Prishtinë, 22. 05. 2015 – Kur po shpresoja se njerëzit e trafikuar të skenës tonë politike, tash e gati dy dekada, do të fillonin të largohen sepse u bë boll, me çka do ta bënin sakrificën më të madhe për ta shpëtuar këtë komb, po del se edhe fundi i tyre do të jetë plot rreziqe jo vetëm për ta, por edhe për qytetarin e pafajshëm. Sikur në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri e Maqedoni këta mashtrues po e dëshmojnë përsëri se sa larg mund të shkojnë prapaskenat e tyre për pak pushtet, aq sa të mbajnë në biznes rrjetet kriminale që përfaqësojnë.
Pasi që sakrifikuan arsimin, shëndëtsinë, mirëqenien dhe shpresat tona, tani po sakrifikojnë edhe sigurinë dhe jetët e shqiptarëve duke u bërë protagonistë të skenarëve më shumë errësira e rreziqe. Me gojë plot integrime dhe patriotizëm romantik, këta injorantë disa me diploma dhe tituj të rremë, do t’i ngjajnë politikanëve evropianë vetëm atëherë kur i kthehen punës së ndershme të ndonjë zanati apo tokës bujqësore, prej nga edhe kanë ardhur.
Por siç po duket këta zhvatës tani kur po e ndjejnë se po ju afrohet fundi, po dëshmojnë se janë të gatshëm të hyjnë edhe në rrugë të pakrye, duke e zhytur popullin në kaos dhe rreziqe globale.
Ata, përfaqësojnë vetëm mëhallën ose fisin e tyre dhe klanet mafioze si grup interesi, por assesi nuk e përfaqësojnë qytetarin e lodhur, të cilin po mundohen ta fusin mes zjarreve për t’i zgjatur vetes jetën dhe pastaj do të shfaqen nga nëntoka si çlirimtarë e shpëtimtarë. Ky popull do punë, mirëqenie dhe integrime euroatlantike, sepse është ngopur me mite dhe mjegull të servuara nga shërbimet e fshehta e të gjitha ngjyrave. Koha e tyre po perëndon sepse nuk kanë më çka të shesin.
Ky soj i pangopur duket se nuk e ka problem të shesë, çdo gjë tjetër përfshirë edhe shpirtin e tyre. Këta as nuk do të bashkohen e as nuk do t’i bashkojnë trojet etnike, këta nuk luftojnë, por do të vazhdojnë të mbeten protagonistë të manipuluar e të izoluar, me shpresë se do ta bëjnë historinë me gjakun e të tjerëve, sepse në paqe ka kohë që kanë dështuar.
…………………………………………………………………….
(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)