(Tiranë, 09. 12. 2012) – Më 9 – 10 nëntor 2012 në Tiranë u mbajt Simpoziumi i II’të Ndërkombëtar “Pellazgët, gjuha dhe pasardhësit e tyre”, organizuar nga Qendra e Studimeve Pellazgjike, në bashkëpunim me Universitetin “Vitrina”. Simpoziumi u mbajt në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar, ku ishin të pranishëm studiues të shumtë nga Shqipëria, Kosova, diaspora dhe nga vende të ndryshme të Europës.
Simpoziumin e drejtonte Prof. Luftulla Peza, Kryetari i Qendrës së Studimeve Pellazgjike”. I pari që e ka marrë fjalën në këtë simpozium, i cili zhvilloi punimet në vigjilje të 100-vjetorit të Pavarësisë, ishte Prof. Dr. Neritan Ceka. Ceka pasi foli për rëndësinë e studimeve pellazgjike dhe arkeologjinë, këshilloi të pranishmit që të bëjnë kujdes me patriotizmin e tepruar gjatë studimeve pellazgjike dhe entuziazmit, megjithëse pranoi se, shumë nga zbulimet më të rëndësishme në botë janë bërë nga entuziastët. Vlen të theksohet fakti se janë pikërisht këta entuziast shqiptar dhe të huaj, që gjatë këtyre 20 viteve të fundit po merren me studimin e rrënjëve të qytetërimit pellazgo-ilir, duke bërë zbulime të mahnitshme mbi origjinën tonë të mohuar dhe duke vendosur pikat mbi “i” për shumë çështje që kanë të bëjnë me origjinën e shqiptarëve që nga agimet e epokës njerëzore.
Prof. Dr. Neritan Ceka. Ceka pasi foli –
për rëndësinë e studimeve pellazgjike dhe arkeologjinë.
…………………………………………..
Referuesit prunë fakte dhe dokumente mbi shumerët, gjuhën greke, alfabetet e lashta dhe shkrimet pellazgo-iliro-etrusko-hitite, që të gjithë së bashku përbëjnë thelbin e qytetërimit pellazg të shpërndarë në të gjithë Mesdheun dhe Europën.
Studiuesit Shpresa Musai, Luftulla Peza, Liljana Peza, Leonard Prifti, Asqeri Boçi, Anastas Shuke, Lirim Muho, Çlirim Hoxha, etj., u përqendruan në atë çka përbën qytetërimi pellazg dhe gjuha e folur dhe e shkruar pellazge, për të cilën është menduar rëndom se ka qenë një gjuhë që nuk shkruhej?!
Faktet që u sollën në këtë simpozium hodhën poshtë çdo aludim apo tentativë të bërë gjatë viteve, duke dhënë argumente bindës mbi gjuhën e shkruar pellazge, e cila nuk është gjë tjetër, veçse shqipja e sotme e folur dhe e shkruar qysh kur pellazgët dhe ilirët kishin krijuar etnitetin e tyre të parë mbi këtë planet.
Dihet tashmë se njeriu i parë vuri këmbën në këtë planet rreth 587 mijë vjet më parë dhe sipas asaj që është gjetur në varrin e fshehtë brenda Piramidës së Keopsit (Kuf) nga një ekspeditë amerikane në vitin 1976-77, dëshmohet se mbi tokën tonë kanë kaluar 5 civilizime, duke përfshirë edhe epokën tonë, e cila konsiderohet si epoka e peshkut. Gjatë këtyre civilizimeve pati konsolidim të etnive, të cilat në formën e fiseve u vendosën dhe u populluan pjesë të ndryshme të planetit tonë. Njeriu, si një qenie e veçantë, zgjodhi të jetonte edhe në ekstremet klimaterike të planetit, siç janë shkretëtirat apo rrethet polare. Ajo që na bënë të studiojmë origjinën e rrënjëve të qytetërimit pellazgo-ilir, nuk është thjeshtë një kuriozitet, por përmban në vetvete zbulimin e të vërtetës së origjinës së racës tonë, origjinë e nëpërkëmbur sa herë nga fqinjët shoven dhe akademik të dalë boje, të cilët me apo pa qëllim janë vënë në shërbim të politikave të vendeve të tyre mbytura nga nacionalizmi ekstrem.
Pikërisht, mbajtja e Simpoziumit të II’të Ndërkombëtar, “Pellazgët, gjuha dhe pasardhësit e tyre”, u përshkrua nga fryma e nxjerrjes në dritë të së vërtetës, duke u mbështetur jo vetëm në autorët e huaj të lashtësisë, por edhe në studiuesit e sotëm që kanë një integritet të lartë akademiko-shkencor. Gjatë mbajtjes së Simpoziumit u pritën me interes shumë referime të studiuesve dhe profesorëve, ku ranë në sy disa nga më interesantet. Studiuesi Asqeri Boçi tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve me studimin dhe zbërthimin që i bëri gjuhës së sotme greke. Ai u parashtroi të pranishmëve fjalë dhe fjali të gjuhës së ashtuquajtur greke, por që në fakt nuk ishin gjë tjetër, veçse fjalë të gjuhës shqipe të shqiptuara në një deformim koncentrik, ndaj të cilave vëmendjet e papërqendruara nuk do ta kuptonin kurrë. Pikërisht kur studiuesi në fjalë u pyet nga të pranishmit se a mund të konsiderohet greqishtja një shqipe e folur keq, ai e miratoi plotësisht këtë konkluzion dhe mori mbështetjen dhe aprovimin e të gjithë studiuesve që ndodheshin në sallë.
Referime mbi origjinën e shqiptarëve, gjuhën dhe pasardhësit e tyre pati disa në Simpoziumin e II-të Ndërkombëtar që u mbajt në Tiranë, deri edhe në shpalosjen dhe publikimin e deshifrimeve të shkrimeve të lashta, të cilat datojnë mijëra vjet para Krishtit dhe që janë qartësisht të gjuhës pellazgo-iliro-shqipe. Studiues të ndryshëm referuan edhe mbi alfabetet e vjetra, ku ra në sy alfabeti fonetik egjiptian i krijuar nga Thoti rreth 12 mijë vjet më parë dhe që ka në bazën e tij gjuhën shqipe. Simbolet e paraqitura në këtë alfabet janë vendosur atu duke u bazuar në germën e parë të fjalëve shqip, çka dëshmon dhe miraton edhe një herë zbulimin e jashtëzakonshëm që ka bërë studiuesi italo-arbëresh Xhuzepe Katapano pas 40 vjet kërkimesh dhe studimesh në piramidat e famshme të Egjiptit.
Po ashtu, zbërthimi i shkrimit të Stelës së Lemnos, ishte një dëshmi tjetër që mbështet shumë autor dhe studiues të shkrimeve të lashta mbi përkatësinë pellazgo-ilire të atij shkrimi mbi të cilin kanë zhbiruar kapacitetet e tyre disa nga studiuesit e njohur si, Zaharia Majani, Nermin Vlora Falaski, Niko Stillo, Luftulla & Liljana Peza, etj.
Ishulli i Lemnos në Greqi (me ngjyrë të kuqe)
……………………………………….
Kjo pllakë qeramike është gjetur në ishullin e Lemnos në Greqi në vitin 1886 dhe aktualisht ndodhet në Muzeun Arkeologjik të Athinës. Që nga ajo datë është shkruar shumë për deshifrimin dhe gjuhën e këtij mbishkrimi. Studiues të ndryshëm kanë hedhur hipoteza dhe kanë shprehur mendimin e tyre mbi përkatësinë etruske të këtij shkrimi.
STELA E LEMNOS
…………………………………………….
Lidhur me Stelën e Lemnos Nermin Vlora thotë: “Këtë e konsiderojnë si të vetmin mbishkrim etrusk të njohur jashtë Italisë. I përket shekullit VII Para Krishtit dhe gjendet në muzeun e Athinës. (Në fakt datimi i saj shtyhet disa mijëvjeçar më tutje. Ç. H) Përmban një mbishkrim bustrofedik që shfaqet e ndërlikuar dhe e vështirë. Është vajtim zie shumë therës, ku shpesh përsëritet shkronja “TH” që parafytyron qarjen, ankthin, vajtimin. Interpretimi i tij dëshmon dhimbje të mbarë farefisit”.
Më poshtë po i hedhim një vështrim shkrimit që gjendet në Stelën e Lemnos. Ky shkrim është një elegji që i kushtohet një luftëtari, një heroi të rënë në fushën e betejës, por që vendasit e mbanin si një trim mbrojtës të fisit të tyre, si komandant me nam të madh.
Zi është zi, maraz i madh. Zia të mbuloi fis o fis. Fis, oh të zinjtë ne. Skish faj, në grop u fut në arkë në zi, oh! La famë të madhe, zija na ka zënë, na i mori trimin. Na iku hopa dhe na la në zi të madhe, ah, oh. Skish faj, o fis. Zia të mbuloi o fis. Meraku është i fisit. Ah! oh! ai ron përjetë oh. Çfarë faje bëri që ram në zi. Tani është brenda arkës ai. Thikën hoqe, lot i gjithë fisi hoqi, as i hape zemrën o Zai. (Nëna ose motra) Fis ah, oh. Vdekja e tij është ferr për ne.
Shkrimi në Stelën e Lemnos është një dëshmi e qartë e vjetërsisë së gjuhës së shkruar shqipe, asaj pellazgo-iliro që na vjen nga humbëtirat e shekujve, por që janë përpjekur ta fshehin, ta denigrojnë, ta transferojnë dhe t’ia atribuojnë popujve të tjerë që nuk e kanë hak të bëhen pronar të saj. Të vetmit pronar të atij shkrimi, të asaj gjuhe janë vetëm shqiptarët, të cilët kanë në dorë tapitë e saj shekullore.
Simpoziumi II Ndërkombëtar; “Pellazgët, gjuha dhe pasardhësit e tyre” i dha një shtysë të mëtejshme këtyre studimeve, duke dhënë një kontribut me vlera në fushën e studimeve pellazgjike në ditët tona. Ajo që u theksua në këtë simpozium ishte frika e institucioneve tona akademike dhe mësimore për të futur të dhënat e këtyre studimeve dhe zbulimeve në tekstet mësimore të shkollave tona, me qëllim që t’u jepet fund hamendjeve mbi origjinën dhe gjuhën e shqiptarëve.