Prishtinë, 19. 10. 2013 – (Shumë bandillë për një nuse të lodhur) – Prishtina dikur ishte një çapëkëne e bukur. Plot sharm dhe bukuri. Hapësira të bollshme gjelbërimi , ale me lule ku era e blinit t’i mbushte mushkëritë! Ajri nuk ishte i ndotur sepse edhe numri i makinave ishte shumë më i vogël. Teatri ishte përplotë ndërsa edhe kafenetë, më vonë kafeteritë ishin vendtakim dhe identifikim për të rinjtë e Prishtinës apo atyre që shkolloheshin në kryeqytetin e Kosovës. Kinematë Rinia dhe Vëllazërimi thuaja gjithmonë ishin të mbushura me dashamirë të filmit ndërsa edhe jeta sportive ishte shumë mirë e organizuar dhe Prishtina atëherë kishte sportistë me renome evropiane dhe botërore. Barometri i situatës politike, ekonomike, kulturore, artistike dhe sportive në Kosovë ishte rinia e Prishtinës. Rinia e Prishtinës dhe ajo e Kosovës që jetonte në Prishtinë ishte motori lëvizës për të gjitha proceset politike , zgjimin dhe emancipimin kombëtar si dhe aktivizmin qytetar! Adem Demaçi këtu e nisi maratonën e rrugëtimit të tij 29 vjeçar nëpër burgjet dhe llogoret e Jugosllavisë! Për lirinë dhe bashkimin e shqiptarëve. Në Prishtinë mbeten qindra e mijra varre ende të pazbuluara të patriotëve shqiptarë të pushkatuar te Strellishat në Tauk Bahçe me urdhër të Ali Shukrisë , OZNËS multietnike jugosllave, UDB-së si dhe strukturave tjera paraushtarake dhe policore! Bijtë e të cilëve sot, ose janë në pushtet ose janë shumë afër pushtetit! Janë përshtatur për mrekulli në rrethana të reja! Nga aristokraci e krimit janë shndërruar në një aristokraci të kamur materialisht dhe e rehabilituar kombtarisht! Tash jemi shumë larg Evropës dhe Evropa po na llogarit si mish të keq të saj. Si kancer! Mirëpo në fund të viteve të 60-ta Prishtina ishte pjesë e Evropës përmes përpjekjeve të rivendosjes së demokracisë dhe përmbysjes së diktaturës. Atëherë diktatura quhej vëllazërim-bashkim e më vonë socializëm vetqeverisës! Ate që e bënin studentët dhe rinia në Budapest, Vjenë, Romë, Paris, Bon, Londër etj.e bënin edhe studentët dhe rinia në Prishtinë, Tetovë, Shkup etj. Ate që bënin Vaclav Haveli apo Jan Palahu në Pragë e bënin Skender Kastrati, Xheladin Rekaliu, Afrim Loxha, Ilaz Pireva etj.në Prishtinë! Prishtina u bë qytet i idealeve të rinisë dhe epiqendër e revolucioneve të të gjitha sferave të jetës! Prishtina nuk e duronte robërinë, tiraninë apo gllabërimin e hapësirës së veprimit. Prishtina e paguante çmimin e kohës. Prishtina ishte qendër e aktivizmit qytetar ku , edhe me çmim të jetës kërkoheshin dhe mbroheshin të drejtat kombëtare dhe njerëzore! Ishin të lavdishme vitet e 70-ta., viti 1981. viti 1989 e sidomos vitet 1998 dhe 1999. Mirëpo, nëse Prishtina mbeti e virgjër në pastërtinë e saj deri në vitin 1989, në periudhën e viteve 1989 deri më 1998 u dhunua nga regjimi serb ndërsa nga viti 1999 deri më sot u dhunua dhe po dhunohet nga shqiptarët dhe kosovarët! Me ndihmën dhe përkrahjen e ndërkombëtarëve. Prishtina e viteve pra të 90-tave ishte tolerante, multikulturore dhe e pranueshme edhe për grupet e margjinalizuara. Një gej i atëhershëm ishte i respektuar nga prishtinasit dhe asnjëherë nuk është përndjekur për shkak të përkatësisë seksuale ndryshe. Ishte atraksion i vërtetë sepse nuk e fshihte identitetin e vet! Sot pjesëtarit e këtij komniteti ( LGBT ) përndiqen sikur në kohë të shtrigave! Qyteti i Prishtinës thjesht kishte hapësirë të mjaftueshme për të jetuar! I tërë parku vozitës i Këshillit Ekzekutiv nuk kishte më shumë se 36 vetura ndërsa përdorimi i tyre ishte rregulluar me ligj kështu që nuk ndodhte asnjëherë që veturat zyrtare të përdoren për nevoja private. Për blerje të turshive, transportim të dashnoreve apo trafikim të qenieve njerëzore siç ndodhë sot. Shumë shkurtimisht kjo ishte Prishtina e dikurshme. Sot Prishtina, jo që nuk është më e virgjër në pastërtinë e saj por është e ndotur në tërë pisllëkun e saj. Moral dhe politik! Hapësinor dhe arkitektonik! Për çudi, përkundër një mjedisi të kontaminuar po bëhen përpjekje që me të gjitha mjetet të fitohet ky bastion i përcaktimit dhe ndikimit politik për pjesët e tjera të Kosovës. Logjikisht ajo forcë politike që do ta kontrollojë Prishtinën, Gjilanin, Prizrenin dhe Pejën do të ketë nën kontrollë edhe Kosovën! Kjo mund dhe është superliga e ndikimit dhe forcës politike në Kosovë ndërsa këtij ndikimi mund t’i ndihmojnë edhe Ferizaj, Mitrovica, Gjakova , Skënderaj dhe Hani i Elezit! Këto i llogaris si pika strategjike dhe të ndjeshme sidomos në aspektin e përfitimeve ekonomike e që janë përcaktuese për zgjatje politike të jetës të kryetarëve apo subjekteve të tyre politike. Po kush janë bandillët që nuk joshen sot nga bukuria e Prishtinës ( sepse nuk e ka ) por duan por që duan të gjejnë strehë në gjirin e një lëneshe të lodhur por materialisht shumë të kamur ( me buxhet të madh )?!
1. Isa Mustafa, kryetar i LDK-së i cili ka fituar dy mandate dhe po e kërkon mandatin e tretë. Ishte njeri i hijes që nuk i ekspozonte ambiciet për t’u ngjitur në majat e pushtetit. Deri në çastin kur , falë gabimeve dhe lëshimeve që i bënte ish – kryetari Sejdiu , në një kuvend fer u zgjodh kryetar i LDK-së. Që nga atëherë po e forcon karizmën duke u mbështetur në “ gardën e elefantëve “të LDK-së të cilët, në fakt i ruajnë pozitat dhe privilegjet e përjetshme të tyre duke e përkrahur kryetarin e ri të kësaj partie siç e përkrahnin edhe kryetarin paraprak, z.Fatmir Sejdiu. Siç do t’i përkrahnin të gjithë kryetarët që do të vinin dhe të cilit nuk do t’ua rrezikoninin tapitë e pushtetit të përjetshëm! Ka trashëguar një kaos urbanistik dhe administrativ të cilin ka qenë e pamundur ta normalizojë! Sidomos me këto resurse me të cilat udhëheq! Nuk ka qenë i përkrahur sa duhet nga niveli qendror e as nga vet partia ! Kujtojini ndërskëmcat e pasuesve të Fatmir Sejdiut! Ka lëshime për kaosin në trafik mirëpo jo krejt përgjegjësia mund t’i adresohet atij. Sidomos te ndërtimi i rrethrrotullimit te Madh! Është një teknokrat tipik në praksë i cili shumë mirë po udhëheq fushatën parazgjedhore në Prishtinë. Ka një retorikë të ndërtuar mirë e cila është e strukturuar mirë prandaj edhe pranohet më lehtë. Po flet për gjëra praktike të cilat ka mundësi të realizohen dhe çdo kryetar edhe realisht do t’i realizonte! Ka një elektorat tradicional të Llapit dhe Gollakut përkrahës të betonuar të LDK-së. Po e përdor me mjeshtri kartelën politike të Him Govës duke e ruajtur kartelën personale. Në aspektin taktik i sjell përfitim për momentin ndërsa në planin strategjik e çon drejt falimentimit , edhe ate por edhe subjektin politik që e drejton! Mirëpo , jam i sigurt se do ta fitojë edhe një mandate për kryetar të Prishtinës, kësaj radhe me balotazh të cilin, me gjasë nuk do ta çojë deri në fund!
2. Agim Çeku, është person që kurrë nuk lëshon rrënja të thella partiake por gjithmonë është në maja të pushtetit apo afër tij. Rrugën drejt majave të pushtetit më shumë i hapin të tjerët se ai vet. Në shkallaren e ngritjes në karrierë ka qenë ma fat. Situatat e kanë favorizuar. Është person me karizmë të theksuar dhe disiplinë prej ushtaraku. Mund të llogaritet si hedonist por edhe konformist! Kandidimin e tij për kryetar të Prishtinës dikush e llogarit si aksidentale apo edhe përpjekje të PDK-së për mos ta fituar Prishtinën. Mirëpo nuk mendoj se është e rastit apo veprim i çastit aderimi i tij në PDK! Agim Çeku ka një të kaluar të shkëlqyeshme ushtarake dhe një karrierë të admirueshme tash në politikë! Përparësia e tij është se është politikan shumë social që nuk e përjashton bashkëpunimin me asnjë subjekt apo individ politik kundërshtar! E ka përkrahjen ndërkombëtare që në rrethanat aktuale në Kosovë është përparësi e madhe! Edhe ky ka një retorikë argumentuese dhe të pranueshme. Ka qenë ushtarak i karrierës dhe edhe si politikan ka mbetë i tillë! Shumë vonë ka hyrë në garë për Prishtinën dhe sukses i tij i madh mund të llogaritet nëse hynë në balotazh! Apo nëse arrinë që të rrisë numrin e asambleistëve të PDK-së në Kuvendin e Prishtinës. Mendoj se ky është dashur të jetë edhe qëllimi kryesor i PDK-së në këto zgjedhje komunale. Sepse , PDK kësaj radhe nuk ka investuar sa duhet në përpjekje për ta fituar garën për Prishtinën. Ndërkaq, që mundësitë dhe gjasat kanë qenë shumë të mira! Ka dilema nëse Agim Çeku njëmend është kandiduar për të fituar apo është ofruar si zgjidhje për uljen e tensioneve midis kandidatëve që një kohë të gjatë kanë bërë luftë të brendshme për të fituar kandidaturën e partisë për të parin e Prishtinës! Dhe shtrohet pyetja se a është Agim Çeku kokë turku?! PDK duhet të mendojë qysh tani për kandidatin e saj për zgjedhjet e ardhshme për kryetar të Prishtinës! Dhe të përgatitet seriozisht për këtë!
3. Shpend Ahmeti është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje që ka kapacitet intelektual, politik dhe profesional për ta udhëhequr Prishtinën. Për dallim të dy kandidatëve tjerë, Isës dhe Agimit ai ka një mungesë të të qenit karizmatik. Edhe retorikën e ka shumë të “ butë” për rrethanat tona. Nuk e ka të integruar në këtë retorikë popullizmin si “ çelës “ të suksesit thuaja për të gjitha zgjedhjet në Kosovë! Ka bashkëpunuar shumë me ndërkombëtarë por duket se nuk e ka përkrahjen e tyre. Është në një senduiç të “rrezikshëm “ midis të qenit kombëtar sipas detyrës zyrtare në VV dhe brendisë së tij prej kozmopoliti dhe pjesëtar i një qytetarie e cila te ne ende nuk ka zënë vend! Në një vend me demokraci të konsoliduar Shpend Ahmeti do t’i hante për mëngjesë Isën dhe Agimin ndërsa në këtë demokracianë xhingiskançe në Kosovë maja e suksesit të tij do të jetë balotazhi eventual! Sepse, edhe nëse hynë në balotazh me Isa Mustafën gjasat e tij për të fituar janë të barabarta me gjasat e mia të zgjidhem nënpresident i Behgjet Pacollit! Shpend Ahmeti do ta paguajë çmimin apo më mirë të them dënimin e sjelljeve të subjektit politik kandidat i së cilës edhe është, VV. Të gjitha subjektet e tjera politike në balotazhin eventual do të bëheshin bllok kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit të saj! Prandaj Shpend Ahmeti nuk do të kalojë në këtë garë përkundër cilësive që i ka! Po të ishte VV më bashkëpunuese me subjektet tjera politike gjasat e Shpend Ahmetit për kryetar të Prishtinës do të ishin shumë më të mëdha!
4. Besnik Tahiri i pari ka bërë të ditur kandidaturën për kryetar të Prishtinës. Dhe, pa dyshim ka qenë më aktivi. Përparësi e madhe e tij është se e njeh shumë mirë funksionimin e pushtetit lokal që është parakusht për një qeveerisje të mirë! Është i afërt me të gjithë , flet mirë dhe nuk është përjashtues! Mirëpo AAK nuk ka kapacitete në Prishtinë që do të siguronte kandidatin e tij që në zgjedhjet e 3 nëntorit të ndjehet komod duke shpresuar se do ta fitojë garë për kryetar. Moto e tij duhet të jetë moto e Olimpiadës:” është me rëndësi pjesëmarrja….” Besniku pa dyshim ka ardhmëri në politikë. Mosha e tij , përvoja dhe profesionalizmi mund t’i ndihmojnë në të ardhmën. Kur në Kosovë do të vijnë ditë më të mira!
5. Korab Sejdiu ka hyrë në politikë shumë shpejt dhe ka zgjedhur adresën e gabuar. Sepse subjekti i ”tij“ AKR, pas një lindjeje të lehtë duket se do ta ketë një fund të vështirë dhe të dhimbshëm. Inatet personale në politikë nuk sigurojnë sukses. Përkundrazi! Inatet në bashkëdyzim me hakmarrjen janë vdekje politike për bartësitë e tyre! Korab Sejdiu si kandidat i pavarur do të ishte shumë më bindës dhe i pranueshëm në këtë garë. Dhe do të kishte shumë më tepër gjasa për fitore eventuale. Kështu, nëse asgjë tjetër , gjatë kësaj fushate , duke hecur ka fituar kondicion fizik dhe ka takuar njerëz që në rrethana të mëparshme të jetës së tij nuk do t’i takonte kurrë! Është i ri!
Këta kandidatë kanë edhe mangësi të theksuara mirëpo kësaj radhe nuk u mora me to! Krejt në fund mendoj se Isa Mustafa do të dali fitues në këto zgjedhje! Pa ndonjë problem të madh!