BEHXHET SHALA BAJGORA: NËSE NUK KENI DERDHUR DJERSË DHE GJAK DHE NUK E KENI MBAJTUR GOMARIN PËR KAPISTËR , VËSHTIRË SE DO TË BËHENI KRYEMINISTËR!

Prishtinë, 27 korrik 2017: (Data 3 gusht apo dita D për analfabetët politikë) Shkëlqesia e Tij , Presidenti i Republikës së Kosovës , Zotni Hashim Thaçi , në takimin konsultativ me një pjesë të spektrit politik tregoi se si do të ndërtohen institucionet e Kosovës , pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit 2017. Në këtë takim nuk i erdhën VV, LAA dhe Lista Serbe që së bashku i kanë 70 deputetë në Kuvendin e Kosovës. E shoqja e Skenderbeut e quajti Shkëlqesinë Thaçi i ashtuquajturi president i Kosovës kurse kryetari i saj tha se Thaçi është president e jo mbret . Tash , kujt t’i besohet ; Donikës apo Visarit ?! Ky takim nuk ka pasur ndonjë peshë politike , ke mundur të shkosh por edhe mos të shkosh ! Ata që kanë shkuar në këtë takim nuk kanë fituar asgjë sikur që nuk kanë humbur asgjë edhe ata që nuk kanë shkuar . Është një e keqe që bartësit më të lartë të institucioneve nuk po përfillen edhe për gjëra teknike e lëre më për diçka më serioze . Nëse nesër , po e them hipotetikisht Albin Kurti do të bëhej kryeministër , a duhet që opozita ta quaj i ashtuquajturi kryeministër dhe të mos i shkojë në takime ?! Duhet ta fitojmë një kulturë të respektimit të institucioneve edhe në rast se ata nuk na pëlqejnë gjithnjë duke bërë përpjekje që të zëvendësohen me institucione më të mira . Në këtë aspekt jemi shumë larg demokracisë dhe më afër jemi politikave fisnore. Edhe para takimit konsultativ sigurisht se Hashim Thaçi e ka pasur në kokë datën e 3 gushtit për seancën konstituive të Kuvendit . Tash kritikat po shkojnë te Thaçi sepse qenka vonuar shumë për thirrjen e seancës konstituive dhe se e ka bërë këtë që PAN –i t’i sigurojë votat . Nëse PAN nuk i ka siguruar votat që i duhen deri në takimin konsultativ , sigurisht se nuk do t’i sigurojë as për 10 ditë , besë e Thaçit për PAN-in. Po mos t’i konvenonte opozitës dhe po ta thirrte seancën konstituive para 3 gushtit , presidenti do të akuzohej se është kundër opozitës. Hypë se të vrava , zhdryp se të vrava ! VV është ngutur shumë dhe ka bërë shumë gabime nga dita e zgjedhjeve . Në vend se të përdorë një fjalorë paqësorë që do të shkonte mirë me kravatat , e përdori një fjalor kërcënues dhe retorikë të dhunshme, pa patur nevojë fare. Është e rregulluar me ligj se të drejtën për formimin e qeverisë e ka kandidati për kryeministër i mandatuar nga fituesi i zgjedhjeve e që është Ramush Haradinaj dhe nëse dështon në sigurimin e 61 votave kurse jam shumë i bindur se nuk do të dështojë , mbetet e drejtë diskrecionale e presidentit ta propozojë kandidatin tjetër. Nuk pajtohem me presidentin kur thotë se institucionet e Kosovës nuk mund t’i udhëheqin ata që kanë ushtruar dhunë sepse kjo deklaratë është përjashtuese për subjektin e dytë , VV . Ata që përdorin dhunë janë përgjegjësi e policisë , prokurorisë dhe gjyqësorit dhe jo përgjegjësi e politikës e në rastin konkret të presidentit. Forca e votës është përcaktuese në rast se dështon PAN e kjo është VV së bashku me Lidhjen Socialiste të Popullit Punonjës të Kosovës , si forcë e tretë politike . Këtu nuk do të duhej të ketë fare mëdyshje dhe duhet të mësohemi t’i respektojmë rregullat demokratike nëse duam të ndërtojmë një rend demokratik. Në rast se presidenti vepron në kundërshtim me rregullat demokratike, unë do të përkrah opozitën në të gjitha format , përjashtuar përdorimin e dhunës. Por , përsëri e them se gjasat që Ramushi të bëhet kryeministër janë 99% e gjasat për Albinin janë 1% ( ende nuk është koha e tij ) kurse për Avdullah Hotin gjasat janë 0%. Po e shkruaj dhe rrezikoj ta huq në parashikimin tim prandaj le të mbetet e shkruar! Po e ripërsëris se ai që tani do të qeverisë me vendin do të ndahet si humbës politik përveç se nëse gjatë mandatit të vet nuk do të bëjë mrekullira!

Opozita është e interesuar për zgjedhje të reja : Opozita po e akuzon fituesin e zgjedhjeve se po e bllokon jetën politike dhe institucionale në Kosovë shkaku se , sipas tyre i paska humbur zgjedhjet dhe e ka kapur paniku. Aspak nuk më bindin për këtë . Pse e them këtë? Për arsye të thjeshtë se deri më tani nuk ka pasur asnjë rast që dikush ta kundërshtojë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të Kuvendit dhe se votimi ka qenë formal . Tash , VV vendosmërisht e kundërshton Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit të cilin nuk e ka votuar as herën e fundit që e ka një kuptim ndonëse po bëjnë përjashtim nga një praktikë e mirë e zgjedhjes së kryetarit. Për mua është befasues “ fanatizmi “ i LDK –së dhe çiftit Boni dhe Klajd , çift banditësh nga koha e Perëndimit të Egër në Amerikë nga partia dyanëtarëshe Alternativa sikur edhe radikalizmi politik i Haxhi Lutës të cilin e kam njohur si njeri paqësor e po del sheshazi se kam gabuar në parashikim . Lutë more Lutë , pse në vend të Roses u bëre Guns , pa municion , me mbushje falso ose siç thonë te ne , me barut të lagur ! Lutë , si njohës i mirë i ilahive të muzikës rok të bendit GUNS N’ROSES siç je, cila për ty do të ishte zgjidhja më e mirë e që këndohet nga AXL ROSE dhe AC/DC ; HIGHWAY TO HELL apo BACK IN BLACK HD. Mendoj se të shkojnë të dyja , sidomos në këtë rast kur po përpiqesh të bësh një viktimizim virtual që përmes radikalizimit imagjinar ta marrësh udhëheqjen e LDK-së , pas pensionimit politik të Shën Isait i cili po mbahet deri sa ta lë një trashigimtar politik që ai e preferon . Sipas mostrës së Sali Berishës që e la jetim Lul Bashën në Shqipëri . Tash , rezultatet në Shqipëri po shihen , edhe të Salës , edhe të Lulit . Avdullah Hoti është djalë i mirë , ekspert për finanaca dhe profesor korrekt mirëpo e ka të pamundur të bëhet lider karizmatik e sidomos udhëheqës i një subjekti politik të madh siç është llogaritur të jetë LDK. Nuk hyhet dhëndërr me instrumente të Nastradin Hoxhës ! Nëse përfillet demokracia atëherë vota e përcakton kush do e udhëheq LDK-në. Përkundër përpjekjeve për margjinalizim , Vjosa Osmani del të jetë personi më i votuar në LDK dhe ajo duhet të bëhet lidere e LDK –së . Ajo e ka edhe një karizmë dhe , mund të mos pajtohem me Vjosën por ajo është e vetmja në LDK që e ka një karizmë e cila , përveç dijes që nuk i mungon , është përcaktuese të bëhesh një lidere e sukseshme. Lumiri dhe Dritoni që gjithashtu , nga zogjtë e inkubatorit politikë , duke e përdorur një fjalorë të dhunshëm ndonëse nuk mund ta përzënë as macen nga pësheshi , po imponohen si liderë të ardhshëm të LDK-së që është shumë larg nga realiteti . Në LDK është politikan premtues edhe Arbeni , Liria , Doruntina e shumë të tjerë. Despotët e përjetshëm komunalë , të shndërruar në milionerë janë e zeza e LDK-së që e bllokoijnë çdo reformë në këtë parti . Këta janë mbështetja e rrejshme e Shën Isait të cilin e respektojnë për aq sa kanë interes ! Takimi i KP të LDK në Emerald nuk u bë të analizohen rezultatet e zgjedhjeve të fundit por të merret një qëndrim kundër kandidatit të PAN-it për kryetar të Kuvendit , nëse ai do të jetë Kadri Veseli , partneri deri në mocion të mosbesimit ndaj Isës me të cilin qeverisi , në një shtrat , pa gjetur asnjë vërejtje , deri sa e përzunë nga shtrati bashkëqeverisës. Arsyetimi i Isës dhe LDK –së, përfshirë këtu edhe dy kakarisje nga Boni dhe Klajd nuk ishte vërejtje për punën e Kadri Veselit siç e bënë VV , por shkaku se Veseli e votoi mocionin e mosbesimit ndaj Shën Isait dhe apostujve bashkëqeverisës ! Ky argument nuk është argument i një politikani por shprehje e inatit të një mentaliteti hakmarrës sipas parimit të shkollës së Kumrovcit , rektor i së cilës ishte krimineli Josip Broz Tito, ndryshe baba politik i pjesës dërmuese të stafit akademik të UP e që i kanë zënë edhe vende tjera në kolegje dhe universitete private sikur edhe në fushën mediatike! Ky refuzim inatçorë është paradoks kur deri dje jeni shkërdhyer politikisht dhe jo vetëm politikisht me ata që sot i shani dhe i kundërshtoni . Kjo është e pamoralshme sepse , thuaja për një mandat ndatë poste në borde , ambasadat , tenderët , punësuat macen dhe kucen me tabela regjistrimi PDK dhe LDK kurse sot, ju u bëtë të ndershëm e ata të pandershëm ! E keni kriposur fare ! Tash po kërkojnë që PDK ta ketë një kandidat që i pëlqen edhe VV edhe LDK nëse duan ta kenë votën e tyre. Unë e kam një propozim konkret të tejkalohet kjo situatë. Meqë Bajram Gecaj ka qenë i pafatë në përpjekjet për t’u bërë deputet propozoj që ai të jetë kandidat i PAN-it dhe PDK –së për kryetar Kuvendit . Kandidat më të mirë për LDK se Bajram Gecaj për kryetar të Kuvendit nuk ka. Edhe për VV që në një kohë dhe në një vakt e bëri Bajramin omlet e të cilët Bajrami i quajti Brigada të Kuqe por se nuk e kundërshton koalicionin me ta , sigurisht për interes shtetëror të Kosovës , do të pranohej edhe nga Brigadat e Kuqe ( cilësim i Bajramit për VV ). Duket se LDK është ambientuar me të qenit patericë e dikujt dhe se ka krijuar vartësi e të qenit patericë, tash e VV-së. Strategjikisht , LDK do të jetë humbëse më e madhe në të ardhmën ; nëse martohet me VV , së shpejti do të bëhet e ve e divorcuar pa alimentacion dhe do të shkelet nga VV e që do ta kërkojë statusin që e ka pasur te PDK kurse , nëse hynë në marëdhënie politike me PAN – do të pësojë vdekje politike. Në të dyja rastet do të ndahet e humbur. Vetëm kalimi në opozitë , me reforma përmbajtësore do ta rikthente LDK në skenën politike në Kosovë , si lojtar të madh. Edhe PDK duhet të kalojë në opozitë . Me refuzimin e VV dhe LDK + Alternativës me dy anëtarë , për kretar të Kuvendit nga radhët e PDK nëse ata nuk janë Bajram Gecaj , Korab Sejdiu apo Limoza el Kumari , opozita po bënë përpjekje të provokojë zgjedhje të reja duke llogaritur se me një koalicion parazgjedhor VV dhe LAA mund të fitojnë kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë . Në rrethana normale opozita ka interes ta votojë krytarin e Kuvendit që pastaj , nëse dështon PAN për sigurimin e 61 numrave , ta formojë vet qeverinë ! Mirëpo , opozita e ka të qartë se PAN ka siguruar së paku 61 apo 62 numra e që janë të mjaftueshëm për formimin e institucioneve prandaj po e dramatizon situatën . Qeveria me 61 vota është diçka shumë e mjerë por të tillë e kemi edhe skenën politike . Dikush po bënë kontrabandimin e deputetëve sipas opozitës kurse pozita deklaron se ata janë patriotë të vërtetë ngase duan ta zhbllokojnë nyjen e lidhur politike. Të dyja palët janë të pasinqerta . Albini do të bëhet kryeministër e pse mos ta ketë këtë të drejtë Ramushi ?! Proceset politike shkojnë në favor të Ramushit dhe ia ulin aksionet Albinit. Për këtë arsye jam 99% i sigurt se Ramushi do të bëhet kryeministër i ardhshëm pa guxuar ta saktësoj kohëzgjatjen e mandatit ! Votat e qeverisë e sigurojnë edhe kandidatin e PDK –së për kryetar të Kuvendit , pavarësisht si e ka emrin. I vetmi njeri , nëse këmbëngul deri në fund për kryetar të Kuvendit e që mund t’ i provokojë zgjedhjet e reja është Kadri Veseli. Unë nuk bëjë aspak dallim midis pozitës dhe opozitës në gjakimin e tyre për marrje të pushtetit . Janë të njëjtë por përdorin metodat të ndryshme.
Pinjollët e Prishtinës dhe bandillët e Kurdistanit
Bandilli i Kurdistanit , Milaim Zeka u bë deputet i Kuvendit të Kosovës si kandidat i pavarur i subjektit politik Nisma për Kosovën. Dhe u bë shumë mirë sepse do ta nxisë debatin. Ende pa hyrë në Kuvend deklaroi se një ministër i paska shpenzuar 8 mijë euro të buxhetit të Kosovës për t’i blerë shuratë dashnores dhe se ka pasur shumë oferta për poste ministrore. Interesant është ky zbulim i Milaimit dhe duket se dashnorja paska qenë e lodhtë. Ndryshe do ta fitonte një shtëpi në Fshatin Amerikan , një banesë në Dubai apo , në rastin më të keq në Tiranë. E sa për poste ministrore , me këto mend fenomenale që i ka Milaimi dhe po t a kishte trupin e Kim Kardashianit, do të bënte mrekulli. Të ngjashme me Kim Kardashianin e ka vetëm pjesën e fundit ku përfundon kurrizi. Nuk jam pajtuar në shumë raste me Halil Matoshin por sinqerisht kam dëshiruar të bëhet deputet sepse , edhe është kosovar I bindur sikur edhe ka kapacitet debatues.
Realisht shpresat I kam te një forcë e re politike e quajtur Pinjollët e Prishtinës që udhëhiqen nga një politikan jashtëzakonisht parimor dhe I cili u tërhoq nga gara, pikërisht në mbrojtje të parimeve, ende pa u bërë publike rezultatet e zgjedhjeve. Ai është Prof . dr. Muhamet Mustafa ish kuadër I Kumrovecit , Riinvestit , Mabetexit e tash I koalicionit LAA. Krahë të majtë e ka një politikan të dëshmuar siç është Bardhyl Meta që pati hapur të pame për PDK ndërsa dorë e djathtë është një kuadër I lartë I UDB-së I rehatuar dhe promovuar nga krahu I luftës e për të cilin para një jave deklaroi se po I përjeton grahmat e fundit . Kriminel shkuar krimineli ! Kjo është ardhmëria e ardhshme politike e Kosovës , kjo është shpresa e rikthimit të së kaluarës . Më rrofshin sa më gjatë që të jetë e mundur. !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura