DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (HALITI ‘NUK MUND TA FITOJMË LUFTËN’! DEMAÇI-‘LUFTËN E KEMI NISUR PËR TA FITUAR’!) (9

Pashtriku, 6 mars 2019: Ç’qëllim pat Demaçi me atë ndryshim në Sh.P?
Sikundër thamë, zevendësimi me urgjencë i Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së kish për qëllim organizimin e kryerjes së sulmeve të shumta e të shpeshta me formacione të vogla, në të gjithë territorin e Kosovës, sipas taktikës partizane (guerile): “Godit e ik”. Përmes kësaj strategjie UÇK-ja do ta habiste Serbinë se nga i mori ajo gjithë këto forca, ndërkohë që deri atëherë kish zhvilluar kryesishtë luftime mbrojtëse? Ajo strategji do t’i impononte Serbisë një luftë lodhëse, duke e mbajtur atë nën një tension nervoz, duke i shkaktuar më shumë pasiguri sesa humbje, derisa ta detyronte atë dhe aleatët e saj, që të pranonin kushtet që shtronte Adem Demaçi. Lufta është politikë. Prej asaj strategjie luftimesh synohej të nxirreshin dobitë maksimale politike dhe ushtarake. Për këtë ia vlente që formacionet e UÇK-së të lodheshin, natyrisht që edhe do të gjakoseshin. Prandaj e kish krijuar populli UÇK-në, që të sakrifikonte.

Në kushtet kur armiku hakmerret me zjarr masiv artilerie dhe aviacioni kundër popullsisë civile vendase, vetëm mënyra e intensifikimit të mëtejshëm e luftës guerile, (sikundër e përzgjedhi Demaçi), është kundërveprimi më i efekshëm, të cilën e thekson edhe historiani i shquar ushtarak anglez i kohëve moderne, Lidëll Hart: “Lufta guerile duhet të jetë gjithmonë dinamike dhe t’i përshtatet momentit. Intervalet statike të kësaj lufte janë më të dëmshme (detimentrale) sesa ato të luftës me front të regullt, pasi ato e lënë armikun të fitojë hapësirë dhe të depërtoi brenda territorit në një shtrirje të gjerë, duke mos u dhënë kohë forcave guerile të zgjerojnë radhët e tyre me luftëtarë të dalë nga populli. Mbrojtja statike nuk ka vend te veprimet e luftës guerile, përveç rastit kur forcat guerile janë në pritë” 1)

Adem Demaçi dhe Xhavit Haliti – Zeka

Që të realizohej ajo strategji guerile e përzgjedhur nga Demaçi, duhej patjetër që të lëshohej një urdhër. Nëse nuk do të kishim Komandant të Përgjithshëm, kush do ta lëshonte një urdhër të tillë?
Madje këtë mendim, për intensifikimin e mëtejshëm të sulmeve nga ana e UÇK-së, zoti Demaçi ia shprehu në telefon edhe zonjës Medlin Ollbrajt, ato ditë Shkurti të Konferencës: “Nuk e kemi nis luftën për të provuar se a do të fitojmë, por e kemi nis për ta fituar. Nëse është e nevojshme të vdesim edhe tridhjetë mijë shqiptarë, le të vdesim, por ne nuk do t’i dorzojmë armët vetëm mbi bazën e premtimeve. Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga ëndrra jonë për të qenë të lirë” 2) Kush nuk dorëzohet, nuk vdes; kjo është receta e pavdekësisë. Dështimi kurrë nuk mund t’ia arrijë qëllimit nëse vendosmëria për sukses e atyre që luftojnë është mjaft e fuqishme, sikundër përgjigjet edhe Demaçi.
Por, në ato momente, për fat të keq, as Komandanti i ri i Përgjithshëm nuk rezulton se e lëshoi urdhërin për sulme guerile masive në të gjithë territorin e Kosovës, por as edhe komandantët e zonave operative, të cilët ishin edhe anëtarë të SHP, nuk e zbatuan atë direktivë 3) të Komisarit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së, edhe pse ishin ata që e kishin zgjedhur në atë funksion (!)
Shtabi i Përgjithshëm luhatej.
Fati i UÇK-së ishte paracaktuar.
Forca luftarake e një ushtrie çlirimtare bazohet vetëm në të qenët të gatshëm komandantët e formacioneve luftarake të saj për të sulmuar, dhe në asnjë motiv tjetër. Po t’i referohemi historisë së luftrave të ndryshme në botë, do të konstatojmë se në të gjitha luftrat e zhvilluara deri më sot, ushtritë kanë bërë të vetën vetëm një rregull: Vepro, para se dikush të mund të të ndalojë!
Ndoshta, ajo mosgatishmëri e komandantëve të zonave operative duhet të arsyetohet me faktin se edhe ata mund të ishin të dyzuar.
Nëse ajo direktivë e zotit Demaçi do të zbatohej me ashpërsinë më të madhe nga komandantët e zonave operative, të brigadave e batalioneve të UÇK-së, Serbia do ta kish të pamundur që të kundërpërgjigjej me një shkallëzim të madh ushtarak, (sikundër veproi më pas me operacionin “Patkoi”), pasi, duke e sulmuar kudo, natën dhe ditën, armiku do të detyrohej të kalonte në mbrojtje. Nëse ia ke arritur kësaj, e ke fituar luftën; në të kundërtën je i humbur. Me një fjalë, përmes sulmeve të vijueshme UÇK-ja do t’i vinte ndërkombëtarët para faktit të kryer dhe ajo nuk do të diskutohej më për t’u eleminuar si ushtri e ardhëshme e Kosovës dhe nuk do të thyhej uniteti midis Drejtorisë Politike dhe SHP të UÇK-së me Udhëheqësin e Përgjithshëm Politik të saj, sikundër edhe ndodhi. Pikërisht, ky aspekt i përplasjes midis Adem Demaçit dhe Drejtorisë Politike shkaktoi plagë, të cilat as sot nuk janë shëruar ende, por përkundrazi, janë majisur edhe më keq.
Dikush edhe mund ta quajë utopi një presion të tillë guerilas nga ana e UÇK-së, ndaj bisedimeve ndërkombëtare, përmes strategjisë së shtimit të sulmeve në pragun e një konference të ngutshme ndërkombëtare. Por historia e luftrave na jep shembuj të ngjashëm me strategjinë që propozonte Adem Demaçi, që dikujt edhe mund t’i duket e pabesueshme. P.sh. një strategji e tillë e intensifikimit të luftimeve sulmuese nga ana e palës çlirimtare, që lufton për liri, në pragun e një konference ndërkombëtare, ka ndodhur në pragun e Konferencës së Gjenevës, në Prillin e vitit 1954, e cila u mblodh urgjentisht sipas propozimit të sovjetikëve, për ndalimin e luftës midis Vietnamit dhe Francës. Në momentet kur filloi konferenca, vietnamezët i shtuan sulmet ushtarake në terren. Si rjedhojë e detyruan administratën e Ajzenaurit të zgjidhte midis teorive dhe mundësive të saj, duke e detyruar Francën të lëshonte Vietnamin 4)
Por, për fatin e keq tonin, asaj nisme të Adem Demaçit iu kundërpërgjigj vet Hashim Thaçi, tashmë me cilësinë e kryetarit të delegacionit kosovar në Rambuje, i cili urdhëroi ndërprerjen e veprimeve luftarake sulmuese nga ana e UÇK-së, duke u kërkuar ndërkombëtarëve që t’u bënin presion serbëve që të ndërpritej lufta, por që ata nuk e pranuan atë propozim 5); dhe kjo ngaqë Hashimi dhe gjithë Drejtoria Politike nuk njohin një nga parimet e luftrave çlirimtare: Armëpushimi mund të arrihet vetëm atëherë kur lufta kundër pushtuesit është forcuar dhe zgjeruar. “Çdo ndalim i veprimtarisë luftarake është në kundërshtim me logjikën, – thotë Klauzeviçi -, kjo të paktën kur nuk pritet një moment më i favorshëm për të vepruar”. “Kur bëni pauzë, njerëzit mendojnë se keni humbur besimin në atë që bëni. Kur dëshironi të rifilloni, ata, që herën e parë nuk kanë besuar në luftimet, do t’i refuzojnë ato më tej dhe do t’ju akuzojnë për një dështim të dytë, se nuk keni shfrytëzuar përparësitë gjat pauzës për të vendosur paqe, ndërsa ata që u kanë përkrahur tash janë konfuzë, sa që tash jeni të pasigurt se a duhet rifilluar sulmet fare. Dhe, nga aspekti ushtarak, pauza i rimundëson armikut të rikëndellet, të rivendosë mbrojtjen në vend të vet dhe të vazhdojë i papenguar me spastrimet etnike” 6), këshillonte Uesli Klark Ruper Smithin dhe Dieter Stockmanin, në 29 Mars 1999, në takimin e tyre pesë ditë pasi NATO kish filluar sulmet ajrore. Ja që edhe në këtë rast kemi një përputhje mendimesh në strategji ushtarake midis Gjeneralit Uesli Klark dhe Komisarit Politik të UÇK-së, Adem Demaçit!
Pra, strategjia e Demaçit do të na çonte në fitoren e vështirë, por të sigurtë të UÇK-së, pavarësishtë se do të sakrifikoheshin edhe më shumë jetë njerëzish. Dasëm pa mish, nuk ka. Por, me atë veprim që bëri Dr.P, duke e marrë pavarësinë e Kosovës nga ndërkombëtarët si një lloj dhurate, tani në Kosovë po ndodh çudia botërore: fitimtarët vihen në bangon e të akuzuarve dhe gjykohen…!?
Kryetari i delegacionit kosovar, Hashim Thaçi, i panjohur deri në momentin e mbritjes në Rambuje, si të thuash, nga një trup asteroid që lundron i vetmuar në kozmosin njerëzor, u bë pika tërheqëse e fateve të Kosovës, duke kërkuar armëpushim, e cila ishte një kërkesë absurde, pasi i hiqte Serbisë motivin e tërheqjes. Dhe, çuditërishtë, në vend që atë diplomaci ushtarake ta bënte UÇK-ja e bëri Serbia, duke iu kundërpërgjigj Thaçit me intensifikimin e sulmeve të saj, kurse formacionet e UÇK-së kaluan në mbrojtje (!!!). Me këtë lloj presioni ushtarak Serbia i imponohej delegacionit shqiptar që të pranonte pa asnjë kundërshtim kushtet e paracaktuara në projekt-marrëveshje, (për të cilat ata u prishën me Demaçin), duke e patur tërë synimin tek mosnjohja e UÇK-së, pasi ishte ajo që e kish sfiduar Serbinë. Boll dhe me kaq, Serbia ishte e kënaqur. Ky është edhe një fakt më shumë që të bind se urgjenca Rambuje është e inicuar nga Serbia përmes miqve të saj të fuqishëm europianë.
Duhet të jetë e qartë për lexuesin se, nuk ishte UÇK-ja pala që e kërkoi atë konferencë ndërkombëtare dhe atë marrëveshje, sepse nuk ishte ajo pala humbëse. Dhe, sikundër rezulton, konferenca është kërkuar nga Serbia, pasi po shihte humbjen e saj. Për këtë arsye Hashim Thaçi nuk kish pse të kërkonte pezullimin e luftimeve. Të gjitha këto na flasin për drejtësinë e vendimit të Adem Demaçit, i cili i mblodhi me urgjencë komandantët e zonave operative dhe u dakordua me ata për emërimin e një komandanti të përgjithshëm dhe vijimin më me ashpërsi të luftimeve sipas taktikës guerile.
Ajo kërkesë e zotit Hashim Thaçi na kujton edhe diçka tjetër: ai s’bëri gjë tjetër veçse përsëriti me zë të lartë atë që e pat deklaruar shtatë muaj më herët, zoti Xhavit Haliti, në 6 Korrik 1998, i cili ishte përpunuesi kryesor i strategjisë politike e ushtarake të UÇK-së, edhe pse komandonte nga Tirana: “Vështirë është të fitohet lufta në Kosovë. Përkundër vullnetit të madh të pjestarëve të UÇK-së, armatimi ynë tutje ngec shumë, përballë atij që posedon Serbia… Kur ia nisëm kësaj pune, nuk kishim fort iluzione të mëdha. Madje ne jemi të befasuar se sa shpejt është popullarizuar dhe zgjeruar UÇK-ja. Ne vendosëm për të krijuar UÇK-në, sepse e pamë se Perëndimi nuk po mërzitet fort për zhvillimet në Kosovë. Pra, bindja jonë ishte që në këtë mënyrë, me zhurmën e pushkës pra, mund të kthejmë vëmendien e Perëndimit nga Kosova… nëse nuk ndodh farë kthese spektakolare, ne nuk mund ta fitojmë luftën”7).
Ndërkohë që Demaçi deklaronte të kundërtën: “Nuk e kemi nis luftën për të provuar se a do të fitojmë, por e kemi nis për ta fituar”. Kjo lloj strategjie ushtarako-politike e përzgjedhur prej Drejtorisë Politike, tregon se ajo e konsideronte atë luftë pa perspektivë, si një lloj kryengritje fshatare, e cila, për shkak të spontanitetit dhe mungesës së organizimit e të udhëheqjes unike, nuk të çon në asnjë rezultat; prandaj dhe anglezët e quajtën “një kryengritje fshatare dhe e fshatarëve”8).
Sikundër shihet, edhe strategjia e Drejtorisë Politike ishte e njëjtë me atë të Rugovës: lirinë e prisnin t’ua sillte në pjatë të argjentë Perëndimi dhe jo nga lufta e vetë popullit shqiptar. Me atë lloj strategjie Dr.P dhe Rugova donin të thoshnin: të zhyten të gjithë shqiptarët në një luftë pa shpresë, derisa të dobësohen e raskapiten dhe pastaj, pasi të jenë gjakosur e vrarë, të thirret një konferencë ndërkombëtare në interes të paqes e “humanizmit” dhe t’u diktohen kushtet që dëshiron Serbia. Dhe kështu edhe ndodhi. A thua ta kishte të vetën zoti Xhavit Haliti këtë strategji?
Ajo strategji e Drejtorisë Politike, e shprehur me gojën e Xhavit Halitit, nuk i kish pëlqyer aspak edhe Sekretares së Shtetit Amerikan, zonjës Medlin Ollbrajt, e cila u shpreh pesimiste për të ardhmen e asaj lufte: “Në radhët e UÇK-së nuk dukej se kishte mendime xhefersoniane9). Duke goditur shpesh ku të mundnin guerilet dukej se ishin të vendosur t’i nxisnin serbët të kundërpërgjigjeshin në shkallë të gjerë, në mënyrë që të siguronin ndërhyrjen ndërkombëtare”10).
Me këtë lloj strategjie të saj ushtarake jo sulmuese, Drejtoria Politike veçse e detyronte UÇK-në të ishte inferiore në çdo moment dhe, natyrisht, si e tillë, ajo do t’i nënshtrohej në çdo rast çdo lloj presioni ndërkombëtar, duke u shndërruar si një lloj kopeje që e shpien në therrtore. Dhe, ç’është më e keqja, ata të Dr.P ende krekosen me atë lloj “strategjie”: “Lufta Guerile i konvenonte UÇK-së, – shkruan sot e gjithë ditën z.Jakup Krasniqi -, por masat e regjimit kriminel të Beogradit ishin të paparashikueshme, ata po hakmerreshin mbi popullsinë duarthatë… Situata e krijuar, shkalla e lartë e luftimeve dhe e rreziqeve të mundshme shtruan para SHP ngritjen e llogoreve të luftës dhe krijimi i territoreve të lira”11). Sikundër shihet, e pranojnë një gjë të tillë me bindjen e plotë të një të pafajshmi që nuk di gjë dhe nuk ka frikë nga asgjë.
Mirëpo, duke e parë se edhe strategjia e “territoreve të lira” s’ishte gjë tjetër veçse luftë frontale mbrojtëse, Adem Demaçi e kritikoi atë qysh në Nëntor 1998. “Duke marrë parasysh shpërpjestimin e forcave midis UÇK-së dhe Serbisë, atij i duket i pavend krijimi i territoreve të lira gjithandej Kosovës, por edhe pozicionimi që e përvetëson UÇK-ja për t’i mbrojtë ato, ndaj ai u sugjeron eprorëve të UÇK që të transformohen në guerile të përbërë prej njësiteve të vogla, të shpejta e të armatosura lehtë”12).
Si rrjedhojë e mosbindjes së udhëheqjes politike e ushtarake të UÇK-së, strategjia ushtarake e zgjedhur nga Demaçi dështoi; dhe këtu duhet gjetur përgjigjia e arsyes kryesore pse popullsia filloi të frikësohej dhe po largohej nga Kosova. Ç‘ka ishte dështim për Demaçin, ishte sukses për antarët e Drejtorisë Politike dhe për LDK-në, ndaj dhe pranuan kushtet fatale, që Demaçi i kundërshtonte, pasi ishin në favor të Serbisë.

VIJON…
___________________
1) Lidëll Hart: “Strategjia”, SHBU, Tiranë 1997, f.462
2) Madeleine Albright, “Zonja sekretare”, Dudaj, 2003, f. 471
3) Direktiva është një udhëzim që jepet nga një person me përgjegjësi të lartë politike ose organ drejtues për vijën që duhet ndjekur në një punë; në këtë rast për intensifikimin e sulmeve në vijimësi në të gjithë territorin e vendit. Në luftrat çliritare si ajo në Kosovë është më se praktike dhënia e direktivave se sa e urdhërave luftarakë, ngaqë nuk kemi të bëjmë me luftë me front të regullt.
4) Henry Kissinger: “Diplomacia”, Tiranë 1999, f.630
5) Arkivi i Radio Kosova e Lirë, v.1, 2004, 7.2.1999, por dhe 9.2.1999, f. 233.
6) Wesley Clark: “Të bësh luftë modern”, Prishtinë 2003, f.263
7) Blerim Shala: “Vitet e Kosovës 1998-1999”, Prishtinë 2000, f.111-112
8) James Pettifer & Miranda Vickers “Çështja shqiptare”, Tiranë-Newyork, 2007, f. 183
9)Tomas Xheferson, autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë, 4 Korrik 1776, icili thosh: Vetëm lufta mbarëpopullore siguron lirinë. (Shih “Historia e SHBA”, Tiranë,2010, f.108-110)
10) Madelein Albright “Zonja Sekretare”, Dudaj, 2003, f.450
11) Jakup Krasniqi, “Kthesa e Madhe”, f.82
12) Shkëlzen Gashi :”Demaçi-biografi”, f. 150

________________
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8459
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (KUNDËRSHTITË DHE PRANIMI I KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8481
***
DILAVER R.GOXHAJ: DRAMA E UÇKsë DHE E ADEM DEMAÇIT (PRAPASKENAT E KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (3)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8488
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (“REFERENDUMI” I PREMTUAR NË RAMBUJE) (4)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8494
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (PSE U ORGANIZUA ME URGJENCË RAMBUJEJA? PËR TA SABOTUAR ASAMBLENË KOMBËTARE TË KOSOVËS!) (5)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8500
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT ( DEMAÇI, RUGOVA DHE QEVERIA BUKOSHI!(6)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8501
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (ADEM DEMÇI – UÇK-ja NUK DO TË KAPITULLOI!) (7)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8502
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (EMËRIMI I SYLEJMAN SELIMIT – KOMANDANT I PËRGJITHSHËM I UÒªK’së DHE AKUZAT NDAJ DEMAÒªIT PËR PUÒª E TRADHËTI!) (8)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8527

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura