BEHXHET SH.SHALA: BISEDIMET ME SERBINË DHE LUGINA E PRESHEVËS!

(Prishtinë, Gusht 2012) – Për fillim do të jetë një autonomi për veriun i cili nuk do të quhet ndoshta autonomi por përmbajtjen do ta ketë të tillë. Po punohet që ambalazhimi i kësaj përmbajtjeje të jetë i pranueshëm për qytetarët e Kosovës duke mos ngjallur kundërshtime të mëdha. Kufijtë e jashtëm do të mbesin të pandryshuar. Pas një kohe serbët e Kosovën qendrore do të solidarizohen me serbët e veriut duke kërkuar trajtim jodiskriminues dhe të barabartë me ta. Dhe do të kenë të drejtë. Pastaj do të kemi krijimin dhe homogjenizimin e entitetit politik dhe etnik serb. Përballë entitetit politik dhe etnik shqiptar! Kosova me dy entitete politike dhe etnike. Në Bosnje i kemi tri!
Çka është teknike dhe çka politike
Dihen cilat janë raportet e Kosovës me Serbinë! Së paku për ata që nuk duan të gënjehen apo t’i gënjejnë të tjerët. Serbia kontrollon së paku 25% të territorit të Kosovës përmes strukturave kriminale të cilat i quan paralele. Serbia punon 24 orë kundër Kosovës, në planin e brendshëm dhe ate ndërkombëtar. Në kohën kur bashkësia ndërkombëtare i vardiset Serbisë duke i bërë lëshime të pabesueshme! Autoritetet serbe shkelin të drejtat elementare të njeriut, lëvizjen e lirë si njërin prej standardeve kryesore të vlerave demokratike të BE duke bllokuar rrugët në Veri të Kosovës me barrikada të shumta. Ndarjen e bërë nga KFOR dhe xhandarmeria franceze në urën mbi lumin Ibër e përligjën strukturat kriminale serbe me ngritjen e barrikadave që një kohë të gjatë qëndrojnë aty Pa bërë përpjekjen më të vogël nga ana e ndërkombëtarëve për heqjen e tyre. Dhe duke mos i lejuar institucionet kosovare të lirojnë urën e barrikaduar. Në dhunën e strukturave kriminale në Veri autoritetet kosovare detyrohen të përgjigjen në mënyrë paqësore. Gjithnjë sipas “këshillave“ të miqve ndërkombëtarë! Opozita në Kosovë është shumë e zëshme në gjykimin e pozitës për mosndërmarrje të veprimeve të domosdoshme në kohën kur pozita është e dorëzuar fare! Sa i përket Veriut të Kosovës, nuk dallojnë aspak pozita dhe opozita sepse së bashku e kanë përgatitur gjellën e cila tash po del se nuk ka shije fare. Se është fare e kriposur. Përjashtim bën Lëvizja Vetëvendosje e cila ka kundërshtuar bisedimet me Serbinë mirëpo konkretisht pa ndonjë rezultat! Këto bisedime janë kundërshtuar nga një pjesë e “shoqërisë civile“ e cila ka dhënë kontribut më parë përmes projekteve të financuara nga këta që po na detyrojnë të kemi bisedime politike me Serbinë që ta kemi këtë gjendje që e kemi. Janë veshur me rroba patriotike.

Plani i Dibrica Qosiqit për ndarjen e Kosovës në dy entitete!

…………………………………………………………….

Tash edhe opozita po “kundërshton“ bisedimet politike deri në kafen e parë me ambasadorët e vendeve të Kuintit. Kur do të zbuten. Politikanët tanë, jo të gjithë, politikën e kanë shndërruar në folklor dhe vdesin nëse takohen me zonjën Ashton apo Hilari Klinton. Mendojnë se këtu fillon historia e Kosovës. Dhe se pas tyre nuk mbetet asgjë më për të thënë! Këshilltarët e tyre janë shndërruar në rapsodë të cilët pa shije dhe pa fije morali u këndojnë padronëve të tyre! Është me rëndësi të madhe se tash shpëtuam nga dilemat nëse bisedimet me Serbinë janë teknike apo politike. Për mua nuk ka pasur dilemë asnjëherë; bisedimet me një shtet që ka qëndrim mohues dhe armiqësor ndaj shtetit tënd nuk mund të jenë teknike. Përkundër faktit që janë munduar të” shpëlajnë “ trurin, që nga zonja Ashton deri te Zezdita Tahriri. “Ekipi negociues“ i Kosovës ka qenë një grup krejt jokompetent, i padijshëm dhe me mungesë të theksuar të shtyllës kurrizore kombëtare! I vetmi efekt nga këto bisedime është mbushja e xhepave të tyre dhe dhunimi i buxhetit të Kosovës! Ky grup i ka përngja një grupi mashtruesish që asnjëherë nuk e kanë folur të vërtetën! Ndonëse e kanë ditur se ata shërbejnë vetëm si paralojë e një seksi politik ku pala kosovare do të ndahet e qullur dhe e shaluar mirë e mirë! Me një fjalë, kanë shërbyer për tundimin e partnerëve para aktit final, bisedimeve politike për Veriun (me Serbinë)! Kjo e vërtetë tash është lakuriquar deri në palcë. Se do të ketë bisedime politike me Serbinë nuk ka dilemë aspak! Se do të bisedohet për veriun gjithashtu nuk ka dilemë aspak! Se Serbia do ta shtrojë edhe çështjen e statusit të Kosovës gjithashtu nuk ka dilemë! Sepse, nëse ju pranoni të bisedoni për një pjesë të territorit tuaj atëherë domosdoshmërisht statusin e keni kthyer në pikën zero. Edhe ashtu shumë ndërkombëtarë deklarojnë se pavarësia e Kosovës nuk mund të realizohet pa pëlqimin e Serbisë. Nëse për Veriun e keni Pakon e Ahtisarit pse atëherë duhet të keni bisedime politike me Serbinë ?! Zbatojeni Pakon dhe nuk ka probleme! Duhet të jeshë së paku i marrë 99% e të besosh për këtë! Kërkesat e Serbisë do të shkojnë tej 6 pikave të Banit. Jam i sigurt për këtë. Nëse e keni Pakon e spiritus movens të Kushtetutës së Kosovës mundësinë më të mirë dhe të vetme për integrimin e veriut pse atëherë duhet të flitet për modelin e dy Gjermanive, Tirolit, Irlandës, Tajvanit, Hongkongut etj?! Vërtet pse? Puna e Veriut ka qenë e mbaruar më parë. Vetëm është pritur çasti të realizohet. Duket se tash është ky çast. Forcat nacionaliste në pushte në Beograd e kanë më lehtë ta zgjedhin çështjen e Kosovës sepse çdo dështim rreth Kosovës do ta adresojnë te “demokrati” Tadiq duke e akuzuar ate për zhvirgjërimin e statusit politik të Kosovës. Ai e ka filluar, këta do ta përfundojnë!
Cili do të jetë përfundimi i bisedimeve
Për fillim do të jetë një autonomi për veriun i cili nuk do të quhet ndoshta autonomi por përmbajtjen do ta ketë të tillë. Po punohet që ambalazhimi i kësaj përmbajtjeje të jetë i pranueshëm për qytetarët e Kosovës duke mos ngjallur kundërshtime të mëdha. Kufijtë e jashtëm do të mbesin të pandryshuar. Pas një kohe serbët e Kosovën qendrore do të solidarizohen me serbët e veriut duke kërkuar trajtim jodiskriminues dhe të barabartë me ta. Dhe do të kenë të drejtë. Pastaj do të kemi krijimin dhe homogjenizimin e entitetit politik dhe etnik serb. Përballë entitetit politik dhe etnik shqiptar! Kosova me dy entitete politike dhe etnike. Në Bosnje i kemi tri!
Roli i ndërkombëtarëve në këtë ndarje të brendshme
Padyshim i dëmshëm, dyfytyrësh dhe jo i sinqertë! Kur e kanë mbaruar homogjenizimin territorial të brendshëm apo krijimit të entitetit politik dhe etnik serb në Kosovën qendrore përmes komunave serbe dhe zonave të “mbrojtura“ tash, përmes imponimit të bisedimeve politike për veriun po e bëjnë bashkimin e këtyre dy entiteteve, Veriut dhe atij qendror! Në kohën kur nuk ka pasur afatizime të shuarjes së strukturave kriminale politike serbe, tash ka afatizime se çështja e Veriut duhet të zgjidhet deri në fund të këtij viti. Mendojnë se do të zgjidhet por nuk do të zgjidhet. Mënyra se si këta mendojnë ta zgjidhin çështjen e veriut përmes ndarjes së brendshme në fakt paraqet fillimin e krizës së madhe! Për këtë nuk kam dyshim fare.
Cili do të jetë “fati” i ekipit negociues
Këto “bisedime“ janë shumë të rënda që të qëndrojnë mbi supet e vetëm një njeriu. Qoftë ai edhe vet Hashim Thaçi. I cili ka shëndet të mirë, fizik të mirë dhe kondicion të mirë! Por jo edhe gjumë të mirë! Bashkimi bënë fuqinë dhe ndanë përgjegjësinë prandaj nëse përgjegjësia shpërndahet mbi supet e Hashimit, Ramushit, Isait, Gjet Macollit, Kupës dhe Zonjës Presidente atëherë nuk është më përgjegjësi por rezultat i bisedimeve për integrimin e Veriut! Pasi të kenë rënë perdet e këtij teatri të Dodonës, përgjegjësia do të adresohet ekskluzivisht në adresë të Hashim Thaçit. Të tjerët do të veprojnë si Ponti Pilati duke i larë duart nga çdo llojë përgjegjësie! Madje do ta gozhdojnë Thaçin botërisht! Thaçi është treguar shumë i shkathët në manovrimet e deritanishme. Mirëpo tani e ka hapësirën e kufizuar për manovrime. Madje shumë të kufizuar dhe të afatizuar. Pas bisedimeve dhe rezultatit që do të “dalin” ndërkombëtarët do ta margjinalizojnë Thaçin! Asgjë e re për vendet e Ballkanit. Është një recetë që është zbatuar në të gjitha vendet e Ballkanit dhe është treguar e suksesshme! Krahas margjinalizimit të Thaçit ndërkombëtarët do ta bëjnë “dekriminalizimin“ e policisë së Kosovës, FSK dhe institucioneve të Kosovës. Kuvendit në radhë të parë! UÇK nuk do të mbetet as në gjurmë në këto institucione. Sa është faji i ndërkombëtarëve është faji edhe i vet atyre që: ”nga heronj të luftës u shndërruan në kriminelë të paqes“! Ju duket ndoshta apokaliptike por mendoj se kështu ka gjasa të ndodhë. Dhe vetëm pas kësaj mund të pritet një ringjallje e vlerave të vërteta kombëtare!
Ne të kushtëzojmë, bëhuni më serioz
Me bërjen publike se do të fillojnë bisedimet politike për Veriun, Jugun dhe Qendrën e Kosovës po dëgjohen zërat se, nëse çështja e Veriut shtrohet në tryezën e bisedimeve atëherë e njëjta gjë duhet të bëhet me Luginën e Preshevës. Këta që deklarojnë kështu sillen si anëtarë të ekipit negociues të Zezdita Tahririt. Janë të padijshëm fare duke mohuar faktin se Serbia ka kontrollë të plotë mbi Veriun e Kosovës dhe Luginën e Preshevës! Dhe se se Kosova nuk ka fare ndikim në këtë dy rajone. Me përjashtim të ndonjë aktiviteti kontrabandues dhe kriminal të strukturave të caktuara! Kosova nuk është në situatë të vë kushte por të pranojë kushte! Qoftë edhe në dëm të saj! Regjimi serb, me pëlqimin në heshtje të ndërkombëtarëve po ushtron dhunë dhe terror në Luginë të Preshevës. Në përmasa më të vogla edhe në Veri të Kosovës! Nëse i dini vetëm tri shkronja të alfabetit politik duhet ta keni të qartë se Lugina e Preshevës ka qenë faktore vetëm sa ka ekzistuar Zona e Mbrojtur dhe se shqiptarët e Luginës janë përdorur vetëm si instrument kundër Millosheviqit. Në çastin kur nuk pati më Zonë të Mbrojtur dhe kur ra regjimi i Millosheviqit edhe Lugina e Preshevës e humbi peshën strategjike. Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë qenë të manipuluar nga të gjitha subjektet politike të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë dhe përkrahja e tyre ka qenë e pasinqertë! Edhe tash dikush po bënë përpjekje t’i fusë” në lluga, pa sakicë “. Lugina e Preshevës është jetime. Pa babë dhe pa nënë! Nëna Shqipëri më shumë interesohet për serbët e Graçanicës se për shqiptarët e Luginës! Në vend se të jetë Piemont i shqiptarisë, Nëna Shqipëri është bërë pikë e pesë në vet Shqipërinë! Në Maqedoni partitë shqiptare më me dëshirë lidhin koalicion me partitë maqedonase se me ato shqiptare. Kosova e ka Luginën e vet të Preshevës në Veri andaj është e pafuqishme të bëjë diçka më tepër. Ndërkombëtarët janë shumë të interesuar dhe këmbëngulës që Veriu të jetë në tryezën e bisedimeve mirëpo kundërshtojnë edhe vetëm si ide që Lugina e Preshevës të shtrohet si çështje e bisedimeve apo të trajtohet si Veriu i Kosovës. Tash, jemi në situate; a duam që Luginën e Preshevës ta shndërrojmë në Çamëri apo është interesi ynë ta ruajmë substanceën kombëtare aty?! Mendoj se duhet të forcohet kjo e dyta. Ta ruajnë praninë tone atje. Ndryshe, Serbia është shumë e interesuar t’i zbrazë ato troje nga shqiptarët. Merrini statistikat në Medvegjë, në Buajnoc apo Preshevë. Është i pamoralshëm faktorizimi i disa subjekteve politike në Kosovë duke mrizuar në kafeteritë e Prishtinës në dëm të shqiptarëve të Luginës së Preshevës!
Behxhet Sh.SHALA, Prishtinë – 7 gusht 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura