BESIM R CENGU: VLERËSIM I SHPEJTË PËR CIKLIN POETIK TË BESNIK HALLAÇIT

Tiranë, 5 janar 2021: Përjetimi lirik është në bazën e ndërtimit lëndor të katër krijimeve liriko-idilike të këtij cikli e konkretisht në poezitë “Në Syth të pranverës”, “Në lëndinën e Lulbardhës”, “Çast” dhe “Vjeshtë”.
Në to mrekullisht shprehet gëzimi, shqetësimi, brenga, trishtimi dhe emocioni jetësor.
Autori e njeh si rrallëkush natyrën edhe si studiues, edhe si soditës, edhe si shijues edhe si përjetim jetësor. Prandaj i kushton shumë rëndësi detajit si substancë e jetës dhe harmonisë universale.
Te poezia “Çast” autori shprehet:

Një flutur në lule nis pjalmimin,
Një laureshë nis këngën më tej,
Dita ngarkuar fillon udhëtimin,
E hëna fshihet pas malit përtej.


(Çast)
Në të katër poezitë me doza të forta idilike janë në logjikë dhe funksion të ideve që Besnik Hallaçi do të shprehë. Nga ana tjetër ve në theks raportet harmonike në universin jetësor, pa pasë parasysh se këto sende janë organike apo jo.
Me shumë finesse, autori i krijimit poetik e nis lindjen e jetës me pjalmimin e lules nga një flutur dhe e përfundon e fshehjes së hënës prapa malit.
Ai e konsideron gjithësinë si një të tërë dhe në harmoni deri në shkallën sipërore.
Sipas tij çdo gjësenn në këtë univers jeton për njëra-tjetrën dhe të ndërvarura me njëra-tjetrën dhe për këtë fakt edhe ekzistenca nuk mund të kuptohen pa këtë ndërvreprim jetik në lëvizje të përhershme e transformom të pandërprerë. Sipas parimit të tij, më së pari filozofik dhe shkencor, e mëpastaj artistic, po u prish ekuilibri, prishet përgjithësisht edhe harmonia jetësore.
Krijimet poetike shkojnë në sintoni edhe në vargje duke krijuar njësi poetike hermetike që nuk lejon të preket në aspektin e sendërtimit krijues.

Pikërisht për këtë autori është tepër i kujdesshëm në përdorimin e fjalës së lëmuar e plot kumt për ta bërë vargun sa më të latuar, por edhe për të nxjerrë në pah idenë që synon sa më qartë.
Poeti ka një farë gjendje “anormaliteti” artistik kur shkruan, prandaj rritet gradacioni artistik. Ai i jepet krijimit e bëhet njësh me të deri në kufinjtë e “përhumbjes” poetike kur shkruan:

Mahnitur në lëndinën e lulbardhës,
Mekur pa zë nga kjo mrekulli,
Kënga e bilbilit më solli në vete,
Sa kohë përhumbur kam s’e di.


(Në lëndinën e Lulbardhës)
Poezia e Besnik Hallaçit është poezi që buron krejt natyrshëm prej qenies njerëzore dhe që renditet harmonikisht me materialin jetësor.
Ai thotë:

Ndërsa shëtis në sythin e pranverës,
Dielli qesh e fsheh syrin e artë në re.
Manushaqja çelë paska lulet e para,
Shpendrat kurorën përkulin përdhe.


(Në syth të pranverës)
Ata që e njohin Beso Hallaçin nga afër, siç e njoh unë, për më tepër kush ia njeh botën dhe punën e tij të palodhur kërkimore dhe shkencore e shohin qartë konceptin artistik, por edhe shkencor në këto vargje frymëzuese që depërtojnë imponueshëm në koshiencën e gjithësecilit lexues të krijimeve të tij poetike.
Përmbledhtas katër krijimet liriko-idilike meritojnë vëmendje dhe janë të një niveli të lartë artistik nëpërmjet të cilave autori ka synuar me sukses të arrijë qëllimin e vet.
***
Ndërsa në dy krijimet e tjera të këtij cikli që titullohen “Paralele” dhe “Koha”, autori provon poezinë filozofike që afërmendsh është më e vështirë. Tek paralele ai trajtojon ekuilibrin e jetës së gjallë duke e parë dritën si burimin e jetës, por edhe si domethënien e saj. Dritës ai i vë përballë errësirën drejt së cilës “priren” përgjithësisht qeniet, sidomos ato humane.

Gjallesat rëndom nga drita priren,
Por disa kanë prirje terrin,
Mendimet në qiellin e kujtesës kah drita kthehen,
Ndodh që edhe terrin disa prej tyre të sjellin ferrin.


(Paralele)
Ndoshta duhet trajtuar më mirë ky “raport i ngatërruar” duke sqaruar për lexuesit se pse ndodh ky akt dhe pse shumë gjallesa janë të “prirura” nga terri? Për më tepër ku duhet të jetë njeri si qenie në këtë përplasje midis territ e dritës? Përgjigja poetike e autorit duket të kërkohet nëpërmet shtegut që të shpie në shkencë dhe filozofinë e krijimit.
Te poezia “Koha” trajtohet filozofikisht rrjedha e jetës. Kjo tematikë nuk është e re në krijimtari artistike, por autori e shikon nga një kënd ndryshe nga të tjerët.
Në poezi autori bën bilancin e rezultatit jetësor vetë, por më shumë ai e kërkon vlerësimin prej lexuesit prandaj me veten “shihet sy më sy” dhe shprehet:

E shoh rrugën e bërë dhe portretin tim pa droje,
Në udhën e gjatë a të shkurtë se di.
Ka dashuri, brenga, miqësi, zhgënjime.
Me veten shihem sy më sy.


(Koha)
Unë trajtova vetëm këtë cikël poetik që autori ma solli për “t’i hedhë një sy”, por Besnik Hallaçi ka edhe shumë krijime të tjera që në të ardhmen do të plotësojnë një vëllim dinjitoz poetic shumë të veçantë.
Sepse këto krijime poetike sjellin një teknikë të re, dhe, për më tepër, me këtë rast nuk kemi të bejmë thjesht me një poet, por edhe me një hulumtues shkencor që e njeh mjaft mirë harmoninë në natyrë dhe raportet universale jetësore që krijohen si funksionalitet jetësor.
Besim CENGU
Tiranë,më 17 shtator 2017
______________
CIKËL ME POEZI
Nga Besnik HALLAÇI

Në syth të pranverës

Ndërsa shëtis në sythin e pranverës,
Dielli qesh e fsheh syrin e artë në re.
Manushaqja çelë paska lulet e para,
Shpendrat kurorën përkulin përdhe.

Pupëza më herët është kthyer,
Cërlat zhurmojnë lisave në hare,
Trishtilat këndojnë pa pushuar,
Qukapikët në trungje sqepojnë rrufe.

Mbretthit mbi degë janë duke lodruar,
fëmijët poshtë luajnë me zhurmë e nge,
një çift i vjetër ecë dorështërnguar,
po i gëzohet lumturisht ditës së e re.
***
Paralele
Në natën e errët, drita burim orientimi,
Edhe në terrin e vetëdijes njerëzore gjithashtu.
Dritë yjesh e hëne, dritë vetëtimash në shtërngatë,
Dritë nën qiellin pus të zi…

Gjersa dielli ditën me dritë ta hapë.
Dritë e mendimit dhe urtësisë,
në qiellin e kujtesës burim i pashtershëm është prapë,
Gjersa terrin nga vetëdija t’ia shpërndajë gjithësisë.
***
(Paralele)
Gjallesat rëndom nga drita priren,
Por disa kanë prirje terrin,
Mendimet në qiellin e kujtesës kah drita kthehen,
Ndodh që edhe terrin disa prej tyre të sjellin ferrin.
***
(Paralele)
Ngatërresë e madhe në këtë botë,
Raport i ngatërruar,
Jo rrallë ndodhemi në raport paralelesh që nuk duam,
Në një botë kaq shumë të ndërlikuar.
***
Në lëndinën e lulbardhës
Mahnitur në lëndinën e lulbardhës,
Mekur pa zë nga kjo mrekulli,
Kënga e bilbilit më solli në vete,
Sa kohë përhumbur kam s’e di.

Në botë përrallash më duket vetja,
Rrethuar nga lulbardhat ngado,
Sa doja këto çaste të ishe me mua,
E dashur mike, këtë mos e harro.

Me krahët e muzës fluturoj,
Në qiellin pa fund të imagjinatës,
Lëndinën me lulbardha ta dërgoj,
Shtrat ta kesh në gjumin e natës.

Flladi lehtas përkund narciset,
Portreti yt si një lulbardhë aty,
Herë shfaqet e herë më ikën,
Unë jam i dehur plot dashuri.
***
Çast
Shtretërit e natës u braktisën,
Ëndrrat u tretën si yjet mëngjesit,
Një ditë e re hapet harlisshëm,
Në tokë, qiell e thellësinë e detit.

Guri i Mëngjesit i pari shëndrit,
Nga rrezet e diellit në agim,
Lëndinat gjithandej praruar,
Me ngjyra lulesh plot shkëlqim.

Dridhen gjethëzat e mështeknës,
Nga era e freskët që lehtë fryn,
Shkundin butësisht bulëzat e vesës,
Mbi tokën me bar jeshil të rimtë.

Një flutur në lule nis pjalmimin,
Një laureshë nis këngën më tej,
Dita ngarkuar fillon udhëtimin,
E hëna fshihet pas malit përtej.
***
Vjeshtë

Një bli kurorëgjerë, gjethezverdhur
Shkundi pjalmin e artë më supet e mi.
Në qenien time vjeshtën kishte derdhur.
Zogu i kujtesës më çukiti materien gri.

Sa shpejt ajo të gjithin më paska kapluar?
Vallë edhe dimri kaq shpejt do t’më vijë?
Ngadalë vjeshta natyrën e ka mbuluar
Mahnitur pres stinën lyer me ar e bukuri.
***
Koha
Koha ecën pa pushuar
Herë si fllad, herë si furtunë me breshër, borë e shi.
Herë e qetë, e këndëshme si një melodi.
Brenda saj jam unë, je ti o njeri.

Viti katër stinë ka; pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër.
Këtë gjithkush e di.
moshë e parë, e dytë, e tretë e katërt nëse e arrijmë
Katër stinë kam dhe unë dhe ti;

Stinët e vitit përsëriten në cikël,
stinët e moshës nuk kanë ciklim.
Një tektonikë e llahtarshme ka ndodhur në qenien time.
Ndërsa koha rrjedh si ujvarë, si lum pa kthim,

Më ngjan sikur nuk jam unë
Por më duket vetja si dikush tjetër
Edhe shumë gjëra do më ndodhin
Në veten time ngadalë tretur.

E shoh rrugën e bërë dhe portretin tim pa droje,
Në udhën e gjatë a të shkurtë se di.
Ka dashuri, brenga, miqësi, zhgënjime.
Me veten shihem sy më sy.

Besoj se në çdo gjurmë të jetës pak nga vetja kam lënë
Pas meje dy filiza për tu pasur zili.
Gjurmët mozaik i portretit tim.
E do të lë përsëri.

E unë mbi shpinë të kohës ngarkuar vitesh
Si mbi një kalë në hapësirë të gjërë kalëroj, kalëroj.
Jeta nuk është simfoni përpëlitjesh
Porn jë botë që do njohur dhe gëzuar besoj.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura