BEHXHET SHALA – BAJGORA: KUVENDI I KOSOVËS DHE KUVENDI I PRISHTINËS!

Prishtinë, 11. 6. 2016: (Odat (kuvendet) e dhunës dhe të papërgjegjësisë) – Edhe Kuvendi i Kosovës sikur edhe ai i Prishtinës e kanë të njëjtin problem dhe të njëjtin kundërshtar , opozitën ! Opozitën kundërshtuese , deri në armiqësi . Kryetari i Kuvendit dhe kryetari i Prishtinës anipse me një të kaluar shumë të dallueshme , kanë krijuar hapësirë demokratike për kuvendarët edhe në ato raste kur ata nuk e kanë merituar ! Opozitarët në Kuvendin e Kosovës e kanë keqkuptuar e në disa raste e kanë keqpërdorur hapësirën demokratike kurse opozitarët në Kuvendin e Prishtinës skajshmërisht e kanë keqpërdorur hapësirën demokratike . Në Kuvendin e Kosovës , një pjesë e opozitës skajshmërisht e kriminalizuar e akuzojnë kryetarin e Kuvendit për krime kurse në Kuvendin e Prishtinës një pjesë e opozitës , gjithashtu skajshmërisht e kriminalizuar e akuzojnë kryetarin e Prishtinës për krime. Realisht , pjesa e opozitës në Kuvendin e Kosovës e cila ka qenë dhe është e kriminalizuar deri në palcë duhet të shpërblehet për guxim dhe paturpësi kur aq mjeshtërisht dhe paturpësisht e gjuan topin me të cilin ka luajtur vet dhe ende luan , në fushën e kundërshtarit përkatësisht në fushën e kryetarit të Kuvendit . Ndërsa, në Kuvendin e Prishtinës e kemi një situatë tragji – komike ; ata që e akuzojnë kryetarin e Prishtinës për korrupsion , parregullësi apo krim sillen sikur u drejtohen qytetarëve të Republikës së Kinës që nuk kanë fare informata se çka po ndodhë në Kosovë e jo qytetarëve të Prishtinës të cilët i njohin sikur “ paren e kuqe “ ! Një pjesë tradicionalisht e kriminalizuar e opozitës së Kuvendit të Prishtinës , nëse dëshiron të duket bindëse për akuzat ndaj kryetarit të Prishtinës dhe t’iu besojë dikush sepse as ata nuk u besojnë fjalëve të veta , duhet, së paku ta ndryshojnë identitetin dhe pafytyrën . Edhe këta të opozitës së Kuvendit të Prishtinës ( pjesa e kriminalizuar që shquhet për arrogancë dhe agresivitet ) duhet të shpërblehen me medalje të veçanta për paturpësi , injorancë dhe dyfytyrësi ! Kryetari i Kuvendit të Kosovës e ka luajtur mire lojën kurse kryetarin e Prishtinës nuk po e lënë fare ta luaj lojën ! Kryetari i Kuvendit të Kosovës është kryetar i partisë më të madhe politike dhe pjesë e pushtetit prandaj e gjithë partia i rri gatitur kurse kryetari i Prishtinës , ndonëse nuk ka punuar keq , e ka mangësi që aq shumë identifikohet me partinë anëtarët e së cilës , jo që nuk i rrinë gatitu por ai duhet të rri gatitu para tyre ! Kryetarit të Kuvendit të Kosovës i rrinë gatitu injorantët e shkolluar dhe me diploma kurse kryetari i Prishtinës detyrohet të rri gatitu para injorantëve analfabetë të partisë që i “ takon “ ! Kryetari i Kuvendit të Kosovës , sa më shumë të identifikohet me partinë që i takon dhe e udhëheqë , fuqizohet më shumë dhe ka gjasa të merr edhe poste më të larta kurse kryetari i Prishtinës , sa më shumë të identifikohet me partinë, ka gjasa të dobësohet dhe me siguri se në zgjedhjet e ardhshme, nëse kandidon për të njëjtin post , ndonëse sipas vlerësimit tim ka punuar shumë mirë përkundër bllokadave që nga fillimi , do ta humbë postin që e ka sot ! Një gjë e kanë të përbashkët të dy kryetarët që përveç posteve nuk kanë asgjë që i bashkon : që të dyve ua ka prurë shpirtin në fyt opozita e dhunshme dhe e papërgjegjshme . Një pjesë e opozitës nuk është e tillë ! Dhe krejt në fund , kryetarit të Kuvendit të Kosovës në Banjsko të Bullgarisë , vend turistik ku kosovarët lënë shumë para për të mësuar skijimin dhe ku qeveria e Kosovës më parë pati rrëshqitur keq duke u hypur skijave nga prapa ( Strategjia për Zhvillim Ekonomik të Kosovës ) do të nderohet me Qytetar Nderi i Banjskos ( këtu opozita nuk ka ndikim ) kurse kryetari i Prishtinës nuk mund të shpallet as :” fshatar nderi i Llukarit apo Mramorit “ sepse edhe aty opozita e Kuvendit të Prishtinës ka ndikim ! Në Shqipëri më nuk ka kuptim të kërkoni të shpalleni qytetar apo fshatar nderi sepse garnitura e politikanëve të mëhershëm , të deklasuar apo të deplasuar nuk kanë lënë bashki , qytet , fshat apo lagje pa i blerë këta tituj jashtëzakonisht prestigjioz , të njohur dhe të pranuar në botën demokratike!

 “Marrëveshja historike e Kumanovës“
Marrëveshja e Kumanovës e nënshkruar midis KFOR-it dhe Serbisë , ku pala kosovare nuk ishte as në cilësinë e shikuesit e lëre më të vëzhguesit dhe ku Serbia nënshkroi “ kapitulimin “ pas së cilë iu njoh e drejta të tërhiqet me tërë arsenalin e armatimit duke plaçkitur dhe ua vërë zjarrin shtëpitë e shqiptarëve nga dikush sot në Kosovë po festohet ! Në të njëjtën kohë , në rrugë e sipër forcat serbe që e nënshkruan “ kapitulimin “ në Kumanovë, vranë dhe morën si robër lufte qindra e mijëra shqiptarë ! Pas një jave, po këto forca u takuan në Merdare dhe Rudare dhe pinë shlivovicë me gjeneralët e Serbisë që kishin nënshkruar “ kapitulimin “ në Kumanovë ! Sot , 17 vjet pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje kapitulimi për shqiptarët sepse nuk e vendosën për fatin e tyre , Shkëlqesia e Tij , President i Republikës së Kosovës , z. Hashim Thaçi e quan Marrëveshje Historike mbase , si student i historisë dhe historian i ka mbetur si deformim profesional! Gjarpri i dikurshëm që për shkak të mutacionit gjenetik ( karrierës politike ) u shndërrua në një hardhucë nuk mund t’i konsiderohet si humbës apo prapakthim në rrugën e evolucionit aq më parë që për shkak pikërisht të evolucionit , dragojt e dikurshëm që nxirrnin flakë dhe zjarrë nga goja dhe mbillnin frikë dhe tmerr sot kanë përfunduar si hardhuca ! Natyra është e pamëshirshme ndaj atyre që punojnë kundër ligjeve të saj kurse ua mundëson mbijetesën , në rrethana krejtësisht tjera dhe nën cilësi , nëse përshtateni dhe i nënshtroheni evolucionit praktik apo politik ! A nuk kishte thënë dikur kështu dhe kjo thënie u shndërrua në teori të Xha Darwinit ?!!
Vazhdimi i mandatit të EULESH-it , mundësi të bëhet më lesh se EULESH
Kisha shumë frikë se autoritetet kosovare nuk do t’ia vazhdojnë mandatit “ Misionit për Sundim të Ligjit “ apo EULEX sikur që e quajnë të gjithë kurse unë e quaj EULESH shkaku se në fillim pata bërë një gabim drejtshkrimor duke e zëvendësuar shkronjën X me SH pastaj, me kokëfortësinë time e vazhdova kështu . Në fund të fundit shkronja X në alfabetin shqip shqiptohet si Xë e jo EKS dhe më shumë ka kuptim EULESH se EULEXë! Po saidoqoftë kjo dilemë drejtshkrimore mbetet të shqyrtohet nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës e cila është aq profesionale dhe e cila shquhet për një angazhim të jashtëzakonshëm shkenencor ! Fatin e EULESH-it e kishte në duar një mik imi ministër i cili , pas shumë lutjeve të Brukselit , Washingtonit dhe miqve ndërkombëtarë sikur edhe politikanëve të vendit , vendosi t’i vazhdojë mandatin këtij misioni që ia ka shkërdhyer nënën dhe babën drejtësisë në Kosovë në veçanti dhe Kosovës në përgjithësi ! U bë mirë edhe për një ish profesor të sicializmit vetqeverisës jugosllav i cili në një medium për të cilin shkruaj qe pesë shekuj deklaroi se EULEX-i duhet të qëndrojë në Kosovë , jo vetëm pesë vite të ardhshëm por pse jo edhe përgjithmonë. Ky këlysh i Titos që edhe sot jeton , punon dhe vepron sipas motos : “ edhe pas Titos , Tito “ tash mendon të vazhdojë me sloganin : “ edhe pas EULESH-it , EULESH “ ! Ky pakurrizor jugosllav nuk mund të paramendojë të jetohet pa u bërë rrogëtar i dikujt por jo edhe rrogëtar i popullit , gjuhën e të cilit për fat të keq edhe e flet ! Për këtë , përkundër që e ka moshën e Ho shi Minit , edhe sot i merr disa rroga të majme në ndërkohë që të rinjtë që e duan këtë vend dhe këtë popull bredhin rrugëve. Që është edhe më keq , ai udhëheq edhe një institucion që trajton vuajtjet shpirtërore dhe pësimet fizike të popullit shqiptar , për të cilin nuk i ka kërsitur kurrë ai sendi dhe madje politikave që u ka shërbyer decenie me radhë i kanë shkaktuar këto vuajtje! Kështu bëhen përzgjedhjet e kuadrove sot në Kosovë dhe kështu antivlerat janë shndërruar në vlera në vend se t’i nënshtrohen përgjegjësisë për krimet që i kanë bërë kundër popullit që aksidentalisht i takojnë !
Demarkacioni dhe vizat
Qendrat e vendosjes në Washington dhe Bruksel e kanë përligjur kthimin e Perandorisë Otomane në Kosovë sikur që Kosovën po e konsiderojnë si vilajet të kësaj perandorie ! Pas ia njohën të drejtën që me një qyp me lira të cilësisë së arit 6 karatësh t’i blejnë të gjitha asetet ekonomike të Kosovës ndërsa e rikthyen edhe dominimin politik duke e bërë edhe më të varur Kosovën ndaj Turqisë. Madje , edhe lirinë e lëvizjes , si vlerë fundamentale të demokracisë perëndimore e që përkthyer shqip do të thotë liberalizimi i vizave e futën në një pako me Turqinë; nëse Turqia përfiton nga ky liberalizimi i vizave, Kosova, si vilajet i Turqisë , me automatizëm e fiton liberalizimin e vizave ! Jo nga Brukseli por nga Ankaraja apo Stambolli , varet nga konteksti historik a trajtohet edhe sot Kosova si vilajet i Perandorive Otomane apo si pjesë e Turqisë së Ataturkut apo Erdoganit ?! Nëse dështon “ nëna Turqi “, alternativë për të lëvizur pa viza na mbetet rruga përmes Serbisë dhe Hungarisë përmes lumit Tisa apo Meksikos dhe lumit Rio Grande. Tash , akuzat për mosdhënie të vizave po drejtohen kah opozita si dhe ata që janë kundër demarkacionit të kufirit me Malin e Zi si dhe formimit të Asociacionit të komunave serbe , në Kosovën multietnike! Madje , po flitet se do të formohet shpejt një komision për Asociacionin e komunave serbe apo Zajednicës së VV dhe se qeveria , e ndarë fort e kënaqur me punën e Murat Mehës në procesin e Demarkacionit ka vendosur që edhe në krye të komisionit për Asociacionin e komunave serbe të jetë Murat Meha. Me një fjalë , po thonë se lojtari që shënon ( auto ) gola, nuk bën të zëvendësohet ! Mendoj se nëse dikush , kurdoherë që e ka bërë edhe vetëm një punë të mirë për Kosovën e pastaj i ka bërë njëqindmijë të zeza , në rrethanat e tashme dhe në formën si u bë Marrëveshja për Demarkacion , do t’i faleshin ato njëqindmijë të zeza nëse nuk e votojnë ratifikimin e Demarkacionit në Kuvend të Kosovës ! Përgjegjësi e madhe është nëse votohet kjo marrëveshje pa u bërë përmirësimet e duhura , nëse është gabuar dikund! Nuk jam ekspert për shenjimin e kufijve por intuita më detyron të bëhem i kujdesshëm shkaku se : “ në demarkacionet e dikurshme deri më sot , gjithmonë shqiptarët kanë humbur toka “. Në fund të fundit , Mali i Zi na ka shumë toka borxh për të na marrë toka shtesë! Nuk më intereson fare tash çka thonë Thaçi, Mustafa , Veseli , Limaj , Haradinaj apo Imer Kurti por çka thonë ekspertët . Disi jam shumë duke i besuar Zejnullah Grudës për këtë çështje ! Nëse votohet në Kuvendin e Kosovës për Demarkacionin e kufirit sipas modelit MM , atëherë mos u befasoni kur Isa Mustafa , për ta kositur barin në livadhet e Prapashticës duhet të marr leje nga knjaz Millo sikur që edhe unë , për t’i ujitur domatet dhe specat në oborrin tim më duhet të marr leje nga vojvoda Vuçeliq . Kurse , nëse votohet për Asociacionin e komunave serbe që , në fakt është autonomi territoriale për serbët dhe Serbi brenda Kosovës , atëherë do të harrojmë këtë lagjen njëetnike serbe në Zveçan por do ta kemi një situatë kur Vulini apo Gjuriqi do të hapin qebaptore në zyrat e Isa Mustafës dhe do të pjekin “ leskovaçki roshtil “ , zgarë të Leskovcit ! Nëse i doni këto situata , votoni edhe për Demarkacionin , edhe për Asociacionin ! Nëse e doni ardhmërinë e fëmijëve tuaj , vendit tuaj dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës , pavarësisht përkatësisë etnike , fetare apo tjetër , mos votoni këto dy imponime , pa u sqaruar gjërat ! Mos e merrni në qafë ardhmërinë e vendit dhe atyre që vijnë pas nesh ! Pse t’iu lëmë probleme fëmijëve tanë në mënyrë që ata të paguajnë për gabimet dhe mospunën tonë duke u detyruar të burgosen apo edhe të luftojnë ! A nuk po i shihni parashikimet për të ardhmën dhe a nuk po shihni se Serbia , duke pasur informata për të ardhmën , nuk po e lejon formimin e Ushtrisë së Kosovës ! A nuk po shihni se veriu nuk po integrohet kurse “ miqtë “ ndërkombëtarë po e përjashtojnë mundësinë e integrimit të një territori të okupuar me mjete që parashihen me Kushtetutën e vendit ! Para se të votoni , mendoni mirë e mirë sepse edhe pas votimit , jo që nuk do ta keni postin e politik të garantuar por nuk do të mbeteni as material për reciklim ! Shihni shembujt nga rajoni , nuk keni nevojë të zbuloni asgjë !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura