BESIM CENGU: BAJAZIT CAHANI POETI QË MBETI FLAKË NË UDHËTIM…(UDHËTIM I SHKURTËR NË BOTËN E TIJ KRIJUESE)

Tiranë, 01. 11. 2015: Duke lexuar dhe studiuar me vёmendje krijimtarinë poetike të poetit, Bajazit Cahani arrihet në përfundimin se është pjesë e thesarit artistik kombëtar, është poet antologjik. Se ёshtё antologjik e dëshmon krijimtaria e tij, kontributi i tij i shquar në opusin krijues shqiptar. Edhe pse i lёnё disi nё hije prej kur shkroi vargjet e para, e kanё vёnё re vlerёsimet e studiuesve Adriatik Kallulli, Besim Muhadri, Ylli Xhaferri etj. Çdo vepër e tij është një kontribut i ri dhe i çmuar i thesarit tonë poetik. Çdo vepër e tij është një hap para në ndërtesën poetike shqiptare. Ai kurrë në udhën e tij krijuese nuk ka kthyer mbrapsht, edhe pse mund të ketë ecur ngadalë… Në krijimtarinë artistike, poeti Bajazit Cahani është udhëhequr prej këtij parimi që është shumë i rëndësishëm në botёn e tij tё pasur tё krijimit.
***
“ … Tri netë Diella fjeti me zogjtë mes maleve
tri mëngjese të bardha brymën ia tretën qepallave
tri netë Diella fjeti si laureshë nën gëmushë
se u puth me djalin buzëmbrëmjes në fushë…”

Në këtë botë e cila është e bukur veçse është e larmishme, ka njerëz që lindin krijues. Një nga pjesёtarёt e kёsaj bote tё magjishme ёshtё padyshim poeti Bajazit Cahani bashkё me krijimtarinё e vet poetike. Unё kam patur fatin e privilegjin tё jem pranё poetit dhe poezisё sё tij pёr njё kohё bukur tё gjatё dhe mund tё shprehem se kemi tё bёjmё me njё krijues të veçantë, ku forca e vargut spikat dukshëm, vë në theks atë që jo gjithkush e ka vёzhguar, sytë e tij artistikë depёrtojnё aty ku hija është më e zbehtë, ku jeta është më pak e qartë e nuk vihet re dhe ku shpresa sikur ka tretur aty ku nuk gjendet.

– Poeti Bajazit Cahani –

Bartёsi i fjalёs sё lirё
Po çka ёshtё mё thelbёsorja, Bajazit Cahani, është bartësin i fjalës së lirё, pёrques i mendimit tё guximshёm, ndёrsa poezia e tij del si grafllimi i asaj çka autori nuk mundet ta mbajё pёrbrenda. Shkurt, i takon asaj rrace krijuesish qё nuk mund tё heshtё, nuk mund tё rrijё indiferent pёrkundruall realitetit pjesё e tё cilit ёshtё.
Qëmoti, kur ishte shumё i ri, ai ka hypur mbi kurrizin e vargjeve tё tij poetike dhe prej atёhere ka ecur drejt shtigjeve të thepisura të lirisë së fjalës e mendimit, drejt gjetjeve tematike e teknikave të reja poetike pёrmes shtrirjes të pazakontë të vargut, qё ёshtё karakteristikё e poetit. Vargu i tij, është i mbushur me mendim, i ngarkuar me fjalën e zgjedhur, me ide të qarta, plot ritёm e muzikalitet. Ky varg ёshtё i denjё pёr tё konstruktuar njё krijim poetik solid e tё plotё nё tё gjitha drejtimet. Prandaj poezia e Bajazit Cahanit, është pamёdyshje art elitar, intelektuale për nga idetë dhe poetike për nga niveli i tё shkruarit. Si njohёs i thellё i gjuhёs shqipe, ёshtё njё mjeshtёr i pёrdorimit tё saj nё funksion tё krijimit. Prej kur ai pat publikuar vjershёn e parё si nxënës i ndrojtur, por aspak inferior nё raport me krijuesit e tjerё, diku rreth fillimeve të viteve 60-të në faqet e shtypit shqiptar, e deri në ditët e sotme, pa asnjë rezervë mund tё konsiderohet si poeti që pa ndërprerë eci pa u ndalur drejt lirisë, drejt asaj ndjenje njerёzore pa tё cilёn nuk mund tё jetojё askush, sidomos krijuesi.
Poeti di mirë misionin e krijimeve të tij, vendin e poezisё nё shoqёri, rolin e saj pёr tё gjithё ata qё u drejtohet. Ruan mrekullisht raportet e dimensionet mes mesazhit që përcjell krijimi dhe strukturimit mjeshtëror tё gjinisё qё ka lёvruar, poezisё. Pa këto parametra, produkti i tij artistik nuk merr kuptim.
Pёr tё vёnё nё theks raportin e formёs me pёrmbajtjen nё njё vepёr artistike, Zhorzh Sand nё vlerёsim tё Venusit tё Milosit qe shprehur nё njё rast sintetikisht se “Forma është e bukur, por ç’më duhet mua një kokë e bukur gruaje kur brenda nuk ka tru”. Duke e parё me shumё kujdes kёtё raport, te poezia e Bajazit Cahanit, harmonia e brendisë dhe formës janë shqetёsim i përhershëm, nё tё njёjtёn kohё kujdes e kredo e opusit krijues. Asnjë krijim poetik i Bajazit Cahanit, nuk ka frusho, zvarritje mendimi, inflacion fjalёsh, konfuzitet.
Poeti i ndjenjёs
Ёshtё poezi e ndjenjёs sepse autori i tyre nuk i thirr vetё, por ato i futen brenda qenies dhe e detyrojnё atё tё shkruajё, tё vёshtrojё e gjykojё jetёn, shfaqjet e saj, siç janё dhe si di autori t’i paraqesё nё bazё tё botёkuptimit dhe koncepteve tё veta..
Të lexosh dhe studiosh krijimtarinë e një poeti dhe të “futesh” në depon e tij krijuese është njëlloj si të futesh në minierë, të cilën që ta shfrytëzosh mirё, të paktën të duhen disa vite. Kёshtu ndodh edhe me poezinё e autorit nё fjalё. Çdokush qё merr librin e tij poetik, faqe pas faqe do t’i lexojë të gjitha poezitё. “Tregimet e Gi Dё Mopasanit, – pat thënë mjeshti i madh i fjalёs frenge Gustav Flobert, – janë si qershitё nё njё shportё tё cilat duke i zgjedhur një nga një, në fund nuk mbetet asnjë”. Kështu ndodh me poezinё e poetit Bajazit Cahani. Lexohen me ёndje dhe le gjurmё tё pashlyeshme nё ndёrgjegjen artistike, sepse interesat e tij rrokin shumë tema, trajtojnë shumë ide dhe përdoren shumë teknika e zhdërvjelltësi fjale e vargu.
Poezi antologjike
Duke lexuar dhe studiuar me vёmendje krijimtarinë poetike të poetit, Bajazit Cahani arrihet në përfundimin se është pjesë e thesarit artistik kombëtar, është poet antologjik. Se ёshtё antologjik e dëshmon krijimtaria e tij, kontributi i tij i shquar në opusin krijues shqiptar. Edhe pse i lёnё disi nё hije prej kur shkroi vargjet e para, e kanё vёnё re vlerёsimet e studiuesve Adriatik Kallulli, Besim Muhadri, Ylli Xhaferri etj. Çdo vepër e tij është një kontribut i ri dhe i çmuar i thesarit tonë poetik. Çdo vepër e tij është një hap para në ndërtesën poetike shqiptare. Ai kurrë në udhën e tij krijuese nuk ka kthyer mbrapsht, edhe pse mund të ketë ecur ngadalë. Dikur një president amerikan pat thёnё “unë eci ngadalë, por kurrë nuk bëj hapa prapa”. Kjo thёnie mё shumё se kudo tjetёr merr kuptim kur kemi tё bёjmё me artin e fjalёs.
Në krijimtarinë artistike, poeti Bajazit Cahani është udhëhequr prej këtij parimi që është shumë i rëndësishëm në botёn e tij tё pasur tё krijimit. Që kur ka hedhur hapin e krijimtarisë artistike, aty nga vitet 1962, asnjëherë të vetme nuk i ka mbajtur sytë përdhe. Sa herë që ka krijuar, sytë i ka fiksuar në horizontin e largët dhe si një “profet” i pagabueshëm i krijimit poetik, ka gjetur rrugën, të errët apo të ndritur, mu në atë horizont, ashtu siç ka qenë në kohën kur ka punuar dhe ka prodhuar vlera artistike, ashtu siç e ka gjetur ora e tij krijuese.
Të paktën, në kontekstin që unë analizoj, jam i bindur se Bajazit Cahani është një prej më të mirëve të brezit të krijuesve entuziastë të viteve 60-70, dhe një prej lëvruesve të fjalës artistike më jokonformistë të kohës.

– Vёllimi me poezi “…dhe mbeta flaka nё udhёtim…” –

Britmё poetike nё çaste dramatike
Jo më kot poeti ka thirrë, jo si shumё poetё tё tjerё përditë. Thirrja e poetit Bajazit Cahani, që i bën ndërgjegjes artistike të shoqërisë shqiptare ka zgjatur në kohë, që ka përkuar me tronditje thelbёsore të shoqërisë shqiptare që ka përmbysur mentalitete, ka ndryshuar psikologji dhe sigurisht ka sjellë edhe “art të ri” i shprehur me teknika të reja. Britma poetike e tij është dёgjuar si një kumbim i thellë brenda shpirtit kolektiv afërsisht një herë në dhjetë vjet. I pat thirrë Nadës (Lirisё) në vitin 1972, tek priste nё kryqёzim poshtё njё shtylle neoni tё ndezur, përmes vëllimit poetik “Në pritje…”, në kushtet e mungesës totale të lirisë. Dhjetë vite më vonë me vëllimin “Rrjedh një lumë” (1981), kur Satanai kishte prerë kokat e filizave që kishin tentuar të gjelbëronin në pragpranverën zhgënjyese. Shtatёmbёdhjetё mё pas kur kishin ndryshuar situatat, ishte pёrmbysur njё system, kishte ndryshuar pothuajse krejtёsisht mentaliteti kolektiv, praktikat artistike, kur skematizmi qё kish marrё frymёn e sa e sa artistёve kishte marrё fund, në vitin 1998 del me vëllimin dinjitoz “…dhe mbeta flaka në udhëtim…”. Nё kёtё kohё ende ngado nё vendin tonё kundërmonte era e rëndë e bishës totalitare që kishte ndrydhur trurin e një kombi dhe pasojat kishin dalё mbi ujё nё formёn mё tё shёmtuar tё mundshme. Ende dukej qartё helmi i asaj kohe tё errёt nё mendjet, konceptet e praktikat sociale. Vёllimi “…dhe mbeta flaka nё udhёtim…”, ёshtё pasqyrё e kёtij realiteti konfuz. Duke qenё shoqёria nё darёn e kёsaj krize, afёrmendёsh se edhe penda artistike gjendet nё kёto kushte. Kur virgёllijnё armёt heshtin muzat, thotё njё fjalё, por nuk ёshtё e tepёrt tё themi se nё kёtё kohё “heshtjeje” artistike, ky vёllim poetik i Bajazit Cahanit ёshtё njё britmё kumbuese e rradhёs sё prish gjumin e pёrkohshёm artistik e social. Kohёt e fundit ka parё dritёn e botimit vëllimi “Nada, Nada… dhe poema të tjera” (2009) dhe vëllimi dinitoz me titullin domethënës “Nëpër kohë…”. I ndёrgjegjshёm plotёsisht pёr atё qё shkruan, i orjentuar qartё e gjinjё vizionar, poeti shpreh nё vargje trumhasjet shoqёrore nё vend, zulmet e metamorfozat nё kulturё e mentalitetin e pёrgjithshёm:
10 vjet,
grindesha me veten, si me shkëmbin
dhe shembja e sërish ngrija mendime.
Si piramida e Keopsit mbi eshtra skllevërish ngritur,
unë piramida të reja mendimesh ngrita
mbi krismën e thyerjes së fosileve të mendimeve të vjetra.

Kёshtu poezinë e poetit Bajazit Cahani e kemi tё pranishme, njёlloj tё fuqishme, plot energji e forcё si pasqyrё e tallazeve shpirtërore tё njё shoqёrie tё tёrё, pjesё e sё cilёs ёshtё. Ajo siç edhe e vumё nё theks mё lart del nё kohë thirrjesh, trysnish, depresionesh shoqërore, në kohë metamorfozash sociale dhe në periudha të cilat janë artistikisht krejt të ndryshme me njëra tjetrën. Nëse në vëllimin e parë, përpos ndërhyrjeve ende ndjehej mikroskopisht fryma e lirisë, në vëllimin e dytë është shkruar në kushtet e mungesës së plotë të saj. Nëse në vitin 1998 ende poeti nuk po e kuptonte se ku do të shkojë kjo anije në të cilën është vetë në tё, me botimet e fundit frymёmarrja e tij poetike ёshtё e lirё, por gjithnjё e shqetёsuar, pёr tё vetmet arsye se shpirti i poetit kurrё nuk ёshtё i qetё.
Poeti Bajazit Cahani, në krijimtarinë artistike të tij, nuk ka bërë shumë zhurmë, sepse shpesh herë ndodh që pulat kakarisin e bërtasin aq shumë, sikur nuk kanë bërë një vezë, por një asteroid. Tjetёr gjё vlen pёr tё. E rёndёsishme ёshtё se poezia e tij flet vetё. Poezia fund e krye ka intensitet, ka ritëm, ka dritë… Zhurma e krijimit të tij vjen si një uragan i brendshёm drejt e te njerëzit, se posaqërisht për to është shkruar.
…Frynë erërat e forta të jetës
Dhe çelën kanatet e zemrës sime…”
shkruan poeti që në vitin 1972, pikёrisht nё atё vit kur liria ndihej, por ishte e ndrydhur nga hija e zymtё e shpatёs sё famshme e “krasitjes sё filizave” tё asaj kohe.
Poezia si mision
Poezitë e Cahanit, padyshim zënë vend në antologjinë poetike shqiptare. Kjo është një arritje e madhe artistike e poetit, kredo e tij. Bajazit Cahani me veprën e vet, sikur u thotë njerëzve, se fundi i madh i botës, janë veprat e përfunduara e jo idetë për t’i krijuar ato.
…Vetveten shoh me të
Dhe botën pa fund unë shoh,

Të vjetrën me gjëmime duke rënë dhe të renë duke u ngjitur kudo…
Kёshtu shprehet me ndërgjegje poeti duke e vënë veten në rolin e një misionari që ka një detyrë për të realizuar.
Autori ka parë përmes syve të krijimit artistik, aq sa duhet dhe jo aq sa munden. Kështu ai është shumë racional në pikëpamje artistike. Prandaj ai, bashkë me brezin e vet, bëhen të domosdoshëm në krijimin e poetëve të mëvonshëm, por edhe të domosdoshëm edhe për jetën tonë të përditshme sociale, artistike dhe intelektuale. Krijimtaria e tij, na jep atë që na duhet. Dhe na sjell atë që na nevoitet e na shërben. Kjo krijimtari poetike, prek ato çështje që për ne janë plagë që dhëmbin e dhëmbin. Në fakt, ky është misioni i poetit dhe artit në përgjithësi, por në fakt dhe qëllimi i tij. Kur ende nuk kishte mbushur 19 vjet thotë poetikisht te poezia “Dua të hap një autostradë”
…Po unë nuk eci dot më poshtë e lart
Nëpër këtë rrugë (monotone tashmë) nga të tjerë çelur.
Dua të hap një autostradë,
Pa çka se vetë, ndoshta,
Mes autostradës sime
Kam për të ngelur…

Në këtë kontekst, poeti Bajazit Cahani është si ai lisi i madh me kurorë të madhe, nën hijen e të cilit pushojnë shumë njerëz. Autori pёrmes vargut tё tij artistik jo vetёm qё ka pёrcjellё mesazhin, por ka arritur edhe qёllimin e vet, misionin se pse e ka shkruar.
Kush ja thirr poezinё Bajazit Cahanit?
Dikush ia thirr (për t’ia marrë) këngën poetit Bajazit Cahani, por ai nuk beson. Por poeti prapë gjithnjë e ka frikën se do t’ia marrin, dhe, po të ndodhi kështu, krijimtaria e tij do të jetë e thatë, jo emocionale dhe e pa shpirt. Mirëpo, përsëri ia thërrasin këngën, por ai e humb vështrimin në turmën e njerëzve nga frika dhe ankthi, ndaj shpërthen në ekstazë:
O, këngën, këngën mos ma merr
e vetë si të duash, shko.

Kujt i thotë a thua kështu poeti? Unë besoj se “lumit të pasosur të njerëzve”. Po kënga, e cila është ajo lëndë magjike që poeti friket aq shumë se mos ia marrin? A thua e vetja? Nuk besoj. Ajo me siguri është kënga që ia ka kënduar në kaptillin e djepit gjyshja plakë njëshekullore e nëna e tij e shtrenjtë. Kjo është kënga, që burrat u kanë kënduar trimave që nuk janë më. Kjo është kënga që shuan afshin e dashurisë se dy të rinjëve, apo është kënga e vajit që zbut edhe shpirtin e të vdekurit.
Duke e lexuar e studiuar me vëmendje e kujdes krijimtarinë e Bajazit Cahanit, vëren se ajo është sa moderne, aq edhe tradicionale, sa e thjeshtë për t’u asimiluar nga të gjithë, aq edhe e dendur me mendim e ndjenjë. Ndërthurja e tyre ka sjellë një risi poetike, që e bën poetin origjinal nga njëra ana, dhe jetëgjatë, nga ana tjetër.
Tri netë Diella fjeti me zogjtë mes maleve
tri mëngjese të bardha brymën ia tretën qepallave
tri netë Diella fjeti si laureshë nën gëmushë
se u puth me djalin buzëmbrëmjes në fushë…

Mirëpo kanuni… kanuni e ndjek për t’i ndrydhuar asaj gjithçka që buron natyrshëm nga bota e saj magjike. Është me vend të kujtojmë vargjet e këngës popullore lumjane:
Medet djalo, medet si u fejove
nja dy molla, more djalë, si s’mi qove
Kur të më marrë malli fort
t’i marr mollat t’i laj me lotë
kur të më marrë malli për ty
t’i marr mollat t’i ruaj në gji…

Pse u martua djali dhe e la vajzën me molla në gji e me kokë në dritare me shpresën për ta parë? Po pse Diella fjeti mëngjeseve me brymë? Këtu poeti Bajazit Cahani, artistikisht është mjaft i qartë, por edhe i thellë në përcjelljen e mesazhit. Ai i vetëdijshëm, artistikisht ka përdorë mjetet e muzikalitetit prej gurrёs popullore dhe krijimin poetik e ka ngritur në art të kultivuar. Pikërisht për këtë, poetit i dhimbsen nënat kur ato natyrshëm ikin në botën e amshuar edhe pse vetë ky, apo poeti Jevtushenko, nuk besojnë se nënat ikin një ditë. Nuk besojnë se nuk duan kurrësesi tu ikë tradita, tu ikë miti, kënga, ninullat etj.
Moderniteti i vargut
Poezia e Bajazit Cahanit është moderne, por ajo kurrësesi nuk mund të ndërtohet jashtë lëndës tradicionale dhe autoktone ku ka jetuar dhe ka prekur gjithçka me dorën e vet malit, gurit, fushës, lisit, sharkisë, vashës së tij. Kjo është lënda për të krijuar modernitetin poetik. Kёtu qёndron edhe magjia e poezisё sё tij. Kur ai mbështet kokën në çatinë shkëmbore të maleve të veta “…askush të mos guxojë t’i mbyllë buzë e çerpikë, shëëëët, ai është në këngëtim”. Gjithë ky kompleksitet poetik i krijuesit, gjithë kjo lëndë që ai mbledh për ndërtesën e tij poetike, e shtyn që trevën ku ka lindur, ta cilësojë “Has, Homeri im”. Nuk kam mundur të gjej fjalë për ta shtjelluar më shumë rëndësinë që ai i kushton djepit ku ka lindur, djep i cili ka fatin të ketë traditën më të hershme poetike në botën krijuese shqiptare. Në letërsinë tonë të vjetër, nuk është folur asnjëherë për një traditë poetike, përveç traditës poetike të Hasit përfaqësuar prej Pjetër Bogdanit dhe gjithë plejadës së poetëve të asaj kohe deri te Gjon Nikollë Kazazi.
Legjenda është e preferuara e poetit si lëndë për krijimin e tij. Likeni i Kuq, Djepi, O, Azem Bejtja, Kënga e majekrahut, Kënga e Topit të Pistës, janë dëshmi të asaj që ne shprehëm më lart, nevojës së domosdoshme të poetit për ta thirrë këngën, për ta zgjuar atë prej aty ku është dhe për t,i dhënë frymë, jetë, art e përjetësi.
Në fund të fundit, ky është edhe qёllimi kryesor i poetit. Nёse artistët, poetët e krijuesit në përgjithësi, nuk janë të lumtur, kjo vjen nga ajo se lumturia atyre nuk u intereson shumë. Poetёt, lumturinë më shumë e duan të jetë prezente në sytë e njerëzve, në sytë e fëmijës dhe të së dashurës, anipse sytë e tij nuk e kanë shkëlqimin e duhur e rrezatojnë herë pas here pesimizmin. Poeti gjithnjë është altruist, si i thonë vulgarisht janё më shumë lopatë se sa shatë. Pikërisht kjo veti e poetëve dhe artistëve në përgjithësi, bën që artistёt nё pёrgjithёsi të jetë e veçantë. Nëse studiuesit e hulumtojnë gjithnjë, artistët gjejnë gjithnjë atë që studiuesit hulumtojnë e kërkojnë. Pra studiuesit janë në kërkim, ndërsa poetët në gjetje të asaj që kërkojnë ata.
Kini parasysh vetëm poezinë “Hoj, dada, hoj” të poetit Bajazit Cahani. Studiuesit e kanë kërkuar këtë këngë, por asnjëherë nuk e kanë bërë ata prezente, tё paraqitshme, asnjëherë nuk kanë mundur të shpalosin vlerat e saj, madje nuk e kanë marrë kurrë nismën për ta bërë një gjë të tillë se nuk ua ka marrё mendja. Ndërsa poeti e ka gjetur atë, e ka zhbiriluar dhe e ka sjellë në një nivel të ri emocional e artistik. Në këtë mënyrë, trajtimin artistik ai e ka paraqitur në vlerat reale të saj. Ndërsa poeti e ka gjetur atë edhe në konceptin artistik, edhe ideor. Fjala poetike merr rëndësi dhe formë:
Kjo pranverë zemrat na i ka brejt
po vjen vjeshta e na e merr krejt
hoj, dada, hoj
Në pranverë, zemrën ia dhashë tjetërkuj
po kjo vjeshta po e qon në derë të huj
hoj, dada, hoj
Në m’paç dashtë, djalo, dil e më merr
mos më lë të shkoj në tjetër derë
hoj, dada hoj
Për ty dada jam rritë si molla në degë
e veç rrezja e diellit më ka prekë…
Kështu shprehet poeti në këtë krijim, por specifikja është se poeti pranon “bashkautorësinë” dhe vlerëson shumë krijuesin popull, që e shpreh më tej në poezinë “Kur prek populli telat e sharkisë”, ku përmes timbrit, bën të heshtin edhe zogjtë në degë.
Vargu si hapёsirё
Duke udhёtuar nёpёr krijimet poetike tё poetit dhe shtigjet e tij ideore, duke pёrcjellё tematikёn e gjёrё dhe tё larmishme, del nё dukje menjёherё vargu i gjatё i mbushur me lёndё dhe i ngjeshur me fjalёn e zgjedhur. Herё herё tё duket sikur lexon prozё poetike, por qё nuk ka asnjё pikё narracioni.
Pёrdorimi i njё vargu tё tillё shpёrthyes, nёntekstor, qё vijon me retiçenca qё nёnkupton vijimin e mendimit, ёshtё drejtpёrdrejt tendencё pёr tё thyer tabutё e vendosura nё artin poetik tё asaj kohe, por edhe tё rregullave tё krijimit artistik qё praktikohen sot. Kjo papajtueshmёri nё teknikёn poetike qё deomos shoqёrohet me “idetё e paqarta” apo “tё errёta” tё Bajazit Cahanit e ka bёrё kastёn vlerёsuese qё ai tё mbetet deri diku nё hije. Them deri diku se askush nё asnjё formё nuk ka mundur t’i ndalё thirrjen e tij artistike. Hapёsira e vargut nёnkupton tendencёn e pёrhershme tё poetit nё kёrkim tё sё resё, bashkёkohores, modernes nё artin e vet, por nё tё njёjtёn kohё nё gjetjen e mёnyrave e formave tё shpalosjes sё ideve e mendimit tё pёrparuar avangardist. Ja si e shtrin vargun poeti te poema “Nada” pёr t’i dhёnё jetё idesё qё do t’i japё jetё:
…ti do të vish në këtë mbrëmje që digjet …
përmes turmës së njerëzve do të vish,
duke kaluar si një gjuhë flake nëpër muzg …
nën reflekse reklamash,
që shuhen e ndizen,

duke firmosur papushuar në letrën e madhe e të zezë të natës DASHURINË TONË!
Sipas koncepteve artistike tё autorit vetёm kёshtu mund tё pёrmbushej misioni qё kishte poezia e tij nё raport me shoqёrinё. Ai nuk shkruan poezi pёr vete, por pёr vete dhe tё tjerёt, ndёrkohё qё idetё poetike i vijnё vetё si dhuratё e kёrkimeve tё pёrhershme brenda realitetit tu ai bёn pjesё, se ai ёshtё i vetёdijshёm se pa liri tё mendimit nuk mund tё ketё krijim tё vёrtetё artistik. “Pa liri, letёrsia, ajo e vёrteta, nuk ekziston”, -u shpreh Ismail Kadareja nё njё intervistё tё kohёve tё fundit.

***
Me krijimtarinë e dëshmuar artistike, Bajazit Cahani, prish disa sisteme që e kanё bёrё poezinë tё vuaj dhe tё jetё skematike, e varfёr pёr nga gjetja e pёrdorimi i fjalёs por edhe narrative. Këto dukuri që i ulin vlerat artistike krijimit, janë të padurueshme për të. Forca e vargut të tij shndërrohet deri në lëndë shkatërruese që shkërmoq gjithçka që bie era myk dhe ndërton diçka tjetër të ndryshme, të kundërt që kundërmon freski dhe aromë këndellëse. Poezia e Cahanit nuk ёshtё patetike, por e thirrjeve tё tё brendshme. Në poezi poeti Bajazit Cahani, është gjenerues i guximshmëm i ideve të reja artistike e pёrques i drejtpёrdrejtё i mesazhit tek njerёzit. Pikërisht për këtë Bajazit Cahani, futet në kategorinë e atyre krijuesve që nuk martohet me poezinë, por e mban atë dashnore të përjetshme, se ai e di shumë mirë se bota nuk është e atyre që ngrohen, por atyrë që kallen në të, siç do të thoshte intelektuali i viteve tridhjetë Ismet Toto. Bajazit Cahani ka qenë, është e ka mbetur flaka në udhëtim… qё udhёton pёrherё …nёpёr kohё.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura