BEHXHET SHALA BAJGORA: PSE NUK JANË TRADHËTARË ATA QË E KUNDËRSHTOJNË DEMARKACIONIN ME MALIN E ZI

Prishtinë, 15 nëntor 2017: (Lojë e rrezikshme , nga njerëz të rrezikshëm) Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është bërë armë e fuqishme kundër pozitës që përdoret për ta marrë pushtetin nga opozita sikur edhe mjet i fuqishëm presioni që e bëjnë ndërkombëtarët për ta detyruar Kosovën të bëjë lëshime ndaj Serbisë dhe serbëve të Kosovës që kokën dhe zemrën e kanë në Beograd kurse mbetjet trupore në Kosovë sikur edhe xhirollogarinë , në njërën nga bankat e Kosovës. Demarkacioni po përdoret si premtim dhe kushtëzim për liberalizimin e vizave e që nuk është vepruar kështu as me Slloveninë , Kroacinë , Bosnjen , Malin e Zi , Serbinë e as me FYROM ndonëse kanë pasur dhe kanë mosmarrëveshje territoriale. Po pse Kosova e pranoi këtë kusht dhe a e pranoi në të vërtetë e tha eurodeputetja në largim , Urlike Lunaçek që ia përplasi presidentit posthistorik në 32 hektarë të fytyrës së tij se ai e ka ditur që Demarkacioni është kusht për liberalizim të vizave dhe se vet e ka pranuar në ndërkohë që qytetarët e Kosovës nuk kanë qenë fare të informuar për këtë dhe se tërë procesi i Demarkacionit ka qenë i mbuluar me një tym ngulfatës . Për këtë arsye kemi aq problem me këtë proces krejtësisht jotransparent , në pronësi ekskluzive të presidentit posthistorik. Të gjithë ndërkombëtarët , pavarësisht nivelit përfaqësues , Demarkacionin e kanë përdorur si shpatë mbë kokën e qytetarëve të Kosovës dhe atyre që e kanë kundërshtuar këtë proces . Presidenti posthistorik e formoi një Komision qeveritar në me krye Murat Mehën i cili duket se ka pranuar çdo gjë që u është servuar në tavolinën e përmbushjes së ambicieve politike dhe përfitimit financiar. Kishte kundërshtime të fuqishme nga opozita , individë si dhe profesionistë të fushës e që nuk ngurronin që Murat Mehën dhe anëtarët e Komisionit t’i quanin tradhëtarë të çështjes kombëtare dhe shtetërore . Që natyrisht se ishte e padrejtë kur dihet se në kompetencë të kujt është da dënojnë dikend për tradhëti dhe rrezikim të integritetit territorial. Nuk ka asgjë më tragjiken se kur profesionistët e fushës dhe intelektualët , me raportet që i bëjnë shërbejnë si arsyetim për marrje të vendimeve nga politikanë krejtësisht të padijshëm dhe të padinjitetshëm . Ai që e ka vendosur firmën në këtë marrëveshje që po kundërshtohet për vite të tëra e mbanë përgjegjësinë për të gjitha lëshimet e mundshme dhe dëmet eventuale që u bëhen qytetarëve të Kosovës dhe integritetit territorial. Edhe udhëheqësit e shtetit shqiptar po bëjnë presion të jashtëzakonshëm që të votohet ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacioni , sikur edhe me rastin e pranimit të vendimeve të Rambujesë, më parë. Është bërë gabim i madh që kur është nënshkruar marrëveshja me shtetin e Njegoshit dhe knjaz Nikollës , nuk është futur edhe një paragraf ku thuhet se shteti që është i pakënaqur me marrëveshjen dhe që nuk e ratifikon ate , ka të drejtë që në mënyrë të njëanshme ( nëse nuk pranohet nga shteti tjetër nënshkrues ) , ta dërgojë në Gjykatën e Arbitrazhit ose edhe një paragraf tjetër ku parashihet që asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të ratifikohet pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese sikur që ishte rasti i Shqipërisë me Greqinë , për ujrat detare. Kosova , e papërgatitur , në mungesë të profesionistëve dhe politikanëve që as që ua ndien për Kosovën, i vuri qytetarët e saj në një pozitë të rëndë duke shkuar në bazë të inercionit pas propozimeve të Malit të Zi. Ndërkombëtarët kishin interese të mëdha te Mali i Zi për ta larguar nga ndikimi rus andaj nuk u bëhet vonë t’i shpërblejnë me disa mijëra hektarë, nëse i referohemi ekipit kundërshtues.

Kush është i marrë ta fusë ferrën në këmbë të shëndoshë
Nuk jam kurrfarë eksperti në këtë fushë por , për dallim nga disa deputetë që janë edhe më tup se unë , unë lexoj çdo material që ka të bëjë me këtë çështje. Kundërshtimi im ndaj këtij procesi është më tepër refleks i pësimeve nga e kaluara kur shqiptarët , në çdo proces të caktimit të kufijve kanë humbur shumë territore dhe tash , si pasojë këndojmë për Mollën e Kuqe , Epirin e Pirros, Çamërinë , Dalmacinë dhe shumë territore të tjera, pakthyeshëm të humbura. Këta korbat e FYROM na morën territor te Debëlldeja , Crna Gora po e lypë hisen që nuk i takon lurse Serbia do të merr sa të dojë. Paradoksalisht , vetëm Shqipëria nuk është e interesuar për territorin e Kosovës , që edhe me Kushtetutë i takon . Demarkacioni nuk ka lidhje me procesin e liberalizimit ti vizave dhe , e them me bindje të plotë se edhe nëse sot votohet ratifikimi i Demarkacionit , vizat nuk do të hiqen për qytetarët e Kosovës. Të kota janë premtimet por edhe kërcënimet se , nëse për këta muaj të mbetur të këtij viti nuk votohet ratifikimi i Demarkacionit atëherë Evropa më nuk do ta ketë në rend të ditës liberalizimin e vizave shkaku se fillojnë zgjedhjet brenda BE –së . Këto janë mashtrime dhe premtime të pamoralshme sepse Evropa, duke i vënë këtë kusht Kosovës e që nuk i ka vënë asnjë shteti tjetër , ka bërë krim kundër vlerave elementare të demokracisë dhe të drejtave të njeriut siç është pamundësimi i lëvizjes së lirë . Do të duhej të ishte kusht kryesor luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar por edhe në këtë fushë Evropa e kriminalizuar ka shkuar shumë para Kosovës . Dëshmi për këtë janë skandalet qindra miliarda euro të shteteve më të zhvilluara në oazat për pastrim të parave dhe aferat korruptive në UEFA dhe gjigantët tjerë ekonomikë. Neve na kushtëzojnë ta luftojnë korrupsionin në kohën kur ata flirtojnë me politikanë të korruptuar dhe vjedhin bashkë.
Me dorëzimin e raportit , Komisioni Meha doli nga loja sepse i përfundoi mandati dhe kryeministri Haradinaj e shkarkoi. U formua një Komision tjetër nga ata që “ e vranë Cezarin “ ( e kundërshtuan Demarkacionin ) dhe i cili , po këmbëngulë se Kosova po humbë territor në saje të joprofesionalizmit të Komisionit Meha. Dje ishte përballja e parë e këtij Komisioni me komisionin përkatës parlamentar. Në rrethana normale ky do të konsiderohej një veprim krejtësisht normal madje edhe detyrim për sigurimin e një transparence që aq shumë i ka munguar Komisionit Meha dhe presidentit posthistorik. Po të raportonte komisioni paraprak para komisionit përkatës parlamentar para se të nënshkruhej marrëveshja me Malin e Zi , sigurisht se do ta kishim një situatë krejtësisht ndryshe , ose , së paku nuk do t’i kishim këto tensionime apo akuza të ndërsjella për tradhëti kombëtare dhe rrezikim të integritetit territorial të vendit. Në raportimin e parë të Komisionit Bulliqi , më bëri përshtypje mungesa totale e respektit për anëtarët e Komisionit nga deputetët e pranishëm të cilët , në këtë fushë janë injorantë të vërtetë , krahasuar me anëtarët e Komisionit Bulliqi. Deputetët nuk kanë mandat të sillen në mënyrë shpërfillëse , injoruese , arrogante dhe agresive ndaj askujt e sidomos në rastin konkret kur pregatitja dhe integriteti profesional i anëtarëve të Komisionit Bulliqi është i pakrahasueshëm me analfabetizmin e disa deputetëve , që në mungesë të kapacitetit profesional dhe intelektual, sillen si Zeusë apo Hera apo diktatorë miniaturalë, me synime të mëdha. Nuk bëhet kijameti nëse dëgjohen edhe anëtarët e këtij Komisioni sepse e kemi duruar dhe dëgjuar për vite të tëra Komisionin Meha. Këtu nuk janë dhe nuk mund të jenë dy të vërteta ; ose ka të drejtë Komisioni Meha ose ka të drejtë Komisioni Bulliqi ! Nëse vërtetohet se njëri nga komisionet ka manipuluar me të vërtetën , për çfarëdo arsyesh, duhet të ndiqen penalisht. Nuk mund nga ky lëmshë që ka shkaktuar dhunë dhe trazira në Kosovë të gjithë të dalin të virgjër “ si nëna e Cezarit “ apo të jenë të pafajshëm. Pastaj , vet hezitimi i Malit të Zi ta rinegociojnë marrëveshjen apo ta dërgojnë në Gjykatën e Arbitrazhit e bënë këtë çështje krejtësisht të dyshimtë ; nëse Mali i Zi është i sigurtë se ka të drejtë atëherë është në interes të këtij shteti të dërgohet rasti në Arbitrazh sepse atëherë do ta kishim një vendim të pakundërshtueshëm dhe se komisionet e Mehës dhe Bulliqit do të shndërroheshin në material të pariciklueshëm . Edhe për ndërkombëtarët nuk është fundi i botës nëse kjo marrëveshje e kontestuar ta marrë vendimin që nuk mund të kundërshtohet nga asnjëra palë. Ndërkombëtarët në Kosovë kanë punuar sipas linjës së rezistencës më të vogël dhe janë mësuar me faktin se kur ata kërkojnë nga ne ta heqim rripin e pantollonave , ne shkojmë edhe më tutje duke i lëshuar edhe brekët . Këtë nuk e ka bërë asnjë shtet i rajonit përveç vendeve ku jetojnë shqiptarët . Ndërkombëtarët që marrin vendime pa na pyetur fare na kanë lexuar krejtësisht sepse për ta nuk jemi ndonjë roman i ndërlikuar por thjesht një abetare, me 12 shkronja. Asgjë më tepër. Pastaj ndërkombëtarët na vlerësojnë në bazë të liderëve që i kemi dhe nga ne kërkojnë të sillemi si liderlt tanë , parahistorik , historik dhe posthistorik. Demarkacioni po na merr shumë kohë dhe energji dhe na ka armiqësuar shumë. Mirëpo , duke i njohur liderët tanë shumë mirë dhe duke e njohur opozitën , jam i sigurt se do ta votojnë Demarkacionin e nënshkruar nga dy miq të mëdhenj që i kam ; Presidenti posthistorik , Shkëlqesia e Tij (pak ka filluar të ndryshket ) zotni Hashim Thaçi i Parë dhe Skender Hyseni , ish ministër i Brendshëm. Edhe Patrioti i Devotshëm dhe i Pathyeshëm si edhe skajshërisht i Pakorruptueshëm , gjithashtu mik imi i madh , Gjet Pacolli u dorëzua para knjazëve të Malit të Zi prandaj , ndonëse pata vendosur të shkruaj për sakrificën sublime të Ded Gjo Lulit , Jakup Ferrit dhe Ymer Prizrenit në mbrojtje të territoreve shqiptare e këtyre t’ua bashkangjesë Gjetin , hoqa dorë nga kjo përpjekje për të vendosur fytyrat e merituara të Kombit në vendet që e meritojnë ! Për Demarkacion duhet përgjegjësi penale , përgjegjësia morale as që ka ekzistuar !
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, 14 nëntor 2017 Prishtinë
___________

 DEMARKACIONI PJ 1

DEBAT I NXET PER DEMARKACION pj 2

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura