BEJTUSH ISUFI: CILA ISHTE PËRGJIGJIA E SOVRANIT NË KËTO ZGJEDHJE

Prishtinë, 17 qershor 2017: Duke përcjellur komentet, analizat dhe deklarimet e partive politike në Kosovë pas zgjedhjeve, lehtë mund të kuptohet se sa pak peshon fjala e sovranit në të gjitha këto interpretime.
Të ardhur nga një e kaluar pa kulturë demokratike, të mësuar që vullneti i qytetarit të nëpërkëmbet dhe tjetërsohet dhe në rastin më të mirë të zbatohet vetëm sa për « sy e faqe » edhe pas këtyre zgjedhjeve ata që janë mësuar tashmë të manipulojnë jo vetëm opinionin e qytetarin, por edhe votën (vendimin) e tij i janë qasur mediumeve dhe interpretimeve me të cilat duan të na bindin për faktin e kryer se rezultain e zgjedhjeve mund ta deformojnë si të duan, ndërsa sovrani deri në zgjedhjet e ardhshme mund ta vazhdojë gjumin.
Këto interpretime të Kushtetutës dhe përgjigje qytetare kanë të bëjnë në rradhë të parë me faktin se kush është fitues i zgjedhjeve, dhe cila ishte përgjigjja dhe kërkesa e sovranit në këto zgjedhje.
E para, në kuptimin formalo juridik është e pakontestueshme se gara zgjedhore sipas ligjit në fuqi ishte në mes subjekteve zgjedhore, qofshin këto parti apo koalicione, por rezulati që mund të parashihet tashmë duhet të «lexohet» në mënyrë korrekte nëse dëshirohet të respektohet vota qytetare apo porosia e sovranit.
Fatekeqësisht, përderisa Serbia e dërgon delegacionin e saj në Kuvendin e Kosovës ( Lista Srpska) çështja e legjitimitetit të përfaqësuesve shqiptarë duhet të matet dhe konsatohet ndaras përqindjeve që u përkasin pakicave. Si u përcaktuan qytetarët e Kosovës në këto zgjedhje dhe kënd e pëkrahën dhe ftuan ti përfaqësoj dhe kënd e kundërshtuan ?

Ata që e kanë vullnetin për të kuptuar të vërtetën me një lexim sipërfaqësor të përqindjeve të listave dhe votave të kandidatëve mund të kuptojnë dhe shohin qartë se vota negative është për qeverisjen e kaluar dhe specifikisht për PDK-në dhe lidershipin e vjetër të LDK-së, ndërsa një votë pozitive për të tjerët, në masën që e tregojnë qartë përqindjet. Edhe më shkurt e më qartë, vota e shumicës shqiptare ka anuar kah opozita në tërësi, prandaj le të jetë e qartë se cila është porosia e sovranit dhe pastaj doemos do të bëhet e qartë edhe çfarë do të na nxjerrin kuzhinat e lidershipit të partive.
Të mos harrojmë se shëndeti i një politike ndryshe quhet legjitimitet i përfaqësimit, prandaj asnjë «akrobacion» juridik nuk mund ta mbuloj mosnjohjen dhe shkelejen e vullnetit qytetarë, prandaj në vend të lodhjes së opinionit me «analiza» do të duhej të artikulohej qartë zëri i sovranit për ta parë pastaj po ashtu qartë dëshirën e gjithë atyre që i janë qasur lojës me vullnetin e tij. Dhe kjo lojë arsyetohet me legalitetin përkatësisht procedurën juridike, e cila shpesh bëhet qëllim në vete. Kuptohet se vendimet duhet të jenë në pajtim me normën juridike në fuqi, por zbatimi i kësaj norme i ka kufijtë e sajë, pra në mos deformimin e vullnetit politik të votuesit. Nuk mundet të respektohet legaliteti duke e shkelur legjitimitetin, përkatësisht nuk mundet të respektohet forma duke e mohuar përmbajtjen, nuk mund të thirresh në shkronjën e Kushtetutës duke mohuar frymën e po të njëjtës kushtetutë, ndërsa nëse këto dy vlera mund të kenë çfarëdo shpërputhje në mes tyre atëherë duhet të pyetet përsëri qytetari që të rivendos harmoninë në mes tyre.
Mund të thuhet se në historinë e shkurtër të Kosovës asnjëherë nuk ka qenë më e qartë kërkesa për ndryshime. Kjo kërkesë dhe votë e rinisë dhe për rininë është votë për këndellje, reflektim dhe përvojë demokratike, prandaj të mos hargjohet kot hiri duke na e hedhur syve.

Duke pasur një proces të rregullt zgjedhor dhe besimin e kurajon e fituesve se gjendja mund të përmirësohet me votën e tyre, elita politike do të duhej të dëgjonte me vëmendje dhe respektonte këtë vullnet edhe si vullnet suprem të saj, sepse Vox Populli është edhe Vox Dei.

Për ta kuptuar më së miri se si respektohet legjitimiteti apo përkrahja qytetare do të mjaftonte ta kuptonim arsyejen e takimit të ambasadorit të SHBA-së udhëheqjen e VV-ës.

Ata që e kanë harruar largimin masiv të qytetarëve të Kosovës para tre viteve le ta marrin mundin dhe të dalin e ti shohin rradhët e gjata të të rinjëve para ambasadave në Prishtinë dhe ta kuptojnë se aty është ende hija e tij. Prandaj me gishtin në kokë dhe dorën në zemër të ecet drejtë përtrirjes së legjitimitetit të institucioneve, sepse mbi pasionin e pushtetit duhet të jenë interesat legjitime dhe të përjetshme të vendit tonë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura