SFIDA E NJERIUT, ARTI DHE KRITIKA PËRBALLË GLOBALIZMIT

SFIDA E NJERIUT, ARTI DHE KRITIKA PËRBALLË GLOBALIZMIT

Intervistë me Prof. Dr. Alfred Uçi

Profesor Alfred Uçi, është esteti që me punën e tij hodhi dritë mbi shumë dukuri të letërsisë botërore dhe asaj letrare, në veçanti. Puna e tij akademike përfshin një numër të madh artikujsh dhe veprash të botuara në organe të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.

Në këtë intervistë sillen mendimet e tij për kritikën dhe rolin e saj në shoqëri në këtë epokë të globalizimit.

– Në ç’marrëdhënie qëndron njeriu në shoqërinë e sotme?

– Njeriu është prodhim i natyrës dhe njeriu i përfshirë brenda shoqërisë, formon marrëdhënie të ndryshme me njëri-tjetrin dhe me shoqërinë në tërësi. Këto marrëdhënie ndikojnë më pas në kulturën e në jetën enjeriut.

– Cilat janë sfidat me të cilat përballet njeriu?

– Njeriu jeton në këtë botë dhe është qenia e arsyeshme, e cila njeh jo vetëm atë që e rrethon, domethënë shoqërinë dhe natyrën, por njeh dhe veten e tij. Të njohësh veten ka qenë një princip shumë i lashtë, i thënë për herëtë parë nga filozofët e lashtë të antikitetit greko-romak. Kjo ka rëndësi për të vetëvlerësuar sjelljet dhe veprimet e vetë individit në marrëdhënie me të tjerët. Sjelljet morale, etike varen se sa ai e njeh veten dhe sa njeriu përpiqet ta përsosë veten. Zhvillimi i individit, zhvillimi i njerëzve nëpërgjithësi duhet të jetë një tejkalim i vetvetes, të mos e lërë veten në atë gjendje që është, po për t’u rritur jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht, me ide të reja, me mendimin filozofik, me mendimin etik moral, që vndikojnë në veprimtarinë e tij, si dhe në sigurimin e një të ardhmeje më të përshtatshme për zhvillimin e individit.

– Jeta juaj ka qenë një jetë e mbushur me studime në fusha të ndryshme, por më shumë me estetikën. Ç’mund të na thoni për studimet dhe kërkimet në ditët e sotme?

– Seminari i ditës së sotme i kushtohej filozofisë. Filozofia që në antikitet ka qenë pluraliste, por gjatë zhvillimit të saj kanë lindur degëzime të ndryshme. Megjithatë, gjatë historisë njerëzore kanë lindur probleme të cilat janë shtruar për t’u zgjidhur jo vetëm në shoqëritë e Evropës, pore dhe në shoqëritë e Lindjes. Në themel të këtyre ideve filozofike qëndron jo vetëm e vërteta, që është pjesë e pandarë e studimeve shkencore, por edhe bukuria që është një pjesë tjetër e krijuar nga njeriu, duke e bërë më të gjerë jetën, duke e bërë më të pasur botëkuptimin e tij, pasi bukuria është një vlerë, që secili e çmon. Këto janë cilësi të rëndësishme në themel të jetës dhe qëndrojnë gjatë kohëve dhe e përcjellin njeriun, pavarësisht nga koha kur ai jeton.

Në kohën e sotme, një pjesë e kulturës bashkëkohore, moderne, padyshim janë dhe idetë estetike, të cilat trupëzohen, mishërohen jo vetëm në veprat e artit, dhe arti në kohët e sotme zë një vend shumë të gjerë në jetën e njerëzve, është një mjet transmetimi i ideve të ndryshme filozofike, etike, morale. Në këtë pikëpamje është një pjesë e pandarë e botëkuptimit të çdo njeriu. Njeriu mund të mos dijë shumë dije që janë të specializuara, p.sh: shkencat bujqësore, ose blegtorinë, por nuk ka njeri që të mos ketë idetë e tij filozofike, ose idetë e tij estetike dhe të mos ketë të bëjë më artin. Arti e ndjek njeriun nga mosha e tij e fëmijërisë deri në fund.

– A mendoni që studiuesit, kritikët duhet të jenë më aktivë në publikimin e punëve të tyre, me qëllim që të orientojë dhe të përmirësojë shijet e lexuesit, duke pasur parasysh faktin që sot gjithkush mund të botojë, sot gjithkush mund të quhet “artist”?

– Kritika, mendim kritik, pothuajse është një bashkudhëtare e përhershme e zhvillimit të artit. Kjo nuk do të thotë që ato gjithmonë shkojnë paralelisht. Midis tyre mund të ketë periudha kur arti shkon më përpara se kritika, ose dhe e kundërta, kur mendimi kritik bëhet ndihmesë për ta kuptuar krijimtarinë artistike dhe për të ndihmuar dhe ata që nuk merren drejtpërdrejt me art, por që e shijojnë e perceptojnë atë. Kushtet për të zhvilluar mendimin kritik nuk janë të njëjta në çdo shoqëri.

Në kohët e sotme ka mjaft faktorë që ndikojnë negativisht në zhvillimin e mendimit kritik, sepse nuk ka revista, gazeta të specializuara për mendimin artistik në fushën e muzikës, në fushën e letërsisë, etj. Nuk ka institucione që përgatisin formimin dhe edukimin e kritikës, siç ka institucione që përgatisin specialistë nga fusha të ndryshme të jetës. Ka mjaft mangësi në këtë drejtim që mendimi kritik të bëhet më i përgjithshëm dhe më i orientuar te lexuesi, te amatorët e artit.

-Marrëdhëniet e kritikës së ideologjizuar me artin. A ekziston një kritikë e tillë sot?

– Kritika edhe në kohën e monizmit nuk ka qenë e gjitha e ideologjizuar, ku jepeshin vetëm mendime të gabuara. Ka pasur kritikë që kanë pasur një kulturë të gjerë, i kanë qëndruar me besnikëri së vërtetës dhe kanë dhënë mendime të sakta dhe të drejta. Kishte dhe kritikë të tjerë që kishin kulturën dhe zotësinë aq sa, të jepnin një mendim të pjekur dhe të saktë, ose njerëz që mendonin që bëjnë mirë për shoqërinë duke përçuar ide që kanë qenë të gabuara. Në kohën e sotme, kritika, kritiku është i lirë të shprehë mendimet e tij të vërteta, të sinqerta dhe shkencore. Sot mendimi i lirë kritik është më i gjerë se më parë. Kritika në tërësi ndeshet me disa vështirësi, qoftë intelektuale, qoftë materiale. Nuk shpërblehet si duhet puna e tyre. Edhe ato vlerësime që bëhen mbeten në kuadrin e recensioneve, të cilat asnjëherë nuk kanë vlerën e një kritike të mirëfilltë, pasi janë shumë subjektive, personale, amatoreske.

Edhe në kohën e sotme, ka parti politike që përpiqen të ndikojnë mbi kritikën, ka interesa të partive politike, prandaj mendimi nuk mund të jetë i njëjtë. Mendimi kritik është pluralist, pasi këtë detyrë nuk e ka vetëm kritiku, por edhe ai që di ta perceptojë, di ta shijojë veprën artistike dhe të mos ndikohet nga subjektivizmi që vjen nga interesa të vogla dhe që nuk përputhen me vlerat e vërteta që kanë veprat artistike. Detyra parësore e kritikut është që të mos ndikohet nga interesa të vogla personale, që nuk përputhen me vlerat e vërteta që kanë veprat artistike.

– Në procesin e globalizimit në të cilën jetojmë, në ç’raporte qëndrojnë njeriu me besimin e tij.

– Procesi i globalizimit sidomos në përjetësimet e sotme reflektohet në shumë anë të jetës së njerëzve. Disa e kuptojnë që janë nën ndikimet e procesit të globalizimit, ndërsa të tjerë nuk e kuptojnë që janë nën efektet e procesit të globalizimit, pasi ky proces përfshin shumë anë: ekonomike, shoqërore, kulturore. Këto raporte dhe lidhje që përbëjnë proceset e globalizimit formojnë marrëdhënie të ndryshme me njëri-tjetrin dhe me shoqërinë në tërësi. Kriza që ka përfshirë disa vende të Evropës, reflektohet edhe në jetën e njerëzve, pasi pengon rritjen e ekonomisë, e cila bashkë me rritjen e ekonomisë pengohet edhe mirëqenia e tyre. Lidhur me këtë njerëzit nuk janë shumë të qartë, për të shmangur pasojat e të mbajnë qëndrime që janë të dobishme për shoqërinë në përgjithësi dhe për individin në veçanti.

– Në fjalën tuaj përmendët që shkrimtari i madh italian, Dante Aligeri, në veprën e tij është ndikuar nga filozofia e shkencës së Lindjes. Mund të na thoni diçka më shumë rreth këtij ndikimi?

– Kam punuar një artikull për Dante Aligerin, për ndikimin që ka pasur nga filozofia e shkencës së Lindjes. Dantja krijoi në një vend si Italia, në prag të fillimit të Rilindjes italiane dhe evropiane. Botëkuptimi i tij u formua edhe duke u njohur me mendimtarët, poetët e Lindjes, sepse kultura e këtyre mendimtarëve persianë ishte përhapur në etnitë arabe.

Ka pasur një kohë kur në Spanjë jetonin shumë arabë. Kur u përndoqën në Spanjë, ata u detyruan të largoheshin nga ky vend. Një pjesë e tyre shkoi në Itali, duke përhapur kështu idetë e mendimtarëve, poetëve persianë. Në këtë mënyrë gjen edhe te Dantja, që quhet “Poeti i Perëndimit”, elemente dhe ide që u përkasin këtyre poetëve, mendimtarëve persianë. Duhet të theksoj që Rilindja persiane është zhvilluar para se të vijë Rilindja në pjesën evropiane. Në Shqipëri, Rilindje quhet periudhae shekullit të XIX, sidomos për shkak se në këtë periudhë u formua dheu përhap vetëdija kombëtare, domethënë njerëzit filluan ta kuptojnë se i përkasin një kombi të veçantë, kombit shqiptar, që ka një histori të lashtë.

– Profesor ju faleminderit për intervistën dhe për kohën që na kushtuat. Ju urojmë suksese të mëtejshme në punën tuaj.

Intervistoi: Jerida Kulla

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura