BEHXHET SH.SHALA BAJGORA: GRYKËSIA E MADHE PËR PUSHTET, TË LË PA RESPEKT DUKE TË SHNDËRRUAR NË KARIKATURË!

Prishtinë, 07. 11. 2014 – (Shumë pushtet në një gjysëm shtet) – Edhe në shtetet që e kanë një demokraci tradicionale dhe të konsoliduar zgjedhjet janë mundësi e ligjshme ta fitojnë pushtetin për t’i shërbyer qytetarëve që janë votues dhe shtetit. Madje, zgjedhjet janë mundësia e vetme për të ardhur në pushtet. Në vendet të cilat ambalazhimin e kanë si me qenë shtet ndërsa përmbajtjen e kanë të kundërtën që duhet të përmbajë shteti, në mesin e të cilëve Kosova mund të shërbejë si pikë reference se si nuk do të duhej të ndërtohej shteti, pushteti fitohet për t’i përmbushur kryesisht nevojat personale dhe duke përdorur shtetin si terren apo livadh ku mund të kullosësh sikur në Bahqe të Babës! Madje, edhe më lirshëm dhe më padhimbshëm se në Bahqen e Prindit! Kosovës gjithmonë i ka munguar elita politike aq më parë kur dihet se politikan nuk mund të bëhesh me një alkimi sikur që janë bërë sidomos pas përfundimit të luftës! Elitat politike të formuara para luftës kanë qenë në shërbim të Titos, Rankoviqit, Millosheviqit dhe rrahmanmorinëve e që nënkupton se kanë qenë elita që kanë punuar kundër kombit që biologjikisht apo gjenetikisht i kanë takuar! Bijtë dhe bijat e këtyre elitave antikombëtare dhe antinjerëzore edhe sot mund t’i gjeni të metastazuara thuaja në të gjitha institucionet (Kuvend, Qeveri dhe Presidencë) pasi që nivelet më të ulëta (pushteti lokal) nuk kanë atraktivitet për ambiciet dhe synimet e tyre! Politikanët me orientim njerëzor dhe kombëtar kohën më të madhe të jetës së tyre e kaluan nëpër kampet dhe llogoret e ish Jugosllavisë. Apo u vranë, ose me duke luftuar me armë në dorë duke kundërshtuar robërinë, ose u mbytën nëpër burgjet e ish Jugosllavisë nga duart e baballarëve të disave që sot po bëjnë politikë apo që duan ta marrin pushtetin përmes rrugëve! Mbase e kanë për qëllim kursimin e buxhetit apo kursimin e kohës! Kujtojini Imer Berishën, Xhon Serreçin dhe Marie Shllakun, Fazli Grajçevcin dhe Shaban Shalën dhe shumë atdhetarë të tjerë që interesin kombëtar dhe shtetëror e kishin mbi interesin personal prandaj e shkruan historinë! Kujtojini Komandantin e Pavdekshëm Adem Jasharin, Fehmi Lladrofcin dhe Xhevë Krasniqi – Lladrofci, Bekim Berishën dhe Agron Ramadanin, Luan dhe Shkëlzen Haradinaj, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu si dhe shumë dëshmorë dhe heronjë të tjerë! Mbetën dhe do të jenë të pavdekshëm për aq kohë sa do të zgjasë jeta e njerëzimit në përgjithësi dhe kombit shqiptar në veçanti! Kujtojeni dhe mos e harroni qëndresën, vendosmërinë dhe atdhdashurinë e Metush Krasniqit dhe mijra dhe mijra të burgosurve politikë shqiptarë që frymëzim shpirtëror e kishin njeriun e vogël me trup por gjigantin e atdhedashurisë dhe sakrificës për të mirën e njerëzimit dhe çështjes kombëtare, të përjetshmin dhe të papërsëritshmin , Bacën Adem Demaçi!

Kukullat politike të Kosovës!

Tash krahasoni këta burra dhe gra të kombit dhe njerëzimit me këta që janë aktualisht në pushtet e sidomos me këta që me çdo kusht dhe me çdo mjet, duke anashkaluar të gjithë skrupujt moral dhe procedurat ligjore duan ta grabisin pushtetin duke dhunuar qytetarët dhe shtetin! Në mesin e këtyre burrave dhe grave që janë në pushtet apo që duan ta marrin pushtetin, ka të tillë të cilëve e kaluara e tyre, hiç të sotmen që e kanë, u garantonte mundësinë të bëheshin pjesë e Panteonit të të Lavdishmëve që i përmenda në pjesën e parë të shkrimit. Me angazhimin patriotik e sidomos me luftën që e bënë e kishin të prerë biletën e nderit dhe të lavdisë ndërsa me veprimet e pasluftës e sidomos në rastet kur duhej të vendosnin midis pushtetit (interesit personal) dhe shtetit (interesit qytetar), një pjesë e tyre e siguruan biletën për ferr! Nuk e kam mendjen ta portretizoj profilin njerëzor, kombëtar, politik dhe moral të akterëve të sotëm të politikës kosovare sepse këtë e ka bërë në mënyrë briliante dhe të mahnitshme Kimete Berisha dhe çdo përpjekje ime në këtë drejtim do të ishte një fotokopje që i ngjanë një shkrimi ku gjysma e shkronjave nuk shihen për shkak të ngjyrës së shpenzuar prandaj nuk po i hyjë kësaj aventure!
Po kthehen në pikën zero ata që edhe ishin në këtë pikë
Pas qëndrimit tim të shprehur botërisht se seanca e 17 korrikut 2014 e Kuvendit të Kosovës kishte aq shkelje dhe parregullësi dhe si e tillë do të anulohej nga Gjykata Kushtetuese, u sulmova duke mos u kursyer as personalisht e as si familje. Gjykata Kushtetuse mori vendim të cilin do ta merrte çdo gjykatë nëse do të mbështetej në Kushtetutën ekzistuese. Pavarësisht se është në pyetje PDK sot apo LDK, VV, AAK ose ndonjë subjekt tjetër politik. Këtë situatë nuk do ta mund ta ndryshonte as Flora Brovina, as Donika Kada, as Alma Lama apo Albulena Haxhiu nëse për bazë do ta kishin Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Kosovës! Në praktikë u pa se këtë situatë nuk e ndryshoi as tetka Milka e Leposaviqit që e shpalli Isa Mustafën kryetar kuvendi në mënyrë të kundërligjshme dhe kundërkushtetuese.
Në kohën kur PDK ishte thuaja e shtrirë për toke, koalicioni paszgjedhor VLAN e ringjalli duke punuar për koalicionin parazgjedhor. Po ta votonin Agim Aliun për kryetar kuvendi me 119 e po të ishin të mençur ashtu do të bënin, atëherë problemi do të thjeshtësohej dhe thuaja nuk do të konsiderohej problem. Në këtë rast do të sqarohej situata nëse PDK është vetëm për kryetar të Kuvendit siç i ka takuar dhe i takon në bazë të vendimit të GJK apo ambiciet e saj shkojnë përtej vendimit të GJK e që nënkupton se i do të gjitha postet! Pra, PDK iu pamundësua ta realizojë të drejtën kushtetuese që e kishin të gjitha partitë që fituan zgjedhjet, përfshirë edhe LDK-në e cila kishte kryetar të Kuvendit dhe nga ky çast filloi ringjallja dhe faktorizimi i PDK-së dhe rënia e VLAN-it! VLAN, pas performanceës së tetka Millkës së Leposaviqit me të madhe punonte për PDK-në. VLAN bëri gabimin fatal kur ndau poste për krerët e këtij koalicioni sikur që premtoi poste edhe për disa llaskucë të shoqërisë civile të cilët u bënë më agresivë se vet VLAN-i. Këta llaskucër e shihnin veten si drejtorë të RTK-së, të PTK-së, dhe kompanive tjera fitimprurëse, ambasadorë, ministra për integrime evropiane dhe poste të tjera që ishin të barasvlefshme me një grusht pendlash të lëshuar në ajër! Shihni se ç’shkruanin shumica e medieve dhe debatet në mediet elektronike?! Krijonin përshtypje se është çështje dite kur Isa Mustafa do të bëhet kryetar kuvendi e pas dy viteve do t’i ulë të pasmet në karrikën e presidentes Jahjaga. Posti i kryminstritë as që diskutohej! Dy pikat e Donikës, Avniut, Ardianit, Bajramit, Bardhylit dhe elitës politike të VLAN-it si dhe analistëve llaskucër të cilëve u premtuan poste u bënë më të famshme se dy hemisferat e pasme apo të përparme të Kim Kardashianit. Ku janë sot ato dy pika?! Nuk po përmenden fare! Edhe Isaja thoshte se sigurisht do të bëhet kryetar kuvendi. Edhe VLAN thoshte se e ka kryetarin e Kuvendit! Po del se nuk e ka pasur e as që e ka! Tash edhe Isa Mustafa ka hequr dorë nga posti i kryekuvendarit! U kthye në pikën zero! Pata shkruar që në fillim se Isa Mustafa mund të bëhet kryetar Kuvendi vetëm me pajtimin e Hashim Thaçit sikur që Ramush Haradinaj mund të bëhet kryeministër vetëm me pajtimin e Hashim Thaçit! Ashtu ishte në atë kohë e sot kanë ndryshuar gjërat. Tash, nuk ka më zgjidhje të pjesëshme por zgjidhja do të bëhet në pako ose me marrëveshje politike. Ose të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme që do të ishte zgjidhja më e mirë por që ndërkombëtarët nuk po e duan! Nëse mbahen këto zgjedhje, mesi i dhjetorit do të ishte mundësia e fundit për t’i zënë afatet ligjore të mos shuhet shteti! Gabimi tjetër i madh i VLAN-it ishte gjuha kërcënuese që përdorte ndaj të gjithë atyre që nuk ishin në valë të njëjta me këtë koalicion. Bënin përpjekje të bëjnë politikë me muskuj dhe dhunë në ndërkohë që PDK mjeshtërisht mori rolin e viktimës. PDK ofronte bashkëpunim dhe marrëveshje ndërsa VLAN nuk donin as kafe të pinin me PDK, në ndërkohë që do të detyrohen nesër të punojnë bashkë përmes institucioneve ose, sipas të gjitha gjasave të bashkëqeverisin! Ku mbetën tash fjalët e forta, premtimet se do t’i bëjnë institucionet (Kuvendin dhe qeverinë pa PDK dhe të tjerat që nuk do t’i bënin as kursantët e ndonjë trajnimi për dy module të shkollës politike. Metoda e blic – krigut (luftës së rrufeshme) ka qenë e sukseshme gjatë luftës së dytë botërore vetëm si taktikë por jo edhe si strategji ndërsa në rastin e VLAN-it u tregua e dëmshme edhe si veprim taktik e mos të flasim për pasojat strategjike!
Si përfundim
Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të ishin zgjidhja më e mirë se, së paku do ta pastronin dhe dezinfektonin ambientin e ndyrë politikë në Kosovë dhe do ta krijonin një situatë shumë më të qartë. Unë preferoj zgjedhjet sepse çdo zgjidhje e dhunshme apo e imponuar siç edhe do të ndodhë do të jetë e dëmshme për Kosovën! Koalicioni PDK – LDK do të siguronte qeverisje me mandat të plotë ndërsa çdo koalicion tjetër do të ishte afatshkurtër apo qeverisje emergjente. Mirëpo, me politikanë të koritur është vështirë të ndërtosh institucione të besueshme dhe stabile. Ndoshta për herë të parë pajtohem me Gjet Pacollin kur thotë se veprimet e VLAN-it e kanë faktorizuar Hashim Thaçin duke e bërë si alternativë të parë! Në këtë kontekst e konsideroj si art analizën e Kimete Berishës që i bënë kandidatëve që e synojnë postin e kryeministrit! Deri me sot fituesi më i madh po del të jetë Isa Mustafa. Deri në humbjen e radhës! Po del se kanë gabuar shumë të gjithë ata që kanë menduar se me një alkimi të numrave (koalicioni paszgjedhor) do ta nxjerrin jashtë loje Hashim Thaçin! Me gjasë do të luajnë bashkë me Hashimin, anipse tërë kohën e kanë sharë dhe fyer po burrat dhe gratë e politikës kosovare janë të njohur që i hanë fjalët e tyre. Dhe këtë nuk do ta bënin për herë të parë e as për herë të fundit!
Mos hani m..jaltë
Kështu disi iu drejtua ambasadorja Xhejkobson politikanëve kosovarë që qe pesë muaj po luajnë koqe me qytetarët e Kosovës. Dikush po thotë se kjo deklaratë e ambasadores është skandal diplomatik, të tjerët po e përkrahin në mënyrë refleksive kurse disa po presin. Mendoj se ambasadorja nuk ka bërë asgjë vetëm se u ka folur në gjuhën që e kuptojnë dhe me të cilën komunikojnë gjatë aktiviteteve “politike“!

…………………………………………………….

(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura