ADNAN ABRASHI, NJERI ME VLERA TË LARTA NJERËZORE E KOMBËTARE

Prizren, 3 nëntor 2018: (Në pesë vjetorin e vdekjes!) – Sot mbushen pesë vjet nga vdekja e Adnan Abrashit (1957-2013): jurist me profesion, publicist e producent televiziv, pronar i galerisë “Vatra”, autor librash, kryetar i shoqatës “Vegimi mistik”, administrues i revistës elektronike “Syri 3” dhe mbi të gjitha njeriu me vlera njerëzore e kombëtare, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Për një kohë, sidomos pas luftës Adnani me anë të analizave dhe kolumneve të tij shkroi për karakteristikat e shoqërisë sonë. Ishte bashkëpunëtor i shumë medieve në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Në shumë gazeta, përfshirë edhe ato elektronike, si dhe në emisionet televizive, mund të lexoje e dëgjoje opinione, në të cilat ai angazhohej për të drejtën e vetëvendosjes dhe barazinë sociale. Ai kritikonte zhvillimet negative, përfshirë këtu edhe ato të ndërkombëtarëve, të cilët kishin ardhur këtu me mision për ta ndihmuar vendin e dalë nga lufta.

Abrashi ka reaguar ndaj një deklarimi të përfaqësuesit të atëhershëm special të BE-së në Kosovë, Pieter Feith, që duke arsyetuar ndryshimin e emblemës së Komunës së Prizrenit, prej të cilës hiqej viti 1878, që simbolizon kohën e mbajtjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kishte deklaruar se kjo po bëhej pasi “Prizreni është shumë specifik”.
Përmes një shkrimi të botuar në disa medie, më 2010: ai ndër tjera ka shkruar: “Vërtet është shumë specifik, z. Feith, dhe jo vetëm Prizreni, por i tërë rasti zinxhiror i këtij Aktgjykimi më absurd antishqiptar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila, si “de facto”, ashtu edhe “de jure”, e ka marrë me kohë cytjen dhe bekimin më të fuqishëm nga vetë funksioni dhe misioni i juaj SPECIFIK”.
Në shkrimet e tij dominoi një stil origjinal i rebeluesit përherë opozitar. Përmes ironisë ai goditi dukuritë e veset e shëmtuara, të cilat i kritikonte si në rrafshin e gjerë të shoqërisë, ashtu edhe brenda individit.
“Mos mendo se je autoritet, në qoftë se je më i çmuari ndër më budallenjtë”. Me këtë porosi e kishte nisur shkrimin me titull “Autoriteti meritë” dhe “autoriteti karrige” në politikë!, të botuar në shtypin kosovar, në tetor 2013, pikërisht një muaj para të shkonte në amshim, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Në një shkrim tjetër me titull “Prizreni do të jetë ndryshe”, të botuar po atë vit, Abrashi ka shkruar “Prizreni sot është i mjerë. Të bën të mendosh sikur rënkon. Përveç papunësisë dhe varfërisë si materiale, ky qytet shpirtërisht është i zhytur në hipokrizi. Në një trend të pashfrenuar të moralit të sëmurë në krizë. E them këtë me plot keqardhje, por marrëzia dominon kudo mbi të. Nga njëra anë e atyre që e sundojnë dhe vendosin si pushtet për të, dhe nga ana tjetër e neve që vetëm ankohemi dhe flasim, por asgjë nuk ndërmarrim në këtë drejtim për ndryshimin e kësaj gjendjeje.
Pas luftës, për më tepër se një dekadë, Adnani ka qenë edhe producent në televizionin lokal “Tv Opinion”, me ç’rast dallohej për zbulimin dhe motivimin e talenteve të rinj, në fushën e artit, muzikës dhe të ekranit.
Pasioni për parapsikologjinë
Adnani në rini ishte kurioz të mësonte lidhur me ligjet e jetës. Lexoi shumë libra nga kjo fushë dhe ndoqi kurse e seminare të edukimit shpirtëror.
“Nuk ngurroj të pranoj se tek pas dyzet vitesh zbulova formulën e parë të urtësisë e cila m’i hapi shtigjet kah lumturia në jetë. Më në fund zbulova se unë isha një krijesë hyjnore. Realiteti i kësaj bote, shkëndija e parë e zjarrit të madh të Perëndisë, që ndizet pandërprerë dhe quhet jetë”, shkruante ai.
Urtësitë të cilat i kishte mësuar nga kërkimet në mënyrë të thjeshtë, logjike dhe të qartë ua prezantoj lexuesve të gjerë. Shumë shkrime me tema të ngjashme i botoi në revista të ndryshme.
Themeloi dhe me mjaft përkushtim e administroi revistën elektronike “Syri 3”, në të cilën botoi punimet autoriale dhe shumë materiale të autorëve të tjerë.
Në romanin e tij “Në vorbullën e jetës apo kursi shpirtëror i filozofisë praktike nga mixha Dilë”, Adnani orvatet t’i shpjegojë ligjshmëritë e jetës.
Ishte bashkëthemelues dhe kryetar i shoqatës së përpjekjeve për krijimin e njeriut të ri “Vegimi mistik’ me qëllim të ofrimit të vlerave njerëzore dhe zbatimit të tyre në jetën e përditshme. Ndër aktivitetet e shumta të shoqatës ishte edhe organizmi i kursit “Arti i të jetuarit”, vijuesit e të cilës u njohën me teknikat e veçanta relaksuese, për të vendosur baraspeshën në mes të trupit, mendjes e shpirtit, praktikimi i të cilave mundëson: më tepër energji pozitive ndjenjë të lumturisë, stabilitet dhe vetëbesim më të madh. Gjithë kjo i nevojitej popullatës sonë, e cila posa kishte dalë nga lufta me trauma të mëdha.
Në bisedat nga kjo fushë, ai vazhdimisht përmendte urtësinë e lashtë kineze: “Malli dhe paraja kur ndahen, gjithmonë zvogëlohen, ndërsa dija kur ndahet ajo rritet”.
Kontribuues për kulturën në vitet e vështira të Kosovës
Në vitin 1992, Adnan Abrashi kishte hapur galerinë artistike ,,Vatra” në Prizren, për t’i krijuar kushte dhe hapësirë prezantimit të krijimtarisë artistike, jo vetëm për autorët prizrenas, por edhe më gjerë. Aty organizoheshin ekspozita të artit pamor, aktivitete muzikore dhe letrare. Rregullisht mbaheshin mbrëmje të muzikës klasike dhe asaj të lehtë.

Hapja e kësaj galerie shihej si një mundësi për artistët, në rrethanat e atëhershme, në të cilat për mungesë kushtesh, aktivitetet kulturore ishin reduktuar në minimum. Sa u përket kushteve teknike, vetë piktorët në deklarimet e tyre për media i kishin vlerësuar ato si solide.
Adani për çdo prezantim interesohej të blinte nga një vepër arti, me qëllim të krijimit të koleksionit të përhershëm të galerisë. Galeria në këtë kohë ishte shndërruar në një vendtakim të artistëve, dashamirëve të artit dhe intelektualëve prizrenas.
Në shumë raste, ai kontribuoi edhe në aspektin financiar duke qenë edhe sponsor i aktiviteteve, të cilat i organizonin shoqatat apo individët e ndryshëm në kafe-galerinë e tij. Për shtatë vjet të funksionimit të saj është organizuar një numër mbresëlënës i manifestimeve kulturor-artistike. Në shkrimet e publikuara në mediumet e kohës, me fjalë miradije ishin prezantuar aktivitetet e mbajtura në këtë galeri.
Këshilla e tij e urtë më të cilën ai edhe thoshte se e kishte si parim bazë me të cilin udhëhiqej në jetë ishte: “Kurrë mos i besoni atij që thotë se e kam gjetur të vërtetën, por i besoni atij që thotë se e kërkoj të vërtetën…”
Nga ata që e njohën dhe patën rastin të punojnë me të, Adnan Abrashi njihej si njeri me virtyte të larta njerëzore e kombëtare. /GazetaePrizrenit.net/

=======================================

Dy vite pa publicistit Adnan Abrashi – 03.11.2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura