GJOKË DABAJ: EPOKA E LAMPEDUZËS! (NR.2)

Durrës, 20. 04. 2015 – Kohë më parë pata shkruar e publikuar artikullin me titull „Epoka e Lampeduzës“. Dje a pardje u bë e njohur se në Mesdhe, vetëm në 2 ditët e fundit, kanë humbur jetën, janë mbytur në det, rreth 400 njerëz. 400 familje u mjeruan përsëri! Në të njëjtën kohë, me qindra shqiptarë, çifte të sapomartuarish, nuse me fëmijë ndër duar, djem të rinj, po ia mësyjnë evropës Perendimore dhe kryesisht Gjermanisë. Evropa Perendimore po i dëbon. Gjermania po u thotë: “Mos hajdeni, se do të ju kthejmë!” Dhe po u fut nëpër çadra, sikur s’ka mbetur gjëkundi shtëpi bosh në krejt atë Gjermani. Qeveritarët, edhe të Republikës së Shqipërisë, edhe të Republikës së Kosovës, s’pushojnë së „sqaruari“: “Evropa nuk e pranon emigracionin ekonomik.” Me fjalë të tjera, Evropa është tallur me ne, kur na i ka liberalizuar „vizat“ (edhe ato, jo krejt shqiptarëvet, por vetëm gjysmës).
Në këtë mënyrë, kundër dëshirës sime dhe, doemos, kundër dëshirës edhe të lexuesvet, artikujt me titull “Epoka e Lampeduzës“, do të vazhdojnë të renditen njëri pas tjetrit: 3, 4, 5, 15, 20.
Nuk i themi kot „EPOKË“. Është „EPOKA“ më e rëndë që po përjetojmë pikërisht në shekullin, kur njerëzimi duhej t’i kish zgjidhur problemet me më shumë mençuri.
3 janë MOSZGJIDHJET më kryesore, pasojat e të cilavet po e tronditin botën në këtë „EPOKË“ të lemerishme.
1.MOSZGJIDHJA apo zgjidhja përherë e më për së prapthi e problemevet ekonomiko-socialë në të quajturën „botë e tretë“.
2.MOSZGJIDHJA apo zgjidhja në mënyrën më të mbrapshtë të mundshme të të quajturit „tranzicion“ në vendet ish-komunistë.
3.MOSZGJIDHJA apo zgjidhja në mënyrën më miope të mundshme e problemevet që e kanë mbërthyer prej kohësh botën e quajtur „të zhvilluar“ kapitaliste.
Të 3-a këto MOSZGJIDHJE, pikërisht në kohën kur njerëzimi zotëron 3 lloje armësh njerëzshfarosëse (bërthamore, kimike dhe bakterike), nuk sjellin luftë, por sjellin KATASTROFË GJITHNJERËZORE, sjellin SHKATËRRIM TOTAL të çdo gjëje madhore e madhështore që njerëzimi e ka arritur gjer më sot.

MOSZGJIDHJA E PARË, ajo e zhvillimit relativisht të ngadaltë apo edhe e regresit në jetën social-ekonomike në të quajturit vende të „botës së tretë“, është një moszgjidhje, BRENDA SISTEMIT KAPITALIST që ka mbetur e tillë që në kohën e quajtur „Luftë e Ftohtë“. Është e vërtetë që, në atë 50-vjeçar, shumë vende qenë çliruar nga kolonializmi dhe e patën fituar pavarësinë shtetërore, por pavarësinë ekonomike dhe veçanërisht atë financiare, nuk e kanë fituar dot as sot e kësaj dite. Propaganda kapitaliste gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, nuk pushoi së sulmuari e anatemuari komunizmin, por për moszgjidhjen e problemit të zhvillimit të pabarabartë brenda vetes nuk lëshoi as edhe 1 anatemë. Plagët ekonomike, sociale, kulturore e veçanërisht ato financiare, të asaj pjese të vendevet kapitalistë, nuk u shëruan kurrë. „BOTA E TRETË“ mbeti tragjikisht BOTË E TRETË! (Me fare pak përjashtime: Dubaj, Katar, Singapor, Hongkong e ndonjë tjetër, gjë që as përafërsisht nuk e shmang dot fenomenin „Lampeduzë“.
Një numri të këtyre shteteve, pjesë e së quajturës „botë e tretë“, në vitet e fundit iu dhanë goditje të tmerrshme. Turmat u ngritën kundër të quajturavet diktatura, u çliruan prej të quajturavet diktatura, me përjashtim të Sirisë, dhe ranë nën DIKTATURAT E KAOSIT, dhjetëfish më shkatërrimtare. Duke qenë tash KAOSI KRYEDIKTATORI në ata vende, atje s’ka si të mos ndodhin mynxyra nga më tronditëset dhe s’ka ç’pritet tjetër, përveç të mbushurit me kufoma të Detit të Mesdheut.
MOSZGJIDHJA E DYTË apo zgjidhja në mënyrën më të mbrapsht të mundshme të të quajturit „tranzicion“ në vendet ish-komunistë, konsiston në faktin se ish-komunistëvet, TË BASTARDUAR, dhe bijvet BASTARDË të ish-komunistëvet, nuk u pëlqeu rregullimi komunist i bujqësisë, me ferma shtetërore dhe me kooperativa (sovhoze dhe kolhoze), nuk u pëlqeu industria socialiste, industri e cila në shumë aspekte qe dëshmuar më progresive se ajo kapitaliste, nuk u pëlqeu organizimi socialist i tregtisë, nuk u pëlqeu administrata shtetërore socialiste, nuk u pëlqeu sistemi socialist i shëndetësisë, nuk u pëlqeu as sistemi arsimor socialist, dhe i hynë „punës“ për ta rrënuar krejt ç’ishte ndërtuar në ato pak dekada. I hynë „punës“ për të rrënuar çdo gjë, por nuk e vranë mendjen : A do të kalohej ashtu në një fazë më të lartë zhvillimi ekonomiko-shoqëror apo do të rrëshqisnin ekonomia dhe shoqëria edhe më poshtë nga ç’mund të përfytyrohej? Vlerësimi i parë që historiografia do t’u bëjë atyre njerëzve, është se ata nuk e vranë fare mendjen: SI DO TË KALOHEJ NGA SISTEMI KOMUNIST NË SISTEMIN KAPITALIST, PA E RRËNUAR EKONOMINË? Pra, ishin të papërgjegjshëm, prandaj dhe quhen dhe do të quhen BASTARDË.
Kapitalizmi iu gëzua shumë kësaj dukurie të rendit të komunizmit dhe kjo ish e drejta e tij, sepse në të gjithë ata vite kish luftuar kundër komunizmit. Kapitalizmi kish të drejtë që iu gëzua dështimit të sistemit komunist, por u tregua fare dritëshkurtër lidhur me: ÇFARË DO TË NDODHTE ME BOTËN DHE ME VETË KAPITALIZMIN PAS ATIJ DËSHTIMI?.
MOSZGJIDHJA E TRETË apo zgjidhja me mënyrën më miope të mundshme e problemevet që e kanë mbërthyer sot botën e quajtur „të zhvilluar“ kapitaliste, është tani edhe PROBLEMI KRYESOR se si do të shkojnë këndej e tutje punët në planetin Tokë. A do të zgjasë edhe shumë vite Epoka e Lampeduzës? A do të mbyllet në një mënyrë fatlume kjo “epokë”, apo zhvillimet e mëtejshëm do të na shpien në humnerën e një “Atlantide Moderne”?! Nuk do ta zgjidhin këtë nyjë as “bota e tretë”, as bota ish-komuniste, sepse, edhe njëra, edhe tjetra, janë tashmë në dorën e asaj që do të mund të quhej edhe “botë e parë”. Por nuk do ta zgjidhin dot këtë nyjë as popujt e vendevet të zhvilluar kapitalistë, që unë po i quaj “botë e parë”, sepse as ata s’kanë asgjë në dorë. Këtë nyjë do të mund ta zgjidhte vetëm PLUTOKRACIA E BOTËS KAPITALISTE, psh. një e quajtur G8 apo G20, ose edhe një riorganizim mençuror i OKB-së. Mirëpo, edhe ata që shkojnë atje gjoja për t’i vënë problemet në rrugën e mbarë, janë po aq BASTARDË, sa edhe ish-komunistët, që i katandisën popujt e vet në pikë të hallit.
Njerëzimi nuk mund dhe nuk duhet të shpresojë te “MORALI” i BASTARDËVET: Njerëzimi duhet T’I DETYROJË BASTARDËT t’i shërbejnë njerëzimit dhe kjo mund të arrihet vetëm me një RELIGJON TË RI. (Religjon është fjalë latine dhe ka kuptimin: vetëdije, kult, besim.)
Po përpiqem ta rendit këtu vargun e handikapëvet të së quajturës botë e zhvilluar kapitaliste, të asaj që unë e emërtova konvencionalisht „botë e parë“.
Handikapi i parë është tërheqja e kapitalevet financiarë, me një mori formash, nga të 2 botët që i përmenda, nga „bota e tretë“ dhe nga bota ish-komuniste (me përjashtim të Kinës). TË VJELËSH MBIVLERËN DHE TË QUAJTURIN INTERES BANKAR NËPËRMJET NJË SISTEMI BANKAR TË SOFISTIKUAR DHE T’I GRUMBULLOSH QË TË GJITHË FITIMET NË NJË PJESË FARE TË VOGËL TË PLANETIT, S’KA SI TË MOS REZULTOJË E PASUR AJO PJESË E PLANETIT DHE S’KA SI TË MOS VËRSHOJNË ATJE MILIONA HALLEXHINJTË E PJESËVET TË TJERA TË PLANETIT, TË LËNË ATJE PA KURRFARË MUNDËSIE GJALLIMI.
I lidhur ngushtë me fenomenin e Lampeduzës, është fenomeni i të pasuruarit pa kufi të lloj-lloj individësh në të gjithë botën, por sidomos në të quajturën botë e zhvilluar kapitaliste. SI TË LEJOHET GRUMBULLIMI I KAPITALEVET NË DUART E NJË NUMRI FARE TË VOGËL BANORËSH TË KËTIJ PLANETI, S’KA SI TË MOS MBETEN PA KUSHTE NORMALE JETESE NJË NUMËR TEJET I MADH BANORËSH TË PO KËTIJ PLANETI. Mirëpo, në botën e zhvilluar kapitaliste, në Evropën Perendimore, në SHBA e gjetkë, as që i shkon mendja dikujt t’i cilësojë si njerëz negativë MULTIMILIARDERËT: Përkundrazi, kur shpallen nëpër gazeta listat e multimiliarderëvet, ata shikohen me një lloj adhurimi. As që i shkon mendja kujt t’i emërtojë si KASTË KRIMINELËSH multimiliarderët e botës dhe t’i akuzojë ata si SHKAKTARË, të tërthortë apo të drejtpërdrejtë, psh. TË MBYTJES SË ATYRE 400 NJERËZVE PARA 3 DITËSH NË DETIN E MESDHEUT.
Në botën e zhvilluar kapitaliste, në këtë botë, drejt së cilës po vërshojnë me mijëra hallexhinj dhe po mbyten në brigjet e Lampeduzës, janë në fuqi që të gjitha format e të pasuruarit johuman dhe, rrjedhimisht, antinjerëzor. Kompanitë e korporatat që prodhojnë armë dhe që ua shesin ato armë shtetevet të „botës së tretë“, i THITHIN pa pushim paratë e atyre vendeve, duke i lënë ata popuj pa mjetet më të domosdoshëm të jetesës. Të gjithë prodhimet perendimorë, që nga miliona veturat, deri te gjilpërat e çantat shkollore, s’bëjnë tjetër, veçse THITHIN financat e popujvet „joperendimorë“. Shtoju të gjithë këtyre, të quajturit TRAFIKANTË: TRAFIKANTË droge, TRAFIKANTË fëmijësh, TRAFIKANTË organesh të njeriut, TRAFIKANTË dhe shfrytëzues prostitutash. Krejt kjo LUKUNI TRAFIKANTËSH ka lidhje pikërisht me botën e zhvilluar kapitaliste, me të quajturën „botë e parë“.
„Industria“ e stërmadhe e bastevet dhe e lojëravet të fatit, kryesuar nga një Monte Karlo e një Las Vegas, s’bën tjetër, veçse grumbullon para nëpër „metropole“ dhe lë pa mundësi financiare ata që, më në fund, shkojnë e mbyten rreth brigjevet të Lampeduzës. Prodhuesit e ushqimevet, të quajtur OGJM (organizma gjenetikisht të modifikuar), nga një anë, i helmojnë popujt, duke krijuar situata shëndetësore të paparashikueshme, nga ana tjetër, prapë grumbullojnë kapitale në vendet e „botës së parë“, ku fiktivisht duket se çdo gjë po shkon për së mbari.
Bota kapitaliste, pikërisht „bota e parë“, për të cilën po flasim, s’po pushon së kërkuari HAPJEN E DOSJEVET për ish-bashkëpunëtorët e shërbimevet sekretë në ish-vendet komunistë. Sikur vetëm ata po ia sjellkan fatkeqësitë njerëzimit. Por kjo botë kapitaliste, kjo „botë e parë“, nuk po kërkon që të HAPEN „DOSJET“ e tregtarëvet dhe përdoruesvet të lloj-lloj armëvet nëpër botë, „DOSJET“ e lloj-lloj trafikantëvet, që i përmenda pak më sipër, dhe „DOSJET“ e të gjithë spekullantëvet të ekonomisë.
Një Lenin, që s‘mbajti asgjë për vete, shpallet kriminel dhe i rrëzohen bustet, një Stalin, që s’mbajti asgjë për vete, shpallet kriminel, duke e barazuar madje me Hitlerin, dhe i rrëzohen bustet, një Enver Hoxhë, që s’mbajti asgjë për vete, shpallet kriminel e monstër dhe i shemben bustet.
Nëse ishin kriminelë, le të shpallen të tillë. S’mund të ketë askush kundërshim, për aq krime sa kanë bërë. Por, si kudo tjetër, edhe këtu duhet respektuar RELATIVITETI. Pse nuk po shpallen kriminelë ata që i mbushin, Detin Mesdhe, brigjet e Floridës apo kufirin midis SHBM-së dhe SHBA-së, me kufoma?! A, sepse është vështirë të identifikohen?! Nuk është aspak vështirë të identifikohen! Hap dosjet e milionerëvet dhe miliarderëvet, analizo burimet e pasurimit të tyre, krahasoji me miliona familjet që s’kanë bukë për të ngrënë dhe pastaj, vetëm pastaj, nxirr ligje për ndalimin e emigracionit. Dhe mos u mundo të tërheqësh vëmendjen te Stalini e te Enveri!
Në Departamentin e Shtetit të SHBA-së dhe në qeverinë qendrore të Bashkimit Evropian, a ka dosje për trafikantët e organevet, për trafikantët dhe shfrytëzuesit e fëmijëvet, për shfrytëzuesit e prostitutavet, për falsifikuesit e dokumentevet, për falsifikuesit e ilaçevet, për falsifikuesit e ushqimevet, për manipuluesit e zgjedhjevet, për kultivuesit, shpërndarësit dhe përdoruesit e drogës, për miliarderët e bastevet sportivë, për, për, për, për ?!? Përse Perendimi s’ndërmerr fushatë pikërisht për hapjen e të këtilla dosjeve, por merret me ca spiunë të komunizmit, që s’merrnin shpërblim as sa një e treta e rrogës mujore për shërbimin që i bënin shtetit të vet?!
Ligji më i mirë për ndalimin e emigracionevet ekonomikë do të ishte kalimi i kapitalevet nga bota e quajtur e përparuar, pra, nga „bota e parë“, në botën ku njerëzit janë të detyruar të rrinë pa punë.
Këtu, në 2 shtetet shqiptarë, do të mjaftonte të ndalohej përvetësimi nga të huajtë i resursevet natyrorë dhe eksportimi i kapitalit financiar, i asaj që quhet transfertë parashë.
Por, kush ta bëjë këtë lloj operacioni social-ekonomik? Askush! Atëherë, ç’mund të presim nga e quajtura botë e përparuar, përveç KRIZAVET?!
Epoka e Lampeduzës sapo ka filluar. Dita, kur u rrëzua Muri i Berlinit, e mbylli një epokë, atë të së quajturës “Luftë e Ftohtë”, dhe hapi epokën tjetër, EPOKËN E LAMPEDUZËS. Tani s’mbetet tjetër, veçse t’u bëjmë thirrje (në paçin veshë), pushtetarëvet të të 3 botëvet që i përmenda, duke ftuar për ndihmë edhe Kinën: “Mblidheni mendjen sa s’është vonë, gjeni mënyrat dhe shkurtojani jetën Epokës së Lampeduzës sa më pare!”

***


GJOKË DABAJ: EPOKA E LAMPEDUZËS! (NR.1)
HAPE:
 https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=3573 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura