XHEVAT MUQAKU: BESA ISHTE E PËRGATITUR PËR ATË DITË

Pashtriku.org, 03. 07. 2013 – Huazuar nga prezantimet e referuesve për figurën e Çlirimtarit në atmosferën e promovimit të Librit – Monografi për dëshmorin e kombit “Këtu jam për t’i luftuar armiqtë” – punuar prej Ibish Neziri, organizuar nga shoqata kulturore dhe humanitare Xhemajl Fetahaj e fshatit Raushiq – dega në Gjermani dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës – dega në Gjermani, në mbrëmjen e datës 29.06.2013, në Sindelfingen / Maichingen.
Si dukej Xhemajl Fetahaj derisa Erëza ishte nisur drejt kësaj bote
Për mikun tonë të paharruar, bashkëveprimtarin tonë, bashkluftëtarin e shumë luftëtarëve të tjerë që sot jan këtu, e shumë të tjerëve që janë në Kosovë dhe shumë të tjerëve që u flijuan për tokën e saj, jemi borxhlinjë. Ata/ato nuk e kursyen jetën e tyre për lirinë e Kosovës. Unë përsonalisht e pata mik dhe pjesë të familjes, bashk me të shoqen dhe djalin e vogël. Dhe, mu aty nga shtëpija ime ai mori një telefonatë prej frontit për t’u nisur në front. Shumë prej juve e njihnit, keni dëgjuar për të ose e keni parë. Ai ishte fjalë pak, i prerë, serioz, i thjeshtë, me një karakter të rrallë, nuk i trembej syri. Andaj unë vet ju luta, që të shtyj për disa çaste udhëtimin në front, të priste ardhjen e vajzës në jetë. Por ai i prerë siç ishte tha: “Besa është e përgatitur për këtë ditë”. Ishte ky takimi dhe biseda e jonë e fundit me Xhemajlin. Dhe sot, pas 14 vjetësh falënderoj përzemërsisht me një mirënjohje të madhe dhe rrespekt të thellë, kolegun, mikun, publicistin, bashëveprimtarin Ibish Neziri, që na e solli këtë mundësi, na e krijoi këtë ambient për t’u takuar edhe njëherë, për t’u çmallur edhe njëherë me Xhemën. Na kishte marrë malli për të. (Mimoza Cika – Kelmendi- pjesë nga moderimi i saj)

* * *
Përgëzoj dhe uroj në emër të konsullit Faket Kajtazi dhe stafit konsullor në Stuttgart, organizatorët për këtë Eveniment të rëndësishëm. Dëshiroj me këtë rast të përkujtojmë së bashku thënjen e artë të Luigj Gurakuqit: “Një popullë që nderon burrat e vet, një popullë që pavdekëson kujtimin e tyre, jo vetëm ndër faqet e historisë por edhe mbi rrasa e në monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndiesi të holla, se njef miradijen dhe ka dëshirë me u sjellë e me u drejtue mbas shembullit të të Mëdhejvet të vet”. Dhe pikërisht sot, ne jemi mbledhur për të treguar në vepër një shembull të tillë. Jemi këtu për të ndjekur dhe për të përcjellur shembullin e atyre që u flijuan. Falë veprës dhe shembëlltyrës së tyre sot shteti i ynë është i lirë, i pavarur dhe sovran. (Ymer Lladrovci – zv. Konsull i Republikës së Kosovës në Stuttgart, pjesë nga fjala e tij përshëndetëse)
* * *
Të nderuar pjestarë të familjes së Xhemajl Fetahaj, baci Adem, përfaqësues të institucioneve shtetërore – Diplomat të Kosovës, mysafir të rastit, zonja dhe zotrinjë, veteran – bashkëluftëtarë, bashkëveprimtarë, shokë dhe miqë të Xhemës, mirë se keni ardhë. Ndjehemi të nderuar dhe krenar që sot në këtë Ambient madhështor jemi tubuar që të promovojmë librin për dëshmorin e kombit. Sot kemi një ditë të madhe. Raushiqi ynë krenohet me Xhafer Fetahajn, vëllezërit Zekaj, Hagjiaj, pastaj edhe me pjesëmarrësit në luftërat për Novi Pazar, Plavë dhe Guci etj. (Niman Xhaferaj – uroj mirëseardhje në emër të Shoqatës kulturore ‘Xhemajl Fetahaj’ të fshatit Raushiq – dega në Gjermani)
* * *
Jemi ata që i kemi në zemër dëshmorët tanë. Lavdi të gjithë heronjëve tanë! Lavdi edhe të gjithë atyre që do të vazhdojnë luftën paqësore për të arritur qëllimet dhe idealin e atyre qė nuk e kursyen as jetën e shtrenjët për lirinë dhe mirësinë e Kosovës.( Adem Demaçi – pjesë nga fjala e tij e rastit)

Familja e dëshmorit Xhemajl Fetahaj: Besa, Erëza dhe Ariani.

*   *   *

Pjesë e referimit për dëshmorin e kombit dhe librin gjat promovimit

Është nderë dhe krenari e veçantë të jam sot në mesin tuaj, që të kujtojmë heroin dhe shokun tonë. Është jo vetëm e guximshme por edhe e veçantë nisja e Xhemajlit në luftë. Jo si djalë i ri 22 vjeç, por duke i lanë bashkëshorten dhe fëmiun pas një veprimtarie rreth 18 vjeçare. Shihni fotografinë në ballinën e librit dhe krahasoni me fotografinë gjat arrestimit të tij. Do të bindeni vet se atij nuk i trembej syri dhe nuk i bënte fare përshtypje ajo që ndodhë me te si individ. Ai vështron përtej vetvehtës, i vetëdijshëm se, liria fitohet vetëm në këtë mënyrë. Duke sakrifikuar dhe luftuar për atdhe e shohim, e përjetojmë Xhemajl Fetahun në fytyrën dhe hapin e tij: krenarë, oficer, komandant që është një qind për qind i sigurtë në fitoren e Kosovës. Të tillë e kemi njohur të gjithë dhe gjithmonë. Ibish Neziri në këtë libër nuk ka shkruar fjalë të mëdha, është bazuar në dokumente, përmes të cilave ne lexojmë dhe vërejmë kreativitetin e tij dhe të përsonazhit të tij. (Sabri Kiqmari – Ambasador i Republikës së Kosovës në Austri – mik dhe bashkëveprimtar i Xhemajl Fetahajt)

* * *
Pasi e lexova librin me të cilin më nderoi Ibish Neziri, ndjeva keqardhje për vehte që e kisha pasur Xhemajlin kohë të gjatë afër dhe nuk e kisha njohur sa duhet. Ndjeva dhe mirënjohje për Autorin i cili ashtu siç e ka dashtë personazhin e tij, ashtu siç e kishte në shpirtin e tij, ashtu edhe e ka sjellur tek lexuesi. Na e solli një njeri të thjeshtë dhe të kandshëm në prozën e kuptueshme dhe të saktë. Ky libër do të hyj në aradhën e shumë librave të mirëfillt të historisë së re të Kosovës. Sa më shumë që i afrohesha fundit të librit ndjehesha se po i afrohem ditës së fundit të majit, aq më shumë më kapte ngushtia. Nuk doja që ky njeri të mos ishte në mesin tonë. Xhemajlit nuk ju dhimbs jeta për të shpëtuar jetën e shokëve. Ai ishte një hallkë e zinxhirit, i lidhur për idealin si detyrë dhe obligim që turravrap t’i dalë zot atëdheut atëher kur e kërkon nevoja. (Bedri Islami – bashkveprimtar i Xhemajl Fetahut, i pranishëm në librin e promovuar, në pjesën e kujtimeve)
* * *
Pak fjalë, por të zgjedhura, për figurën e dëshmorit në veçanti dhe për Librin, prezantuan para pjesëmarrësve Mr.Hasan Ukëhaxhaj- Redaktor dhe Ibish Neziri – Autor i librit. Programin e këtij promovimi e pasuruan sekuencat e filmit dokumentar për portretin e Xhemajl Fetahut, ushtarit/ushtarëve dhe luftës së UÇK në regji të Claus Rihter.

Shikoni disa foto nga ky dokumentar:

* * *
Sali Veselaj me miqët e tij të Këshillit organizativ ftuan mysafirët dhe pjesëmarrësit që të vazhdojnë bisedën edhe në Sofrën e përgatitur me shije për këtë rast nga duart e vyeshme të nënave dhe motrave tona të tubuara rreth shoqatës kulturore që mban me krenari emrin e dëshmorit të kombit ” Xhemajl Fetahaj”.
* * *
Titulli, “Jam këtu për t’i luftuar armiqtë”, është prononcim i vet dëshmorit Xhemajl Fetahaj. Kjo Monografi është përmbledhje e jetës së tij që nga vendlindja e tij në Raushiq, vitet e shkollës, burgut, arratisjes në Gjermani, aktivitetet e tij të kohës, në Koshare, jeta e tij private dhe shoqërore, në kujtimet e shokëve të tij. Për Çlirimtarin vet dhe miqtë e gjeneratës së tij, nuk ka nevojë për fjalë të mëdha. Vepra e tyre është vërtetë e madhe, sublime…

………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura