Prishtinë, 9 shkurt 2021: Murroi i Hajdinit : Jam nip i Menxhiqëve nga fshati Lupç i Epërm. Fshat që , bashkë me fshatin Popovë janë në vijën kufitare që e ndanë Llapin me Bajgorën . Fshati Lupç i Epërm ka pasur trima që kanë luftuar kundër turkut , bullgarit dhe serbit . Ia kanë kthyer pushkën çdo okupatori sikur që ka qenë bazë e sigurt për çetat kaçake dhe luftëtarët e lirisë , si pas luftës së dytë botërore ashtu edhe në luftën e së Lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosoves. Gjysh e kam patur Hajdar Menxhiqin që ka jetuar 107 vjet dhe që është kujdesur për mua gjatë pushimeve verore që i kaloja në fshat. Madje , kur jam dënuar 12 vjet në Gjyqin Ushtarak në Zagreb , në gjykatore ka qenë edhe babagjyshi , me plisë të bardhë në kokë e që nuk kuptonte gjuhën serbe. Më duket se për herë të parë dhe të fundit ka qenë atëherë në Zagreb. Daja Faik ka qenë si kreshnik i gojëdhanave , një burrë mustaqemadh , me plis dhe mahramë , i gjatë dhe i drejtë , si qiri por ishte edhe i drejtë në jetën e përditshme. Realisht , pushimet e verës i kaloja te dajët , në Lupç të Epërm dhe, pas një kohe u ambientove dhe i bëja të gjitha punët që i bënin moshatarët , përjshtuar këtu shatin dhe kosën . Nuk më ecnin. Të shkoje prej Podujeve në Lupç të Epërm ishte përjetim për mua kurse fëmijët e fshatit mblidheshin ta shihnin se ka ardhur “ shehërlia “ e që nuk dalloja fare nga ta , isha edhe unë një qurravec dhe , në fillim , më shumë fitoja dajak nga çobanët e fshatit , deri sa i përvetësova rregullat e të “ mbijetuarit në kushte ekstreme “. Shkoja në fshat me japanka të prodhimit kinez , që ngjanin me allstarkat e sotit dhe , në fund , kur vinte koha të kthehesha , i ndërroja me një palë opinga. I doja opingat , në atë kohë. U bëra disi si një bari profesionist sepse shumicën e kohës i ruanim bagëtinë , kryesisht lopë , buallica , dele dhe , që nuk donim fare kishim edhe do dhi të kuqe të cilat ka qenë vështirë t’i menaxhonim. Terreni ku dërgonim bagëtinë ishte disa kilometra larg fshatit , deri në Kunevik apo te Lagjja e Bajçinovcëve . Iknim heret në mëngjes dhe ktheheshim vonë në mbrëmje. Kohën kur ishte dreka , në mungesë të orës e matnim me shputa të këmbës dhe hijen e trupit. Mëngjesin e merrnim me vete dhe e hanim rrugës kurse drekën na e sillnin disa çobanë që shkonin në fshat për ushqime. Për ujë nuk kishim fare problem sepse , ose kishte përrocka në mal , ose i hapnim vet burimet dhe , pasi i lenim të kulloheshin , e pinim ujin shumë të pastër. Në atë kohë kur shkoja te dajët mblidheshin fëmijët dhe kërkonin t’iu tregojë ndodhitë në qytet , për Tarzanin , majmunin Qita dhe filmat e tjerë. Si kryepersonazh , e kisha imagjinatën e zhvilluar duke ua krijuar situatat sikur në studiot e Paramounthit. Iu flisja për Akilin , Hektorin , Odisenë dhe Herkulin dhe , pas kësaj të gjithë i preknim muskujt e duarve , të barkut dhe këmbëve. Unë , disi si Xhingis Kani dhe Hanibali që si mjet transporti dhe mjet lufte i përdornin elefentët , si mjet transporti i përdorja buajt dhe buallicat. U shtrija në shpinën e tyre të gjerë dhe bëja shtatë palë qejfe deri sa mbërrinim te kullosat e Kunevikut apo livadhet e Bajçinovcëve. Fort i patëm dëmtuar livadhet e Bajçinovcëve , dardhat dhe çershtitë e tyre prandaj , nga një distancë e madhe kohore , si formë kompensimi për Bajçinovcët , i pata siguruar do vota Mefail Bajçinovcit në zgjedhjet e fundit.
Karvanit të gjatë të bagëtive të fshatit Lupç i Epërm i printe një dem murroi , sikur demat mitologjik duke krijuar siguri , si për bagëtinë ashtu edhe për neve , çobanët për faktin se të gjithë shkonim pas tij , sikur pas liderit suprem. Ishte i mirënjohur kau murroi i Hajdinit . Punët shkuan mirë deri në kohën kur murroi i Hajdinit bëri një lëvizje , nga pozita e liderit , kaloi në prapavijë. Mbeti i fundit. E arsyetuam duke ia dhënë , edhe në këtë pozitë rolin mbrojës por u bindem se e kishte patur me hile. Me rritjen e sasisë së testosteronit , ndryshoi edhe roli dhe misioni i murroit të Hajdinit. Tash , filloi t’iu kërcente , fillimisht lopëve të fshatit ( i ruante të familjes ) , pastaj edhe lopëve të familjes dhe , në gfund nuk bënte dallim midis gjinive , u kërcente aty ku kishte mundësi . Madje , filloi të na ndiqte edhe neve , çobanëve. Pas kësaj e refuzuam punën duke kërkuar ta largonin murroin tarak të Hajdinit. Daja the se e bëjnë një zgjidhje dhe e dërguan te një “ veteriner “ , pa një ditë shkollë ( si disa politikanë në Kosovë ) i cili , ia shtypi koçet me mjete mekanike duke e tredhur. Nga perspektiva e ditëve të sotit e kuptoj tredhjen si mjet për disiplinim, atëherë e disiplinuan tarakun murroi të Hajdinit sikur që ndërkombëtarët i tredhën disa politikanë tereq të Kosovës. Pasi u kthye , si pjesë e kopesë . ish – taraku murroi i Hajdinit , të shkaktonte situata trishtimi, ishte në depresion , nuk hecte , me një fjalë na shkaktonte shumë probleme në fushën e logjistikës prandaj , disa çobanë shkuam te dajët me kërkesë që , së paku t ‘ia kthejnë një koçe ish tarakut murroi të Hajdinit e që do ta fitonte statusin e gjysmëtarakut do të ishte zgjidhe e pranueshme për të gjitha palët.. Dajët na thanë se është e pamundur por se ka mundësi që pas disa viteve t’i dalin do koçe tjera. Me këtë donin të fitonin kohë , sikur në këto bisedimet e Lajçakut. Vërtetë , pas disa vjetëve pati zhvillime, ish kau murroi tarak i Hajdinit përfundoi si rryp i mishit të terur apo eshtra me mish që përfundonin në vegsh ku zihej pasuli. Ne , çobanët nuk u ndamë aspak keq !
Tarakizmi politik i Albin Kurtit : Edhe Albin Kurti hyri në politikë si tarak , me tendencë të bëhet kryetaraku i politikës kosovare , për fillim e pastaj taraku suprem i të gjithë shqiptarëve. Fillimin e kishte të mbarë , vërtetë ishte tarak. Në protestat studentore kur filloi “ the final Countdown “ për lirimin e obejkteve universitare , Albini ishte i pathyeshëm edhe kur inspektorët serbë , në me krye Kovaçin sillnin mbi te me tërë fuqinë që e kishin. Pastaj angazhimi i tij në Partinë Parlamentare ishte i jashtëzakonshëm sikur edhe pranimi që të bëhet sekretar – shef i Zyrës së Përfaqësuesit Politik të UÇK-së në Prishtinë e që drejtohej nga Baca Adem Demaçi. Ishte vendim me shumë rreziqe. Albin Kurti , për dalliim nga disa ish – liderë studentorë që sot po i llaskucaven nëpër studiot televizive duke bërë tifo elektorale në ndërkohë që tërë karrierën e kanë mbindërtuar me ndihmën e PDK-së dhe Hashim Thaçit të cilin sot e shajnë , në atë kohë i mbeti besnikë Bacës Adem. Vetëm Muhamet Mavraj kishte qëndrim korrekt. Albin Kurti e ka shoqëruar Bacën Adem në të gjitha vizitat në zonat e luftës ku , dikund e kanë pranuar , dikund e kanë refuzuar sikur që ka qenë i pranishëm në takimin kualifikues për Rambuje midis Robin Kuk dhe Bacës Adem Demaçi në Shkup. Nuk është e vërtetë se Albini i është dorëzuar policisë serbe për të shpëtuar bythën por është arrestuar me tërë familjen , vetëm nëna e tij Arifja ka qenë e lirë. Në Burgun e Lipjanit e kanë rrahur aq shumë sa që , pa ndjenja e kanë dërguar në burgun e Pozharevcit ku mbahet mend qëndrimi i tij antologjik në përballje me ministrin e Drejtësisë së Serbisë , i kontrabanduar si gazetar. Pas lirimit nga Burgu , piarin ia ka bërë Baca Adem Demaçi dhe Albini ka vazhduar maratonën e kundërshtimit të çdo procesi që e ka vlerësuar se është i dëmshëm për Kosovësn. Dhe nuk ka arritur ta pengojë asnjë proces. Golgota e tij ka vazhduar me policinë e UNMIK-ut , EULESH-it dhe një pjesë të Policisë së Kosovës që kanë “ lënurur lesh në Albinin dhe LVV ..” , me apo pa asnjë arsye. Me kalimin e kohës Albin Kurti , në përpjekje të ndërtimit të identitetit të vet dhe karizmës personale është përpjekur të shkelë mbi diçka të shenjtë , mbi krijuesin dhe siç thoshte , babain politik , Bacën Adem Demaçi. Albini , si tarak politik i ka akuzuar të gjithë politikanët e vendit se i ka zënë bakllavaja deri sa edhe vet ka rënë në bakllavanë e Florin Kelmendit , tutorit që ia financoi , me kushte , zgjedhjet e para ku erdhi edhe te ndarja e Bacës , me Albinin . Dhe kur një pjesë e idealistëve , heshtur u larguan nga përkrahja e LVV –së , isha edhe unë , pa e dëmtuar publikisht , pasioni i Albinit për pushtet shkoi deri në grykësi. Tarakizmin politik të Albin Kurti fillimisht ia ka zbutur pak Florin Kelmendi për të vazhduar me Devollët dhe tash , duket se darat që ia mbajnë koçet e Albinit , të shtrënguara apo të liruara po i mbanë Ekrem Lluka. Albini e pati pushtetin vetëm 52 ditë dhe vet e rrëzoi veten , jo se e rrëzuan të tjerët. Tash , po synon pushtet absolut , me një xhurulldi kandidatësh për deputetë , në mesin e të cilëve ka shumë të mirë por ka të tillë që as “ qeni nuk i hanë “ dhe që , nëse nuk bënë ndryshime rrënjësore , jo që do ta humbë primatin e tarakut politik por do të shndërrohet në një eunuh politik. Albini nuk e ka një të kaluar prej së cilës duhet të turpërohet , përkundrazi prandaj nuk e kuptoj pse , duke fshirë deklaratat nga e kaluara për personalitetet apo procese politike , dëshiron të distancohet nga kjo e kaluar. Natyrisht , politikani i mirë , nuk ik nga e kaluara por e pranon se ka gabuar në të kaluarën.Ky është testi kur një politikan e pranon sinqerisht se mendon ndryshe dhe se është për bashkëpunim me të gjithë ata që e duan këtë vend dhe se dashuria për vendin dhe kombin nuk duhet të jenë të formatizuara vetëm sipas pikëpamjes së LVV –së. Deklarata për Ambasadën e Kosovës në Jerusalem apo rishikimin e marrëveshjeve të nënshkruara , në Bruksel apo Washington i shkaktojnë dëme , edhe LVV , edhe Albinit si dhe Kosovës. Vardisja e Albinit dhe LVV –së , Miroslav Lajçakut dhe BE-së , është një blof apo flluskë sapuni aq më parë që asnjë zgjidhje për Kosovën nuk mund të bëhet pa përkrahjen e SHBA –ve. Nëse Albini këmbëngul në këtë që po e deklaron , atëherë qartazi e tregon se nuk ka gatishmëri për të qeverisur dhe për të marrë përgjegjësi. Mendoj se Albin Kurti do të jetë bashkëpunues , në radhë të parë me subjektet politike kosovare pastaj edhe me ndërkombëtarët , në të kundërtën e pret fati i kaut murroi tarak të Hajdinit , do të tredhet politikisht , për të mos e rikthyer kurrë më potencën politike . Këtë , as Albinit e askujt tjetër nuk ua dëshiroj , në asnjë mënyrë. Nëse kjo , megjithatë do të jetë zgjedhje e vet Albinit , ia paftë hajrin. Vetëm i kastruar politikisht , mund të bëhet Fidel Kastro i Kosovës.
5 shkurt 2021 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA