Prishtinë, 19. 06. 2015 – (Kur preteksti e dhunon kontekstin) – Autoritetet sllovene kanë rënë në kurthin e Serbisë kur në aeroportin e Lubjanës e arrestuan ish kryeministrin, deputetin e Kuvendit të Kosovës dhe kryetarin e AAK-së , Ramush Haradinaj ose, mund të jenë bërë pjesë e një skenari mirë të planifikuar dhe të qëllimshëm . Në mungesë të informatave të sakta vetëm mund të paragjykojmë për motivet dhe qëllimet e këtij arrestimi, për mua krejt të panevojshëm dhe jonormal. A ka qenë qëllimi të testohet reagimi i opinionit para do arrestimeve që do të bëhen në të ardhmën jo shumë të largët , nuk mund ta them me siguri të plotë ! Po se ka filluar t’i vie era kësaj pune , nuk ka fare dyshim! A janë janezët aq të paditur e të bëjnë gabime që nuk do t’i bënte as edhe një fis i paorganizuar i xhunglave të Amazonës apo një grup parlamentar i Kuvendit të Kosovës, nuk e besoj ! E marrim vesh shumë shpejt për këtë. Reagimet për arrestimin e Ramushit ishin të ndryshme; të arsyeshme , emocionale, me dy fytyra, të sinqerta , të pasinqerta sepse kishte të tillë që ndjenin kënaqësi për këtë arrestim duke kërkuar 100 mijë arsyetime për autoritetet sllovene. Janezëve nuk u bënë nderë arroganca dhe trajtimi jodinjitoz gjatë arrestimit të Ramushit mirëpo nuk e kuptoj pse një personalitet si Ramushi që u ka bërë ballë furtunave shumë më të fuqishme, doli nga lëkura dhe u soll sikur të ishte në një lokal të kategorisë zhglë! Ramushi do të dilte fitues moral dhe faktik sikur me mirësjellje do t’u bindej autoriteteve sllovene e jo të konfrontohej me ta duke deklaruar se nuk do të paraqitej para gjykatave sllovene dhe se nuk do ua fus ( !!! ) atyre! E pamë pastaj si rrodhën gjërat.
AAK-ë reagoi ashtu siç pritej. Reagoi shumë ashpër në mbrojtje të liderit, kultin e të cilit e kanë ngritur në nivelin e Faraonit Ramzes . Ata që vërtetë e duan dhe e respektojnë Ramushin e që realisht janë në hije , reaguan shumë arsyeshëm. Ata që Ramushin e kanë si strehë për azil ekonomik dhe politik e që përkthyer shqip janë llaskucë shpërthyen me emocione ( të rreme padyshim ) , vunë maskat e një hidhërimi dhe vuajtjeje të madhe ( nuk po them të rreme sepse maska e ka atë funksion ) , ashpërsuan fjalorin ndonëse kanë frikë nga hija e tyre prandaj edhe bëhen të guximshëm nën muskujt qoftë edhe të prapanicës së Ramushit! Këta nuk e duan e as nuk e respektojnë Ramushin por e shfrytëzojnë Ramushin për qëllime të veta! T’ua them të drejtën, në krejt këtë situatë kam qenë në ethe dhe krejt vëmendjen e kam përqëndruar në sjelljet dhe veprimet e dy personave me “rrezikshmëri të lartë” për situata të tilla, Ahmet Isufi dhe Ismet Beqiri. I pari, sepse ka një përvojë të madhe ushtarake dhe luftarake ndërsa i dyti se , në mbrojtje të parimeve , është gjendje të bëjë edhe të pamundurën. I pari e dëshmoi këtë në organizimin e logjistikës së AAK-së ndërsa i dyti në deklarimin para të zgjedhurve apo ajkës së kombit , deputetëve të Kuvendit të Kosovës! Ndonëse i dezertuar nga VLAN-i , Ismeti e mbrojti fort Ramushin për dallim nga Tringa e Smajlit , Zhan D’ Ark e kjo është Donika e Ramushit që talentin për politikë e ka shndërruar në një prodhues të zhurmës prandaj askush nuk po e merr seriozisht . Dëshira për dukshmëri të tepërt seriozisht po e dëmton talentin dhe kredibilitetin politik të Donikës duke e bërë të lexueshme ende pa filluar diskutimi i saj! Ka edhe më keq!
I harrova Ahmetin dhe Ismetin dhe mbeta pa tekst kur në foltore të sallës ku ishin kokat më të mençura të kombit kosovar doli Dr. Shaip Muja . Për shkak të korrektësisë më duhet ta theksoj titullin akadedmik të deputetit Muja . Po më ngacmon nga pak xhelozia sepse unë kam deficit të titujve akademikë! Dr. Shaip Muja i bëri dy veprime tepër të mëdha dhe të guximshme e të cilat unë nuk do t’i bëja ( në mungesë të dijes dhe guximit ) . E para, me dorëzimin publik të pasaportës diplomatike të Kosovës që e vlerësoi si një hiç dhe që nuk i duhej asgjë , botërisht ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit z. Kadri Veseli duke u distancuar mbase edhe nga nënshtetësia e Kosovës apo të qenurit kosovar . Nuk kam informata nëse në pauzën për kafe , kryeparlamentari t’ia ketë kthyer mbrapshtë pasaportën diplomatike Dr. Shaip Mujës! Nëse Dr. Shaip Muja vendosë t’ia kthejë pasaportën tjetër diplomatike dr. Bujar Nishanit atëherë, si apatrid ( pa atdhe dhe pa shtetësi ) do të mbetet nën përkujdesjen e UNHCR-së ! Por nuk e besoj se eskalimi do të arrijë deri në atë masë ! E dyta , Dr. Shaip Muja me një elokuencë të admirueshme ciceroneçe , me veshje si të ishte stilist i Donatela Versaçes, me sharm dhe elegancë të Klerk Gebëll në filmin “ Ikën me erën “, me një gjakftohtësi të Marlon Brandos në rolin e Kumbarës e mbrojti Ramushin dhe e demaskoi dikur shtetin mik të shqiptarëve e tash të shndërruar në armik , Slloveninë . Madje, fjalimi i tij ishte një udhëzues praktik se çfarë masa politike dhe ekonomike duhet të merren ndaj Sllovenisë apo Dezhellës ku lindi Alternativa kosovare! E bëri publik faktin se ka ndërprerë çdo bashkëpunim politik , komunikim dhe biznes më këtë shtet të urryer të antëve të moçëm . Pasi tha se i ka shpallur luftë ekonomike Sllovenisë, hyra në faqen e bursës së Wall Streetet në Nju Jork , vend ku formohen apo shkatërrohen shtetet ! Aspak nuk u habita kur pashë se aksionet e Sllovenisë kishin rënë për tokë dhe kjo ishte shenja e parë e greqizimit të Sllovenisë sigurisht si pasojë e embargos dhe bojkotit që ia futi Dr. Shaip Muja këtij shteti të pa besë , me mentalitat të Serbisë. E pati Sllovenia sikur që e pati edhe Rusia kur ia futëm embargon dhe kur ia vendosëm regjimin e vizave ! Të fortë jemi, sidomos në vendimmarrje të politikave globale !
Edhe unë e mbrojta Dr. Shaipin
Dje, pak mungoi të bëhem i dhunshëm, ngulfatës , rrezikues i jetës të një personi që e konsideroja si mik të mirë. Jo pse më nguci mua por bëri diçka edhe më të madhe kur më pyeti se a mos kishin diçka të përbashkët veprimi i Lavdim Muhaxherit kur publikisht e dogji pasaportën e Kosovës dhe ai i Dr. Shaip Mujës kur publikisht hoqi dorë nga pasaporta diplomatike duke ia dorëzuar në mënyrë demonstrative kryetarit të Kuvendit , Kadri Veseli! Për fat të mirë e të mos ndodhte më e keqja ishin disa rrethana që më shpëtuan mua, në radhë të dytë e ish mikun tim ( më nuk e kam mik ) , në radhë të parë . E para ishte dita e parë e Ramazanit ku duhet të jemi të përmbajtur, të solidarizohemi me të tjerët , ta respektojmë njëri – tjetrin dhe të duam gjithashtu njëri – tjetrin. E dyta , këto fjalë m’i tha në sheshin e të lumturueshmës Nëna Terezë prandaj kisha detyrim të përmbahem. Po t’i thoshte këto fjalë në rrugën Agim Ramadani apo Rexhep Mala nuk e besoj se do të kisha mundësi të shkruaj sot! Dhe , e treta që ishte thuaja vendimtare për mosveprim ishte fakti se pasi dola nga Tempulli i të Mençurve – Kuvendi i Kosovës m’u lëshua një barkëqitje që vështirë e menaxhoja. Nuk e di nëse ishte kjo si pasojë e kafes së Kuvendit apo e diskutimeve të disa deputetëve . Është me ineteres gjeopolitik dhe strategjik që pati përfundim paqësor ndonëse patëm duel të rëndë verbal. Eh Dr. Shaip, eh Dr. Shaip!
Sa i përket bojkotimit të mallrave sllovene si propozim por edhe vendim i pakthyeshëm i Dr. Shaip Mujës m’u kujtua një situatë e përafërt nga koha e ish Jugosllavisë. Sllovenia atëherë identifikohej me ujin mineral Radenska tri srca ( Radenska me tri zemra ) dhe Gorenjen. Kur Sllovenia doli nga federata jugosllave , më e goditura ishte Serbia prandaj e filluan një fushatë të bojkotimit të mallit slloven. Në këtë fushatë u angazhua si flamurtar një kodosh shumë inteligjentë dhe roker i quajtur Bora Çorba . Ai doli me një slogan motivues dhe sensibilizues për bojkotim :” Ko pije Radenska tri srca , ne mozhe da prca “! ( kush pinë Radenska me tri zemra , nuk mund të shalojë … ). E pikërisht propozimit për bojkotim të mallit slloven nga Dr. Shaip Muja i mungon një parullë apo slogan motivues prandaj edhe ka gjasa të dështojë!
Situatë e rëndë, edhe për mua
Deri më tani kam blerë prodhime sllovene sepse besoj në cilësinë e tyre. Blija Alpsko dhe jogurt Mu sikur edhe ajkën Mileram. Tash kam mëdyshje. Prodhimet me kod 8600 nuk i fus në shtëpinë time për vite me radhë. Nuk e kam mendjen ta bëjë këtë as në të ardhmën, deri sa Serbia të sillet si vend normal me Kosovën dhe shqiptarët. Pas Betejës së Kumanovës nuk ka gjasa të blej qumësht apo prodhime të qumshtit nga Bitolska Mlekara. Do të blija Parmalat apo Conad sikur të….me Gjet Pacollin. Qumshtin Vita të Devollëve nuk guxoj ta blej sepse mund të më denoncojë dikush te Margarita Kadriu pastaj do të më shndërronin në yll të kësaj gazete për tri vitet e ardhshme, sikur Makifete Saliukën! Midis gërshetimeve të këtyre rreziqeve me pasoja të paparashikueshme , po del se rreziku më i vogël është blerja e prodhimeve sllovene prandaj do ta vazhdoj edhe në të ardhmën me Alpsko. E di që Dr. Shaip Muja do të hidhërohet pak dhe mund të më quaj edhe dezertor mirëpo, duke e njohur shpirtbardhësinë dhe zemrën e tij prej humanisti dhe si njëri ndër bijtë e Hipokratit, jam i sigurt se do të më fal! Sinqerisht shpresoj dhe besoj .
Diçka për titullin
Me miratimin e Rezolutës për një Notë Proteste situata u acarua deri në fund. Na ka mbetur vetëm edhe t’i shpallim luftë Sllovenisë . Ju ndoshta edhe nuk e merrni seriozisht por lufta fillon gjithmonë prej gjërave të vogla , prej individëve apo për shkak të individëve. Ju kujtohet se kur Musolini e okupoi Shqipërinë dhe kur “mbreti“ i shqiptarëve Ahmet Zogu, për shkak se nuk gjeti opinga për të dalë në mal dhe për ta udhëhequr popullin , u deturua të shkoi në Greqi e pastaj edhe në Egjipt , ushtarët grekë në kufi me Shqipërinë e vranë një bari që ruante dele me emrin Daut Hoxha ( nëse nuk gaboj ). Dhe, Musolini i prekur rëndë nga ky provokim grek ndaj qytetarit që e kishte nën mbrojtje mobilizoi forca të mëdha ushatarake dhe e okupoi Greqinë. Po të mos ishte provokimi i rëndë grek duke vrarë Daut Hoxhën , Italia nuk do të kishte asnjë arsye ta sulmonte Greqinë! Edhe në Kosovë ishte rrezik i madh të përsëritej Greqia. Kur kryetari i Kuvendit dha një pushim 15 minutësh për harmonizimin e tekstit të Rezolutës që ishte hap i parafundit i shpalljes së luftës Sllovenisë, ndërsa pauza zgjati më shumë se një orë, isha shumë i sigurt se janë bërë bashkë Atifete Jahjaga, si Komandante e Përgjithshme e Forcave të Armatosura , Isa Mustafa , në cilësinë e kryeministrit dhe komisarit politik të luftës , Kadri Veseli si kryetar i Kuvendit ku do të votohej Ligji për Mobilizim të Përgjithshëm , Hashim Thaçi si ish Drejtor Politik i UÇK-së, Gjenaral Rrahman Rama si komandant i FSK-së, Shpend Maxhuni , si Komandant i Policisë së Kosovës dhe Agron Selimaj si Komandant i Inteligjencës. Së bashku me Duda Baljen , Skender Hysenin dhe Mahir Jagxhillarin do ta përbënin Këshillin e Luftës që do të na venin para një akti të kryer. Nenad Rashiqin do ta ruanim si xhoker në bisedimet eventuale pas përfundimit të luftës në cilësinë e përkthyesit. Nga ky Këshill , për shkak të besimit jo të mjaftueshëm do të përjashtohej Lista Srpska. Kjo është situatë që është shumë serioze dhe kritike dhe nga e cila mund të na shpëtojë vetëm i Madhi Zot shkaku se jemi në muajin e madhërishëm të Ramazanit dhe shkaku i fëmijëve dhe hajvanatit që janë mbrojtësit e vetëm nga Kijameti! Rrethanë rënduese mund të mirret se kemi pak fëmijë por, për fatin tonë të mirë e kemi një rrethanë shumë lehtësuese se kemi shumë hajvanë!