Prishtinë, 30 tetor 2018: (Zgjedhjet e parakohshme nuk ndryshojnë asgjë) – Vazhdoj të mendoj se në këtë kohë zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje dhe nuk do të sjellin ndryshim cilësorë në skenën politike kosovare . Edhe nëse do të kemi zgjedhje , do ta kemi një situatë ku : “ zbret Hyseni për të na kërcyer Hasani …”. E keqja e skenës politike në Kosovë është se nuk kemi opozitë e cila do të ishte alternativë e kësaj pozite , si në aspektin e arritjes së një marrëveshjeje në interes të qytetarit e në veçanti për çështje tjera që kanë interes për Kosovën e që aktualisht edhe e kanë sjellur një ngërç ku thuaja asgjë nuk funksionon dhe ku çdokush mund të bllokojë një proces apo edhe votimin e një ligji që ka interes të përgjithshëm , edhe për vet opozitën. Pozita është si është , me vuajtje të Tantalit e siguroi 61 vota që po e mbanë në pushtet kurse opozita , ndonëse e ka shumicën e votave shqiptare dhe elektorale , nuk po ka mundësi t’i sigurojë 61 vota dhe t’i provokojë zgjedhjet e parakohshme e që prijatare për këtë është LDK sepse , sipas meje , me të drejtë beson se mund të dali fituese në këto zgjedhje. Pas kësaj edhe LVV është e interesuar të shkojë në zgjedhje të parakohshme , më shumë për t’iu hakmarrur dhe përjashtuar nga loja dhe skena politike PSD , që tani po e konsideron më armik se edhe vet PDK-në , sesa që është e bindur se do ta marrë pushtetin. Të fillojmë nga LDK:
1. LDK , nëse zgjedhjet mbahen brenda 6 muajve e nëse në ndërkohë nuk do të ketë ndryshime që e ndihmojnë dhe forcojnë pozitën ( liberalizimi i vizave , përparim në formimin dhe dinamika më e shpejtë e transformimit të FSK , ndonjë investim të madh , rritja e njohjeve të Kosovës , anëtarësimi në INTERPOL , etj.,) i fiton zgjedhjet por jo aq bindshëm sa të bëhet përcaktuese për formimin e institucioneve. Në rastin konkret nuk e besoj se do të bëjnë koalicion parazgjedhor me LVV sepse humbëse do të ndaheshin të dyja palët. Ndërkaq , pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve eventuale të parakohshme , të vetmin post që do ta kishte LDK do të ishte posti i kryetarit të Kuvendit . Në pamundësi ta sigurojë shumicën përcaktuese , LDK do të detyrohej t’ia lë postin e kryeministrit LVV ose një subjekti tjetër politik i cili do të kishte kapacitet të mjaftueshëm shantazhues për formimin e qeverisë. Madje , nuk do të përjashtohej mundësia që Fatmir Limaj të ofrohej për postin e kryeministrit apo , nëse LDK do të hynte në koalicion me AAK dhe PSD atëherë të gjendje një kryeministër konsensual dhe i cili nuk do të ishte nga radhët e LDK-së. Posti i kryeministrit do të jetë i kushtëzuar me kapacitetet shantazhuese dhe , në këtë rast LDK do ta kishte fitoren e Pirros dhe gjithmonë do të ishte duke shkuar drejt greminës. LDK ka krizë të lidershipit për shkak të gjendjes shëndetësore të kryetarit aktual Isa Mustafës. Isa Mustafës nuk i shkonë fjala si më parë sepse LDK është shndërruar në oktapod politik , me shumë pretendent për postin e kryetarit. E kemi Lutfi Hazirin që është kandidat permanent për kryetar të LDK –së por i cili nuk është i përgatitur për maratonë garuese sepse mbushet frymë atëherë kur duhet ta kalojë cakun. Më shumë e lodhin partitë tjera që i premtojnë se do ta përkrahin në këtë luftë për marrje të kreut të LDK-së , se vet anëtarësia e kësaj partie e që pastaj bëhen me Isa Mustafën. Sesa është në out Luta në politikën moderne e tregon kushtëzimi që i bënë LVV të cilët , sipas Lutës duhet ta pranojnë “ filozofinë politike “ të Ibrahim Rugovës e që pastaj të bisedojnë për një koalicion të mundshëm . Madje , për ta dëshmuar këtë , LVV duhet të dërgojë lule apo kurorë të varri i Ibrahim Rugovës ! Çfarë ide e papjekur dhe e papeshuar politikisht aq më parë që askush më nuk po merret më me Ibrahim Rugovën sikurqë , edhe vet eksponentë të LDK-së , emrin e Rugovës e përdorin apo , më mirë ta them e keqpërdorin vetëm kur t’u vie veza te bytha apo kur e kanë ngushtë. E tash merreni me mend sikur LVV ta kushtëzojë koalicionin me LDK me të pranuarit e rolit dhe kontributit të Xhingis Kanit në lëvizjen politike të shqiptarëve. Ose , nëse LVV e kushtëzon këtë koalicion që dikush nga pretendentët për kryetar të LDK të angazhohet për flladitjen e koçeve të Albin Kurtit. Marrëzira janë kushtëzimet nëse keni interes dhe qëllim të përbashkët. Kushtëzimet janë vetëm mënyrë për ta refuzuar koalicionin dhe bashkëpunimin. Isa Mustafa ka bërë përpjekje që ta lë pas vete Avdullah Hotin – komandant Dullën , vazhdues i politikës së Isasë dhe ta bëjë të parin e LDK-së si edhe kryeministër. Këtë kurrë nuk do ta pranojnë Agim Veliu , Haki Rugova , Vjosa Osmani , Lutfi Haziri , Lumir Abdixhiku apo Driton Selmanaj sikur edhe dikush tjetër nga diaspora. Nga një pozicion krejtësisht neutral mendoj se vetëm dy persona sot i plotësojnë kushtet për kryetar të LDK-së , Kujtim Shala dhe Avdullah Hoti . Që të dy kanë kapacitet politik plus Dulla edhe njohuri në fushën e ekonomisë mirëpo kanë mungesë të karizmës si dhe të arrogancës e që është e domosdoshme për rrethanat e Kosovës e që i kanë disa prej kandidatëve që i përmenda më lart. Mund të më hidhërohet Ismet Beqiri sepse e kam mik dhe jam dhëndër i bastionit të Ismetit ( Kodra e Trimave ) mirëpo ai nuk mund të bëhet i pari i LDK-së.
2. LVV është ndarë dhe nga ajo u larguan 12 deputetë e që nuk është punë e vogël. Tash , militantët e Kaçushës po e çërojnë edhe pushtetin lokal nga LVV duke bërë koalicion me të gjithë ata që mund t’i ndihmojnë në qërimin e hesapeve me LVV. Armiqësia e LVV përballë PSD vetëm sa do ta dëmtojë LVV në të ardhmën dhe do ta forcojë Kaçushën , me PSD. LVV ende po funksionon me një bosht të vetëm udhëheqës dhe vendimarrës , rreth Albinit të përbashkuar kurse pjesa që e përkarhë Albinin e që ka ardhur nga partitë tjera disi është plakur dhe ka mungesë të theksuar të potencës politike. LVV e organizoi një protestë të madhe paqësore mirëpo përfundoi me kaq. LVV dhe asnjë subjekt tjetër politik nuk ka kapacitet të organizojë një masë kritike të protestuesve permanentë e që do t’i lëviznin gjërat . Kjo është e vetmja mundësi për ndryshime. Ndonëse ka bërë përpjekje ta bëjë një retushim të së kaluarës puro kombëtare , me bashkimin kombëtar si lajt motiv , LVV nuk i ka bindur ndërkombëtarët ta përkrahin në përpjekje që ta udhëheq qeverinë. Dhe pa ta nuk mund të bëjë asgjë , madje as të gjejë partnerë që do të qeverisin me këtë parti. LVV nuk mund të qeverisë me LDK-në pa Albinin kryeministër e që për rrethanat momentale del të jetë mision i pamundur. LVV ka potencial të ndahet mirë në zgjedhjet e parakohshme eventuale nëse harron vija të kuqe , si përballë PSD ashtu edhe subjekteve tjera politike. Në të kundërtën do të hyjë në një proces riciklimi i cili nuk do të ketë ndikime në proceset politike në Kosovë e sidomos në rajon.
3. PDK ka probleme në disa komuna sikur që është Drenasi dhe Skënderaj , Prizreni por edhe në ndonjë komunë tjetër e që do të plasaritet më vonë. Në komuna kryesore nuk ka kandidatë që bëjnë vota apo që e rrisin numrin e votuesve. Kur e them këtë mendoj për Gjilanin , Mitrovicën , Pejën , Prishtinën vende ku ka edhe më së shumti votues. Deri më tani , për aq sa po duket , nuk ka ndryshime premtuese as në qytetet tjera ku në lojë janë lojtarët , jo që i sjellin vota të reja PDK-së por ia humbin edhe ato që i ka. Meqë i njoh rrethanat në Llap , PDK , në dy zgjedhjet e fundit nuk ka pasur kandidatë të hajrit që do e përparonin partinë por ka pasur kandidatë që askush nuk i ka dashur dhe madje janë të urryer në këtë mes. E kuptoj nëse në një qytet pësoni humbje nga ndonjë kandidat i fortë por të pësoni humbje për dy palë zgjedhje nga një analfabet politik siç është Agim Bahtiri në Mitrovicë , është e paimagjinueshme. Apo , të llogarisni në vota nga kandidatë apo udhëheqës që janë në kundërshtim me ligjin , kjo është vdekjeprurëse për një subjekt politik në shtigje afatgjata. Kadri Veseli , nuk ka qenë sinqerisht i pranuar si kryetar konsensual i PDK-së , sidomos nga pjesa intelektuale e cila ka qenë dhe ka mbetur në vartësi të Hashim Thaçit dhe Kadrinë e kanë pranuar si kryetar , ose nga këshillat e vet Thaçit , mbase kanë pasur frikë nga personaliteti i Veselit të cilin nuk e kanë njohur sa duhet dhe , besoj , si llaskucë që janë për pushtet dhe rreth pushtetit një pjesë e tyre e kanë pranuar në këto baza. Kadri Veseli , për mendimin tim, e ka marrë udhëheqjen e partisë në kohën më të keqe të mundshme duke mos e forcuar lidershipin apo duke e ndarë këtë lidership me Hashim Thaçin , pa vullnetin e vet. Kam shpresuar dhe besuar se Kadri Veseli do t’i bëjë reformat e duhura në PDK sikur që do ta reformojë edhe skenën politike kosovare. Këtë bindje nuk e kam më dhe as besimin. Hashim Thaçi ia ka lënë fushën e minuar brenda PDK dhe , kur të dojë dhe kur ka nevojë mund t’i aktivizojë ato mina politike. PDK ka nevojë për reformë të thellë dhe këtë mund ta bëjë vetëm duke kaluar në opozitë. PDK ka nevojë për transfuzion dhe për gjak të ri politik kurse këta , shumë që po qarkullojnë për vite të tëra , herë si deputetë , herë si ministra apo poste tjera , e kanë gjakun e mpiksur dhe potencën politike e kanë në nivelin e një eunuhi nga haremi i një sulltani. Lideri i vërtetë merr rreziqe dhe përgjegjësi , në të kundërtën vetëm mund ta luaj rolin e liderit. Kadri Veseli ka shumë kundërshtarë brenda PDK-së që respektin dhe “ lojalitetin “ e kanë nga frika se mbesin pa pushtet dhe nga interesi. Përjashtuar pak rasteve , këshilltarët politikë të Kadri Veselit nuk i plotësojnë kushtet për një shkollë fillore politike. Para se të vendosë çka do të bëjë me PDK –në , Kadri Veseli duhet të vendosë çka do të bëjë me veten e vet dhe me Hashim Thaçin. Vetëm pas kësaj , mund të shoh me qartësi drejt ardhmërisë.
4. AAK nuk e ka problem liderin dhe lidershipin. E ka Ramushin pa të cilin nuk kanë të gjallë , i cili punon me një kondicion të çuditshëm , e lënë përshtypjen se nuk e njeh politikën sikur këta të tjerët por që në momentet vendimtare Ramushi nuk largohet as për një milimetër nga interesi kombëtar. Jam i sigurt se nëse e kërkon puna , Ramushi përsëri do të radhitet në vijën e parë të frontit dhe për këtë as qëe kam edhe mëdyshjen më të vogël. Mund të mos e ketë diturinë politike të Çerçillit por e ka patriotizmin 100% i cili ia mbulon mangësitë eventuale në politikë . Në Kosovë edhe nuk bëhet politikë e profilit aq të lartë e që kërkohen dituri të shkëlqyera politike. Edhe pas zgjedhjeve eventuale të parakohshme , AAK do të ndahet mirë dhe do të jetë përcaktuese për formimin e institucioneve dhe nuk do të jetë befasi nëse Ramushi përsëri mund të jetë lojtar i fuqishëm për kryeministër.
5. NISMA , sikur LVV dhe AAK nuk ka problem me udhëheqje dhe udhëheqës . Fatmir Limaj nuk kontestohet nga askush dhe përkrahet nga të gjithë shkaku se e ka krijuar një mjedis që varet nga ai , në çdo aspekt. Fatmir Limaj , në zgjedhjet eventuale të parakohshme do të ofrohet si kandidat për kryeministër , jo në bazë të koncepteve politike që do të sillnin risi por në bazë të asaj se është i vetmi që do ta luftonte Hashim Thaçin . Edhe diletantët në mjekësi e dinë se kafshimi i gjarprit helmues shërohet me një serum nga helmi i gjarprit tjetër helmues. Në këtë kartë luan edhe Fatmir Limaj. Pastaj , llogarit se mund të jetë i pranueshëm nga të tjerët e që unë dyshoj. NISMA , besoj se e kalon pragun zgjedhor por nuk pasurohet shumë me vota .
6. PSD , besoj se e kalon pragun zgjedhor , e sidomos nëse hynë në koalicion parazgjedhor me ndonjë subjekt tjetër. Por , edhe nëse shkonë e vetme në zgjedhje , besoj se e kalon pragun zgjedhor përkundër disa sondazheve që e lënë jashtë Kuvendit . LVV po punon në favor të PSD.
7. AKR është kooperativë parapolitike që duhet të shkojë në ricycle been , shportën e mbeturinave. Koalicioni parazgjedhor e fuqizoi këtë parti private dhe parti të zadrugës.
Diçka për titullin
Hashim Thaçi është president i Kosovës lëkurën e të cilit po e kërkojnë të gjithë por Gjykata Kushtetuese e Kosovës (ndonëse përbërja e fundit e kësaj Gjykate është e kriminalizuar dhe profesionalisht e hendikepuar ) e mbrojnë nga çdo sulm. Kot e kanë të bëjnë llogari për largimin e tij me anë të votave sepse kjo është e pamundur. Kushtetuta e Kosovës , shprehimisht e thotë se kur një president mund të shkarkohet dhe Hashim Thaçi , si sinonim i dinakërisë , nuk shkelë dot në dërrasë të kalbur siç e bënë Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli , që u shkarkuan por i gëzojnë të gjitha privilegjet e mundshme , sikur të ishin trashigimtarët e brezit të parë të Ismail Qemalit. Po të vendosnin edhe 120 deputetë , nuk do ta shkarkonin Hashim Thaçin. Për metoda si mund të shkarkohet Thaçi, një herë tjetër. Po flitet për zgjedhje eventuale të parakohshme për të cilat thashë se nuk do të prodhojnë asnjë ndryshim. Opozita nuk mund të provokojë këto zgjedhje edhe nëse e kanë përkrahjen e plotë të presidentit në ardhje , Zafir Berishës. Pozita nuk është e interesuar për zgjedhje të parakohshme andaj i vetmi person që mund t’i provokojë këto zgjedhje është Hashim Thaçi, presidenti aktual i Kosovës. Ai mund ta shpërndajë Kuvendin e Kosovës duke e arsyetuar me mos- funksionim të Kuvendit , bllokim të bisedimeve me Serbinë , mos-liberalizim të vizave dhe mungesë të bashkëpunimit midis pozitës dhe opozitës për çështje me interes vital për Kosovën . Dhe arsye të tjera që ka me bollëk dhe nga të cilat dështime e heq përgjegjësinë ndonëse , sipas mendimit tim e që nuk do të thotë se e kam të drejtë , Hashim Thaçi është përgjegjësi numër 1 për gjendjen e krijuar , së bashku me Edita Tahirin , Behgjet Pacollin , Enver Hoxhajn dhe Bekim Çollakun. Jo që dua t’i amnistojë por përgjegjësia e Isa Mustafës, Fatmir Sejdiut , Skender Hysenit, Mimoza Ahmetajt, Vlora Çitakut dhe tash e Dhurata Hoxhës është minimale sepse , në mungesë të fuqisë politike , vetëm kanë zbatuar urdhëra të shefave.
Në bazë të vlerësimit , Hashim Thaçi mund t’i provokojë zgjedhjet e parakohshme me të cilat amniston veten por edhe të tjerët për mos-liberalizim të vizave, dështim të bisedimeve me Serbinë , dështim të integrimeve në mekanizmat ndërkombëatrë dhe përkrahjen e zvogëluar ndërkombëtare siç ua tha edhe i dërguari nga SHBA, z. Palmer . Me zgjedhjet e parakohshme eventuale e që nuk besoj se do të ndodhin, Hashim Thaçi do të fajësojë opozitën se e ka penguar bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën me të cilët Thaçi haptasi po luan koçe. Lojtar i fort është Hashimi sidomos kur luan me ekipe të rangut të dytë apo edhe ata që kanë tru politikë e qëi ka blerë me ndonjë post apo i kërcënon me ndonjë sanksion meqë aparatin për këtë e ka në dispozicion on-line. Ta shohim nëse Gjykata Kushtetuese i kthen përgjigje që i duhet Hashimit për kompletimin e KQZ-së , pas së cilës do ta kemi një pasqyrë të qartë nëse do të kemi zgjedhje të parakohshme deri në fund të vitit 2018 apo ky proces do të ndodhë më vonë. Në mes të dy mundësive që të shkohet në zgjedhje të parakohshme me vendim të presidentit Thaçi apo pas një marrëveshjeje politike midis pozitës dhe opozitës jam për mundësinë e dytë por se ka pak gjasa të ndodhë. Po presim , ka filluar numërimi nga prapthi ! Urime Barcelonë për shuplakën ( pesëshen e dhënë Realit ).
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë 29 tetor 2018