BEHXHET Sh.SHALA BAJGORA: A ISHTE 2016 VITI I ADEM DEMAÇIT SIKUR QË PROKLAMOHEJ APO E KUNDËRTA E TIJ?!

 Prishtinë, 21. 01. 2017: (Viti i mbarë apo viti i mbrapshtë) Në fillim të çdo viti kalendarik , institucionet e Kosovës dalin me premtime për realizimin e synimeve që burimin e kanë te premtimet e dhëna gjatë fushatave parazdhedhore dhe të cilat nuk i përmbushin fare apo i përmbushin në përqindje qesharake . Në fund të vitit , në kokteje rasti apo në takim me gazetarë përfaqësuses të lartë apo drejtues të këtyre institucioneve e bëjnë një përmbledhje , kryesisht të sajuara sikur te lirimet para festave të fundvitit në qendrat tregtare , për rezultatet e arritura duke e kaluar edhe 100% e premtimeve . Në Republikën e Çekisë , nëse doni të jeni bindës në rast se doni ta argumentoni një rrenë apo të pavërtetë duhet t’i përmbaheni formulës se ; “ po rreni si të jeni gazetar ..” kurse , te ne , zakonisht thuhet se ; “ po rren sikur politikan ..” që, nëse e keni parasysh ndershmërinë antologjike dhe të dëshmuar të politikanëve kosovarë ..” atëherë nuk mund të interpretohet ndryshe përveç si sulm mbi vlerat më të çmuara dhe më të pakorruptuara të përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë jashtëzakonisht demokratike të popullit të kosovarizuar shqiptar“. Premtimet janë premtime , nuk konsiderohen si fakte por lehtësisht shndërrohen në statistika afirmative për ata që premtojnë ndonëse në opinion pranohen si mashtrime të argumentuara. Kosova i ngjanë një të sëmuri rëndë që në jetë mbahet vetëm në saje të dërgesave të bashkëkombësve që punojnë dhe kursejnë edhe kafshatën e gojës në shtetet e ndryshme perëndimore apo përtej oqeaneve sikur edhe nga doganat e Kosovës . Pa këto dy burime, moti do ta hapnin të pamet për një vdekje kolektive të qytetarëve të Kosovës përjashtuar një përqindjeje të vogël të të merituarve që kanë krijuar pasuri për mirëqenia për ta , familjarët , prostitutat politike që kanë ordinuar për ta si dhe dashnoreve edhe për 500 vjetët e ardhshëm . Në vitin 2016 kishte çaste shumë afirmative për Kosovën në planin ndërkombëtar e që u shënua në të gjitha mediet e shkruara dhe elektronike sikur që ishte lufta në Kuvendin e Kosovës ku opozita nuk përdori armatim të rëndë sikur tankset , aeroplanët apo raketat me rreze veprimi nga opozita te pozita . U mjaftua me gaz lotsjellës , shishe me ujë apo ndonjë mjet të fortë kryesisht drejt kokave të policëve të Kosovës dhe sigurimit që u përdorën si mish për top në luftën e pashpallur të opozitës kundër pozitës. Gjendja e luftës zgjati afërsisht nëntë muaj , aq sa zgjati lufta në Maqedoni. Kundërshtarët e Demarkacionit me Malin e Zi fuqishëm e mbrojtën këtë kauzë nga kafeteritë e Prishtinës dhe nga zyrat e Kuvendit duke u paguar nga 2500 deri në 3000 euro në muaj kurse , për angazhimin e tyre shtesë u shpërblyen me udhëtime turistike në qendrat kryesore evropiane dhe SHBA , all inclusive + mëditjet sipas ligjeve të Kosovë që nuk i njohin fare ! Pozita pati çaste të reflektimit të shkëlqyer politik duke i krijuar hapësirë të pakufizuar dhe të papenguar subjektit politik , që tërë aktivitetin dhe mundin e përdori për të kontribuar për pavarësinë e Kosovës dhe shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në Skenderaj dhe rrethinë e ai subjekt ishte Lista Srpska e formuar nga kryeministri i Serbisë Aleksandar Ujku . Po këtë vit stjuardesa në linjën Prishtinë – Bruksel , Zezdita Tahiri e njohur si personi që i besojnë më së shumti në Kosovë mbrojti çdo marrëveshje të nënshkruar midis Serbisë dhe Lista Srpskes e që nënkupton vetvetiu se Kosova po ia kalon Bosnjes në stabilizimin e qëndrueshmërisë si shtet , si në aspektin e garantimit të integritetit territorial , shtrirjes së sovranitetit e sidomos në forcimin e rolit vendimmarrës në zhvillimet globale politike. Gjykata Kushtetusese e Kosovës ishte kandidat serioz për Çmimin Nobel me vendimin për Asociaocionin e Serbisë në Kosovë duke e bërë një interpretim biseksual të paparë deri më tani me ç’rast konstaton se është shkelur Kushtetuta e Kosovës në 23 pika ( po aq të goditura me thikë ia kanë dhënë Cezarit Kasi dhe Bruti në Senatin e Romës ) mirëpo, përkundër kësaj , të gjithë mbesin të virgjër , sikur Shën Mëria . Askush nuk u bë përgjegjës për këto 23 shkelje në kohën që më parë vetëm për një shkelje të Kushtetutës ranë kokat e Fatmirit dhe Gjet Pacollit. Madje , sipas këtij interpretimi kriminal , nuk ka pengesa për vazhdimin e formimit të këtij Asociacioni të cilin , Shkëlqesia e Tij , Presidenti i Republikës së Kosovës , zotëri Hashim Thaçi , me të drejtë falë largpamësisë që e ka e ka cilësuar si një OJQ të parëndësishme e cila , edhe si e tillë do të formohet dhe funksionojë sipas ligjeve të Kosovës sikur që po vepron edhe Lista Srpska me Jabllanoviqin , Mariqin , Stojanoviqin , Jeftiqin dhe ministrat tjerë të Vuçiqit në qeverinë e Kosovës apo delegatët serbë të Sheshelit , Nikoliqit dhe Vulinit në Kuvendin e Kosovës. Kosova e vitit 2016 do të mbahet në mend si vendi që e ka përsosur lojën e kukafshehtit apo symbylljen sepse Gjuriqi , Vulini dhe shumë “ humanistë “ dhe” dashamirë” të Kosovës nga Serbia po hyjnë në Kosovë ndërsa autoritetet kosovare po i shohin vetëm pasi po kthehen në Serbi !

Vazhdimi i sukseseve
Gjatë vitit 2016 u krye një krim ekologjik apo mjedisor sepse u rrënua një hapësirë e gjelbëruar e ndërtuar me shumë mund dhe sakrifica dhe e mbrojtur nga njësitë për ruajtjen e mjedisit të quajtuar Rojet e Urës . Halit Barani por edhe unë jemi treguar krejtësisht të paqpjekur sepse Rojat e Urës i kemi dhe i konsiderojmë struktura kriminale ndërsa ata po ndërtojnë parqe ! Që krimi të jetë edhe më i rëndë hapësira e shkatërruar ekologjike kishte emrin Parku i Paqes i cili bashkonte të dy pjesët e Mitrovicës së ndarë faktikisht por të bashkuar rrencërisht sipas Peçurkës së Mitrovicës dhe stjuardesës së deklasuar Prishtinë – Bruksel. Gabimin e përmirësuam sepse po e ndërtojmë një amfiteatër të maskuar në murë ndarës midis dy Mitrovicave ku do të jetë një shetitore e kralit Petar , Arkanit dhe Legias që aq shumë kontribuan për mirëqenien e shqiptarëve . Për këtë e kemi përkrahjen e “ miqve “ ndërkombëtarë që kontribuan në krijimin e dy realiteteve në Kosovë ; rrypi i ngushtë i quajtur Kosovë dhe zonat e zgjeruara të quajtura zona të mbrojtura ku mbrohen serbët , apo populli qiellor dhe përjashtohen shqiptarët apo populli barbar , si në çdo demokraci të zhvilluar. Nuk u ndalëm me kaq në vitin 2016 . Në përpjekje për sigurimin e lëvizjes së lirë në zonën Muçibabë , Muqivërcë , Hajkobillë dhe Leshkoqiq, arrestuam qindra të dyshuar për korrupsion dhe krim të organizuar , arrestuam me qindra radikalistë të Is –isit , i arrestuam dhe i dënuam në mënzrë shembullore dhjetra ushtarë të ushtrisë terroriste të UÇK-së , amnistuam dhe i sistemuam qindra bashkëpunëtorë të UDB-së jugosllave dhe BIA –s serbe , milicinë e Serbisë e shndërruam në Polici të Kosovës për rajonin e veriut të Kosovës. E përmirësuam gabimin historik sepse ata me të cilët jetuam në bashkëjetesë 500 vjeçare , që na ngulën në hunj dhe na i prenë kokat e patëm cilësuar si okupim dhe si okupatorë . Pastaj , tekstet e historisë i patëm ngarkuar shumë duke shpifur se lufta e UÇK-së ka qenë luftë çlirimtare duke e mohuar rolin e Jugosllavisë dhe të Serbisë në afirmimin e kombeve dhe kombësive ku shqiptarët u afirmuan aq shumë duke ua liruar thuaja të gjitha vendet në burgjet jugosllave dhe serbe me përjashtim të disa prej tyre që u diskriminuan shumë duke i dërguar në shërbime diplomatike në shtetet e ndryshme të botës apo duke i punësuar në Beograd dhe qytetet e tjera të Jugosllavisë dhe Serbisë që nënkupton se i syrgjynosën jashtë vendit dhe i ndanë nga populli ( shqiptarë ) të cilit ia kajtën nëntëmijë nëna ! E formuam edhe Gjykatën Speciale për t’i dënuar krimet e shqiptarëve dhe për ta liruar nga çdo përgjegjësi regjimin më demokratik në rruzullin tokësor , regjimin e Sllobodan Millosheviqit ! Në vitin 2016 , ndonëse jemi vendi me më së shumti tituj akademikë në rajon , pisat e PISAS na rreshtuan të parafundit në renditjen e nxënësve të intervistuar ! Po na bëhen shumë padrejtësi ! Pastaj , e kompletuam përbërjen e Ajkës së Injorancës të cilët dikush e quajti Ndërmarrje Abuzuese e Buxhetit të Kosovës me Papërgjegjësi të Pakufizuar e cila njihet si Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Oportunitetit dhe Servilizmit Politik të Kosovës . Viti 2016 ishte vit i afirmimit të maskarenjve për formimin dhe afirmimin e kombit joekzistues , kombit kosovar ! Përkundër përpjekjeve titanike për të kontribuar më shumë për legalizimin , legjitimimin dhe afirmimin e antivlerave njerëzore dhe kombëtare në Kosovë , na kanë mbetur edhe disa punë për t’i bërë nëse duam që me sukses ta përmbullim procesin e poshtërsisë , poshtërimit dhe mohimit të çdo vlere me të cilat krenohet çdo popull me vlerë . Ato janë ; të mos e lejojmë ndërtimin e shtatores të Komandantit Legjendar të UÇK-së , të Pavdekshmit Adem Jashari dhe heronjve që luftuan dhe u flijuan me komandantin e tyre për këtë trohë lirie që e kemi , që me ndihmën e Gjykatës Speciale për Kosovën dhe gjykatave të Serbisë ta shpallim Adem Jasharin dhe heronjtë e luftës si terroristë dhe kriminelë dhe , përfundimisht t’i pastrojmë tekstet e historisë në Kosovë dhe trojet shqiptare duke fshirë edhe ata dy rreshta në tekstet ku përmendet roli i Adem Demaçit dhe kontributi i tij në luftën për liri , pavarësi dhe bashkim me Shqipërinë ! BACË, u krye , për faqe të zezë edhe ky vit !
Kur ndodhën këto zhvillime
Që paradoksi të jetë më i madh , të gjitha këto zhvillime me të cilat Baca i Madh , Adem Demaçi kurrë nuk do të pajtohej ndodhëm pikërisht në vitin i cili u quajt si Viti i Adem Demaçit nga i cili përfituan spekulantët e të gjitha llojeve që e keqpërdorën emrin e Bacëa Adem e jo çështja për të cilën Baca u sakrifikua tërë jetën . Baca Adem u vizitua nga politikanët vetëm kur ishin ngushtë , për të përfituar politikisht , për të marrë pëlqime në faqet e tyre të zeza sociale , për ta spastruar të kaluarën e tyre antikombëtare , për t’i mbuluar të palarat e tyre , me një fjalë për t’u aziluar prapa emrit dhe veprës së madhe të Bacës Adem. Në intervale të caktuara kohore u vizitua nga ish shokët e burgut , tash të shndërruar në karrieristë dhe konformistë mjerana , disa komandantë që e hëngrën luftën e tyre dhe pasi mbetën pa kredi njerëzore , morale dhe kombëtare ! Mbeti pa përkujdesjen e shokut dhe shoferit të luftës që 24 orë e kishte kokën dhe jetën në shërbim të Atdheut dhe Bacës Adem , Komandant QALIT të cilin po e zëvendëson shoferi i paqes dhe i qejfeve , doktor Gazi . Kanë mbetur edhe pak budallenjë idealistë që ende të vlerësojnë, nëse ky vlerësim ka ndonjë kuptim , kur shteti të ka përjashtuar si vlerë morale , kombëtare dhe historike së paku nëse i referohemi trajtimit që po ta bënë !
Këtë vit i vlerësoj vetëm dy ngjarje që janë bërë si shenj respekti ndaj jetës dhe veprës tënde Baca Adem. I pari kur kadeti që mori shpatën nga Princi Çarls , trashigimtar i fronit të Mbretërisë së Bashkuar , Ismajl Selman Hoxha nga Besiana që u shpall si kadeti më i mirë i shteteve që kishin dërguar ushtarë për shkollim pranë Akademisë Ushatarke në Londër , pas kthimit nga Londra ishte te ti si shenj respekti duke ta dorëzuar foton e gravuar të ceremonisë . E di se e ka bërë me respektin dhe përkushtimin më të madh dhe se është ndjerë më i emocionuar gjatë vizitës që ta bëri se gjatë pranimit të Shpatës si kadeti më i mirë , nga Princi Çarls. Kadeti Hoxha të respektoi Ty , veprën tënde , sakrificën tënde dhe vizionin tënd. Sikur edhe ti , as kadeti Ismajl Selman Hoxha nuk u respektua për shërbimit që i bëri Atdheut dhe Kombit.
Rasti i dytë ishte respekti që ta bëri Bashkia e Tiranës dhe kryetari Erion Velijaj duke të nderuar me Celësin e Tiranës dhe Mirënjohje . Ky respekt erdhi në kohën më të mirë dhe nga vendi dhe populli që ia kushtove tërë jetën dhe që e quajte Nënë të Madhe e cila nuk vdesë kurrë sipas fjalëve të Nënës Nazife, Nënës Shqipëri .
Baca Adem, të kemi përdorur e më shumë të kemi të keqpërdorur andaj , për shkak të mospërfilljeve të vlerave të mirëfillta dhe glorifikimit të antivlerave e patëm vitin 2016 të tillë siç ishte dhe me gjasë as viti 2017 nuk do të jetë më i mirë . Është kohë horrave , si të atyre të komunizmit jugosllavo –titist , të ish shokëve të idealit , bashkëveprimit dhe bashkëvuajtës , të këtyre të demokracisë dhe të atyre që të konsideronin si baba politik e që me ty u sollën si një njerk i keq ! Një popull që nuk i respekton vlerat është i gjykuar në vdekje njerëzore , kombëtare dhe morale prandaj historinë ua shkruajnë të tjerët apo ata që i kanë dhunuar me shekuj. E di Bacë që për inetres të Kombit dhe Atdheut i falë edhe horrat dhe maskarenjt prandaj po sillemi në këtë mënyrë . Sipas librave fetarë , bota dhe njerëzimi shpëton nga përmbysja në saje të fëmijëve , budallenjve dhe hajvanatit. A nënkupton kjo se jemi të shpëtuar sepse të tillë kemi më tepër se që kemi nevojë prandaj , vetëm me këtë i kontribuojmë njerëzimit . Por , deri kur kështu !
Për fund, Bën gajret Adem Demaçi …dhe urime festa e Vitit të Ri me Koncertin e Filharmonisë së Vjenës që ishte infuzion shpirtëror për ty gjatë vuajtje së dënimit 28 vjeçar . Të gjithë do të vdesim përveç atyre që lënë vepra ndërsa vepra jote është mishëruar dhe e pandashme nga qenia shqiptare dhe si të tillë është e përjetshme !
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë 29 dhjetor 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura