KANUNI DHE GRUAJA BASHKËKOHORE SHQIPTARE NË KOSOVË

KANUNI DHE GRUAJA BASHKËKOHORE SHQIPTARE NË KOSOVË

Nga Saime Isufi, Suharekë, më 1 prill 2023

I.

Kanuni dhe epoka e tij

Një fjalë thotë se nganjëherë vajzat ia shohin sherrin bukurisë së vet. Kështu ndodhi edhe me  atdheun e bukur e të begatë të shqiptarëve që tërhoqi lakminë e fqinjëve të tyre grabitqarë. Pushtues të shumtë  lanë të gërshetuara kulturat, të cilat kryesisht u bënë pengesë e zhvillimit modern të kombit tonë. Gruaja shqiptare në Kosovë ka qenë rob i dyfishtë; nga sundimi i huaj dhe nga prangat e vetë familjes së saj me mentalitet dhe kulturë patriarkale.

Padrejtësia dhe pabarazia e gruas me burrin, madje është kodifikuar edhe në normat e rregullimit të jetës së shqiptarëve, me Kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili paradoksalisht si anakroni gjen zbatim aty-këtu edhe në kohën tonë. Kanuni shqiptar karshi gruas përcaktonte kornizën e jetës së saj, për të qenë nën sundimin e burrit dhe në shërbim të tij. Aty përcaktoheshin detyrat e saj në bashkëshortësi „me i a ruejtë nderen burrit, me i rrogue pa zhibla, me i ndejë nën sundim…mos me iu perzie në fejes të të bijve e të të bijave.”  Madje akoma pa u martuar, vajza diskriminohej rëndë në raport me djalin e fejuar me të: „Njatë herë kur t’i teket djalit, asht i lirë me lshue vajzën e xanun”, porse…”Vajza nën unazë nuk ka tager me lshue djalin…kjo s’mund të martohet ma për të gjallët e dhandrrit me tjeterkend…Edhe po e muer tjetër grue dhandrri vajza e xanun prej tij jet e lidhun se e lidhun… Po s’nigioi vajza me shkue m’at fat, qi e pat xanë, edhe me perdhuni do t’ia apin atij, qi e ka xanë me ‘Fishek më shinë’; e për n’i raftë për sy vajza tue hikun, ky e vret me fishek të prindës së saj, e gjaku i vajzës shkon hupës, për arsye qi me fishek të tyne e vrau.“

Një nga shkaqet që gruaja shqiptare nuk e ka gëzuar pavarësinë ekonomike, madje deri në ditët tona, pavarësisht legjislacionit në fuqi, është privimi i saj nga trashëgimia. Kanuni ka sanksionuar: „Grueja shqyptare farë trashigimit s’ka te prindja, as më plang, as në shpi, – kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi. Prindja s’mendon për pajë as për kurrnji send për vajzë të vet.“ Më tej Kanuni vazhdon: „Me rrahë burri gruen, nuk bie në faj kah kanuja, e as prindja s’mund t’a kerkojn të rrahmen.“ Sepse „Grueja njifet si një calikë per me bajtë sa të jetë në derë të burrit, se po s’u pru grueja si duhet te burri, kanuja i nep leje me i pre thekun a flokun e me lshue.“. „– Gjaku i grues s’bahet krahas me gjak të burrit.“

Në obskurantizëm, injorancë dhe robëri, gruaja shqiptare nuk kishte si ta ushtronte rolin e saj të plotë në shoqëri, prandaj gjysma e potencialit të përgjithshëm kombëtar mbetej i ndrydhur dhe i heshtur në zhvillim e përparim. Kontributi i gruas shqiptare kufizohej në kultivimin e familjes, kësaj vlere themeltare të kombit shqiptar. Mbasi kanuni është kundër gruas, gruaja por edhe burri duhet të jenë kundër kanunit.

Megjithatë përkundër mentalitetit mesjetar dhe zakoneve prapanike, gruaja shqiptare nuk ka munguar në fushat e betejave për atdheun e vet. Tradita luftarake e gruas shqiptare fillon që nga koha ilire, vazhdon në Epokën e Gjergj Kastriotit, e  Rilindjen Kombëtare, në Pavarësinë e Shqipërisë e në Luftën Nacionalçlirimtare, në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të gjysmës së kombit nën pushtimin serb e jugosllav dhe deri në  Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përveç kontributit të madh që dha gruaja shqiptare brenda vendit për rezistencën kundër regjimit pushtues, ajo u shqua gjithashtu me veprimtarinë e pareshtur në mërgim, gjithandej kontinenteve të botës, me organizim klandestin çlirimtar, me demonstrata e protesta,  me manifestime frymëzuese dhe mobilizuese kulturore, me arsimimin shqip, me mbledhjen e ndihmave materiale për lëvizjen çlirimtare dhe luftën etj.

II.

Gruaja bashkëkohore shqiptare në Kosovë

Në kontekstin aktual historik gruaja shqiptare në Kosovë, tashmë e ndërgjegjshme për të drejtat e saj dhe barazinë me burrin,  është aktive në proceset shtetndërtuese, ekonomike, zhvillimore, politike, demokratike dhe kulturore.           

Pas çlirimit gruaja në Kosovë ka shënuar përparim të vrullshëm në emancipimin e saj. Ky proces, që çliron gjithë atë energji kolosale të Kosovës së prapambetur, i ndihmon gruas ta zë vendin e merituar dhe të barabartë në shoqëri, u ndihmon burrave të dalin nga mentaliteti patriarkal i mykur në shekuj dhe hap horizonte të shfrytëzimit të të gjithë potencialit kombëtar drejt ndërtimit, zhvillimit, demokratizimit dhe integrimeve euroatlantike të vendit tonë.

Shtylla kurrizore e barazisë së gruas bashkëkohore me burrin është pavarësia e saj ekonomike. Kjo pavarësi arrihet me barazinë gjinore, me arsimimin dhe punësimin e vajzave e grave, me të drejtën e trashëgimisë të pronës së prindërve ku është rritur, me ndarjen e drejtë të detyrave të çiftit në familje, të barazisë në kurorë etj. Gruaja e sotme shqiptare nuk duhet të pranojë kthimin e saj në dukuri të kulturës së imponuar dikur dhe aq më pak ta bëjë këtë vullnetarisht.

Bota moderne nëpërmjet të OKB-së dhe të  institucioneve e agjencive të specializuara, ka hartuar dhe miratuar shumë instrumente  për të drejtat e gruas dhe barazinë gjinore.   Po i përmend këtu të paktën dy prej tyre: Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Ndaj Grave. Këto dokumente dhe të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, janë pjesë përbërëse e Kushtetutës së Kosovës. Në legjislacionin e Kosovës është edhe Ligji i Barazisë Gjinore. Janë ngritur gjithashtu institucione përkatëse për barazi gjinore në nivel qendror dhe lokal si dhe në Shoqërinë Civile.

Ndonëse në Kosovë ende nuk është zhdukur patriarkalizmi dhe mentaliteti i vjetër zakonor, vajzat dhe gratë shqiptare, megjithatë i gjen sot në Kosovë e trevat tjera etnike shqiptare në shkollë e universitete kombëtare e të huaja; i gjen në pozita  udhëheqëse e vendimmarrëse, në administratë e medie, në organet e larta shtetërore e lokale dhe në shoqërinë civile; i  gjen në misionin edukues  që nga çerdhet dhe deri në universitet, si police e ushtarake; i gjen si poetesha e prozatore, shkencëtare e doktoresha, politikane e diplomate, këngëtare e artiste, sportiste e misionare, menaxhere e biznesmene të suksesshme. Shumë nga këto vajza e gra janë krenaria e kombit që përfaqësojnë, me aftësitë, pasionin e dijet, guximin e vendosmërinë, talentin e përkushtimin, fitoret e  rezultatet që kanë arritur në karrierën e tyre.

Por, jemi ende larg nga barazia e plotë e gruas me burrin dhe sipas standardeve demokratike euro-amerikane. Në Raportin Vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit, për vitin 2022, publikuar më 20 mars 2023, ndër problemet më shqetësuese në Kosovë evidentohet dhuna në bazë gjinore, me ç’rast tërhiqet vërejtja edhe për politikat ndëshkuese. Edhe sikur në tërë botën të ruhet kjo praktikë e shëmtuar, Kosova duhet ta braktisë, qoftë edhe vetëm nga nevoja e imazhit dhe të ardhmes së saj. Aktualisht në Kosovë për fat të keq, sipas statistikave dhe raporteve policore kemi dhunë sistematike dhe në rritje ndaj gruas. Një burrë që nuk e meriton, madje e keqtrajton gruan e vet, ajo nuk duhet të mbetet rob i tij.

Gruaja qytetare e barabartë në shoqëri është çelësi dhe kushti i zhvillimit në shoqëritë moderne. Pjesëmarrja e gruas në jetën shoqërore, institucionale, politike, ekonomike etj. sa për të respektuar kuotat gjysmake të detyrueshme nuk është e mjaftueshme, nëse nuk mbajnë edhe pozita të larta dhe drejtuese e vendimmarrëse në nivel qendror e lokal baras me burrat. Madje edhe kuotat nuk duhet të jenë sa për t’u përmbushur, sepse rëndësi ka cilësia më shumë se numrat. Inkurajimi i gruas në jetën politike e bën vetë këtë veprimtari më njerëzore, më të kulturuar dhe më të pastër e të pakorruptuar.

Proceset integruese euroatlantike në Kosovë do ta përshpejtojnë arritjen e nivelit perëndimor demokratik të barazisë gjinore. Gruas shqiptare aq të drejta sa ka, nuk ia ka falur askush, ajo me jetën dhe veprimtarinë e luftën e saj vetë i ka fituar meritueshëm.  Nuk ka askush të drejtë ta privojë atë nga veprimtaria dhe lufta në të drejtën e saj. Sa më parë ta kuptojmë këtë fakt, aq më mirë për gratë e burrat dhe shoqërinë tonë në përgjithësi.

Një fjalë thotë: Ari matet me zjarrin, gruaja me arin dhe burri me gruan.

__________

 – Fjalë në Tribunën “Gruaja bazament lirie, prometheizmi i saj për liri”, organizuar nga  Zëri i Gruas së Lirisë dhe Komuna e Suharekës.

______________________________

Prof. Dr. Sabile Keçmezi – Basha, Pashtriku, 30. 06. 2023

RRETHANAT HISTORIKE DHE POLITIKE NË KOSOVË, KUR U THEMELUA ORGANIZATA ÇLIRIMTARE “GRUPI REVOLUCIONAR I KOSOVËS (GRK)” – ORGANIZATA MARKSISTE – LENINISTE E KOSOVËS (OMLK)

https://pashtriku.org/rrethanat-historike-dhe-politike-ne-kosove-kur-u-themelua-organizata-clirimtare-grupi-revolucionar-i-kosoves-grk-organizata-marksiste-leniniste-e-kosoves-omlk/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura