Osllo, 23 prill 2019: Për bashkësinë ndërkombëtare (paralelisht me faktorizimin e UÇK-s), ishte më rëndësi që UÇK-ja (veçanërisht udhëheqja e UÇK-s), të vihej nën kontroll, dhe në ketë kuadër të kihet kontroll edhe mbi negociatat që po përgatiteshin. Sipas studiuesit, Mark Weller, “Që nga pranvera (1998) forcat serbe kishin nisur një ofensivë të rëndësishme, duke e zhvendosur UÇK-në nga disa zona për të cilat thoshte se i kontrollonte. Thuhej se ky veprim nuk ishte kundërshtuar ndërkombëtarisht, sepse qëllimi ishte të evitohej që UÇK-ja të kishte një rol dominues në negociatat që po vinin”³¹ E tëra rezultoi me inicimin e organizimit të konferencës së Rambujesë në Francë, në fillim-vitin 1999. Udhëheqja politike e UÇK-s, u sfidua shumë nga dokumenti i propozuar për negociata në Konferencën e Rambujesë, ngase nuk mund të pranonte zgjidhje për Kosovën në kuadër të Serbisë. Në pikënisje, ky dokument garantonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federative Jugosllave (RFJ-së) de facto të Serbisë, mbi Kosovën, dhe parashihte një autonomi për Kosovën, që nuk ishte në nivel as me autonominë që kishte Kosova në bazë të kushtetutës së vitit 1974. Megjithëkëtë, udhëheqja e UÇK-s, ishte e gatshme të bej kompromise si zgjidhje të përkohshme, që hapte një perspektivë të sigurt politike për Kosovën, duke e përfshirë edhe përfaqësuesin e përgjithshëm politik të UÇK-s, Adem Demaçin. Në lidhje me ketë, autori i librit biografik për Adem Demaçin, Shkelzen Gashi, përveç tjerash shkruan:
“Në fund të nëntorit 1998, Demaçi paralajmëron se çfarëdo përpjekjeje që në çfarëdo mënyre synon me e lanë Kosovën koloni të Serbisë a të Jugosllavisë, është krejt e papranueshme. Porse pranon që UÇK-ja mund ta bëjë një kompromis: Kosova të jetë republikë në kuadër të mbetjes jugosllave – bashkë me Serbinë dhe Malin e Zi – veçse me garancinë e SHBA-së dhe të BE-së që, pas skadimit të një afati trevjeçar, kjo republikë ta gëzojë të drejtën për vetëvendosje”³²
Presioni i bashkësisë ndërkombëtare me platformën e paraqitur për negocimin e statusit të përkohshëm të Kosovës, përçau udhëheqjen politike të UÇK-s. Një pjesë e përfaqësuesve të UÇK-s, në krye Hashim Thaçin, pas shumë presioneve dhe hamendësimeve, pranuan platformën negociuese, ndërsa LDK etj., e kishin pranuar paraprakisht platformën negociuese. Qëndrimi refuzues i përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-s, Adem Demaçit, sekretarit, Albin Kurtit, duke e përfshirë komandantin e përgjithshëm të UÇK-s (të emëruar nga Adem Demaçi), Sylejman Selimin etj., ndikoi në njëfarë mënyre të tërthortë të forcoj pozicionin e përfaqësuesve të tjerë të UÇK-s, në negociatat gjatë Konferencës së Rambujesë, në kuptimin që të mos pranojnë zgjidhje pa perspektivë politike për Kosovën. Delegacioni i shqiptarëve që u kryesua nga Hashim Thaçi, pas shumë hezitimeve (më shumë dhe më pak), e pranoi marrëveshjen e Rambujesë gjatë procesit negociator, dhe e nënshkroi me 18 mars 1999 në Paris të Francës. Një gjë shpresëdhënëse për perspektivën politike të Kosovës, ishte se kapitulli 8, pika 3 e marrëveshjes, e përcaktonte se zgjidhja finale për Kosovën, përveç tjerash, do të bazohet në “vullnetin e popullit”³³, edhe pse shprehja “vullneti i popullit”, nuk ishte e konkretizuar.
Millosheviqi e refuzoi ketë marrëveshje, sepse nuk pranoi (siç parashihte kjo marrëveshje) stacionimin e trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO, dhe se kjo marrëveshje pas 3 vitesh, parashihte një lloj referendumi për Kosovën.³Ã¢ÂÂ´ Si pasojë e refuzimit dhe vazhdimit të krimeve ndaj popullatës shqiptare në Kosovë, regjimi neofashist i Millosheviqit u ndëshku me sulmet ajrore ushtarake të NATO-s, që nisën me 24 mars 1999. Në ketë vazhdë, nga këndvështrime të ndryshme (politike, ushtarake dhe morale) pati kritika ndaj mënyrës së intervenimit të NATO-s. Në lidhje me ketë, Mønnesland, përveç tjerash shkruan:
“Kritikët në Perëndim konsideronin se NATO e kishte të pamundshme të arrinte qëllimin pa i futur trupat tokësore. Ekspertët ushtarakë shpjegonin se trupat tokësore ishin të domosdoshme për të kontrolluar një territor. Disa gjithashtu konsideronin se ishte e pamoralshme të luftohej pa i ekspozuar për humbje trupat vetanake. Por politikanët perëndimor u zmbrapsën nga mendimi për të futur trupat tokësore të cilat do të kishin edhe humbje. Megjithëkëtë, rezultoi se trupat tokësore nuk qenë të domosdoshme për tu arritur presioni i duhur politik”³Ã¢ÂÂµ

NATO, vetëm me intervenimet ushtarake ajrore që zgjatën 3 muaj, pa futjen e trupave tokësore, nuk mundi të mbrojë popullatën civile në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe, forcat serbe vranë rreth 12 mijë shqiptarë të Kosovës, dhunuan mijëra femra, shkatërruan dhjetëra mijëra shtëpi dhe deportuan rreth një milion shqiptarë nga Kosova. Me fjalë të tjera intervenimi i NATO-s, në Kosovë nuk ndodhi sikurse intervenimi për çlirimin e Kuwait-it, në vitin 1990-91, nga aleatët perëndimorë, të cilët përdorën trupat tokësore. Rrjedhimisht, çlirimi i Kosovës, është në radhë të parë rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës me vise (prej vitit 1912), që kulmoi me UÇK-n, e veçanërisht meritë e dëshmorëve dhe viktimave të luftës, dhe e gjithë popullit shqiptar. Duke e përfshirë mbështetjen e shtetit amë (Shqipërinë Londineze) dhe intervenimin ushtarak ajrorë të NATO-s, në krye me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, të cilëve shqiptarët u janë përjetësisht mirënjohës.
Tri pasojat kryesore të mungesës së ndërhyrjes tokësore, janë viktimat shqiptare, kompromisi për rezolutën 1244 dhe nisma e ndarjes së Mitrovicës. Në fakt përgjegjësinë kryesore për mungesën, së paku të një strategjie të armatosjes për vetëmbrojtje të popullatës civile shqiptare në Kosovë nga regjimi i Milosheviqit (gjatë intervenimit të NATO-s), e kishte elita politike shqiptare. Sepse, fatkeqësisht mungoi një bashkëpunim paraprak në mes LDK-s, duke përfshirë Qeverinë e Kosovës në Egzil dhe LPK-s, (sidomos pas konferencës së Dejtonit), që më pastaj i pati pasojat e veta, përveç tjerash: për nismën e ndarjes së Mitrovicës, vonesën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Trazirat e Marsit 2004, mungesën e forcimit të institucioneve të drejtësisë (shtetit ligjor), Gjykatën Speciale etj.
Pas gjithë kësaj tragjedie që ndodhi në Kosovë gjatë vitit 1998-1999, dhe duke e marr parasysh se “Marrëveshja e Rambujesë” mund të cilësohej moralisht e pavlefshme, madje edhe juridikisht e pavlefshme, duke u bazuar në klauzolën rebus sic stantibus të së drejtës ndërkombëtare, ku parashihet se një marrëveshje humb vlefshmërinë mbasi të jenë ndryshuar radikalisht rrethanat nën të cilat ajo është nënshkruar.³Ã¢ÂÂ¶ Fatkeqësisht, liderët e Kosovës, vazhduan me divergjenca gjatë dhe pas Konferencës së Rambujesë, duke mos i shfrytëzuar si duhet momentet historike. Në ndërkohë Millosheviqi, (i cili paraprakisht kishte kalkuluar se sa më shumë që zgjasin sulmet ajrore, aq më shumë rriteshin gjasat të përçahen shtetet anëtare të NATO-s), gjatë dorëzimit të tij, e shfrytëzoj situatën duke e vështirësuar perspektiven politike të Kosovës nëpërmes Marrëveshjes Ahtisaari-Çernomyrdin. Në lidhje me këtë, Mønnesland përveç tjerash shkruan:
“Marrëveshja Ahtisaari-Çernomyrdin, e cila u pranua nga Beogradi në fillim të qershorit, dallonte nga marrëveshja e Rambujesë, edhe pse shumë nga pikat kryesore ishin të njëjta. Për Milosheviqin, i cili duhej t’ia shiste marrëveshjen popullit të tij si një fitore, ishte më e rëndësishmja që tani OKB-ja, rezultoi si një autoritet suprem, dhe se trupat paqeruajtëse nuk ishin në emërtim trupa të NATO-s. E rëndësishme ishte gjithashtu se marrëveshja e re nuk përmendte asgjë lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës, tranzicionin kalimtar tre-vjeçar ose referendumin. Një parakusht për zbatimin e marrëveshjes ishte rekomandimi i Këshillit të Sigurimit i OKB-së, që grupi G-8 i vendeve më të rëndësishme të industrializuara të hartojë draft rezolutën ku gjithashtu mori pjesë edhe Rusia (Kina abstenoi nga votimi). Kur gjithashtu Serbia plotësoi kërkesën e NATO-s për të filluar tërheqjen e trupave të veta nga Kosova, NATO i ndërpreu sulmet ajrore. Tërheqja serbe nga Kosova ndodhi siç ishte planifikuar dhe në mënyrë të rregullt. U bë paqe në Jugosllavi, por detyrat që pritnin ishin enorme. Marshimi i trupave të NATO-s në Kosovë shkoi pa probleme të mëdha, dhe ushtarët u pritën si shpëtimtarë nga shqiptarët e intuiziasmuar. Por roli i rusëve ishte i paqartë, dhe nëpërmjet një manovre befasuese rusët arritën t’i vejnë mbroth NATO-s dhe të vendosin disa qindra burra në aeroport, të cilët u përshëndetën me mirëseardhje nga serbët. Për NATO-n ishte e rëndësishme të ketë një bashkëpunim me Rusinë, pa e ndarë Kosovën në një sektor shqiptar dhe serb. Një problem tjetër për NATO-n ishte marrëdhënia me UÇK-në, që e konsideronin veten si ustallarë legjitim të Kosovës së lirë. Menjëherë pas Rambujesë, UÇK-ja formoi një “qeveri” me liderin e UÇK-së, Hashim Thaçin, si kryeministër. Tani UÇK-ja dëshironte të merrte përsipër administrimin e krahinës. Por sipas marrëveshjes, UÇK-ja duhej të çarmatoset. Në ketë vazhdë, pasuan shfaqje konfliktesh në mes UÇK-së dhe NATO-s, dhe në mes fraksioneve të ndryshme të shqiptarëve. UÇK ishte në opozitë të ashpër ndaj udhëheqësit të moderuar të shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovës, i cili gjatë sulmeve të NATO-s, u mbajt në arrest shtëpiak nga serbët, dhe u shfaqë në televizionin serb në “negociatat” me Milosheviqin”³Ã¢ÂÂ·
Vazhdimësia e përpjekjeve të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës me Vise dhe Bashkim Kombëtar, (pas vitit 1912), kulmoi me luftën e UÇK-s. Datë e themelimit formal të UÇK, konsiderohet komunikata e parë e lëshuar me 17.11.1994, ku u mor vendimi që organizimi i ri ushtarak të quhet Ushtria Çlirimtare e Kosovës – UÇK, që në fakt bazohej në vendimin (për fillimin e kryengritjes së armatosur) të mbledhjes së IV të përgjithshme të LPK-s. Jo në kuptimin se grupe dhe struktura të armatosura që bënin përpjekje çlirimtare nuk kishte edhe më herët, përkundrazi ato ishin të shumta dhe vepronin me vite. Madje mund të thuhet se të gjithë çlirimtaret e Kosovës me vise, ndër vite (nga viti 1912, të frymëzuar nga kryeideologu, Hasan Prishtina) janë UÇK, por konkretisht data e formimit formal të UÇK-s, konsiderohet data e komunikatës së parë të UÇK-s, pas mbledhjes së kryesisë së LPK-s. Në kuptimin e unifikimit të grupeve të armatosura nën siglën e UÇK-s, të koordinuara, të mbështetura politikisht dhe me logjistik etj., nga LPK. Me fjalë të tjera, sikurse që u unifikuan grupet klandestine më herët, nën siglën e LPK-s, ashtu u unifikuan edhe grupet e armatosura më vonë, nën siglën e UÇK-s. Rrjedhimisht pikënisja për kategorizimin formal të veteranëve të UÇK-s, do duhej të fillonte nga mbledhja e IV e përgjithshme e LPK-s, deri në rezistencën heroike dhe sakrificën sublime të familjes Jashari, me 7 mars 1998 (si kategori e parë). Ndërsa pas 7 marsit 1998, deri në fillimin e intervenimit të NATO-s, me 24 mars 1999 (si kategori e dytë), dhe pas 24 marsit 1999 deri në çlirimin e Kosovës me 12 qershor 1999 (si kategori e tretë). Njëkohësisht duhet nënvizuar se çdo ndarje e UÇK-s nga trashëgimia e saj konkrete prej vitit 1912, është më shumë ndarje analitike se sa ndarje historike dhe meritokratike. Sepse UÇK, nuk është rezultat i një vakumi socio-politik, por rezultat i një procesi konkret historik, që nuk ndahet as nga LPK, dhe as nga grupet klandestine të pas Luftës së Dytë Botërore etj. E veçanërisht nuk mund të ndahet nga fillesa e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës me vise dhe Bashkim Kombëtar, pas vitit 1912 (e inkurajuar nga Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri etj.), tashmë e inkarnuar në Lëvizjen Vetëvendosje etj.
Përfundim
Bazuar në historianë, gjeografë, poetë dhe dramaturg të antikitetit (por edhe në autorë të tjerë të kohës së mëvonshme), etnia shqiptare që nga lashtësia pellazgo-ilire e ka një vazhdimësi të gjatë historiko-kulturore.³Ã¢ÂÂ¸ Shqipja (përveç greqishtes) është e vetmja gjuhë që ka mbijetuar nga një gjuhë antike e Ballkanit, dhe emrat e përveçëm: toponimet, emrat e njerëzve dhe të fiseve, të ruajtura në mbishkrimet latine ose greke si dhe në veprat e historianëve antikë, përbëjnë provat e vlefshme për lidhjen e shqipes me ilirishten.³Ã¢ÂÂ¹ Njëkohësisht, si pasojë e pushtimeve, sundimeve (duke e përfshirë rivalitetin në mes perandorive të ndryshme që nga antikiteti), etnia shqiptare pësoi tkurrje, asimilim, migrime, përfshirë migrimet gjatë periudhave të mëvonshme historike në Itali, Greqi, Bullgari, Ukrainë, Turqi etj. Në këtë vazhdë, edhe keqpërdorimi i nacionalizmit nga vendet fqinje, pati pasoja tragjike për shqiptarët.
Ngjashëm sikurse keqpërdorimi i feve, i komunizmit, i demokracisë etj., edhe nacionalizmi u keqpërdor gjatë historisë, duke rrëshqitur në atë, që filozofi Lars Svendsen, e quan “e keqja idealiste” (proto-fashizëm, fashizëm, nazizëm, neo-fashizëm etj.). Rrjedhimisht, hyrja në epokën e nacionalizmit (epokën e komb-formimeve) gjatë fundshekullit XVII dhe fillim-shekullit XVIII, ndikoi për fillim-procesin e komb-formimeve edhe në zonën e Ballkanit, veçanërisht pas Traktatit të Shën-Stefanit (1878), ku ideologjia nacionaliste u keqpërdor deri në ekstrem, sidomos nga proto-fashizmi serb etj. Me fjalë të tjera, procesi i krijimit të shteteve kombëtare në zonën e Ballkanit dhe më gjerë, rezultoi me pasoja të dhimbshme (krime, spastrime etnike dhe persekutime), veçanërisht ndaj popujve me vazhdimësi të gjatë etnike: shqiptarëve, armenëve etj. Pasoja të ngjashme (të shkaktuara nga keqpërdorimi i ideologjisë nacionaliste) u përsëritën gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndaj hebrenjve, romëve etj., dhe gjatë zhbërjes së Jugosllavisë federale në vitet `90, ndaj boshnjakëve, shqiptarëve etj.
Studiuesi i spikatur i studimeve moderne të nacionalizmit, Anthony D. Smith, konsideron se nacionalizmi është ideologji në kuptimin e posedimit të parimeve të qarta (autonomi, unitet, identitet) dhe është i vulosur me një shenjë identike të përbashkët, të aktivitetit për kombësinë. Por njëkohësisht, sugjeron se gjithmonë duhet ti kemi parasysh variacionet ideologjike të nacionalizmit (konservativ, religjioz, sekular, imperial, seperatist etj.).⁴⁰ Rrjedhimisht, nacionalizmi shqiptar (për dallim të nacionalizmave të vendeve fqinje), nuk ka eskaluar në të “keqen idealiste”, por në vazhdimësi ka qenë nacionalizëm çlirimtar, sekular dhe egalitar: i karakterizuar nga lufta për liri, kultivimi i harmonisë ndër-fetare brenda identitetit kombëtar shqiptar, dhe kërkesës për barazi kombëtare/reciprocitet me kombet fqinje.
Pas Traktatit të Shën-Stefanit, agresionin serb ndaj shqiptarëve të mbështetur nga Rusia, nuk mundi ta ndalojë (si duhet) as Kongresi i Berlinit (1878), as Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912-1913), dhe as Perandoria Osmane që njëkohësisht në vazhdimësi (që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit -1878), i kundërshtoi përpjekjet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, për shtet-formimin e shqiptarëve.
Kërkesat kombëtare të shqiptarëve u intensifikuan pas revolucionit gjonturk në vitin 1908, ngase gjonturqit nëpërmes “osmanizimit” që në fakt nënkuptonte nacionalizmin turk, ishin kërcënim për arritjen e deriatëhershme kulturore të shqiptarëve. Ndërsa vendet fqinje me politikat e tyre agresive i shprehnin hapur dëshirat për zgjerimin e territoreve të tyre. Në një situatë të tillë, shqiptarët për tu mbrojtur, u ngritën në kryengritjen kundër turqve, që filloi në Kosovë në mars të vitit 1910 dhe rezultoi me kryengritjet tjera, duke përfshirë kryengritjen e pranverës së vitit 1912⁴¹, që ishte vendimtare për nismën e dëbimit të osmanëve nga pothuajse të gjitha territoret evropiane. Për madhështinë e kësaj kryengritje të shqiptarëve, historiani Noel Malcolm, përveç tjerash shkruan: “…ç`është e drejta, vetëm kryengritja shqiptare e vitit 1912 i kishte bindur shtetet e Ballkanit se kishte ardhur koha për një luftë kundërosmane, ndërkohë osmanlinjtë ishin të dobësuar aq shumë, saqë lufta u fitua me shpejtësi. Sikundër që ka vënë në dukje gjashtë vjet më pas në memorandumin e tij për shqiptarët, udhëtari dhe politikani anglez, Obri Herbert: Më në fund si Samsoni në Tempullin e Gazës, ata i shembën kolonat e Perandorisë Osmane mbi kokën e tyre. Janë shqiptarët ata të cilët i shpartalluan turqit, e jo serbët, as bullgarët dhe as grekët”.⁴² Në këtë vazhdë, me 8. tetor 1912, shpërtheu kryengritja e popujve ballkanik (Lufta e parë ballkanike) kundër perandorisë osmane, dhe vendet fqinje i shpërfillën dhe i sulmuan shqiptarët nga të gjitha anët, duke përfshirë pushtimin e Kosovës. Historiografia serbe, është përpjekur në vazhdimësi të paraqet ketë pushtim të Kosovës, si çlirim. Në lidhje me ketë, Malcolm përveç tjerash shkruan: “Serbët do thonë çliruar, por madje edhe sipas llogaritjes së tyre, popullsia serbe-ortodokse ka qenë më pak se 25%. Popullsia shumicë ishte shqiptare dhe nuk e mirëpriti sundimin serb, kështu që “pushtuar” rezulton të jetë fjalë e drejtë”.⁴³
Përpjekjet e shqiptarëve për çlirimin e Kosovës me vise prej vitit 1912, nuk u ndalën, dhe kulmuan me luftën e UÇK-s. UÇK e ndihmuar nga vendi amë “Shqipëria Londineze”, dhe NATO, e çliroi Kosovën nga regjimi neofashist i Millosheviqit. Në këtë vazhdë, OKB, e morri përgjegjësinë për të organizuar bashkësinë politike në Kosovë, në mes shqiptarëve, serbëve dhe të tjerëve. Në bazë të rezolutës 1244, të datës 10 qershor 1999, të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-ës), u themelua Misioni i Përkohshëm Administrativ i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-ës, në cilësinë e shefit të UNMK-ut, kishte autoritetin më të lartë në Kosovë, në bazë të kompetencave që përfshinin pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe administrimin e drejtësisë.
UNMIK-u, nuk kishte kompetenca që të mund të ushtronte presion të drejtpërdrejtë ndaj Serbisë, në kuptimin e ndikimit të drejtpërdrejtë në relacionin në mes shtetit serb dhe minoritetit serb në Kosovë (që shteti serb e përdor në vazhdimësi si instrument për të minuar organizimin e bashkësisë politike në Kosovë). Por kishte kompetenca të mjaftueshme që të ushtrojë ndikimin e drejtpërdrejtë (duke përfshirë mundësitë për përdorimin e sanksioneve si mjete presioni) ndaj udhëheqjes politike shqiptare të Kosovës, që vazhdonte të mbetët e përçarë dhe në “luftë për pushtet”. E vetmja gjë që i bashkonte liderët politik shqiptar, ishte kërkesa për njohjen e pavarësisë së Kosovës, që bëhej (më shumë e më pak) për konsum të brendshëm politik, sepse tashmë (pas gjithë asaj që kishte ndodhur në Kosovë), kërkesa për pavarësinë e Kosovës, nuk ishte vetëm kërkesë politike, por njëkohësisht kërkesë jetike. Me fjalë të tjera, pas gjithë përvojave të hidhura me regjimet e Serbisë, prej vitit 1912 deri në vitin 1999, ishte e pamundur të bindeshin dhe të detyroheshin shqiptarët e Kosovës, që të mbesin sërish pjesë e Serbisë, dhe liderët politik shqiptar të Kosovës, ishin të vetëdijshëm se legjitimiteti i tyre varej nga kërkesa e pakthyeshme e popullit shqiptar të Kosovës, për pavarësim nga Serbia. Rrjedhimisht, procesi i ndikimit të UNMIK-t, prej vitit 1999 e veçanërisht prej vitit 2001 deri në vitin 2008, për organizimin e bashkësisë politike në Kosovë, është i karakterizuar nga tri fazat e ndërlidhura me njëra-tjetrën, që rezultoi me organizimin e një “bashkësie politike multikulturaliste”, edhe pse mbi 90% të popullatës janë shqiptarë. Pikënisje konkrete për hyrjen në fazën e parë, në vitin 2001, ishte imponimi i rregullave konstitucionale nga ana e UNMIK-ut, përkatësisht detyrimi i liderëve politikë shqiptarë që të pranojnë kornizën kushtetuese etj. Faza e dytë filloi në vitin 2003, me kërkesën për përmbushjen e “Standardeve para statusit për Kosovën” dhe u ndikua nga trazirat e Marsit 2004 (që kanë pasur një efekt të dëmshëm dhe pothuajse të pariparueshëm për procesin e organizimit funksional të bashkësisë politike në Kosovë). Faza e tretë filloi në vitin 2005, me hapjen e negociatave për zgjidhjen e statusit final për Kosovën, dhe rezultoi me pakon e Ahtisarit dhe me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Në këtë vazhdë, Pavarësia e Kosovës u njoh nga shumica e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-s), dhe me 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND), me qendër në Hagë, konstatoi se pavarësimi i Kosovës ishte i ligjshëm.
Shqiptarët përkundër sfidave, me sakrifica të mëdha dhe me përkrahjen e veçantë të Austrisë (Austro-Hungarisë), SHBA-së etj., arritën të pavarsojnë Republikën e Shqipërisë (1913) dhe Republikën e Kosovës (2008), si përpjekje drejt barazisë kombëtare me kombet fqinje. Megjithëkëtë, shteti serb me përcaktimin e tij të pandryshueshëm ekspansionist, vazhdon të minojë shtetësinë legjitime të Kosovës, duke u përpjekur ose të imponojë themelimin e një “Republika Srpska” në Kosovë (të ngjashme sikurse në Bosnje), ose të aneksojë një pjesë të territorit strategjik të Kosovës, ose mundësisht që të dyjat, me qëllimin kryesor për të destabilizuar Kosovën dhe më gjerë, në të ardhmen. Ndërsa Hashim Thaçi, edhe pas vendimit të GjND-s, vazhdoi me negociata pa kushte, pa unitet të spektrit të gjerë politik shqiptar të Kosovës, dhe në këtë vazhdë Kosova është futur në një situatë të dis-favorshme negociuese. Ky është treguesi më i mirë se pas vendimit të GjND-s, qasja politike e Thaçit, është konsumuar krejtësisht. Rrjedhimisht, është obligim historik që partitë politike në Kosovë, të përbashkohen në një koalicion të gjerë (qeveritar dhe legjislativ) në krye me LVV si subjekt politik i pa provuar ende në pushtet, për të forcuar shtetësinë e Kosovës. Veçanërisht për të forcuar sistemin e drejtësisë, riorganizimin e mirëfilltë të burokracisë, zhvillimin ekonomik, dhe kthimin e besimit tek diaspora shqiptare për të kontribuar në mënyrë të organizuar (nëpërmes fondeve të caktuara etj.) për mirëqenie dhe zhvillim ekonomik në Kosovë. Nuk duhet harruar kurrë, se ideal dhe postulat i UÇK-s (i heronjve, i dëshmorëve dhe i viktimave të luftës), nuk ka qenë vetëm çlirimi i Republikës së Kosovës, por njëkohësisht ndërtimi i dinjitetshëm politik dhe juridik i Republikës Kosovës, drejtë bashkimit (unionit) kombëtar shqiptar. Gjithashtu, udhëheqësit politik shqiptar në “Shqipërinë Londineze”, e kanë obligim kombëtar të ndikojnë për unifikimin e faktorit politik shqiptar të Kosovës, në lidhje me negociatat me Serbinë. Ky obligim i përfshinë edhe intelektualët dhe akademikët shqiptarë në tërë hapësirën shqiptare (dhe kudo që jetojnë). Është e domosdoshme që elitat politike shqiptare të mësojnë njëherë e përgjithmonë nga gabimet e së kaluarës, në mënyrë që në të ardhmen, veprimtaria e tyre të jetë edhe më komplementare (një kombinim më i mirë i idealizmit dhe realizmit politik) drejt qëllimit të përbashkët. Veçanërisht duke i marrë parasysh mundësitë më të favorshme në kuadër të kontekstit të tashëm politik, kulturor dhe ekonomik të shqiptarëve, në Ballkan.
Përgjegjësia morale dhe politike e elitave në Ballkan është angazhimi për paqe të qëndrueshme dhe fqinjësi të mirë. Barazia kombëtare dhe respektimi i ndërsjellë-proporcional i të drejtave të minoriteteve kombëtare, përveçse është i drejtë, është edhe i domosdoshëm për paqe dhe stabilitet. Sepse ende jetojmë në epokën e nacionalizmit, dhe (pavarësisht se a e konsiderojmë nacionalizmin si “aksident historik” apo si proces historik drejt organizimit më të avancuar të shoqërisë njerëzore), kemi obligim moral dhe politik të interpretojmë nacionalizmin në mënyrën më konstruktive të mundshme: si përpjekje për barazi me të tjerët dhe jo si urrejtje ndaj të tjerëve.
____________
Referencat:

¹ Adil Pireva (2014):“Osman Dumoshi – kryeorganizator i Demonstratave të ‘68-ës”: http://illyriapress.com/osman-dumoshi-kryeorganizator-demonstratave-te-68-es/
² Zymer Ujkan Neziri (2016): “Isa Demaj është figurë emblematike e brezit `68 të Republikës”: https://www.radiokosovaelire.com/zymer-ujkan-neziri-isa-demaj-eshte-figure-emblematike-e-brezit-68-te-republikes/
³ Noel Malcolm, KOSOVA një histori e shkurtër 2001, f. 341-343
⁴ Po aty, f 339
⁵ Po aty, f 340
⁶ Svein Mønnesland, Før JUGOSLAVIA og etter 2006, f. 239
⁷ Rifat Muriqi (2013): “Demonstrata e 81-it, një enigmë që duhet zgjidhur (I)”: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=1529
⁸ Intervistë e Jusuf Gërvallës, botuar në gazetën gjermane TAGES ZEITUNG:
https://m.gazetaexpress.com/arkiva/interviste-e-jusuf-gervalles-botuar-ne-gazeten-gjermane-tages-zeitung-131866/?arch_tb=temp
⁹ Emrush Xhemajli (2002): “Lëvizja Popullore e Kosovës 1982-2002”: http://lpk-kosova.com/historiku.html
¹Ã¢ÂÂ° Po aty
¹¹ Malcolm (2001): 363-364
¹² Rifat Blaku (2016): “Referendumi i parë shqiptar në Kosovë u mbajt në mënyrë dinjitoze”: https://www.kosova-sot.info/opinione/140682/referendumi-i-pare-shqiptar-ne-kosove-u-mbajt-ne-menyre-dinjitoze/
¹³ Mallcolm (2001): 368-369
¹Ã¢ÂÂ´ Bardh Hamzaj, Rrefimi për Luftën dhe Lirinë, 1999, f. 179
¹Ã¢ÂÂµ Mønnesland (2006): 357
¹Ã¢ÂÂ¶ Dalja e UÇK-s në skenë, 28 nëntor 1997: https://www.youtube.com/watch?v=MiMm5MaaIb8&feature=youtu.be
¹Ã¢ÂÂ· Gazeta Bujku: Mjetet skandinave të informimit rreth ekzistimit dhe aksioneve të UÇK-s, 10 dhjetor 1997
¹Ã¢ÂÂ¸ Zëri (2014) Preshevari që bëri stemën e UÇK-së: https://zeri.info/aktuale/8711/preshevari-qe-beri-stemen-e-uck-se/
¹Ã¢ÂÂ¹ Shkëlzen Gashi, ADEM DEMAÇI, biografi e paautorizuar 2010, f.132
²Ã¢ÂÂ° Xhemajli (2002): http://lpk-kosova.com/historiku.html
²¹ Xhemajli (2002): http://lpk-kosova.com/historiku.html
²² Bedri Islami (2014): Një dëshmi konkrete e angazhimit të personaliteteve të LPK-së në emigracion, pasthënie në librin Politika Nordike….f. 261-267: https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Politika-nordike%20-%20LPK.pdf
²³ Intervista e parë publike e përfaqësuesve të sektorit të rëndësisë së veçantë, Xhavit Halitit, Azem Sylës etj.: https://youtu.be/q58Oujsu-Ds https://www.facebook.com/ShqipChannel/videos/338922393384692/
²Ã¢ÂÂ´ Paraqitja e parë publike e zëdhënësit të UÇK-s, Jakup Krasniqit etj.: https://youtu.be/qDbQg2sS9ac
²Ã¢ÂÂµ Takimi me 24 qershor 1998, në Junik të Kosovës, i përfaqësuesve të UÇK-s, në krye me Hajdin Abazin, me të Dërguarin special të ShBa-së për Ballkanin, Richard Holbrooke: https://youtu.be/qzMxZKu2KWQ
²Ã¢ÂÂ¶ Takimi me 29 qershor 1998, në Forumin Ndërkombëtar të Crans-Montanas, i përfaqësuesve të UÇK-s, në krye me Bardhyl Mahmutin, me të Dërguarin special të ShBa-së për Ballkanin, Richard Holbrooke: http://www.zemrashqiptare.net/news/19040/ina-interviste-me-bardhyl-mahmutin.html
²Ã¢ÂÂ· Gazeta Le Temps: Genève: un attentat vise le très discret Ministère kosovar de l’information, 2 korrik 1998: https://www.letemps.ch/suisse/geneve-un-attentat-vise-tres-discret-ministere-kosovar-linformation
²Ã¢ÂÂ¸ Sabri Kiçmari, FITORJA DIPLOMATIKE, Kujtime nga përfaqësimi diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 2017, f. 62, 64, 68
²Ã¢ÂÂ¹ “…..Përgjegjësia kryesore për atë që po ndodh në Kosovë bie mbi autoritetet jugosllave në Beograd. Milosheviq duhet të lehtësojë rrethanat në mënyrë që njësia e OSBE-s, të bëjë punën e vet, thotë Vollebæk … “:
https://www.vg.no/nyheter/utenriks/i/RxR3M8/nato-frykt-for-ny-kosovo-krig
https://www.vg.no/nyheter/innenriks/i/m6R7v1/albanere-protesterte-mot-vollebaek-og-osse
³Ã¢ÂÂ° Radio-Kosova e Lirë, një histori autentike e informimit në luftë e në liri,26.01.2016: https://www.radiokosovaelire.com/radio-kosova-e-lire-nje-histori-autentike-e-informimit-ne-lufte-e-ne-liri/
³¹ Marc Weller, Shtetësia e kontestuar: Administrimi ndërkombëtar i luftës së Kosovës për
pavarësi 2009, f. 158
³² Gashi (2010): 150
³³ Rambouillet Accords: Interim Agreement for Peace and Selv-Government in Kosovo 1999, p.85 : https://peacemaker.un.org/sites/peacemaker.un.org/files/990123_RambouilletAccord.pdf
³Ã¢ÂÂ´ Mønnesland (2006): 359
³Ã¢ÂÂµ Mønnesland (2006): 361
³Ã¢ÂÂ¶ Clausula rebus sic stantibus in internationals conventions (international agreements or treaties): Vienna Convention on the law of treaties (with annex). Concluded at Vienna on 23 May 1969, article 62: https://www.law.cornell.edu/wex/rebus_sic_stantibus https://treaties.un.org/doc/publication/unts/volume%201155/volume-1155-i-18232-english.pdf
³Ã¢ÂÂ· Mønnesland (2006): 362-363
³Ã¢ÂÂ¸ Edwin Jacques, SHQIPTARËT;Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme1995, f.34-38,54,
³Ã¢ÂÂ¹ Malcolm (2001): 31-32
⁴⁰ Anthony D. Smith, NATIONALISM 2008, f. 9, 21, 42
⁴¹ Mønnesland (2006): 148-149
⁴² Malcolm (2001): 259
⁴³ Noel Malcolm (2008): “Is Kosovo Serbia? We ask a historian”
https://amp.theguardian.com/world/2008/feb/26/kosovo.serbia
_____________________________
( FUND )
FATMIR LEKAJ: LPK’ja DHE UÒªK’ja DY FAKTORË TË RËNDËSISHËM TË LËVIZJES SONË KOMBËTARE (II)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8650

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura