kishte vepruar me ambasadorin Gelbard, në kohë shumë të vështira ! Nuk ka sot Kosova një Adem Demaç që kishte guxim t’ua rrehte tavolinën edhe të huajve por edhe shokëve të luftës kur ata nuk punonin si duhet. Baca Adem nuk ka duruar tereq dhe mujsharë as nëse ishin prodhime vendore e as të kontrabanduar nga jashtë, si ndërkombëtarë.
Taksa pa maska
Ramush Haradinaj , së bashku me Kadri Veselin bënë historinë kur vendosën taksën 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina duke penguar një proces që ishte para aktit të kryer; atij të korigjimit të kufijve apo rrezikimit të tërësisë territoriale të Kosovës. Ramush Haradinaj e mbrojti deri në fund, deri kur dha dorëheqje. Ramushi por edhe të gjithë përkrahësit e kësaj takse iu nënshtruan një linçimi ndërkombëtar por edhe vendorë duke kërkuar që të hiqet taksa dhe të hapej rruga për bisedime me Serbinë me qëllim të arrihet një marrëveshje përfundimtare. Pas zgjedhjeve të fundit u krijua një situatë tjetër, edhe për mbrojtësit e taksës si dhe për mohuesit e saj. Thuaja të gjithë, hiç këtu AAK-në janë për heqjen e taksës që u dëshmua edhe në seancen për taksën. Kryeministri Kurti propozoi që taksa të zëvendësohet me reciprocitet të plotë ekonomik, politik dhe tregëtar me Serbinë. AAK-ë, ende po kundërshton por se mbeti e vetmuar dhe më nuk ka asnjë detyrim që të sakrifikohet për mbrojtje të taksës për faktin se fuqia politike e saj është e limituar. Ambasadori Grenell e priti në tytë të pushkës propozimin e kryeministrit Kurti duke e refuzuar krejtësisht këtë propozim. Grenelli, duke treguar muskuj dhe arrogancë kërkon heqje të pakushtëzuar të taksës dhe refuzon çdo reciprocitet me Serbinë. Në këtë linjë janë edhe Edvin Rama, kryeminister i Shqipërisë, Hashim Thaçi, kryetar i Kosovës, Isa Mustafa (aktualisht politikani më i fuqishëm në Kosovë), Kadri Veseli, kryetar i PDK-së dhe lider i opozitës, thuaja të gjitha personalitetet më të rëndësishme e që kanë ndikim vendimarrës si dhe Aleksandar Vuçiq, kryetar i Serbisë. Agresiviteti mujshar i Grenellit shkaktoi reagim tektonik të politikanëve shqiptarë; Rama e fyen në vazhdimësi Haradinajn, Ilir Meta e mbronë ish-kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi e përdorë si armë speciale kundër Albin Kurtit kurse ish-titistët e LDK-së po bëhen më amerikanë se vet amerikanët, më amerikanë se Grenelli dhe Trampi. Po deklarojnë se taksa duhet të hiqet ashtu si kanë kërkuar amerikanët pa pasur asnjë ofertë konkrete, si kundërvlerë e heqjes së taksës. Albin Kurt është i gozhduar në kryqin e premtimeve elektorale dhe tani të gjithë ia ngulin nga një gozhdë për t’i shkaktuar sa më shumë vuajtje dhe për t’u dëshmuar se janë shumë amerikanë. Thellësinë dhe vrazhdësinë e nguljes së gozhdës po e masin me besnikërinë ndaj Grenellit dhe Trampit. Disa, si Edi Rama psh., duan t’i lajnë duart dhe ta luajnë rolin e Ponti Pilatit duke u shfajësuar nga çdo përgjegjësi. Pse domosdoshmërisht duhet t’i besojmë dhe t’i nënshtrohemi çdo diktati, kushtëzimi apo arrogance të Grenellit ose Trampit?! Çështja e Kosovës është lehtësisht e zgjidhshme; vetëm duhet të respektohen normat ndërkombëtare; janë kufijtë e përcaktuar, është territori, janë njohjet brenda këtyre kufuijve etj. Kryeministri Kurti ose është dashur të mos e hjek fare taksën ose është dashur ta hjek tërësisht dhe po në atë çast ta vendosë reciprocitetin me Serbinë. Po flitet për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për normalizim. Kjo nënkupton se kryeministri Kurti nuk do të ketë fare kohë dhe aspak mundësi të udhëheqë bisedimet për faktin se për bashkësinë ndërkombëtare lojtari kyç është Hashim Thaçi sepse është i provuar, i sprovuar dhe i dëshmuar, është pra lojtari kryesorë kurse Albin Kurti, për ndërkombëtarët ende është vetëm një i talentuar i cili, nëse i dëgjonë do ta llogarisin si një yll kurse, nëse nuk i dëgjon do ta shndërrojnë në një kometë e cila pashmangshëm do të përplaset për toke (do të eliminohet nga skena politike)! Po e vëreni se të gjithë ndërkombëtarët po e kritikojnë Kurtin për taksën por askush nuk po e kritikon për asnjë veprim të brendshëm që e ka ndërmarrë deri më tani; shkarkimin e bordeve, të konsujve , anulimin e procesit të rekrutimit të noterëve dhe kërkesën për shkarkim të ambasadorëve.
Është një luftë e hapur midis presidentit Thaçi dhe kryeministrit Kurti, një luftë e gladiatorëve që nuk luftojnë për ta fituar lirinë por për ta forcuar pushtetin. Duket se Albin Kurti e ka nënçmuar Hashim Thaçin duke mos e njohur as për së afërmi Gjarprin. Albini ka menduar se Hashim Thaçi do t’ia bartë valixhet gjatë bisedimeve dhe se me kërcënime do ta frikësojë nga shkarkimi apo arrestimi . Hashim Thaçi është njeri i krizave dhe krizat vetëm sa e forcojnë ! Presidenti ynë legjendar e ka të pamundur të mbijetojë situatave dhe gjendjeve normale dhe këtu ishte gabimi kryesor i Albinit ndaj Hashimit, në vlerësimin e situatës dhe mundësive. Hashimi i duhet shumë ndërkombëtarëve në këtë çast sikur që ndërkombëtarët i duhen Hashimit kurse Albini është në pritje, nëse i mbijeton situatës. Albin Kurti ka bërë kthesa të mëdha në saje të korigjimit që ia ka bërë dhe po ia bënë Isa Mustafa. Prandaj edhe thashë se Isa Mustafa është politikani më i fuqishëm në Kosovë. Albin Kurtit nuk i ndihmon aspak letra informuese që ua dërgon Trampit i cili 99.99% do të jetë president edhe në mandatin tjetër dhe Grenellit për faktin se ata luajnë me Thaçin, si të dojnë dhe kur të dojnë! Në kohën kur Grenell e bojkoton dhe kërcënon kryeministrin Kurti, po i njëjti ambasador (Grenell) komunikon me Hashim Thaçin sikur të kishin ruajtur bashkë buallicat në livadhet e Burojes. Nuk ma ha mendja se një taksë mund t’i rrezikojë marëdhëniet (kryesisht vasale) me amerikanët sikur që i kanë rrezikuar dhe ç’akorduar raportet, deri në prostitucion politik, të liderëve shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi! Hashim Thaçi i ka këshilltarët e sofistikuar dhe të veshur me kostum të Makiavelit sikur që është vet kurse Albin Kurti i ka disa këshilltarë anarkistë që mendojnë se e ndihmojnë Albinin duke linçuar të gjithë ata që nuk mendojnë si këta dhe si Albini ! Albin Kurti është i mençur, është patjetër një patriot i dëshmuar, nuk i mungon guximi dhe nuk e besoj se do të bëjë diçka kundër interesave të kombit dhe të shtetit por duhet ta ndërpresë ta luaj rolin e Orakullit të Zeusit i cili i di të gjitha, është mbi të gjithë, nuk gabon asnjëherë dhe, duhet të pyetet për çdo gjë! Nga e kaluara duhet të nxjerrë mësim nëse mendon të jetojë dhe mbijetojë në skenën politike. Është shumë heret të flitet për efektet apo defektet e qeverisë Kurti prandaj duhet të tregohemi të durueshëm sepse gjërat do të lëvizin shumë më shpejt se që mendohet. Jam i bindur se nëse opozita aktuale dëshiron ta rrëzojë qeverinë Kurti, në këto rrethana dhe në ato që pashmangshëm do të vijnë, lehtësisht do ta bënte këtë. Mirëpo, opozita do ta bënte gabimin më të madh nëse bënë përpjekje apo e rrëzon qeverinë Kurti. Opozita duhet të bashkëpunojë me qeverinë Kurti deri në kohën kur kjo do të bëhej e pamundur. Kurti ka ndryshuar retorikën, duhet t’i disiplinojë anarkistët e vendit dhe të importuar në mënyrë që edhe opozita të ndërrojë sjelljet. Nuk është aspak vështirë ta qëlloni se cili do të jetë rezultati i bisedimeve me një skenë aq të armiqësuar brendashqiptare të të gjitha trojeve ku jetojnë shqiptarët. Duhet të relativizohet maksimalisht agresiviteti kërcënues i Grenellit sikur që duhet të eliminohet poseviteti i presidentit Thaçi të jetë pronar i vetëm i bisedimeve me Serbinë, duke injoruar të tjerët, kryeministrin në radhë të parë ! Albin Kurti ndodhet para sfidave dhe përgjegjësive të mëdha dhe duhet të përkrahet. Në rastin konkret, në çdo variant fitues është Vojvoda i Serbisë kriminale, Aleksandar Vuçiq. Nga asgjë ai do të fitojë diçka, dhe jo vetëm diçka por do të fitojë shumë më tepër se i takon për faktin se asgjë nuk i takon. Me dyfytyrësinë e ndërkombëtarëve dhe injorancën dhe përçarjen e shqiptarëve!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë 3 mars 2020
Postime të Lidhura
REXHEP KASUMAJ: ORË FESTE…
Berlin, 13 maj 2017: 1.Të kreshpërosur njëj krenie, shpesh të paligjshme, shqiptarët i kanë përtallur serbët pse humbjet…
PROF.DR.LUFTULLA PEZA: NJË PËRGJIGJIE SHKENCORE – INJORANTES POLITIKE ELENI THEOCHAROUS
Golem – Durrës, 16 nëntor 2018: Injorantja politike, eurodeputja qipriote Eleni Theocharous ka ardhë disa herë në Shqipëri…
MEHMETALI REXHEPI: MODELI I TETËDHJETË E NJËSHIT (NË DYZET VJETORIN E DEMONSTRATAVE TË VITIT 1981)
Gjilan, 26 mars 2021: Si përfundim i krejt këtyre ngjarjeve dramatike, gjithsesi Pranvera e Tetëdhjetë e njëshit është…
MONIKA SHOSHORI STAFA: “E IO PAGO”
Tiranë, 17. 09. 2015: Bota është e rrezikshme dhe e egër. Ajo po bëhet gjithnjë e më e…