Bern, 11 janar 2021: (Panorama e fundit e poezive të librit të 11-të)
LËNDINA E MALLIT
1.
Në mes të ëndërres
e malit të kujtimeve
është kjo lëndinë
e mallit të shpirtit,
pikojnë vitet
zemrën e përvuajtur!
2.
Erërat
me rrebëtmin e kryqëzimeve
përplasen rrotull
në qenien tonë
e llogarisim shpresat
para dimrit të acartë
nëpër mjegullat e bardha
të vjeshtës së fatit,
një pikë drite
me dridhjet e këngës
që e përcëllon
ngritet drejtë hapësirës…
3.
Një peng i kahershëm
me gjërat që prore digjen
për dheun e rritjes
dikund
nëpër truallin e dhembjeve
të mbanë përherë
lëndinave të mallit
pa e shpërlarë damarëve
atë etje të rrallë!…
SENTENCAT E PROVAVE
1.
Një ditë
do të plasë
zemra e trishtë
kur shpirti vlon
e mendja rri
me kujdesin amtar
mbi dhembjen,
përpiqet t`ua vë
në peshojë të fjalës
rrebticat e kohës.
2.
Qenia e gjallë
të katër elementet
i kthen në aureolë
e të pestin
nuk e zënë
grushtat e viteve
sepse
materia përceptohet
vetëm me ato
që i zë vështrimi,
prapavija mbetet
e pakapshme-
enigmë e përjetshme!
3.
Cili mund të flasë
me të panjohurën
nëse është i padukshëm,
drita e madhe e Dijes
e mbështjellë
tërë njeriun
por zbardhet dioptria
aq sa e bardha
të humbë në hapësirë.
4.
Po të mos ishte
drita
në të gjitha shtresat
errësira
do të na përpinte
të gjitha gjërat
e nuk do të shkrihej
asnjë materie.
5.
Sikur ta kishim
në dorë të provave
laboratorin e uneve
do të ecte nëpër flakë
e këmbëngultazi
pa frikë
qenia e gjallë e meditimeve!
6.
E si mundet
të shkruhej shpirti
kur nuk është
tabelë e shkrimit,
shkëlqen nga jashtë
me aureolat e ngrohta
e ndjenjat ia dikton
zemrës sonë!
7.
E sheh gjithmonë
me sy të ëngjujve
botën e sertë
e të pafundshme,
ia dikton
me të butë
dufet e ndjenjave,
i pikon mëshira
mes suferinave të ftohta,
e kurrë nuk kthehet
dashuria e vërtetë
në zgavrrën e vet
apo nuk i bjen
shija
sharmi
arti
e kontura e madhësisë.
8.
Kur del shpirti
nga qenia e jonë
trupi kthehet
në një kufomë kohe
kutërbon
qelbësira e pafund
në atmosferën
për rreth,
e hapësira trishtohet
nga dhembjet.
9.
Lum ai
që ia njëh vlerën
atij
që e mbanë gjallë
nëpër batica e zbatica
nëpër ngitje
e zbritje
atij
që ia vlon mendimet,
provat
na dëshmojnë
kalkulimet e fatit!
10.
Ne jemi
një lëvizje përherë
nga materia e dukshme
në materien
e padukshme,
prore
ia themi këngës
apo vajit
deri në botët paralele,
tragjikomedia
është formë e shprehjes
deri në pamundësi,
kurr nuk dëgjohet
zëri i tretur
në botën
e përkohshme…
11.
Nëse na vlon shpirti
vlojnë gjërat
rreth e rrotull,
i ngjajmë kazanit
mbi zjarr
të ndjenjave,
përherë e nxjerrim
nga një sentencë,
kërkojmë në jetë
vërtetimin
e ardhjes sonë!…
DISKURSI I ECJEVE
1.
I lëvizim këmbët
deri në lëndinat e vetmisë
të nxjerrim
idhësimin e ditëve
në natyrë
e natyra e teptisur
na e hedh
jorganin e mjegullave
të na e zë pisk
edhe frymën…
2.
Diskursi i ecjeve
gjatë krizës së vonë
të Koronës
i kaliron rrebticat
përpiqet të na jep
frymëmarrje të lirë
midis qarqit të meditimeve.
3.
Lëndina e malit
e frymëmarjes së derrave
ia mësyen
shpërfilljes së vet
e na i lë provat
e ecjeve tona
deri në pakohësi!…
4.
E ku ta dija përse
kjo ecje malesh
në kujtesë
e paska edhe një shkarje,
disponimi i brishtë
sillet me pahir
deri në këtë lëndinë
për të shkundur
morrat
e lëkurës sonë…
5.
Tani
duhet të ikim
nga ky rrah
malit teposhtë e përpjetë
me revoltën tonë
nëpër duar…
6.
Kush e di
në cilin vend
pushojnë fjalët
diskursi
i ecjeve tona
e ka nga një arësye-
nuk e mundim dot
krizën e shpirtit!
PËRDITË
TË VDES NGA PAK
1.
Pse më ndave
nga mbrojtja e sinqertë
në ato gjyqe të kohës
biri im,
përditë më le
të vdes nga pak
me lot të tharë,
e askund qetësi!
2.
Të bredhë
deri te lojërat e lotëve
përtej liqenit të vetmisë
aty ku përleshem
ndonjëherë me ty
e kohën time pa ty,
brenda kthinave
të paqenura
e paramendoj me vete
fatin e pafatin,
si mund të digjesh
si mund të durosh
përafërsisht e ndjej,
apo sëmundja e jote
e zemra e viteve
kalërojnë jashtë syve të mi
deri në shkatërrim!…
3.
Kam bindjen
e ilusioneve të mia
se dënohesh me pa të drejtë
deri në përjashtim,
informatat e rrejshme
të armiqëve e serbofilëve
i bluajnë
në një mulli fjalësh,
e drejtësia
përpëlitet
sikur të vdesë
në cepat e kohës!
4.
Athua
të kanë shtyer djajtë
të veshur si engjuj
të rënkosh
për të gjallë
me duhmat e shpirtit
e të marrësh inat
me çdonjërin që të do,
të mbetesh prore
i dënuar pa ne
ashtu si unë
i dënuar pa ju
në kohën e pa kohë-
baladë përjashtimesh!…
5.
Rrepticat e vdekjes
serbo-turqia
apo vetë arabia
të padukshme i hedhin,
edhe nëpër ty
e deri në mbytjen tonë
me rrotacion,
në vorbullën e kohërave
apo në vrimën e madhe
të pafatit,
ndërsa vetë
kërkojnë të rrojnë
me lotët
e gjakun tonë-
konglomerat
i gënjeshtrave!…
6.
Kultura e feve
nuk duhet të ngritet
mbi origjinën
e nga kjo gjë
ka lëvizur tërësisht
çështja e përkufizimeve,
abstraktja është platformë
e atyre që merren
me teoritë e rrejshme
mbi ne,
prandaj unë
duhet të përpëlitem
me vitet që më dridhen
në të dy kohërat
e vetminë time t`a vras!…
7.
Ti nuk e kupton
lojën e atyre që duket
sikur të puthin,
ndoshta
kthehesh në tretdhé
i gojuar nëpër dhembjen
e pamatur,
për dikend
je apoetozë
për një tjetër
baladë e pakryer-
fortifikatë askund!…
8.
Kush guxon
të të ndajë
prej pjellës sate
e fëmijët
pa babë t`i lë
tek brenë miza hekur,
athua
demokracia direkte
qenka shpërputhje
më të vërtetën
apo ndoshta është
jetë e përkoshme
e ilusioneve!…
9.
Edhe po të marr
bjeshkët mbi kurriz
nuk ma beson
dhembjen për ty,
ti je i pari
që të bartja kalistrok
edhe nëpër ëndërra,
vdekja ime
nëpër vargje
në çdo dhjetor
më je TI!…
VIJA E DEGËDISJES
1.
Më duket
se çdo ditë ma ndryshojnë
lëndinën time të mallit,
vi në ndonjë mbrëmje
me shiun
apo dëborën e çmedurisë
nëpër truallin e betonuar
plot me mendime të kallura
apo dhembje të shpirtit
dhe e gjëj një tjetër
nga pararendja e pikëtakimit.
2.
Askush
nuk është këndej pari
pos ndonjë copë të ëndërres
të vjerrur
nëpër drizat e kohës,
gjithmonë
ato janë të befta
dalin prej kupës
së mendimeve,
papritur
ia shkrepin më tutje
dënesjes së pafund-
vija e hollë është
e dridhen
regëtimat e shpirtit!…
3.
Më largë
sa e dyta ikje
përtej liqenit të lotëve
është ikja ime
nën urën e mllefit
kur të gjithë djajt
i kam lënë
të zhytur nëpër ujë!…
4.
Se si ndjehem
nuk u intereson specieve
që ndoshta
më afrohen
të vjedhin
suferinave të fatit
si të padukshme
e kullotin
kurreshtinë e tyre
nëpër etapa,
ato nuk ngjajnë
me ditën e merzitshme
që e bluaj kohën!
5.
Edhe ashtu
nuk kemi shumë punë
në këtë mal të dhembjes,
a e dini
rrugën nuk e kam
të humbur shpresash,
por degëdisem
në fluturimin e yjeve!…
OFSHAMË SHPIRTI
Edhe dy-tre rrjeshta
sa për fund
të kësaj dhembje
të dhënë prej unit
edhe në mesin
e kapakëve të kohës,
nuk përfundon këngëtimi
as pas kësaj rreshje
të fijeve të kuptimit,
ka prap përpjekje
t`i paketojmë mendimet
në stile të ndryshme,
është fjalë e peshuar
në librin e zemrës,
e nuk mund të themi
se po ndahemi
pa këngë,
fundi merret si fillim
e çdo fillim
e ka nga një fund-
ofshamë shpirti!…