BESNIK KRYEZIU: SI TA KUPTOJMË HESHTJEN TONË NDAJ UKSHIN HOTIT?!

Pashtriku.org, 14. 05. 2015 – Kaq vite nga përfundimi i luftës në Kosovë, dhe ende nuk dihet për fatin e Ukshin Hotit?! Këto ditë e lexova librin “IDHULLI I MALLKUR” të autorit Sefer Pasha, libër që bënë fjalë për jetën e Ukshin Hotit. Ende nuk më ka ndodhur që një libër të më bëjë të mendoj aq shumë si ky i Sefer Pashës. Ende nuk e kam ndjerë veten më keq se sa duke e lexuar këtë libër. Autori Pasha përmes këtij libri shpalos me mjeshtri të rrallë tragjedinë kosovare nëpërmes kryepersonazhit të saj Ukshin Hoti. Më ka bërë të mendoj se ku ndodhet në të vërtetë Ukshin Hoti, është i gjallë apo i vdekur. Më ka bërë të mendoj se, pse shteti serb po vazhdon ta mbajë peng Ukshin Hotin.
Që nga koha kur shteti serb e zhduku Ukshin Hotin kanë qarkulluar variante të ndryshme. Ka nga ata që thonë se, ditën kur është liruar është marrë nga ushtarakë serbë, dhe me të dalë nga burgu është ekzekutuar. Dikush tjetër thotë se Ukshin Hoti është gjallë, dhe se shteti serbë po e mbanë diku në Serbi. Si do që të jetë i gjallë apo i vdekur, Ukshin Hotin shteti serbë po e mban peng, duke mos e thënë të vërtetën për fatin e tij.

Ukshin Hoti me nënën Fatime dhe vëllain e vogël Afrimin.

Zhdukja e Ukshin Hotit është disi më specifike se zhdukjet tjera gjatë luftës në Kosovë, sepse Ukshin Hoti ishte arrestuar nga forcat policore serbe të Milloshoviqit para luftës, dhe se në Prizren një gjykatë e instaluar serbe e kishte dënuar me pesë vjet burgim, burg të cilin edhe e mbajti deri në fund Ukshin Hoti. Pra me këtë dua të them se shteti serbë nuk mund t’i ik në asnjë mënyrë përgjegjësisë për fatin e Ukshin Hotit se gjoja ai është liruar nga burgu, por është zhdukur në rrethana lufte. Zhdukjen e ka bërë një shtet me hierarki të qartë shtetërore, dhe ky shtet që sot po mundohet të paraqitet demokratik, dhe po synon integrimin në familjen Europiane duhet ta zbardh enigmën për fatin e Ukshin Hotit. Zbardhja e enigmës mbi fatin e Ukshin Hotit nuk është vetëm një zbardhje për një qytetar të Kosovës, të cilin e ka zhdukur shteti serb, por para së gjithash është zbardhja e historisë më të re të Kosovës, sepse Ukshin Hoti tani më është bërë histori.
E kam ndjerë veten keq për atë që ne si shoqëri dhe si komb nuk bëmë aq sa Ukshin Hoti bëri për ne. Deri sa heshtja e shtetit serb është e kuptueshme, si të kuptohet heshtja jonë ndaj Ukshin Hotit. Institucionent e Kosovës nuk gjetën kurrë kohë për të bërë diçka për Ukshin Hotin. Në muajt e fundit në Kosovë u përkujtuan ngjarjet e pranverës se 81-shës, bile u bë edhe një dokumentar për këto ngjarje. Folën të gjithë, bile edhe ata që në atë kohë ishin udhëheqës të lartë komunistë si: Vllasi dhe Bakalli, por as edhe një fjalë për Ukshin Hotin kur dihet roli i tij në përkrahje të studentëve.
Pse vallë sillemi kështu me njeriun që, për mendimin tim është më meritori për shtetin e Kosovës, sepse u bë kurban në themelet e këtij shteti, duke mos u përkulur për asnjë çast.
– Ku është elita jonë intelektuale?
– Ku është Akademia jonë që as edhe një fjalë nuk e tha për Ukshin Hotin?!
– A jemi ne populli që nuk e kemi merituar Ukshin Hotin siç do të thoshte një folëse në një tribun për Ukshin Hotin, se për ndryshe do ta kishim në mesin tonë.
Nuk e di, por deri sa po i shkruaj këta rreshta se ç´mu kujtua një letër të cilën Ukshin Hoti ia kishte dërguar gruas së tij në vitin 1984 nga burgu ku shkruante: “UNË JAM PENG POLITIK KËTU, DHE E NDIEJ GJER NË ASHT SE ҪFARË DO TË THOTË TË JESH I TILLË”. Pra, kjo na jep të kuptojmë se, Ukshin Hoti që në momentin kur u vu në mbrojtje të kërkesës së studentëve për shtetin e Kosovës ishte peng politik.
Harresa jonë për Ukshin Hotin është e pajustifikueshme. Ka patur plotësisht të drejtë Kadare, kur e ka thënë atë thënjen kineze: “se kur mungon tigri majmuni bëhet mbret”, dhe fatkeqësisht Kosova ka shumë majmunë në skenën e saj politike. Këtë shkrim po e përfundoj me një thënie të Ukshin Hotit:
“EDHE, NËSE KY QË FATI IM, UNË DO TË PAJTOHEM ME TË, PAVARËSISHT NGA ҪMIMI QË MUND TA PAGUAJ, SEPSE FËMIJËT E MI DHE JO UNË VETË, JANË KUPTIMI I JETËS SIME. ATDHEU E FITON KUPTIMIN ME TA DHE JO PA TA, PASI QË PËR ATDHEUN MUND TË LUFTOHET VETËM NË EMËR TË NJERËZORES DHE KURRSESI NDRYSHE”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura