Therandë, 07. 04. 2014 – Kujt mund t’i shkonte mendja se edhe sot, në fillim të mijëvjeçarit të tretë, mund të gjeje ndokund në Evropë ndonjë legjendë të pazbuluar, dhe për më tepër, që të çudit me bukurinë e saj? Nuk më kishte shkuar ndër mend kurrë se një legjendë të tillë do ta zbuloja mu në vendlindjen time, në Therandë (ish-Suhareka) ku pothuajse të gjithë banorët e saj njohin njëri-tjetrin. Mirëpo me gjasë nuk paskësh qenë gjithmonë kështu. Qyteza e tanishme që mezi tejkalon dhjetëmijë banorët, duke merituar kështu emrin qytet, më herët s’kishte qenë veçse një fshat i madh, ndërsa akoma më herët, para 100 deri 300 vitesh, një fshat i vogël prej 20-30 shtëpish. Mirëpo gjetjet arkeologjike dhe artefaktet e lashta, qoftë edhe vetëm pas gërmimesh simbolike e sipërfaqësore, kanë nxjerrë në pah se kemi të bëjmë me një vend ku dikur ka ekzistuar një qytet i lashtë dhe ku ka lulëzuar një jetë e mirëfilltë urbane, me pallate e lulishte, me punishte ku prodhoheshin vegla pune e me bodrume të verës e të birrës. Këto dëshmohen së paku nga numri i madh i pitosëve të zbuluar në rrethinën e Suharekës, enë të stërmëdha në të cilat ruheshin jo vetëm drithërat, po edhe vera e mushti.
Që kur kam qenë i vogël kam dëgjuar për një lis madhështor që ndodhet në mesin e një are të kushërinjve të mi, në anën e majtë të lumit (duke ndjekur nga pas rrjedhën e tij) që përshkon mes për mes Therandën. Lisi quhet Lisi i Tomicës. Përgjithësisht, banorët e Therandës dhe të fshatrave përreth nuk shquhen për respektin ndaj drunjve, dhe ashtu si shumë nga kosovarët, janë dëmtues të mëdhenj të pyjeve. Mirëpo si ia doli këtij lisi madhështor që të shpëtonte prej sopatave e sharrave të sotme motorike që s’lënë lis në këmbë, sado të trashë ta ketë trungun? Përgjigja është e thjeshtë: e kanë mbrojtur legjendat që janë thurur për të
– Lisi i Tomës në këtë fillim pranvere –
Bislim Elshani – Te Lisi i Tomës (dashurisë)
Lisi është i trashë sa më s’bëhet dhe askush s’di t’ia çmojë vjetërsinë. Mezi e përthekojnë tre burra me krahët hapur. Megjithatë ai s’mund të ketë më shumë se disa qindvjeçarë, kështu që legjendat e thurura për të, të cilat të çojnë në thellësi të kohëve të lashta, tingëllojnë jobindëse dhe të sajuara. Ndërkaq, qofshin dhe të sajuara, kush ishte ai që i sajoi, dhe ç’mostër shfrytëzoi për ta ruajtur lisin nga dora vrastare? Pra qëllimin tashmë mund ta hamendësojmë: ruajtja e lisit nga sopata duke e shndërruar në tabu. Lisi si një tabu i paprekshëm është tashmë i njohur në mitologjinë shqiptare. Sa fatkeqësi kanë goditur njerëzit pasi kanë prerë një lis të tërë apo një degë të tij në pyll? Mos e mbaj tehun e sopatës përpjetë kur kalon në pyll sepse do të lëndohen e pezmatohen shpirtrat e drunjve! – është një urdhër i pashkruar, por i shenjtë e frikëndjellës për çdo druvar të pyjeve të Dukagjinit. Ndërkaq Lisin e Tomës nuk ka guxuar ta prekë askush. Sepse legjenda e thurur për të është sa e bukur, aq dhe kërcënuese. Legjenda ndonjëherë është ushqyer edhe me ngjarje tragjike të njëmendëta. Psh. kur i zoti i arës ku ndodhet lisi, sot një plak mbi 90-vjeçar, Hysen Elshani, kishte prerë disa degë të tij para shumë vitesh, për të hequr hijen që lëshonin ato mbi të mbjellat, me t’u kthyer në shtëpi i kishte ngordhur kali. Kurrë më s’kishte provuar ta bënte edhe një herë një gjë të tillë.
Së pari duhet sqaruar një gjë që ka të bëjë me emërtimin e tij. Emërtimi “Tomicë” duhet të jetë i sajuar nga ardhacakë të vonshëm sllavë që ishin mjaft të zellshëm e të kujdesshëm për të sllavizuar çdo emërtim fshatrash, vendbanimesh, kodrash e lumenjsh të vendit tonë. Pakkush në Therandë e di se emri “Tomicë”, ndonëse me mbaresë femërore, në gjuhët sllave emërton një mashkull. Kështu që një version legjende që flet për një femër me këtë emër që ka pasur një përfundim tragjik e kemi hedhur poshtë si të sajuar vonë. Në fakt, emërtimi i njëmendët i personazhit të legjendës duhej të kishte qenë Tomë, pa prapashtesën sllave –icë. Kjo edhe për arsye se një gjë e tillë do të binte ndesh me sfondin oriental të legjendës, ku flitet për një zindan e për një pasha, dhe si pasojë, duhej të kishim ndonjë bijë pashai me emrin Nurije a Selvije dhe jo Tomicë. Kjo nuk e përjashton faktin që ashtu si tek epika legjendare e Mujit e Halilit, sfondi oriental të jetë paraqitur me vonë, pas depërtimit turk në Ballkan, si një kostum i ri i një legjende të lashtë, mbase të ndërlidhur me ndonjë lis tjetër, akoma më të lashtë se sa ky për të cilin po flasim. Prandaj këndej e tutje këtë lis do ta thërrasim “Lisi i Tomës”, sipas heroit të tij tragjik me emër të krishterë.*
Atëherë cila është në fakt fabula e kësaj legjende?
Legjenda e Lisit të Tomës
– Lisi i Tomës gjatë verës së shkuar –
Në kohë të lashta, në thellësi të shekujve, paskësh qenë në fushën e Therandës një fortesë, që banorët e moçëm e mbajnë mend me emrin turk zindan (burg). Në atë zindan paskësh qenë një pasha, komandant burgu, me një vajzë të bukur. Vajza qenkësh dashuruar në njërin nga të burgosurit, të cilin pashai e merrte shpesh për t’ia rregulluar kopshtin e tij privat, pasi djaloshi kishte qenë një kopshtar i zoti. Djaloshi kishte pasur edhe tipare të tjera qe e kishin dalluar nga të tjerët, si bukuria e pashembullt djaloshare, zhdërvjelltësia në kryerjen e punëve që i ngarkonte komandanti i burgut, psh. bartja e zahireve për njerëz e bagëti e të tjera. Mirëpo djaloshi kishte qenë i dënuar me vdekje për njëfarë krimi (kishte vrarë për punë nderi një titullar të lartë).
Një ditë përpara se të ekzekutohej, djaloshi kishte takuar të bijën e pashait dhe i ishte lutur që t’i jepte lejë të dilte nga zindani e të shkonte në vendlindjen e tij për t’u përshëndetur “me babë e me nanë”. Ai ia kishte dhënë besën se të nesërmen në mëngjes, përpara se të lindte dielli, do të kthehej në zindan. Vajza, e pikëlluar pa masë për dashurinë e saj të pafat e të pamundur, kishte siguruar çelësat, ia kishte hequr prangat dhe i kishte hapur portën e rëndë të fortesës, duke i thënë se po nuk u kthye, do ta pësonte ajo vetë. Djaloshi kishte shkuar në shtëpinë e prindërve të tij, ishte përshëndetur me babë e me nanë e me motër, dhe ishte kthyer në zindan i përcjellë nga lotët e vajet e të dashurve të tij. Me t’u kthyer para lindjes së diellit, i kishte lënë bijës së pashait një porosi enigmatike: “Pasi të më varrosin, do të kujdesesh për varrin tim për tre vjet, pas tre vjetësh do të kujdesem unë vetë për veten time”. Djaloshi pastaj ishte ekzekutuar në litar dhe ishte varrosur jashtë mureve të zindanit. Në xhepat e tij ai kishte pasur dy kokrra lende lisi, njëra nga të cilat, me t’u varrosur, duke pasur mjaft lagështirë, pas shirave të shumta e pas daljes së lumit nga shtrati, kishte mbirë nga lymi, ishte rritur e ishte bërë një lis madhështor. Mirëpo legjenda shprehet ndryshe. Ajo thotë se vajza e pashait, duke qenë e dashuruar e plot dhimbje për djaloshin e ri, për tre javë rresht kishte shkuar te varri i tij dhe kishte derdhur lotë rrëke, duke vaditur kështu farat e lisit që do të mbinte. Pas tre javësh ajo kishte shkuar për çdo natë te varri i tij dhe kishte vazhduar të vadiste me një shtambë lastarin e ri të sapombirë. Kështu kishte bërë për tre vjet. Pas tre vitesh lisi kishte lëshuar shtat, ndërsa Toma i shndërruar tashmë në lis kishte nisur ta mbronte veten duke ndëshkuar gjithkënd që do të guxonte t’i priste qoftë dhe një degë.
Kuptohet që kjo legjendë, si të gjitha legjendat, është e kursyer në shpjegime më të holla. Psh. nuk tregon nëse pashai (ose komandanti) kishte ndërhyrë për t’ia hequr ose zbutur dënimin kopshtarit të tij të pazëvendësueshëm, dhe sado që t’ia ketë shtyrë, një ditë do t’i ketë ardhur urdhri (fermani) për ekzekutim nga instanca më e lartë. Ose e kundërta, që pashai të ketë nuhatur dashurinë e së bijës, dhe ngaqë nuk do ta ketë akceptuar, do ta ketë përshpejtuar ekzekutimin e Tomës, kjo edhe për të ruajtur të bijën nga nami i keq. Mirëpo ajo që është e vërtetë është fakti se për qindra vjet vetëm barinjtë kishin guxuar të mrizonin dhentë nën hijen e Lisit. Në të rrallë, aty kishte shkuar edhe ndonjë çift dashnorësh për t’i dhënë më shumë fuqi betimit për besnikëri të përjetshme.
– Profesorët Bexhet Berisha e Demir Zekolli nga Theranda –
– Prof. Bexhet Berisha me fundin e gjetur të një pitosi të lashtë –
Legjenda dhe realiteti
Gjurmëve të kësaj legjende, në këtë fillim pranvere ftova mikun tim Demir Zekolli, përgjegjës për trashëgiminë kulturore në Kuvendin Bashkiak të Therandës (Suharekës), të më rrëfente gjithçka dinte për të. Versione të ndryshme të kësaj legjende kisha dëgjuar tashmë nga miku im, Bexhet Berisha, si dhe nga kushëriri im, Muharremi, i cili gjatë gjithë fëmijërisë së tij i kishte mrizuar dhentë nën këtë lis, ndërsa legjendën e kishte dëgjuar dhe mbajtur mendë si fëmijë nga ish-pronari i vjetër i kësaj fushe, Nezir Elshani, ose nga baci Nezë, siç e quan ai.
Demiri na shoqëroi deri tek lisi bashkë me mikun tonë të përbashkët, Bexhet Berishën, me profesion biolog, bashkëhartuesin e “Atlasit të bimëve të Kosovës”, një hulumtues i apasionuar i luleve dhe i fluturave të bjeshkëve të Sharit. Që të tre morëm rrugën për tek lisi, dhe ajo çfarë më befasoi nuk ishte thjesht vetëm lisi dhe legjenda për të: në gjithë anën e majtë të lumit shtrihej një fushë e pamatë pjellore me një lloj dheu që dukej qartë se ishte krijuar nga lymi i sjellë me shekuj përmes vërshimesh të shumta periodike. Demirit i kishin treguar pleqtë më të moçëm të Suharekës se në të shkuarën lumi që përshkonte qytetin e tyre nuk kishte qenë thjesht një “lumthatë” që mbushej me ujë vetëm gjatë stinës së vjeshtës e të dimrit, por një rrjedhë e pasur ujore që pasi grumbullonte gjithë ujërat e përrojeve rreth e rrotull Suharekës, i shkarkonte në qytet, ndonjë herë me një egërsi të tillë që përpinte gjithçka para vetes. Një tërbim të tillë qytetarët e Suharekës për të fundit herë patën rastin ta përjetojnë në verën e vitit 1994, kur lumi i tyre u soll siç nuk ishte sjellë për një shekull të tërë: mori para vetes e përpiu të gjitha lagjet e ndërtuara buzë tij, sidomos ato të qendrës së qytetit, duke shkaktuar dhe disa viktima. Duke pasur parasysh se në shekujt e shkuar nuk kishte pasur konsum e shpërndarje ujërash të këtij lumi nga banorët e fshatrave më të larta të Suharekës në masën e sotme (banorët kishin qenë shumë më të pakët), atëherë nënkuptohet se vërshimet duhej të kishin qenë shumë më të vrullshme e shkatërrimtare. Në anën tjetër, ashtu si në luginën e Nilit, lymi i sjellë nga valët kishte shërbyer për shumë vite si një bekim për prodhimet bujqësore. Kësisoj, aty kishte pasur kushte për lulëzimin e ndonjë qendre të madhe urbane. Se këto nuk ishin thjesht supozime, nuk qe nevoja t’u referoheshim librave. Mjaftuan disa minuta që miku im, Bexheti, të zbulonte vetëm pak metra larg Lisit të Tomës fundin (thundrën) e një pitosi (shiko figurën), të cilin Demiri e vlerësoi si të një lashtësie rreth 2000-vjeçare.
– Portiku, përkatësisht, mejtashi i varrezave të Therandës –
Mbetje të vjetra qeramike dukeshin ngado, sidomos gjerdheve ku i kishin hedhur bujqit që kishin pastruar arat prej tyre. Dukej sikur gjithë fusha thërriste: Bëni gërmime, dhe do të zbuloni një Pompej të tërë nën mua! Mirëpo, sipas Demirit, gërmimet hë për hë janë të pamundura, qoftë për shkak se nuk do të lejonin pronarët, qoftë për shkakun se vendi ynë nuk ka buxhet as për vetë gërmimet cilësore, lëre më për kompensimin e fshatarëve. Hë për hë kjo gjë do t’u lihet gjeneratave të ardhshme.
Ato që dëshmojnë në fakt praninë e një vendbanimi të madh në këto hapësira nuk janë vetëm fjalë, mite dhe pandehma. Në varrezat e Suharekës akoma dhe sot gjendet një gur i stërmadh, i gdhendur në stil greko-romak, që besimtarët e përdorin si një “mejtash” për të “falur xhenazen”. Pamja e tij tregon se bëhet fjalë për një portik të ndonjë pallati madhështor, ndërsa pleqtë ia mbajnë mend prejardhjen: ka ardhur nga fusha afër Lisit të Tomës. Kjo pjesë masive portiku prej dy metrash nuk është e vetme. Zgjatimi i saj, një gur po kaq i madh, ishte degdisur në një fshat tjetër të rrethit të Therandës ku kryen po këtë funksion. Pra portiku që kishte shërbyer dikur për futjen e qytetarëve brenda një strehe të sigurt, në rast se kishte shërbyer si portë kështjelle fushore, apo ku dikur kishin hyrë hapsanexhinjtë, nëse kishte qenë, siç thotë legjenda, një portë zindani, tani po shërbente si një portë për “në jetën e amshuar”.
Mirëpo ajo që të befason akoma më shumë është një gjetje tjetër arkeologjike e zbuluar po në këtë vend. Bëhet fjalë për trupin e veshur të një gruaje, një torzo pa kokë, krahë e këmbë, po me pjesën ballore që zbulon një lloj kostumi femëror për të cilin arkeologët janë të sigurt se është ilir. Ky objekt gjendet në oborrin e qytetarit të Suharekës me emrin Salih Elshani.
– Qyteti antik i Apollonisë në bregdetin e Shqipërisë –
Shikoni ngjashmërinë e portikut të Therandës me portikët e Apollonisë!
Gjetje arkeologjike e artefakte të tjera që ndërlidhen me arealin e Lisit të Tomës gjenden edhe nëpër mure e oborre të qytetarëve tjerë të Suharekës, kryesisht me mbiemrin Elshani, ngaqë të parët e tyre kishin qenë pronarët e parë të kësaj fushe. Mbase e ardhmja do të na zbulojë ndonjë rrëfim akoma më befasues për ndonjë qytet të lashtë ilir të zhdukur nën lym. Si duket, riemërimi i këtij qyteti me emërtimin e vjetër Therandë nuk është as i rastit dhe as i gabuar.
– Torzo ilire në Therandë –
* Sllavizimi i emërtimeve nuk është diçka e panjohur në komunën e Therandës e të Prizrenit. Të marrim si shembull vetëm rastin e lokalitetit Shtatinoc* të cilit kolonistët serbë, të ardhur pas Luftës së Parë Botërore, i vunë emrin “Nova shumadija”. Mirëpo vetë emri Shtatinoc të fut gjithashtu në mendime. Ç’do të thotë vallë Shtatinoc? Mos nënkupton shtatin e Ndocit? Apo Ndocin e shtatë? Ç’ti ketë ndodhur vallë shtatit të Ndocit apo Ndocit të shtatë nga sundimtarët e hershëm sllavë apo turq? Ç’prapësi apo ç’rebelim do të ketë bërë ai? A mos ndërlidhet me ketë farefis të “ndocëve” edhe një fshat tjetër i afërt, me toponimin Gjinoc (Gjin Ndoci), në rrugën Prizren-Therandë?