BESA E DHËNË NË PASHTRIK SE PA I ÇLIRUAR TË GJITHA TROJET E OKUPUARA NUK DO TË NDALEMI PASKA QENË GËNJESHTËR! (VIDEO)

Në 24 vjetorin e Operacionit të UÇK-së „Shigjeta“ në Pashtrik, maj – qershor 1999

BESA E DHËNË NË PASHTRIK SE PA I ÇLIRUAR TË GJITHA TROJET E OKUPUARA NUK DO TË NDALEMI PASKA QENË GËNJESHTËR! (VIDEO)

Nga Besim Muhadri, New York, verë 2011 / Pashtriku – 29 prill 2023 /

Intervistë me Fatmir Fejzullahun (Mjakun), ish ushtar i Batalionit “Atlantiku” (SHBA)

Edhe pse pata shumë mundësi ta marrë nënshtetësinë e Kosovës, nuk e bëra këtë vetëm e vetëm të mos ia kthej shpinën Shkupit tim që po shitet pëllëmbë për pëllëmbë, sepse fjalët në Pashtrik dhe besa e dhënë, se për pa i çliruar tëra trojet që kanë mbetur peng në dorë të shkjaut nuk do të ndalemi, paskan qenë gënjeshtër.  Unë këtu akoma po e zhvilloj atë luftë, por kësaj here pa zë, sepse edhe vetë Batalioni im nuk ka treguar vullnet të më dëgjojë. Batalioni im nuk e di se tani unë, pos shkjaut, jam i rrezikuar edhe prej shqiptarëve, të cilët janë përpjekur t’ua marrin fëmijëve të mi edhe bukën e gojës, vetëm e vetëm se unë nuk po pajtohem se si ka mundësi të mposhten maqedonasit në vitin 2001 dhe nga ana tjetër të na sundojnë në mënyrë edhe më perfide se para atij viti, thoshte Fatmir Fejzullahu, ish ushtar i Batalionit “Atlantiku” dhe bashkëluftëtar i Zahir Pajaziti e Salih Çekut…

***

Projekti për librin kushtuar aktivitertit të Fondit “Vendlindja thërret” në SHBA

Në vitin 2011 pata filluar një projekt për të shkruar një libër për aktivitetin e Fondit “Vendlindja thërret” në SHBA, që ishte iniciativë e zotit Shefki Mexhuani, njërit nga themeluesit e këtij fondi, përkatësisht drejtor ekzekutiv i këtij Fondi, por që për shkaqe kohe dhe të tjera nuk është finalizuar ende. Në verën e atij viti (2011) pata bërë disa intervista me themelues dhe aktivistë të këtij fondi, por edhe me ushtarë të batalionit “Atlantiku” në mënyrë që të kompletoja librin. Në mesin e atyre që pata intervistuar në atë kohë, kishte edhe ushtarë të cilët sot jetojnë në Nju Jork dhe shtete të tjerë të SHBA-së, mirëpo edhe me ushtarë të këtij batalioni të cilët sot jetojnë në Kosovë, apo në vise të tjera ku jetojnë shqiptarët. Në mesin e atyre që kisha intervistuar (kuptohet përmes postës elektronike) ishte edhe Fatmir Fejzullahu – Mjaku, një intevistë e cila në atë kohë më pat lënë përshtypje të jashtëzakonshme dhe e pata fiksuar si të tillë. Unë nuk e njihja Fatmirin, mirëpo për realizimin e disa intervistave e pata autorizuar Adrian Grajçevcin, i njohur me nofkën “Gjyshi”, i cili jeton dhe vepron në Nju Jork, ndërsa gjatë kohës së luftës në Kosovë kishte qenë pjesë e Batalionit “Atlantiku” dhe pjesë e komandës së batalionit. Adrianit ia pata dhënë pyetësorin, të cilin e pat shpërndarë tek ushtarët e Batalionit.

Vdekja e Fatmir Fejzullahut – Mjaku

Meqë ka kohë që nuk jam marrë me projektin për “Fondin Vendlindja thërret”, gjatë këtij muaj (janar 2016) ju ktheva për ta lexuar materialin e mbledhur dhe prapë u ndala tek intervista me ish ushtarin e Batalionit, Fatmir Fejzullahu – Mjaku. Dhe, duke menduar që të gjeja informacione më të thella në internet për këtë njeri, intervista me të cilin më kishte lënë për të kuptuar shumë gjëra, hasa në një lajm të dhimbshëm, që tregonte se ai kishte vdekur më 14 tetor 2015. Dhe ja çka shkruante, në mes tjerash, në këtë lajm të Klan Kosovës dhe të të gjitha portaleve shqip:

“Ish-bashkëluftëtari i komandantit legjendar Adem Jashari, ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë. Përkundër se Mjaku pak njihet, me dëshirën e tij kjo, ai ishte edhe në mesin e 52 personave të parë që i mbaruan stërvitjet ushtarake në Shqipëri, bashkë me Adem Jasharin.

Më pas Mjaku ka shërbyer edhe në njësitin shqiptaro-amerikan Atlantiku, në Koshare.

Ushtarak, roker dhe njeri i shkencës, pas përfundimit të luftës Mjaku, jo si shumë të tjerë, nuk u bë pjesë e strukturave politike, por vazhdoi punën e tij si njeri i dijes, duke kontribuar në profesionin e tij – profesor.

Për babin e dy fëmijëve, nuk u organizua kurrfarë ceremonie nga institucionet e Kosovës, për t’iu falënderuar për kontributin e madh dhënë për çlirimin e Kosovës”.

***

Pas leximit të këtij lajmi u preka shumë. Më erdhi shumë keq që nuk kisha arritur ta kontaktoja edhe pas kësaj interviste. Prandaj, për të përkujtuar punën dhe veprën e këtij luftëtari dhe intelektuali, po e botoj në tërësi intervistën të cilën e pata siguruar në verën e vitit 2011.

***

INTERVISTË ME FATMIR FEJZULLAHUN

Në pyetjet e mia se kush ishte Fatmiri, cili ishte aktiviteti i tij dhe të tjera, ai më përgjigjej fillimisht kështu, sa për të dhënë një portret të shkurtër për veten:

Gazetarët e CBS News ma dhanë një kamerë profesionale gazetare të cilën ia dhash Florim Lajçit

B.Muhadri: Kush është Fatmir Fejzullahu, a mund të na jepni një letërnjoftim të shkurtër?

Fatmir Fejzullahu-Mjaku: “Quhem Fatmir Shukri Fejzulla (Mjaku). Kam lindur më 27.08.1954 në Shkup. Ndërsa në SHBA kam shkuar më 1997. Kam jetuar në Manhattan, New York, ndërsa pas përfundimit të luftës kam vendosur të qëndroj në vendlindjen time në Shkup dhe t’i përkushtohem profesionit tim të mësuesit. Jetoj në Shkup (më shkruante atëherë Fatmir Fejzullahu- Mjaku, tash i ndjerë).

Dhe pasojnë pyetjet në vazhdim:

B.Muhadri: Kur jeni aktivizuar në Batalionin “Atlantiku”?

Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Më 1999.

B.Muhadri: Kur shkuat në Shqipëri me Batalionin Atlantiku?

Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Më duket aty nga fillimi i Prillit (kam harruar saktësisht se kur).

/ Shënimi i redaksisë së pashtrikut: “Më 17 prill 1999 (ditë e shtunë) Batalioni Atlantiku ka udhëtuar me Aeroplan nga Peterson, New Jersey, SHBA – John F. Kennedy Airport, New York, SHBA – Aeroporti i Rinasit, Tiranë, Shqipëri.” Dëshmi nga libri i Uk Lushit – Batalioni Atlantiku. Prishtinë 2001, faqe 84/

B.Muhadri: Keni një fotografi të ushtarit?

Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Vetëm po të kenë shokët e batalionit, se unë nuk kam pasur aparat apo kamera.

Udhëtimi nga SHBA-ja për në Shqipëri

B.Muhadri: A ju kujtohen momentet e para të zbritjes në tokën shqiptare me rastin e shkuarjes me Batalionin “Atlantiku” nga SHBA-ja dhe cilat ishin përjetimet tuaja (përshkruani me pak fjalë ato përjetime?

Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Po, që nga aeroporti Rinas e deri në fund të qëndrimit në malin Pashtrik. Prej Rinasit ikëm për në Durrës, ku tek restoranti “Drenica”, aktivistët e logjistikës së UÇK-së na e shtruan një drekë. Menjëherë vluan gazetarët nga mbarë bota, ndër to edhe më prestigjiozet amerikane, angleze, franceze, spanjolle, turke dhe shumë të tjerë, të cilët nëpërmjet të pyetjeve të tyre, e regjistruan entuziazmin dhe vendosmërinë e fuqishme të vullnetarëve të Amerikës, për t’u dalë zot trojeve të tyre etnike. Meqë unë isha atë kohë zëvendëskomandant i admiralit, z. Skënder Doçi, veteran i Marinës shqiptare, me mbi 40 vjet shërbim, m’u afruan gazetarët e CBS News dhe ma dhanë një kamerë profesionale gazetare e m’u lutën që unë me vullnetarët të mbajmë një ditar vizual dhe sapo të kishim regjistruar ndonjë material përmbajtës në kohën kur do të futeshim në betejë ballë për ballë, t’ua dërgonim këto regjistrime nëpërmjet të ushtarëve, të cilët do ta kishin për detyrë me orar të na sjellin pajisje dhe ushqim. Unë e pranova kamarën dhe e autorizova Florim Lajçin të xhirojë, se e pashë që kjo punë i shkon për dore. Mirëpo, nga shkaku i mosnjohjes të së kaluarës time dhe nga injoranca primitive e disave nga logjistika e batalionit, të bartur me ide se unë mbase do të kisha qenë ndonjë spiun serbi, a ku e di unë çka, shprehën një pakënaqësi dhe nxitën midis shumë vullnetarëve dyshime dhe urrejtje ndaj meje. Këta nuk e dinin se unë kisha dosje të pasur atdhedashurie. Ata pse e njihnin njëri-tjetrin mendonin se vetëm ata po flijohen për Kosovë, e për mua nuk e dinin se sa zhavorr atdhedashurie ua kam shtruar deri sa ata të rriten, të bëhen synet, të piqen dhe t’i marrin pushkët dhe të luftojnë krah për krah me mua. Megjithatë në fund të luftës u joshën pikërisht edhe me dëshmitë e shumta nga ajo kamerë.  Të tjerat ua rrëfejnë vullnetarët tjerë.

Nga zëvendëskomandanti i admiralit Doçi, ushtar i thjeshtë i Batalionit

B.Muhadri: Nëse ju kujtohet, na tregoni se në cilat vende keni stërvitur dhe kush ishte udhëheqës i stërvitjeve (ushtrimeve ushtarake)?

 Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Siç e përmenda më lartë, duke qenë zëvendës i z. Doçi, prej Durrësit ikëm në Kavajë të Durrësit, ku në plazhin pas hotelit në të cilin qëndronim, nën komandën time dhe mbikëqyrjen e z. Doçi, i mësonim rregullat e rreshtit dhe mbajtja dhe mirëmbajtja e armatimit, në këtë rast KA 47, që për vullnetarët e Amerikës, të cilët ishin lindur atje, apo kishin shkuar krejtësisht të vegjël, pa e kryer shërbimin ushtarak në ish Jugosllavi, nuk kishin njohuri për të. Në Kavajë nuk kishim shumë nga kallashnikovët, por vetëm disa sa për të demonstruar gjatë stërvitjeve.  Aty pak para përfundimit të qëndrimit në Kavajë i dëgjova nja tre katër vullnetarë, të cilët po shprehnin pakënaqësi që ishin nën komandën time, sepse paskam qenë, siç e dëgjova mirë njërin, i Makadonisë (pra jo i Maqedonisë). Me ta dëgjuar këtë iu drejtove z. Doçi dhe u tërhoqa prej komandimit, shkova thjeshtë ushtar në fund të njërës skuadër. 

Që nga kjo ditë fillova të kënaqem me bashkëluftëtarët e mi si me vëllezër dhe me dëshirë të madhe për të hyrë në Kosovë. Prej Kavajës ikëm për në Burrel.  Pas komandimit tim u ndërruan gati të gjithë me radhë pas meje duke marrë detyra komandimi dhe të gjithë e shijuan përvojën time.  Më në fund i caktuan disa komandantë kryesisht me prejardhje drenicase e gjakovare, të cilët vetëm figuronin ashtu, se asnjë gjë nuk mësuan vullnetarët nga ta, po sikur më në fund erdhën ushtarakët profesionalë nga Akademia e Bashkuar e Tiranës. Me këta patëm stërvitje intensive deri në ditën që u nisëm në malin Pashtrik. Megjithëse për një kohë tepër të shkurtë, vullnetarët mësuan shumë nga këta oficerë shqiptarë.  Dëshpërimi më i madh këtu qe kur e morëm vesh se “Atlantiku” na qenka vetëm një batalion sa për t’i vënë pakëz kozmetikë kësaj lufte për çlirim dhe liri. U bë bujë e madhe dhe gati u vetorganizuam për të hyrë në Kosovë.  Mirëpo presioni ynë dha rezultat.  Prej këtu e tutje ua rrëfejnë të tjerët.

B. Muhadri: Kur shkuat në Pashtrik, cila ishte data dhe në cilat aksione morët pjesë?

Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Nuk më kujtohet data (Batalioni Atlantiku, më 19 / 20  maj 1999 nga Burreli udhëtuan për në Helshan, afër zonës kufitare në Pashtrik – shënimi i redaksisë) dhe aksioni kryesor ishte depërtimi kah territori i Kosovës, e cila gjë shkonte shumë më ngadalë seç e kisha përfytyruar unë, nga shkaku se forcat serbe shtinin pandërprerë në drejtim tonin me tërë potencialin e armëve të artilerisë, të të gjitha kalibrave që kishin, e kjo e kryente efektin e vet. Nga ana tjetër kishte shumë lokacione të mbjella me të gjitha llojet e minave dhe soditja e snajperistëve serb. Thënë troç, ishim në pozitë të jemi më tepër pre për t’u asgjësuar, sesa për ta asgjësuar dikë. Nga vdekja dhe lëndimet kanë shpëtuar vetëm ata luftëtarë që kanë pasur sadopak përvojë ushtarake (përfshirë këtu edhe disa prej tyre që më rreshtuan si i Makadonisë, të cilët as gishtin e vogël të këmbës nuk e futën në Pashtrik), sepse siç kalkulonim atëherë, në Pashtrik duhej të kenë luftuar mbi 2000 luftëtarë, pos “Atlantikut” edhe shumë nga diaspora e Evropës e gjetiu.

B.Muhadri: A mund të na përshkruani atmosferën e ushtarëve në Pashtrik apo aty ku keni qenë ju?

Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Me që kam pak përvojë rreth këtyre përjetimeve edhe prej më parë, kam qenë i përgatitur për shumë lloj dukurish, mirëpo më të shpeshtat në të cilat kam hasur edhe më parë janë këto dy dukuri, njëra e dashur, ndërsa tjetra e hidhur.  Unë do t’ i përmend këto të dyja:

E para është kënga e krenarisë në mal të betejës, kur pushojnë të shtënat dhe ulemi në një rreth të strehuar dhe ua marrim këngëve të krenarisë kombëtare, kur edhe gjithmonë qëllon aty ndonjë me çifteli a tjetër instrument. Në rastin tonë e patëm fatin që e kishim Besim Muriqin, i cili  me këngën dhe me tingujt e çiftelisë e zbulonte tej mase entuziazmin dhe kënaqësinë e vullnetarëve, të cilëve u ishte dhënë mundësia ta kenë nderin pët të shkrepur një plumb për Kosovën.

E dyta është ajo që ta rrëqeth trupin. Midis atyre që rrokin armët, disa i rrokin pse i ka rrokur edhe kushëriri. Mirëpo në mesin e luftëtarëve tjerë që kanë rrokur armët fill vetë, këta hiqen si kapadainj dhe flasin e sillen në mënyrë të pahijshme, madje brutale.  Pos faktit që ishim të armatosur të gjithë bukur mirë dhe kishim ardhur të shtimë drejt armikut, e jo mes veti, ata kushërinjtë harrojnë se ky me që ka ardhur këtu për t’i lënë mundësisht edhe kockat, nuk e llogaritnin se s’u frikohet fare, kështu që vinte rasti ndonjëherë të ndërhyjmë që të mos ndodhë më e keqja, e që njëkohësisht ishte edhe më e turpshmja.  Kënaqësi të veçantë dhe nder të madh kam pasur që luftova krah për krah me vullnetarët nga Malësia e Madhe.  Ata për mua qenë një retrospektivë e gjallë për tërë atë që e kam lexuar vite më parë për trimërinë e tyre.

B.Muhadri: A ju kujtohet ndonjë ushtar që nuk ka qenë ushtar i batalionit ATLANTIKU dhe që ju e keni takuar aty, nëse po, na tregoni emrin apo emrat e atyre?

Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Po si jo, ishin çuna dhe vasha të rinj e të reja, të bukur e të bukura, të edukuar e të edukuara, inteligjentë e inteligjente, të sjellshëm e të sjellshmme, patriotë e patriote, trima e trimëresha dhe të vendosurë të vendosura, si Memli Muhaxheri, Arsim Bruçaj, Fehmi Vokshi, Panariti (mbiemri s’po më kujtohet) dhe dy vajza që nuk po ua mbaj në mend as emrin e as mbiemrin.

Në Pashtrik e kam kuptuar se si do t’i vendosin raportet shqiptarët midis veti në Kosovë

B.Muhadri: Si kanë qenë raportet në mes ushtarëve?

Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Unë kam pasur raporte të mira gati me të gjithë, me përjashtim të një ndjenjeje për disa, të cilët sikur më merrnin me neveri. Arsyen e dija. Që në Pashtrik e kam kuptuar se si do t’i vendosin raportet shqiptarët midis veti në Kosovë, por edhe si popull në përgjithësi. Këtu qëndron problemi edhe me mua. Meqë unë isha një ndër ata që isha stërvitur në vitin 1991 në Malin Dajt të Tiranës së bashku me, tani të ndjerët, Zahir Pajazitin, Sali Çekun, Ahmet Hoxhën, etj., për ambientin patriotik të kushteve të reja politike, pas Rambujesë, nuk më shikonin si një luftëtar që ka ardhur për ta dhënë kontributin e tij për çlirimin e tokës së stërgjyshërve të tij (të gjithë e dinin se edhe nga babai e edhe nga nëna jam me prejardhje prej Kaçanikut), por sikur më shikonin si LDK, që s’kishte kurrfarë lidhje, sepse siç e përmenda më lart, qysh në Dajt të vitit 1991, që ishte një organizim kryekëput nga LDK e Kosovës dhe PPD-së së Maqedonisë, i pash ata patriotë shqiptarë që herët planifikonin (akoma pa e nisur luftën për çlirim të Kosovës) t’i hartojnë planet e veta për ta materializuar mundin e vet, kuptohet nëpërmjet mekanizmave të logjistikës.  Pra e mbaj mend se edhe ata të 91-shit nuk më donin fort e fort, se unë e flas të vërtetën më herët se duhet, kështu së paku më thonë disa njohës të mirë të situatave si puna jonë.  Kur e fitova të njëjtën ndjenjë edhe më 99-ën, për mua tashmë epilogu ishte i njohur dhe çdo gjë që ka ndodhur në Kosovë dhe më vonë edhe në Maqedoni, nuk më ka befasuar më fare.  Bile kam qeshur kur e kam kuptuar përfundimisht para dy-tre vjetëve, se për stërvitjet në Dajt të Tiranës kishin pasur njohuri të gjithë funksionarët më të lartë të Republikës së Maqedonisë, si Kryetari i Republikës, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, Ministri i Brendshëm, Ministri i Mbrojtjes dhe praktikisht të gjithë deputetët maqedonas. Përndryshe raportet midis ushtarëve tjerë kanë qenë relativisht të mira, pos atje në Burel dhe për këtë ju tregojnë të tjerët.

B.Muhadri: Gjatë zhvillimit të luftimeve çka keni përjetuar, cilat ishin përjetimet tuaja? Cili ishte momenti më i vështirë?

Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Për mua rasti më i prekshëm dhe që e kam përjetuar vështirë është ai kur u plagos Haxhi Dervisholli, të cilin e kam pasur 9-10 metra larg nga çerdhja ime e zjarrit. Mirëpo e mbaj mend edhe një natë të ftohtë në maje të Pashtrikut, kur një luftëtar nga Hasi i Prizrenit i kishte hetuar serbët, të cilët kishin planifikuar të na befasojnë me një sulm nate. Mirëpo ky ishte një luftëtar me përvojë. Më duket se e quanin Nexhmedin (është fjala për Nexmedin Berishën nga Rogova e Hasit, plotësimi im. B. M).  Serbët e kishin vërejtur dhe e kishin plagosur në gju.  Ky arriti t’u ikte dhe erdhi tek vendi ku ishim ne të Atlantikut. Disa u përkujdesën për të, ndërsa ne të tjerët i morëm pozicionet. Serbët nuk u shfaqën kurrë. Megjithatë, ajo natë qe jashtëzakonisht e ftohtë.

B. Muhadri: Pas përfundimit të luftës, kur hytë në Kosovë?

Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Unë në Kosovë u ktheva menjëherë pas aty afër dy javëve, kur edhe e nisa kontratën me KFOR-in si përkthyes i ushtrisë amerikane.

B. Muhadri: Si përjetuat në Kosovë? Si u ndiet?

Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Nuk mundem t’i gjej fjalët për ta përshkruar atë kënaqësi. Në Kosovë më s’kishte serb për mejdani, refugjatët po ktheheshin me gëzim, rrugët ishin plot e përplot me rini të buzëqeshur, bile edhe ushtria amerikane kënaqeshin, megjithëse akordonin orë policore dhe se probleme paraqiteshin gjithandej.  Rrafsh një lumturi e përsosur. Edhe unë personalisht kam pasur kënaqësi të papërshkrueshme, sidomos kur shkoja në Kaçanik tek më të afërmit e mi.

Shkupit tim po i vjen erë dështimi kombëtar

B.Muhadri: Kur jeni kthyer në Amerikë dhe cilat ishin vështirësitë  e kthimit tuaj?

Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Unë më asnjëherë nuk jam kthyer në Amerikë. Tani jetoj dhe punoj në Shkup. Jam mësimdhënës i gjuhës shqipe dhe gjuhës maqedonishte në një shkollë tetëvjeçare.

B.Muhadri: Cila është sot pozita e luftëtarëve të Batalionit  “Atlantiku”  në SHBA dhe sa është vlerësuar kontributi i tyre, qoftë në Amerikë ku jetojnë, qoftë në Kosovë, për të cilin ju dhatë kontributin Tuaj?

Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Nuk kam njohuri, pos nëpërmjet të kontakteve të rralla me disa bashkëluftëtarë, prej të cilëve e kam kuptuar se janë bukur të përçarë, për të cilën gjë edhe më vjen shumë keq. Pse do ta besoja këtë, pos të mos bindesha edhe vet, kur në disa raste kanë ardhur disa veta në emër të Shoqatës “Atlantiku” dhe kanë vrapuar të takohen me tani të ndjerin, Presidentin Ibrahim Rugova, me Hashim Thaçin, me Jakup Krasniqin, Fatmir Limajn, etj. Dhe nuk gjetën kohë të pinë një kafe me ata që i kishin ndarë çastet më të vështira, por edhe çastet më të lavdishme atyre ditëve në Pashtrik.  Në pranverën e 2009-shit, me rastin e 10-vjetorit të marshimit të batalionit “Atlantiku” në Pashtrik, qe organizuar një gjiro e gjatë nëpër Shqipëri e Kosovë.  Unë nuk isha i ftuar me pretekst se gjoja nuk kanë pasur mundësi të vënë kontakt me mua, mirëpo unë e kam pasur të qartë arsyen.  Këtë e kuptova nga mediumet.  U mendova gjatë t’i takoj apo jo dhe më në fund vendosa dhe i takova në Kosovë, vetëm për hir të kujtimeve dhe distancës kohore, se kushedi në do të jem gjallë për 20 vjetorin a jo.

***

DOKUMENTAR – BATALIONI “ATLANTIKU” 25.10.2019

***

TELEREPORTAZH-KRESHNIKËT E UÇK së

***

B.Muhadri: A keni për të shtuar ndonjë koment, nëse po, atëherë na thuaj?

Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Kam dëshirë ta njoftoj Batalionin “Atlantiku” se unë Fatmir Mjaku, edhe pse pata shumë mundësi ta marr nënshtetësinë e Kosovës, nuk e bëra këtë vetëm e vetëm të mos ia kthej shpinën Shkupit tim që po shitet pëllëmbë për pëllëmbë, sepse fjalët në Pashtrik dhe besa e dhënë, se për pa i çliruar tëra trojet që kanë mbetur peng në dorë të shkjaut nuk do të ndalemi, paskan qenë gënjeshtër.  Unë këtu akoma po e zhvilloj atë luftë, por kësaj here pa zë, sepse edhe vetë Batalioni im nuk ka treguar vullnet të më dëgjojë. Batalioni im nuk e di se tani unë, pos shkjaut, jam i rrezikuar edhe prej shqiptarëve, të cilët janë përpjekur t’ua marrin fëmijëve të mi edhe bukën e gojës, vetëm e vetëm se unë nuk po pajtohem se si ka mundësi të mposhten maqedonasit në vitin 2001 dhe nga ana tjetër të na sundojnë në mënyrë edhe më perfide se para atij viti.  Qytetarët më duan dhe më respektojnë, ndërsa subjektet politike shqiptare më kanë hedhur në errësirë.  Shpresoj se Batalioni im apo dikush nga kosovarët nuk kanë gisht në këtë, sepse Shkupit tim po i vjen erë dështimi kombëtar.

Të falemnderit ty Adrian dhe falemnderit edhe autorit, Besim Muhadrit që ka marrë këtë inisiativë.  Ju përshëndes me respekt!

Intervistoi: Besim Muhadri, New York, verë e vitit 2011

Ilustrimet © Pashtriku.org

…………………….

Për herë të parë u botua, në qazimdoda.wordpress,com

BESA E DHËNË NË PASHTRIK SE PA I ÇLIRUAR TË GJITHA TROJET E OKUPUARA NUK DO TË NDALEMI PASKA QENË GËNJESHTËR

Total
0
Shares
12 comments
  1. HEU, BESA DHËNË NË PASHTRIK O, PA I ÇLIRUAR GJITHA TROJET E OKUPUARA
    MBARË SHQIPTARISË NUK DO T’NDALEMI!” EU, SHPRESA E RËNË NË PASHTRIK
    AH, PA I ÇLIRUAR T’GJITHA TROJET E OKUARA MBARË SHQIPTARISË NUK DO TË
    TË FALEMI?! OH, MOS U DËSHPRO OU, LUFTËTARË ORE ÇLIRIMTARË ATLANTIKU
    SI DHE UÇK-JA LEGJENDARE N’KRYE ME KRYLEGJENDËN DRENICARE OH, ADEM
    KRYLEGJENDARIT SEPSE, QE PSE: PAS RIÇLRIMIT A QAS RIFLIJIMIT VETËM TEK
    KOSOVËS; LUFTËTARËT, ÇLIRIMTARËT, MBRËNDA EDHE JASHTË MËRGIMTARËT,
    QË MEMXI ARRITËN DHE IA MBRRITËN TA ÇLIROJNË O, TA LIROJNË NJË TROHË
    KOSOVË AH MASHTRIME NDËRKOMBËTARE, VARZHDËKRIME TERËKOMBËTARE
    PËR MOS ME ZBULUAR OR PUBLLIKUAR TRADHTITË, TRAGJEDITË NDAJ MBARË
    POPULL KOMBIT SHQIPTARISË; QË KANË PUSO VËR GISHT ËËËH, Q’RANË RUSO
    SËRBISHT; DUKE NA FUTUR, MRUTUR, TARDHTINË OH TRAGJEDINË A, DUKE NA
    NJOLLOSUR ËH, PËRDHOSUR EDHE UÇK-NË ÇLIRIMTARE AH, DUKE FAVORIZUAR
    FASHIZMIN, KANIBALIZMIN SERBO RUSO JUGOSLLAVE ËH, DUKE ARRESTUAR O
    DHE SAJUAR O FABRIKUAR PËR TA DËNUAR UÇK-N SI KOORPURATË KRIMINALE
    TË LUFTËS, QË DTH: DEKOROHËN KRIMINELËT E LUFTËS AH, TË DENOHËN OUH,
    ÇLIRIMATRËT DUKE KËRKUAR PËR T’U ÇLIRRUAR NGA OKUPIMI, UZURPIMI, MA-
    SAKRIMI, KASAPRIMI SA KASAPË, SATRAPË, SHEKULLORË, TEMPULLORË KURRË
    HË BURRË A GRUA AS MBI 80% PO ENDË KËRKOJNË, TENTOJNË 100% T’GJITHA
    TROJET TONA MBARË SHQIPTARE; AHIII, MBARË SHQIPTARE!! NGA REFUGJATË
    TË LUFTËS UÇK ÇLIRIMTARE; MËRGUAR, TËRBUAR, PAKTHIM GJERË N’AMSHIM!
    MANI USA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura