BESNIK IMERI: PIRRUA I EPIRIT NJË HERO LEGJENDAR I LËNË NË HARESË

Vlorë, 19 tetor 2020: Për Pirron e Epirit flet gjithë bota, dhe kuptohet flasim edhe ne shqiptarët. Por nëqoftëse bota flet për Pirron e Epirit, ashtu siç flet për Aleksandrin, për Hanibalin për Jul Qezarin; ne shqiptarët, që zakonisht shkojmë ‘pas berihajt’, i mbajmë ison botës, nuk themi ndonjë fjalë më tepër që ai është i yni nga frika se fjalët tona do të merren për thagmë të madhe. Madje kur ndonjë nga ne, me gjysëm zëri, thotë diçka ndryshe nga bota; ata që mbahen si më të mençmit nga ne i vërviten me tërbim, e dukeqënëse janë me një barrë mend, e bëjnë të varfërin leckë në ‘injorancën’ e tij.
Kur ishim çiliminj, të vegjël apo të vocërr, në shkollë na mësonin se Pirrua i Epirit ishte një pushtues, pasi ai shkoi në Italinë e Jugut tek Tarentasit si pushtues. Dhe nuk na thuhej se Pirrua shkoi në Japigi tek Tarentasit, pasi ata ishin vëllezër të një gjaku, nuk ishin latinë, dhe si të tillë i kërkuan ndihmë nga sulmet pushtuese të romakëve; ashtu siç kishte shkuar para tij xhaxhai i nënës së Aleksandrit, Aleksandër Mollosi (Leka Epirot), për të njëjtën arësye.
Mendimi mediokër i atyre që hartonin tekstet (për mos t’i rënduar po i quaj kështu se ka edhe më keq) barazonte në ide Italinë e sotme me Italinë e antikitetit duke përdorur të njëjtin ‘kut’ për të dyja epokat historike. Madje, të shkoje në Itali me ushtri në fillim të shekullit të tretë para krishtit, nuk ishte njësoj si të shkoje në shekullin e dytë para krishtit, kur gjithë gadishulli Apenin ishte nën thundrën e romakëve të shtetit të Romës. Kjo pasi shteti romak në fillimet e tij ishte një qytet shtet, dhe nuk kishte asnjë ndryshim nga qytetet shtete të Athinës, apo të Spartës. Dhe për të shkuar më tej, ata të varfërit nuk e dinin se Tarentasit si popull ishin Kaonë dhe vëllezërtë një gjaku me Kaonët e Epirit, të cilët sëbashku ishin zotër të Detit Jon, atij të Siçilisë dhe të kanalit të Otrantos. Pra deti Jon zotërohej nga Epirotët dhe veriu i tij nga Kaonët, andej e përkëndej; ashtu si deti Adriatik ishte në zotërim të Ilirëve në të dy brigjet, lindore dhe perëndimore, pasi në perëndim ishin Enetët, Venetët dhe Mesapët. Pushtimi romak i prishi këto zotërime në të dy detet. Kjo është e vërteta e pastër historike.

Fati e deshi që Pirrua të ndeshej si i barabartë, madje e mundi Kartagjenën në Siçili, përsëri i thirrur nga siçilianët kundër pushtuesve kartagjenas. Pra rreth njëmijë vjet pas Akilit, zulma e Epirit shkëlqeu përsëri me Pirron e Epirit, i cili krijoi shtetin më të fuqishëm të kohës në Ballkan duke fituar mbi tre fuqitë më të mëdha të botës së atëhershme, Romës, Kartagjenës dhe Maqedonisë. Ky ishte Pirrua i Epirit, të cilin të vetët e thërisnin Pirro Burri, dhe ai fliste shqip, atë gjuhë që flasin sot e kësaj dite banorët e Çamërisë. Prandaj edhe bota sot e kujton me respekt si një gjeneralisëm. Në të mirë të kësaj teze na vjen folklori, këngët që banorët e Çamërisë i kanë kënduar Pirros së Epirit, këngë të cilat janë aq të shumta, sa që nuk ka asnjë krahinë në Shqipëri, apo në Greqi, që t’i ketë kënduar kaq shumë Pirros së Epirit. Prof. Dhimitër Pilika në hulumtimet e tij ka gjetur këngë të “thinjura” çame, në të cilat shqiponja quhej “ipe” (kujtojmë këtu se emërtimi i Epirit në Greqisht fillon pikërësht me këtë fjalë, të cilën e ka rrënjë – iperios);
Pirrua, një trim i ndjerë
Në Ledhëzë kishte lerë
Gjak iliri kombësia,
iperot ka Thesprotia
kaha vëndi inë, Çamëria
Pirro – Burri ishtë ipe e qiellit
Pirro – Burri, vetë Ipja e qiellit
Ipe ish dhe shkuar ipes malit,
si na ish edhe aj Lekë Malasi
iperot ka vendi inë, Thesprotia.
Pirrua blodhi trimat siç qe vetë
Dhe si ipe me krah kah ipe
Me flamurin me ipe në ballë (1)
Po nga ishte ky Pirrua? Thonë se fshati i lindjes së tij ishte Ledhëza. Tani se çfarë kuptohet me fjalën ‘ledh’, besoj se nuk ka shqiptar që nuk e di. Tani mund të ketë ndonjë gjuhëtar, kuptohet nga ata të ‘mençmit’ tanë, që mund ta nxjerrë si fjalë greke, latine, apo akoma më keq si fjalë sllave. Si për dreq këtu na hyn në mes dhe shoqata “Çamëria”, e cila në vitin 1991 vendosi portretin e Pirros së Epirit si logo të shoqatës, duke pretenduar se Pirrua ishte i tyre, pra ishte thesprot. Ca thonë që ishte mollos, ca të tjerë thonë që ishte thesprot; por këtu, siç thotë populli, futet edhe shejtani në pjesë, grekët. Hej bela çfarë na ka gjetur ne shqiptarët me gjitonët tanë kusarë dhe grabitës: Grekët thonë që Pirrua është i yni megjithë Epirë dhe fap i ngrenë një shtatore në Janinë, e cila deri më 1913 ishte shqiptare; Bullgarët e Maqedonisë thonë që Aleksandri i Madh ishte i tyre dhe fap dhe ata një shtatore megjithë kalë ja ngrenë djalit tonë mu në mes të Shkupit, qytet i cili deri më 1913 ishte shqiptar; Sërbët u nxenë dhe ata dhe thanë, se ne nuk jemi më të humbur se grekët dhe bullgarët, dhe fap dhe ata ngrenë një monument të Kostandinit të Madh në Nish, këtij perandori romak nga Dardania, ndërkohë që Nishi deri më 1881 ishte shqiptar. Por si çdo e keqe që ka një të mirë, edhe kjo e ka një të mirë. Ku është e mira do të thoni ju? Këta gjitonët tanë veprojnë si puna e strucit. Me këto shtatore që kanë ngritur ata na kujtojnë ne se ku i kemi kufijtë tanë me ta. Këto shtatore janë si ato piketat, gurët e sinorit apo piramidat e kufirit të shqiptarëve me fqinjët.
Pra e shikoni o shqiptarë të mjerë se gjitonët grabitqarë nuk na kanë marrë vetëm tokat, pasurinë, nderin; por na kanë vjedhur edhe historinë. Na kanë vjedhur djemtë tanë trima dhe ne rrimë si fyej. Më thoni. A ka ndonjë politikan në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë që të dalë në mbrojtje të figurave tona të mëdha historike; Pirron e Epirit, Aleksandrin e Madh apo Kostandinin e Madh, pa haruar edhe Justinianin e Madh. Jo. As që mos t’ju shkojë në mendje! Madje dhe tri Akademitë përkatëse janë në gjumë letargjik. Se kë presin ato që t’u nxjerrë gjumin, një zot e di!
Mirëpo në kundërshtim me politikanët dhe akademikët tanë del Gjergj Gjon Kastrioti, i cili pa ja bërë syri tërr nga këta që përmendëm më lart, jo vetëm që del në mbrojtje të Aleksandrit dhe Pirros; por me krenari e shpall veten si pasardhës i denjë i tyre. Gabim o i madhi Skënderbe, mos fol ashtu, se këta që i zumë në gojë më lart, të bëjnë gjëmën. Po Skënderbeu në të tijën. Kështu pa pyetur njeri ai e quante veten Epirot dhe pasardhës të Pirros. Gjergj Kastrioti e ktheu në mit Pirro Burrin. Në letrën që ai i shkruante princit Italian Xhovani Antonio Orsini më 31.10.1460, shkruan: “…Ne jemi epirotë, të parët tanë qenë epirotë, prej tyre doli Pirroja, hovin e të cilit mezi mundën ta përballojnë romakët…”.
Tani me të drejtë kushdo nga ju mund të pyesë. Pse Skënderbeu e lidh origjinën e popullit arbër me epirotët dhe me Pirron e Epirit dhe jo me ilirët e Teutës dhe të Gentit?!!! Për këtë duhet pyetur Ai, vetëm ai e di pse e bën këtë. Por jo vetëm kaq, Skënderbeu të gjitha simbolet e veta i lidhi me Epirin.
Dhimitër Pilika sjell një fakt mjaft interesant dhe kuptim plotë në lidhje me Skënderbeun dhe lidhjen e tij me Dodonën dhe Epirin:
“…Vula sekrete e Skënderbeut ka qënë një “gemma” antike (gur i çmuar, i ngulitur në unazë), që kishte të gdhendur takimin e Zojzit Dodonas (Zeusit), nën tiparet e mjellmës, me një perri pellazge; LEDA. Së bashku me vulën zyrtare të Gjergj Kastriotit, ky myhyr i fshehtë u diktua më 1961, në arkivin e shkencëtarit rilindës Sllovak-Pavël Jozef Shafarikut (1795-1861), që e pat gjetur 100 vjet më parë në Raguzë…Këto dy vula u botuan për herë tek ne më 1962 (Revista “Ylli” Nr.12)…” (2)
Po kush është Leda, me të cilën ra në dashuri Zeusi? Leda është një perëndi që e adhuronin epirotët. Sipas një legjende fiset e Kaonëve dhe Thesprotëve rrjedhin drejtëpërsëdrejti nga Zeusi, i cili nga bashkimin me Ledën lindi dy binjakë, dioskurët; Polyedukun (Poluksi) dhe Kastorin. Nga Poluksi rrodhën Kaonët, ndërsa nga Kastori rrodhën Thesprotët. Sipas profesor Pilikës, Ylli është simbol i Dioskurëve, ylli figuron edhe në monedhat e gjetura në Amantia (Vlorë). Gjithashtu Dioskurëve u ishte ngritur një Hierore, e cila ndodhet 8 km në JP të fshatit Dukat në Vlorë në Grama të malit të Karaburunit (3). Gjatë gërmimeve arkeologjike në Dodonë është gjetur një objekt që tregon ndeshjen e Polideukut (Poluksit) me Linkeun. Por ajo që është mjaft intriguese në këtë objekt arkeologjik, është fakti se Polideuku është me qeleshe labe (4) duke i dhënë frymë legjendës për origjinën kaone të tij.
Në vazhdim Dhimitër Pilika sjell të dhëna të tjera interesante që vërtetojnë lidhjet e Skënderbeun me Dodonën e lashtë dhe Epirin: “…Shqiponja, simboli i flamurit shtetëror, vulës zyrtare dhe stemës së Kastriotëve, trashëgim i shkabës, emblema e Aleksandër dhe Pirro Mollosit…Dhia, simbol pagan rezatuar nga Dodona, pasi ajo sipas traditës së Dioskurëve përfaqësonte “Mëndeshën Amalthea”, motrën e lumit Epirot Akelou, e cila rriti zotin Pellazg të Dodonës, Zeusin pellazg, me qumështin e vet. Por edhe Aiakasit (Aiakidët) rridhnin prej Shqiponjës-Zeus dhe Dhisë-AIGINA…Koka e dhisë në përkrenaren e Skënderbeut është pikërisht ky simbol Aikad i trashëguar nga Epirotët…” (5)
Por përkrenare me brirët e dhisë ka përdorur edhe Aleksandri i Madh… Shënojmë kalimthi se përkrenarja e famshme kelte me brirë që mbante Pirro i II, ishte e ngjashme me atë të Aleksandrit të Madh…Aleksandri i Madh është cituar shumë herë në kuran me emërtimin “Aleksandri me dy brirë”… (6)
Por dëshiroj të tregoj edhe një fakt interesant (fakt i cili përcillet nga Edvin Jacques), nga i cili del se simboli i shqiponjës me dy koka, ka qënë një simbol epirot dodonas; Simbol, të cilin Gjergj Kastrioti e vendosi tek flamuri i vet kombëtar:
“Me Dodonën lidheshin dy simbole. I pari ishte shqiponja. Në gërmimet që u bënë në Dodona më 1875 nga Karapanos, në gurin e tempullit u gjet e skalitur një shqiponjë dykrenare, e cila për njerëzit e lashtë përfaqësonte lajmëtarin e Zeusit. Simboli tjetër që lidhej me Dodonën ishte lisi i shenjtë, i cili gjendej me shumicë aty; përmes shushurimës së gjetheve të tij Zeusi shprehte vullnetin e vet” (7)
Pra zulma e epirotëve ishte kaq e madhe, sa që të gjithë shqiptarët kudo që ishin e kishin për nder të thirreshin epirotë dhe vetë Skënderbeu e kishte për nder, që në nderim të Pirro Toskut, të quhej Epirot, pavarësisht se ai vetë ishte gegë.
Me të drejtë një lexues i vëmendshëm mund të pyesë: Pse Gjergj Kastrioti zgjodhi simbolet ajakide-epirote, të cilat ishin simbole pellazge, që shkonin nga bijtë e Zeusit, Dioskurët, deri tek Zeusi vetë. Pse Gjergji i dha vetes vetes një origjinë epiroto-pellazge, dhe jo një origjinë simbolike ilire?!!!. Kjo pyetje është e vlefshme edhe për ata historianë shqiptarë, që menjanuan origjinën tonë pellazge, dhe i mëshuan vetëm asaj ilire, duke futur këtu arbitrarisht (tek Ilirët) edhe epirotët.
Përgjigja e të gjitha pyetjeve të shtruara më lart për lidhjen e Skënderbeut me Pirron dhe Epirin qysh nga lashtësia parahistorike është kjo: Pirrua i Epirit edhe 1800 vjet pas vdekjes së tij vazhdonte të qëndronte si heroi kombëtar i shqiptarëve; ashtu siç është sot për gjithë shqiptarët, 550 vjet pas vdekjes së tij, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Kur Skënderbeu e quante Pirro Burrin si të parë dhe hero të arbërve, pra të shqiptarëve. Po ne sot duhet t’i gjejmë nje vend Pirros së Epirit si të parë ndër të parë?!! A duhet të hyjë ai në panteonin e heronjve legjendarë të kombit tonë sëbashku me Aleksandrin e Madh, por edhe me Justinianin e Madh dhe Kostandinin e Madh?!! A duhet të ngremë një panteon ku të jenë të gjithë heronjtë e kombit tonë: Aleksandri i Madh, Pirrua i Epirit, Teuta dhe Genti, Mbreti plak Enkelejas, Bardhyli, Kostandini i Madh dhe Justiniani i Madh, dhe bashkë me ta edhe Gjergj Kastrioti (Skënderbeu). Jo për gjë, por janë tanët, janë gjaku ynë, i cili kthehet në një mallkim për ata që e bëjnë hasha.
Nga sa u tha më lart del se memorja historike e jona është shumë e dobët. Sa për sqarim, kjo memorie e dobët nuk është tek populli, por është tek institucionet e shtetit; Akademi, Institut Historie, Institut Gjuhësie, dhe vazhdon tek historianë, gjuhëtarë dhe kuptohet edhe tek politikanët. Tek ne janë bërë historian dhe na japin mend nëpër televizione drejtorat e shtetit, të muzeve, të arkivave, të galerivë, a ku di unë. Prandaj Memorja jonë historike nuk i kalon të 500 vjetët.
Në gjuhësi ne nuk i kalojmë 500 vjetët dhe mezi arrijmë tek Buzuku. Pse janë gjetur mbishkrime në gur me gërma që nuk janë as greke dhe as latine, që kuptohet që janë në rradhë të parë pellazge, pastaj ilire, apo epirote; për këtë nuk do t’ia dijë njeri. Gjuhëtarët tanë madje thonë se gjuha jonë është një lypsare e mjerë e gjuhëve greke, latine, madje edhe sllave. Ndërkohë që gjuha shqipe është vazhduese e drejtëpërdrejtë e pellazgjishtes, e cila nga ana e saj ka të paktën 12000 vjet që shkruhet, pa që flitet nuk dihet se sa, dhjetra mijë vjet.
Në histori ne nuk shkojmë matanë Skënderbeut. Madje edhe atë po e mbrojmë me shpirt ndër dhëmbë se janë duke na i marrë fqinjët. Jo do të më kundërshtojnë. Nuk është e vërtetë. Por historia vërtetohet me monumente (mani ment) që janë në rradhë të parë object kujtese, memorie historike. Shikoni në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup ne kemi monumente vetëm për Skënderbeun. Kemi për të tjerë, më tutje dhe më thellë në histori? Jo. Dhe kur ne e mbrojmë historinë vetëm për pesë shekuj, kuptohet që fqinjët do të na i shkurtojnë deri në 300 vjet, madje duke na nxjerrë se kemi zbritur nga malet, ose nga pemët. Ne kemi frikë që të shkojmë 1500 vjet më parë deri tek Justiniani i Madh, ndërtuesi i Shën Sofisë, hartuesi i Kodeve Romake, bazë e jurispudencës europiane, i cili ka folur atë gjuhë që flasin sot shqiptarët e Kosovës.
Ne kemi frikë që të shkojmë 2300 vjet më parë deri tek Aleksandri i Madh, i cili ka folur atë gjuhë që flasin sot shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Sepse këtu na dalin të mençmit tanë, historianët tanë, dhe na thonë: Ai ishte maqedonas, ndërsa ne vijmë nga ilirët. Me këtë arësyetim, nënkuptohet që edhe shqiptarët e Maqedonisë janë ilirë, pra janë ardhacakë në Maqedoni, në mos më keq janë pushtues. Prandaj edhe historianët e Maqedonisë së sotme thonë se shqiptarët kanë 300 vjet që kanë ardhur aty; ashtu siç thonë edhe sërbët për kosovarët, që kanë 300 vjet që kanë zbritur në Fushë Kosovë nga malet e Shqipërisë.
Ne kemi frikë që të shkojmë 2300 vjet më parë deri tek Pirrua i Epirit, i cili ka folur atë gjuhë që flasin sot shqiptarët e Çamërisë, sepse historianët tanë nuk e quajnë atë si paraardhësin e shqiptarëve të Toskërisë, ashtu sikundër nuk e njohin Epirin dhe epirotët si origjinën tonë. Atyre u ka mbetur ora tek origjina ilire. Por të gjithë historianët e botës që nga lashtësia e deri më sot e njohin Ilirinë, Shkumbin e lart, të paktë janë ata që e njohin Vjosë e lart. Atëhere kujt ja lemë poshtë Shkumbinit, apo poshtë Vjosës?!! Grekut!
Tani kthehemi në temë. A e meriton një shtatore Pirrua i Epirit? Skulptori jonë i madh, Muntaz Dhrami e ka një ëndërr të bëjë një shtatore të tij. Dhe Muntazi është në pritje, por sa do të presë? Një shtatore e Pirros së Epirit në mes të Tiranës, ashtu si një shtatore e Ismail Qemalit, u bën nder gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Por në qoftëse nuk doni në Tiranë, Muntazi si gjirokastrit mund të ketë dëshirë të vendoset në Gjirokastër. Unë si vlonjat do ta ndieja veten shumë të nderuar dhe krenar sikur Pirron ta kisha në Vlorë. Muntazi po pret, por nuk ka kohë. Ai i ka kaluar të tetëdhjetat. Të gjitha idetë i ka gati në kokë. Ai pret donatorët. Nëqoftëse shteti dhe bashkitë nuk duan të japin para për Pirron e Epirit, atëhere PDIU dhe shoqata “Çamëria” t’i gjejnë këto para me se s’bën.
Por edhe Kosova me domosdo duhet t’i kujtojë me nga një shtatore Kostandinin e Madh dhe Justinianin e Madh. Nëqoftëse nuk e bëjnë këtë, atëherë të mos thonë se janë me origjinë dhe rrënjë dardane, kur nuk kujtojnë këta dardanë të mëdhenj. Atëhere të pranojnë ato origjina që u japin sllavët. Dhe po u kujtoj një gjë. Ishte Justiniani i Madh ai që ndali vërshimin e madh sërb. Historianët bizantinë thonë se ai ngriti dhe rindërtoi 150 kala për të mbrojtur popullsinë shqipfolëse nga vala e egër sërbe në Dardani, Iliri, Maqedoni dhe Epir deri në Peloponez.
Së fundmi do të desha t’i lutesha Bankës së Shqipërisë që ashtu siç ka vepruar në emisionet e monedhave metalike duke vendosur në to simbole ilire: mbretëreshën Teuta, mbretin Gent, kalanë e Beratit, madje edhe një anije Liburne; mundësisht të gjente një vend për Pirron e Epirit, për këtë figurë të madhe historike të shqiptarëve dhe me bëma shumë më të mëdha se sa ato të Gentit.
Përfitoj nga rasti këtu që të bëj edhe nje vrejtje të vogël. Çfarë do një anije liburne në monedhat tona, kur ne shqiptarët nuk jemi pasardhës të drejtëpërdrejtë të Liburnëve. Jam i mendimit se me këtë veprim duket sikur mburemi pa të drejtë dhe në mënyrë të pamerituar. Me Liburnët mbase duhet të mburren sllovenët, apo kroatët, pavarësisht sllavizimit të tyre, në gjakun dhe genin e tyre nuk është zhdukur trashëgimia ilire liburne.
Në fund të kësaj ligjërate ndokush nga ju mund të më thotë: Ore thirri mëndjes, mos e ke gabim me këtë Pirron e Epirit! E kam menduar edhe vetë këtë punë, u them unë. Por kur këndova Komedinë Hyjnore të Dante Aligierit, ktheva mëndje. Ky Danteja, që thoni ju, e quante Pirron e Epirit – Burri (Burrhus), ashtu siç e thërrisnin të vetët, epirotët. Interesant. Madje, këtu u çudita, kur Pirron tonë e vendoste në Parajsë. Ndërkohë, që u befasova akoma më shumë kur në Parajsë ai kishte përfshirë Kostandinin e Madh dhe Justinianin e Madh, këta dardanë të lavdishëm. Pra shtatëqind vjet më parë, poeti më i madh i Italisë dhe ndër më të mëdhenjtë në botë, një ndër themeluesit e Rilindjes Italiane, flet me respekt të jashtëzakonshëm për ta. Ndërkohë që ne shqiptarët jemi akoma në paditurinë që na la për pesëqind vjet Turqia. Ja se çfarë thotë Danteja:
Shqiponjën Konstantini mbasi e ktheu
Kundër rrymës së qiellit që n’udhëtim
Ndoq t’lashtin që Lavinjen e rrëmbeu
Njëqind e njëqind vjet e ma qëndrim
Pat n’skaj t’Europës shpendi i hyjnueshëm (Shqiponja)
Pranë malesh nga ku doli në fillim.
– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –
Jam Justiniani, Cezar qeshë atbotë
Për hir t’parës dashni prej meje u shuen
Nenet, ndër ligjë të tepërt dhe të kotë.
– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –
Ndër duer romake e din çka bani at’hera
Kundër Brenit, kundër t’fortit Burrë (Pirro i Epirit)… (8)
Këta burra të mëdhenj që i nderon gjithë njerëzimi, ne shqiptarët, që i kemi tanët, janë gjaku i ynë, i kemi bërë hasha dhe i kemi lënë në haresë. Nuk kanë faj gjitonët që na i kanë marrë, kur ne, si vulëhumbur që jemi, nuk jemi të zot të ruajmë mallin tënë.
Besnik Imeri, Vlorë dt.6 tetor 2019
______________
Referencat:
1 Dhimitër Pilika, Pellazgët Origjina Jonë e Mohuar,Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f, 37-39
2 Dhimitër Pilika, Pellazgët Origjina Jonë e Mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE,Tiranë-2005,f,102
3 Dhimitër Pilika, Pellazgët Origjina Jonë e Mohuar,Bot.ENCIKLOPEDIKE,Tiranë-2005, f,93
4 Dhimitër Pilika, Pellazgët Origjina Jonë e Mohuar,Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f,103-104
5 Dhimitër Pilika, Pellazgët Origjina Jonë e Mohuar,Bot.ENCIKLOPEDIKE,Tiranë-2005,f,68-69
6 Mathieu Aref, Mikenët = Pellazgët, Bot.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f,478
7 Edvin Jacques. Historia e Popullit Shqiptar nga lashtësia deri ditët e sotme, f, 79-80
8 Dante Aligieri, Komedia Hyjnore, Bot.Argeta-LMG-2009, Parajsa, K.VI. f,407-408.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura