Prishtinë, 08. 07. 2105 – Fjollën e borës e ngrinë “Zajednica“ – Gjatë bisedimeve midis dy shteteve apo dy vendeve për tejkalimin e problemeve nga e kaluara që njihen si normalizim i marëdhënieve, publiku i gjerë i kupton gjërat vetëm pasi “shtatëzënia ka shkuar shumë larg“ dhe heqja e frytit e rrezikon edhe shtatëzënën. Kështu duket se të ketë ngjarë edhe me Asociacionin e komunave me shumicë serbe (versioni kosovar) dhe Bashkësia – Zajednica e komunave me shumicë serbe (version serb). Lojë fjalësh apo diversione terminologjike për arsyetim të dyja palëve që duan të përfitojnë politikisht, asaj kosovare dhe asaj serbe në ndërkohë që ndrikulla e këtij mbarsimi jonormal e ka qëndisur marrëveshjen që asgjë të mos kuptohet dhe që, të gjithë mund ta interpretojnë si fitore të tyre. Nuk ka humbës në letër në këtë marrëveshje të djallit por ka fitues që nuk e kanë merituar këtë trajtim në asnjë mënyrë. Serbia është ajo që po ndahet fituese sepse nga zeroja, që realisht do t’i takonte po e fiton një mekanizëm strategjik për destabilizimin e Kosovës e ajo është Asociacioni-Zajednica serbe. Rregullimi i brendshëm territorial i Kosovës u imponua si pikë shumë e rëndësishme e bisedimeve për “normalizimin“ e marëdhënieve në Bruksel ! Dhe si pikë shantazhi për lëshime të tjera prandaj edhe e konsideroj Serbinë si fituese sepse nga defansiva e skajshme kaloi në sulm duke shënuar vazhdimisht në portën që e “mbronin“ ministrja për dialog (shihe ti formulimin !!) , Edita Tahiri apo Fjollbora e Shefit . Dikur i pata besuar shumë kësaj ministre për dialog (shihe ti formulimin !!) dhe bëja be dhe rrufe për kokë të saj mirëpo pas premtimit të saj publik se rrezet e para të diellit do ta shkrijnë si fjollë bore atë yllin – fusnotën paragjykues të statusit të Kosovës që vendoset në fund të dokumenteve zyrtarëve të “miqve“ ndërkombëtarë e të cilin nuk e shkrijnë dot as temperaturat mbi 40 gradë, besueshmëria e ministres për dialog ( shihe ti formulimin !! ) te unë ka rënë për toke.
Dhe vetëm kujtimet nga e kaluara të kësaj borxheze mondane me para të popullit të Kosovës dhe “stjuardese“ në linjën Prishtinë – Bruksel kanë mbetur ende , qoftë edhe si karikaturë. Sepse, kjo ministre për dialog (shihe ti formulimin !!) nuk ka vendosur kurrë për asgjë sepse nuk është pyetur për asgjë dhe posti i improvizuar i saj si dhe roli i saj prej një kukulle nga ndonjë uzinë e pasardhësve të Mao ce Dunit ka qenë çmimi që ajo është dashur ta paguaj për postin që e ka dhe mundësitë e një jete përrallore duke kaluar netë në hotelet ku ka fjetur Kim Kardashian me “ Çetën e hamshorëve “. Prandaj, as tash nuk i besoj se ky Asociacion – Zajednicë do të punojë sipas ligjeve të Kosovës dhe se është thjesht një OJQ-, pa kompetenca ekzekutive. Edhe kryeministri Thaçi pati deklaruar se Asociacioni – Zajednica është hiç më shumë se një OJQ dhe na pati bërë përrallë të gjithë ata që mendonin ndryshe dhe nuk e kishim formatizuar trurin me mendimet e tija. Edhe unë isha në mesin e atyre që pata nderin që HTH të merrej me vogëlsinë time sepse, me t’u përmendur, që në fillim kjo Zajednicë pata deklaruar (për gazetën Zëri gazetares Besiana Xharra) se brenda Kosovës po formohet dhe legalizohet një entitet politik dhe etnik serb . Kështu mendoj edhe sot pavarësisht tekstit të marrëveshjes që, origjinali mund të bëhet publik shumë më vonë ndërsa teksti i kompromisit të dhimbshëm qysh tani. Jam i sigurt se edhe teksti i kompromisit të dhimbshëm e sidomos origjinali e dëmtojnë shumë Kosovën. Nuk është ngushëllim e as arsyetim fakti se: “me këtë marrëveshje është pamundësuar ndarja faktike e Kosovës sa është me rëndësi fakti se po legalizohet dhe forcohet jofunksionaliteti i Kosovës që në masë të madhe do të varet nga kjo Zajednicë ! Uroj që ta kem gabim. Të thuash se kjo Zajedicë apo ky Asociacion do të jetë një OJQ që do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës dhe se për regjistrimin e saj nuk po e vendosë MAP-i por se regjistrimi i saj po negociohet në Bruksel është tallje edhe me ata që e kanë koeficientin e inteligjencës 0.009% e mos të flasim për të tjerët. Nuk ka punë më të lehtë në Kosovë se ta regjistrosh një OJQ dhe kjo çështje është shumë mirë e rregulluar me ligj. Ndoshta, shkaku se OJQ-të në Kosovë janë kryesisht të lodhta dhe të rëna mbase ka nevojë për forcimin e tyre. A do të jetë Zajednica dallëndyshja e parë e këtij ndryshimi ?! Kjo “ OJQ “ – ë do të ketë tepricë të mjeteve financiare sepse do të ketë shumë burime të sigurta financiare si : Serbia , Bashkësia Ndërkombëtare, Buxheti i Kosovës dhe haraçi që do ta mbledhin nga qytetarët e që do të duhej të quheshin taksa .Do ta ketë Policinë e saj , Forcën Mbrojtëse dhe njësitë paramilitare sikur Rojat e Urës. Do ta ketë shërbimin informativ dhe kundërinformativ ( BIA dhe të tjerët o). Do të ketë kompetenca në komunat që do të jenë pjesë e këtij Asociacioni – Zajednice dhe do ta kenë përfaqësuesin politik në institucionet e Kosovës , Lista Srpska . A po ju ngjanë kjo në një OJQ-ë , lexues të nderuar apo vapa e madhe ma ka dehidruar trurin dhe po gjykoj gabim?! Kjo Zajednicë nuk do ta ketë emërtimin Republika Srpska por do të ketë kapacitet dhe mundësi të hatashme për të ndikuar në procese në Kosovë në kontekstin negative. Uroj që edhe këtu ta kem gabim ! Në fund të fundit vet emërtimi Asociacioni i komunave me shumicë serbe është emërtim racist sikur që do të ishte edhe emërtimi Asociacioni i komunave me shumicë shqiptare. Në Kosovën multietnike të “ miqve ndërkombëtarë “!
Politikanët tanë me nga dy palë miq
Përveç miqve të zemrës dhe shpirtit, miq llogariten edhe ata që lidhin krushqi midis tyre. Këto janë kategoritë e miqve që janë njohur më parë dhe që janë respektuar shumë. Pas përfundimit të luftës në Kosovë ka dalë një kategori e re e miqve të njohur si miq ndërkombëtar dhe të cilët i kanë margjinalizuar miqt tradicionalë. Shumicën e politikanëve që janë sot aktiv në Kosovë, si të opozitës ashtu edhe të opozitës i njoh shumë mirë. Rrethanat apo zhvillimi i proceseve na kanë bashkuar apo na kanë ndarë. Me këta të luftës që e formuan UÇK-në dhe luftuan na kanë bashkuar burgjet dhe aktivitetet për organizimin e luftës çlirimtare. Me paqësorët na kanë bashkuar aktivitetet humanitare (shpërndarja e ndihmave , përkujdesja për popullatën e zhvendosur sikur edhe koordinimi në planin e informimit ) si dhe tërheqja strategjike për ta shpëtuar prapanicën pasi filloi lufta dhe patriotizmin që e shprehnim në Tetovë, Gostivar , Tiranë dhe Vlorë, nga një largësi e sigurt për jetët tona. Realisht , ne mund të llogariteshim si dezertorë sepse u larguam kur atdheu kishte nevojë për ne mirëpo u kthyem triumfalisht me kolonën e NATO-së. Ambalazhimin e kishim shkëlqyes dhe patriotik kurse përmbajtjen të mjerë dhe qyqare !
Çfarë lidhje miqësie me ndërkombëtarët kanë Isa Mustafa që miqt i ka të vendit , Hashim Thaçi që është dhëndërr i Vuhstrrisë sikur edhe Kadri Veseli që është dhëndërr i Llapit . Edhe Ismet Beqiri është dhëndërr i vendit sikur edhe unë jam dhëndërr i Ismetit. Atifete Jahjaga , pa u bërë presidente ishte martuar me kosovar dhe rrjedhimisht miqësia është kosovare . Edhe Berat Buzhala dhe Dukagjin Gorani miqtë i kanë nga Kosova . Pastaj , Halil Matoshi është dhëndërr Kosove ndërsa Milaim Zeka dhe Nexhmedin Spahiu janë dhëndurë të Shqipërisë sikur që edhe Alma Lama është nuse e Kosovës! E ku doli tash se këta kanë miq ndërkombëtarë ?! Ose e kanë ndonjë grua apo burrë ndërkombëtarë ( ilegalisht ) e që nënkupton legalizimin e bigamisë, ose unë nuk po kuptoj asgjë! A keni dëgjuar ndonjëherë, lexues të nderuar se njëri nga politikanët kosovarë ka deklaruar publikisht se nuk do ta pranojmë këtë apo atë ligj apo vendim sepse këtë e kanë kërkuar miqt vendorë apo se kemi detyrim ndaj miqve vendorë ?! Asnjëherë, së paku jo deri më sot ! Ndërsa , thuaja të gjithë politikanët tanë kanë deklaruar dhe deklarojnë se duhet të miratojmë çdo gjë që është kërkesë e miqve ndërkombëtarë, pavarësisht pasojave. Kjo po vërehet sidomos kur duhet të votohet për Gjykatën Speciale ku nuk po lejohet fare hapësirë për ata që nuk pajtohen me këtë vetëm se kjo qenka kërkesë e miqve ndërkombëtarë. madje, vetëm sa nuk na kanë shpallur armiq të “ miqve ndërkombëtarë “ dhe Amerikës sepse po kërkojmë drejtësi për të gjitha viktimat dhe përgjegjësi për të gjithë ata që kanë bërë krime pavarësisht përkatësisë etnike të viktimave dhe kriminelëve. Se jemi kundër drejtësisë selektive e mbështetur në përkatësinë etnike si fakt për burgosje dhe dënim eventual. Duhet të bëhet dallim për ata që e kundërshtojnë këtë Gjykatë Speciale për shkak se duan ta shpëtojnë lëkurën apo për përfitime politike nga ata që e bëjnë për shkaqe parimore. Këta” miqt ndërkombëtarë“, miqt e politikanëve tanë qenkan shumë të shqetësuar për mosvotimin e kësaj Gjykate ndërsa aspak nuk kanë qenë të shqetësuar për dështimin e Tribunalit të Hagës, gjykatave të UNMIK-ut dhe gjykatave të EULEX-it punën e të cilave e kanë vlerësuar me notat më të larta. Pse i tëri ky presion , që, edhe pasi nuk kaluan amandamentet në Kuvendin e Kosovës po bëjnë përpjekje që me çdo kusht dhe me të gjitha mjetet ta riprocedojnë përsëri kur kanë mundësi që këtë ta bëjnë përmes Kombeve të Bashkuara. Aq shumë e kanë dëmtuar Kosovën disa miq ndërkombëtarë me kodoshët e prodhimit vendorë që tani të mbulohen se :” nëse Kombet e Bashkuar do ta formojnë këtë Gjykat do të bëhet kijameti..” Hipokritë janë deri në skajshmëri. Në raportet midis shteteve dhe në politikë , miqësia nuk është e përjetshme , ajo zgjatë për aq kohë sa zgjatë interesi. Pastaj , për çfarë partneriteti bëhet fjalë nëse gjithmonë jeni inferiorë dhe kurrë nuk trajtoheni si të barabartë . Në rast se nuk keni ndonjë partneritet në biznes apo për ndonjë tender , privatizim, nuk bëhet fjala për partneritet por për servilitet! Është interesant që sidomos baballarët dhe predikuesit e kombit kosovar janë shumë aktiv dhe të zëshëm për themelimin e Gjykatës Speciale sikur edhe në përbaltjen dhe linçimin publik të atyre që nuk pajtohen me formën dhe përmbajtjen e kësaj Gjykate e cila do të formohet në rrethana të një krimi psikologjik ndaj atyre që duhet ta votojnë apo të mos e votojnë . Merreni me mend se në çfarë pozite janë deputetët që nuk e kanë votuar herën e fundit këtë Gjykatë ndërsa tani detyrohen ta bëjnë këtë sepse: “kjo na qenka kërkesë e miqve ndërkombëtarë “. Këta deputetë, më mirë ka qenë ta kishin votuar atëherë se ta votojnë tash. E rëndë ka qenë situata kur një ish kongresist amerikan nga foltorja e Kuvendit të Kosovës bënë presion për themelimin e Gjykatës Speciale në një vend të pavarur dhe sovran dhe kur deputetët ( edhe ata që nuk e kanë votuar këtë Gjykatë) i duartrokasin pasi ish kongresmeni na tregoi se kend e ka takuar rrugës para se të vijë në Kuvend (i cili e ka sposorisuar ardhjen e tij). Të rënda janë situatat kur na thuhet se nuk janë vendime të mira por se duhet t’i marrim ato vendime sepse kemi detyrim ndaj miqve ndërkombëtarë! Ku po mbesin miqt vendorë dhe pse ndaj tyre nuk po kemi detyrime. To lodhtë jemi shumë por shumë më të lodhtë janë ata që po na bëjnë aq shumë presione !
Unë, veteran i luftës së UÇK-së
Aplikacioni për statusin e veteranit të luftës të UÇK-së për mua ka qenë i plotësuar dhe nënshkruar dhe ka munguar vetëm nënshkrimi im që të zyrtarizohej ky status . Dhe unë nuk e kam nënshkruar aplikacionin për 100 mijë arsye. Jo se nuk kam kontribuar për luftën , por tjetër është të kontribuosh për luftën çlirimtare ( e kemi pasur detyrim të gjithë ) e tjetër është të kontribuosh me armë në dorë . Dhe këtë unë nuk e kam bërë. Madje, me disa nga ish Ministria e Mbrojtjes që tash janë vargisur në këtë listë e që po pretendojnë pa fije turpi ta marrin pronësinë për një luftë, të cilën, jo që nuk e kanë bërë por e kanë sabotuar me të gjitha mjetet e lejuara dhe të palejuara, i patëm thyer këmbët duke ikur për Maqedoni dhe pasi kemi kaluar në Maqedoni , shitnim patriotizëm nëpër rrugët , sheshet dhe sallat e sportit në Tetovë dhe Gostivar. Dhe , paramendojeni situatën : Behxhet Shala, veteran i luftës midis Tahir Zemajt dhe Mehmet Locit . Zoti është madh, nuk lejon këso situata !