Prishtinë, 21. 10. 2016: Populli shqiptar gjithmonë ka pas rezistenca në periudha të ndryshme kohore, ku gjatë atyre rezistencave, edhe pse ka pas barrikada dhe pengesa të shumta para vetes, gjithmonë fundi ka qenë i favorshëm për shqiptarët. Shqiptarët historikisht kanë dalë triumfues kur kanë bërë rezistencë, kur kanë bërë luftë, por gjithmonë negociatat kanë qenë ato ku shqiptarët kanë pësuar disfatë duke humbur territore edhe pse i kishin fituar me luftë. Historia na mëson se gjatë periudhave të ndryshme kur pala shqiptare ka hy në negociata nuk ka pas sukses, përkundrazi ka pësuar humbje. Do ti përmendi vetëm disa konferenca të cilat kanë qenë të dëmshme për popullin shqiptar, ku si pasoj e tyre shqiptarët kanë humbur territore. Vlen të përmendet konferenca e Berlinit, ku si pasojë e këtij kongresi, shqiptarët humbën shumë territore, ku copëtimi i parë i trojeve shqiptare u realizua pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për të shpërblyer Malin e Zi me Plavën e Gucinë, ku gjatë kësaj kohe, iu kaluan Serbisë zonat e Toplicës, Prokuples, Kurshumlisë, Nishit, Vranjës dhe Leskovcit. Popullsia shqiptare në këto zona u përzu me dhunë, dhe e gjitha u spastrua etnikisht nga shqiptarët, duke krijuar 70 000 refugjatë shqiptarë nga këto zona që u vendosën në Kosovë e 60 000 të tjerë që u vendosëm në zonën që sot është në Maqedoni.
Pas shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912, ishte pikërisht konferenca e Londrës, e vitit 1913 e cila u arrit nëpërmjet negociatave, ku si rezultat i presionit nga Greqia dhe Serbia konferenca mori vendime që të preket gjysma e territorit të Shqipërisë së pavarur, të banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë. Dhe rreth 30% e shqiptarëve mbetën larg kufijve të shtetit shqiptar të sapokrijuar, 40% e popullsisë shqiptare u la jashtë kufijve të principatës së Shqipërisë në veçanti Vilajeti i Kosovës iu dha Serbisë dhe Çamëria Greqisë, dhe kjo gjendje arriti për shkak të negociatave që sjelli konferencën e Londrës.
Por kompromiset e dhimbshme për shqiptarët nuk përfunduan vetëm në këto dy raste, ato vazhduan edhe më tej si rezultat i bisedimeve të pabarabarta. Më 6 shkurt 1999 filloi Konferenca për Kosovën në Rambuje të Francës, ku palës shqiptare gjegjësit UҪK-së iu ofrua që ta nënshkruaj Konferencën e Rambujesë e cila ishte në dëm të Kosovës, ku pika një tregon se integriteti i Jugosllavisë duhet të mbrohej nga forcat ushtarake policore të Serbisë.
Kjo marrëveshje u cilësua shumë e dëmshme nga Adem Demaçi dhe Albin Kurti duke e kundërshtuar fuqishëm, për arsye se kjo marrëveshje ia mundësonte Serbisë, një prani të vazhdueshme të ushtrisë jugosllave me 1,500 trupa për vëzhgimin e kufirit, të mbështetura nga 1,000 trupa për qëllime komande dhe mbështetje, po ashtu edhe një numër të vogël policie kufitare, 2,500 njerëz nga Ministria e Brendshme për qëllime sigurie të përgjithshme dhe 3,000 policë lokalë. Pra duke u bazuar në këto konferenca që vetëm se i kanë sjellë dëm shqiptarëve, ne mund të kuptojmë se negociatat gjithmonë do të sjellin kompromise të dhimbshme, që për fat keq rezulton qysh ka rezultuar më herët në humbje të territoreve shqiptare. Kryengritjet e shqiptarëve përgjatë viteve ’68, 81,89,97, (lufta e UÇK-së) 98-99 , po ashtu edhe marsi i viti 2004 dhe demonstrata e 2007, kanë qenë një tregues i mirë se shqiptarët përmes rezistencave gjithmonë kanë pasur sukses, duke i përshpejtuar proceset për një zgjidhje më të mirë për vendin. Po ashtu, edhe tani është koha edhe momenti qe të ndërpriten këto negociata që po i zhvillon qeveria e Kosovës, më konkretisht Mustafa-Thaqi, për arsye se si rezultat i këtyre negociatave Kosova do të humbë territore, ku do të ndodhe përmes Zajednicës dhe demarkacionit, që do të jetë një “republika sërpska” brenda Kosovës. Ka ardhur koha, momenti që të ngrihemi kundër kësaj qeverie, në mënyre që t’i ndërpresim bisedimet, dhe kompromiset e dëmshme që po bëhen në kurriz të Kosovës. Më mirë të protestojmë sot në kuvend e jashtë tij, se sa të realizohet plani i Serbisë, e cila ka qëllim ta copëtoj Kosovën.