BEHXHET SH.SHALA: ÇKA NË FAKT PO BËHEMI GATI TË FESTOJMË?!

(Prishtinë, 14. 11. 2012) – Ky festim është manipulim me ndjenjat dhe ikje nga përgjegjësia historike, politike, njerëzore, kombëtare, personale dhe morale që nuk qemë të zotët ta bëjmë një shtet. Që e shkërdhyem shtetin. Që ende po punojmë kundër interesave kombëtare dhe shtetërore! Mirëpo, si popull patriotik dhe folklorik kemi të drejtë të festojmë. Fatin tonë të mjerë dhe gjendjen tonë të mjerë. Të sotmën e vjedhur dhe ardhmërinë e mjegulluar! Prandaj, o burra dhe burrnesha! Kush me këmbë, kush me kuaj (standardi më i lartë), me makina, furgonë, autobusë, aeroplanë, mësyni Tiranës dhe Vlorës. Si Ismail Qemali dhe Isë Boletini! Ata që vijnë nga Shqipëria në Kosovë u bëfshin mirë byreku dhe qebapat e Kosovës! Ata që shkojnë në Shqipëri do të kënaqen me sufllaqe dhe paidhaqe! U bëfshin mirë! Ne, disa gomarë që do të qëndrojmë në shtëpi (në mesin e tyre edhe unë) të gjindemi si mundemi. Unë nuk shoh ndonjë arsye për të festuar! Mund edhe ta kem gabim!

1. Jemi popull euforik. Jemi popull folklorik. Jemi popull patriotik. Me një fjalë jemi popull dhe rast sui generis. Ashtu na kanë cilësuar dhe na trajton bota. Jemi bërë të njohur për këtë. Tash po e vërtetojmë edhe vet ne. Kemi rënë në ekstazë, eufori dhe me një vrull patriotik me rekuizite folklorike po bëhemi gati ta festojmë 100 vjetorin e shtetit shqiptar. Të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Edhe kosovarët e deshqiptarizuar. Po festojnë shqiptarët në Shqipëri që kanë probleme të mëdha pikërisht me identitetin e humbur kombëtar dhe tani, një pjesë e vogël e tyre po përpiqet ta rigjejë dhe rikthejë këtë identitet! Në Shqipëri nuk ta marrin shumë pozitive nëse mburreni me identitetin shqiptar! Më shumë e duan identitetin europian. E respektojnë shumë edhe ate serb, Italian, grek madje edhe aborixhin. Vetëm jo ate shqiptar! Kur ne kosovarët (dikur) flisnim për patriotizmin shqiptar na quanin të prapambetur dhe injorant. Që na kishte ikur koha dhe që qytetërimin e kishim diçka të panjohur. Shteti shqiptar kishte problem të zhvillohej dhe ta forconte identitetin kombëtar. Sepse në Shqipëri ladruan të tjerët. Të huajt dhe ata që qençe u shërbenin. Princat e rremë gjermanë, mbreti analfabet që tash po legalizohet nga doktori apo diktatori “demokrat” nga Tropoja, diktatura komuniste me ambalazhim shqiptar dhe me përmbajtje serbe, ruse, kineze, vijetnameze etj. Këta e kanë pasur fjalën kryesore dhe këta e kanë përcaktuar intensitetin e përcaktimit kombëtar! Sot me identitetin kombëtar manipulojnë politikanët milionerë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Greqi dhe Serbi. Që demokracinë e kanë kuptuar dhe shndërruar në diktaturë personale duke mbajtur pushtetin – karriken me të gjitha mjetet e palejuara edhe mbi 20 vjet!
Në Shqipëri Saliu nuk fliste dikur me Nanon e tash me Edvinin.
Për interesin e Shqipërisë?!
Jo. Për intereset e tyre personale.
Në Shqipëri flitet për identitetin europian në kohën kur duket se më parë do të bëhet pjesë e BE-së Uganda (që gjindet në Afrikë) se vet Shqipëria!
Në Greqi shqiptarët për një vend pune kanë ndërruar komb, atdhe dhe fe dhe përsëri trajtohen si qytetarë të rendit të tretë!
Në Mal të Zi shqiptarët janë kontribues së shpalljes së pavarësisë së këtij shteti ndërsa dënohen me të holla nëse përdorin simbolin e tyre kombëtar. Edhe udhëheqësit e partive politike shqiptare si model bashkëpunimi midis tyre e kanë modelin Berisha – Nano (Rama).
E njëjta situatë është edhe në Luginën e Preshevës. Të shkelur nga Serbia, të pambrojtur nga Shqipëria dhe të mashtruar nga Kosova janë katandisur keq midis veti.
Në Maqedoni përdoret modeli i njëjtë në teori ndërsa në praktikë kanë avancuar. E bëjnë politikën e korbave duke u munduar t’i nxjerrin sytë njëri – tjetrit Menduri dhe Aliu. Ndërkaq u këndojnë syve të Ivanovit, Georgijevskit dhe Grujevskit. Për një pushtet dhe territor të madhësisë së prapanicës së tyre. Karrikës që e gjakojnë dhe janë në gjendje ta përgjakin për ta mbajtur ate.
Kosova është rast sui generis.
E shpallëm pavarësinë tash, duke ikur nga kombi joeuropian shqiptar po e formojmë edhe një komb të ri. Komb bastard. Kombin kosovar. Nga disa bastard dhe zvarranikë permanentë! Të cilët kurrë nuk kanë qëndruar në këmbët e tyre! Populli shqiptar i ndarë në 6 shtete me një shtet që në vend se të bëhet nënë është shndërruar në një njerkë të keqe, Kosova me 100.000 mijë probleme, shqiptarët në 4 shtetet e tjera që më shumë keqtrajtohen se sa që trajtohen si njerëz, varfëri sahariane, papunësi të Eritresë dhe korrupsion gjithpërfshirës, mos janë këto arsye të festohet?!
Nuk shoh se duhet të festojmë!
Madje, jemi bërë për të na vajtuar! Po ne historikisht (pasi që jemi popull historik dhe çdo ngjarje është historike) gjithmonë jemi ngutur dhe gjithnjë jemi ndarë të përmutur! Ky festim është manipulim me ndjenjat dhe ikje nga përgjegjësia historike, politike, njerëzore, kombëtare, personale dhe morale që nuk qemë të zotët ta bëjmë një shtet. Që e shkërdhyem shtetin. Që ende po punojmë kundër interesave kombëtare dhe shtetërore! Mirëpo, si popull patriotik dhe folklorik kemi të drejtë të festojmë. Fatin tonë të mjerë dhe gjendjen tonë të mjerë. Të sotmën e vjedhur dhe ardhmërinë e mjegulluar! Prandaj, o burra dhe burrnesha! Kush me këmbë, kush me kuaj (standardi më i lartë), me makina, furgonë, autobusë, aeroplanë, mësyni Tiranës dhe Vlorës. Si Ismail Qemali dhe Isë Boletini! Ata që vijnë nga Shqipëria në Kosovë u bëfshin mirë byreku dhe qebapat e Kosovës! Ata që shkojnë në Shqipëri do të kënaqen me sufllaqe dhe paidhaqe! U bëfshin mirë! Ne, disa gomarë që do të qëndrojmë në shtëpi (në mesin e tyre edhe unë) të gjindemi si mundemi. Unë nuk shoh ndonjë arsye për të festuar! Mund edhe ta kem gabim!
2. Ban ki Muni, shefi i Ujk Jeremiqit në OKB, baba i 6 pikave të tij të famshme deklaroi se do të ishte mirë të ulen dhe të bisedojnë për veriun Beogradi, Prishtina dhe serbët e veriut. Nëse veprohet sipas Banit rezultati dihet që tani. Duket se edhe ashtu do të ndodhë. Edhe Kushnerit më në fund i ranë puplat dhe mbeti lakuriq. E lakuriqojë Veri (i Kosovës).

Të veshur me veshje kombëtare, dhe me flamurin kombëtar, Anëtari i kryesisë së “Vatrës “Gani Shaqiri, qytetarët Ekrem Avdiu – Gjilan, Dilaver Musliu – Preshevë, Nazim Ajdini – Medvegjë, janë nisur të shtunën në këmbë për në Vlorë, për të shënuar kështu një nga format e festimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë!

…………………………………………

3. Azem Vllasi, ndryshe i njohur dikur si djali i Titos e shpalosi patriotizmin e tij kosovar ndonëse e ka titullin doktor shkence i patriotizmit jugosllav! I mbajti leksion “Vetvendosjes“ për atdhedashuri duke i quajtur zjarrëvënës dhe shkatërrues të shtetit vetëm për të ardhur në pushtet! Nuk është budalla Azemi! Me një plumb u strehua në gjirin e miqve ndërkombëtarë, po zgjedhë nëse do të shkojë në mision diplomatik në Beograd (shtëpinë e tij) apo në Podgoricë. Dhe Hashimi e dërgon pa asnjë problem për të vetmen arsye se Azemi e flet shkëlqyeshëm gjuhën serbe! Pastaj, tha se në “Vetëvendosje“ ka djem të mirë dhe të mençur, Shpend Ahmeti dhe Visar Ymeri duke ua futur pykën kësaj lëvizjeje. “Vetëvendosja“ nuk reagoi fare kundër Azemit. Po të fliste dikush tjetër menjëherë do ta trajtonin si antikombëtar, këlysh të Hashimit, kudër të Jahjagës, kushëri të Trajkoviqit apo kumbar të Toma Nikoliqit! Po më vjen keq por për shumë gjëra Azemi ka të drejtë!
4. Akademia e Shkencës dhe pleqtë e Muqibabës: Pata reaguar kundër mospunës, politizimit, klientelizmit, klanizimit, përzgjedhjes në bazë të meritokracisë dhe përjashtimit të intelektualëve të vërtetë e jo pse kam pasur diçka personale apo jam shtyrë nga dikush ta bëjë këtë. Reagimi ka qenë për Betejën e Kumanovës sepse nuk kam dashur të heshten faktet dhe të falsifikohet historia. Edhe kundër Institutit të fjetur të Historisë. Qartë kam thënë se jam kundër një Akademie që na ndërsenë kundër popujve tjerë dhe që nxitë urrejtje ndaj popujve tjerë. Një analist dhe poet që me pamje i ngjanë Dostojevskit pas shumë netëve pa gjumë, bixhozit pa fund dhe në përpjekje të shkruaj një roman më shumë për shlyerjen e borxheve ndaj botuesve dhe i cili përpiqet ta kopijojë këtë shkrimtar gjenial edhe me shkrime bjen në pozitën e Sinan Hasanit. As nuk di se çka shkruan dhe as nuk e kupton se ç’kanë shkruar të tjerët!
5. Hashim Thaçi është një dhe i pazëvendësueshëm. Improvizues më të madh nuk bënë më nëna në Kosovë. Nuk ka situatë që e gjuan në shpinë! Kur mendoni se e pati puna e tij, shfaqet edhe më i fortë! Në fushën e magjisë mbetet i pamposhtur Hudini si magjistari më i madh i tëra kohërave. Edhe Hashimi në hedhjen e margaritarëve. Merreni me mend këtë të fundit që u plasua si lajm në të gjitha mediet e shkruara dhe elektronike të Kosovës: ”kreu i Ekzekutivit Hashim Thaçi u takua dhe i ka njoftuar përfaqësuesit e vendeve të Quintit për takimket në Bruksel…”! Merreni me mend! Për takimet në Bruksel! Sa të painformuar janë shtetet e Quintit për takimet dhe bisedimet në Bruksel!!!
6. Petreus Qeflia dhe Ismet mafia: gjenerali Petreus dha dorëheqje për një lidhje jashtëmartesore. Me një bashkëpunëtore të tij për të cilën thonë se e joshi me trurin e saj e jo me trupin e saj! Keni kujdes! Me trurin e saj dhe jo me trupin e saj! Politikanët tanë janë shumë më praktik dhe pragmatikë. Ata joshen ekskluzivisht nga trupi i saj dhe jo nga truri i saj. Me ato të shumta që krijojnë lidhje jashtëmartesore. Politikanëve tanë (jo të gjithëve) truri nuk u bënë përshtypje sepse edhe vet e kanë si substancë deficitare. Por, ata nuk japin dorëheqje sepse e konsiderojnë se ky aktivitet u shkon me postin dhe se dalin leshko nëse nuk i kanë disa dashnore! Disa dashnore për të cilat Pikaso do të thoshte se janë ideale shkaku se: ”e kanë kokën bosh ndërsa xhemperin të mbushur plot”! Ismeti nuk ka dashnore por është bërë më i rrezikshëm se ata që i kanë nga dhjetë! Është radikalizuar shumë. Kam frikë se po pregatit një problem të madh! Tha se të majtët do t’i heq nga skena politike apo do t’i burgos ndërsa të djathtët do ta marrin pushtetin! Hashimin do ta dërgoi në shtëpi! Nëse bëhet ashtu, Ismeti do të mbetet pa parti! Do të mbetet vet kryetar, vet sekretar, vet kryesi etj.etj. Prandaj, një këshillë për mikun tim majtist Ismet Beqirin: ”ndale turrin o Ismet Burri se nuk ka vdekur jo, Bajram Curri”! Po e shihni edhe ju lexues të nderuar se kjo këshilla ime për Ismetin është një slogan patriotik dhe folklorik! Në frymën e festimit të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar!

………………………………….

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

SALUA DHE LULI I KANË BËRË GATI KURBANËT: 1000 DESH DHE 1000 QENGJA

DHE ËMBËLSIRËN: 4 TONË TORTE, PËR FESTËN E PAVARËSISË!

Kur kanë mbetur edhe dy javë nga dita e festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë, zbulohen edhe disa nga detajet me pikante të organizmit të kësaj feste për të gjithë shqiptarët. Ndryshe nga sa kanë festuar deri me sot shqiptarët më 28 Nëntor, qeveria (Sali Berisha) dhe Bashkia e Tiranës (Lulzim Basha) kanë vendosur t’i japin krejt ngjyra të tjera kryeqytetit, duke e zbukuruar me flamuj dhe simbole të tjera festive kombëtare. Festa në Tiranë pritet të fillojë në mesditë, pasi të jetë zhvilluar në qytetin e Vlorës, në orët e para të paradites ceremonia e ngritjes së flamurit në sheshin simbol të këtij qyteti. Më pas, e gjithë vemendja do të përqendrohet në Tiranë ku surprizat do të jenë të shumta. Mësohet së për festimin e 28 Nëntorit të 100 vjetorit të pavarësisë, qeveria do të therë 1000 desh dhe 1000 qengja dhe mishi i tyre i pjekur do tu serviret të gjithë shqiptarëve nga Shqipëria dhe mbarë trevat shqipfolëse. Gjithashtu mësohet se Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Lulzim Basha, kanë nisur punën për përgatitjen e një torte gjigante, e cila do të peshojë plot 4 tonë. Kjo tortë pritet të jetë ndër tortat me të mëdha të përgatitura ndonjëherë dhe për këtë shkak organizatorët e saj shpresojnë të futen në rekordet “Guinnes”. Kjo tortë gjigante, ashtu si dhe mishi i pjekur, do tu serviret të gjithë shqiptarëve që do të jenë pjesë e festimeve të 28 Nëntorit në Tiranë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura