DEMIR RESHITI – VEPRIMTAR I DALLUAR, GAZETAR, PUBLICIST, POET DHE KRITK LETRAR

DEMIR RESHITI – VEPRIMTAR I DALLUAR, GAZETAR, PUBLICIST, POET DHE KRITK LETRAR

Nga Zekirija Idrizi, Shkup – Berlin – Shkrimtar

Ditëve të fundit, ndër të tjerash, me vëmendje kam përcjellë veprimtarinë e gjithëmbarshme të gazetarit, poetit e shkrimtarit opojas Demir Reshiti. Spektri i gjerë dhe i thellë i veprimtarisë së tij gazetareske, publicistike, letrare e mbarëkombëtare më ka mrekulluar, për ç’gjë kam një respekt dhe konsideratë të lartë atdhetare.

Njëri nga intelektualët opojanë që ka dhënë e po vazhdon të jep kontribut në avancimin e trevës së Opojës, veçmas në aspektin kulturor, është pikërisht Demiri. Falë angazhimit të tij të pashembullt në shumë sfera, ai ka arritur të jetë njëri nga emrat më të njohur që përfaqëson denjësisht traditën dhe kulturën opojane.

Demiri ka arritur me muzën dhe penën e tij të artë krijuese të “pikturojë” e të letrarizojë vlera shoqërore e gjithëkombëtare me një mjeshtëri të kulluar estetiko-letrare. Këtë ai më së miri e shpërfaqë te poezia e tij me titull “Mallin pikturoj”, teksa vargëzon:

“Mallin pikturoj në një copë qiell

Një shi i ftohtë ma ngrin buzëqeshjen

Dhimbjet i shkruaj në copëza letre të verdha

Dhe si pa kohë nisem rrugës së gjakut tim

Drejt perëndimit të kuqërremtë

Shaloj Kalin e Trojës

Deri te një hije shelgu

Ku merr fund pikturimi

Dhe nis fshirja e kufijve

Këtu

Nën hijen e shelgut vajtues

Këputet kënga e përvajshme

Këtu…”

Në rrafshin e gazetarisë, ndërkaq, në të cilin ka punuar afro katër dekada, ka treguar nivel të lartë profesional në disa mediume prestigjioze kombëtare në Kosovë dhe Shqipëri, veçanërisht në mediumin zyrtar shtetëror të Kosovës, në RTK (RK), ku ka punuar më së gjati.

Me krijimtari ka filluar të merret që nga bangat e shkollës fillore, në ç’kohë ai shkruante dhe publikonte poezitë e tij në gazetën e murit që varej në murin e korridorit të shkollës. Poezia e parë i është botuar në revistën “Pionieri” në vitin 1973.

Edhe me gazetari ka filluar të merret qysh herët, konkretisht nga viti 1978, kur ishte nxënës i klasës së tetë. Atëbotë i qe botuar një reportazh i shkurtër lidhur me kuizin e diturisë që qe organizuar në shkollën fillore të vendlindjes së tij, në Bresanë.

Mandej në vijimësi është njëri nga shkrimtarët që ka shkruar më së shumti për opojasit dhe vet Opojën e Prizrenit historik. Një ditë, me rastin e vizitës së kësaj shkolle nga një komision inspektues shkrimtarësh, me në krye kolosin e letërsisë Rifat Kukaj, për të zbuluar talentët e rinj në poezi, Demiri pasi e reciton poezinë e tij, Rifati brof në këmbë dhe i ekzaltuar tejmase nga vjersha brohorit: “Ky djalosh do bëhet të ardhmen një poet dhe shkrimtar i shkëlqyer!” Dhe kjo profeci e kolosit do të jetësohet të ardhmen me botimin e 11 librave të Demirit në zhanret: poezi, publicistikë (monografi), tregime dhe kritikë letrare.

Qysh i ri, në periudhën e vitebe të 80-ta Demiri do të kyçet me vullnet dhe përkushtim të thellë në aktivitete kombëtare të organizuara në ilegalitet nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare për çlirimin e Kosovës. Gjithashtu edhe në vitet e 90-ta. Kësokohe ai do të botojë edhe librin e parë me titull “Trung i ndarë” (vitin 1992), ndërkohë që bashk me Bedri Halimin ishte nismëtar i themelimit të fletushkës “Buletini”, revistë kjo e parë në këtë rajon dhe shërbeu si “shkollë” ku u aftësuan mjeshtërisht në publicistikë dhe letërsi shumë gazetarë e gazetare të reja nga ky rajon dhe jo vetëm.

Gjatë jetës Demiri ka punuar si kryeredaktor, redaktor dhe gazetar në disa mediume, si: “Rilindja”, “Radio Kukësi”, “Kosovapress”, “Radio Sharri”, “Zëri i Kosovës”, “Epoka e Re”, revista “Sharri”, revista “Paqja”, gazeta “Tribuna shqiptare”, gazeta “Lajm” etj. Me vite ka punuar në RTK-Radio në Prishtinë si autor dhe prezantues i emisionit “Më Afër”, që iu kushtohej bashkatdhetarëve tanë në mërgatë. Mbi tridhjetë vite ka punuar me përkushtim e devocion në revistën “Sharri” me kryeredaktor Bedri Halimin. Kjo revistë ndër vite ka qenë referencë e shumë studiusve në punimet e tyre studimore e shkencore.

Aktualisht Demiri është themelues dhe editor i Shtëpisë Botuese “Thesari”….

Do theksuar edhe faktin tjetër krucial: Demiri gjatë studimeve ka qenë i shpallur “Studenti më i mirë” nga Universiteti i Prishtinës.

* * *

Demir Reshiti lindi më 24 qershor 1963 në Bresanë të Sharrit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Sharr dhe Skënderaj, ndërsa fakultetin ekonomik, fakultetin e gazetarisë dhe studimet postdiplomike për gazetari në Universitetin e Prishtinës Prishtinë.

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe anëtar i kryesisë i Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”. Ka qenë sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në një mandat.

Laureat i çmimeve të para për poezi për fëmijë në “Takimet e Gjeçovit” dhe në manifestimin tradicional “Ora e Tahir Deskut”.

Ka botuar veprat:

1. Trung i ndarë (K.L.“Luigj Gurakuqi” Sharr, 1992);

2. Ofshamë (K.L. “Luigj Gurakuqi” Sharr,1995);

3. Abetaka (“Rilindja” Prishtinë; Sh.B. “Galaxy” Prishtinë 1995-2012) i ribotuar nëntë herë;

4. Reshje nën Pikëllimë (Klubi Letrar “Luigj Gurakuqi” Sharr,1996) si koautor;

5. Ngutëm ta kapërcej kohën (Sh.B. “Anton Pashku” Kukës, 2000);

6. Libri i Mrekullive (“Rilindja” Prishtinë, 2001);

7. Libri i Gjeneratës – monografi për gjeneratën e Dytë të Degës së Gazetarisë së UP (Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2009);

8. Mik me Diellin (“Zef Serembe” Prishtinë, 2012);

9. Luleborë Sharri – Monografi për Klubin Letrar “Luigj Gurakuqi” (“Thesari”, Sharr, 2016) si koautor;

10. Libri i Mrekullive – përmbledhje e vjershave të zgjedhura për fëmijë, (Sh. B. “Voka-4” Tetovë, 2017); dhe

11. Endje – kritikë letrare (“Thesari”, Prishtinë, 2019)

Në Dragash, në vitin 2006, kur u shënua 15-vjetori i themelimit të Klubit Letrar “Luigj Gurakuqi”, qe marrë iniciativa dhe vendimi për hartimin e një monografie, madje që atëherë ishte kryer pjesa më e madhe e punës, por për shkaqe financiare kjo monografi kishte mbetur pa u botuar. Tek në shënimin e 25-vjetorit të klubit, monografia e ka parë dritën e botimit, e shkruar nga autorët Demir Reshiti dhe Ibrahim Skenderi. “Përfundimisht i përvolëm krahet dhe e plotësuam këtë vendim të para një dekade. Krejt kjo, falë disa njerëzve të vullnetit të mirë, të cilët nuk janë biznesmenë por vetëm dashamirë të artit”, – ka thënë Reshiti.

Monografia me titullin simbolik “Luleborë Sharri” pat dalë nga shtypi me 140 faqe përmbajtjeje dhe me një dimension të veçantë, i shtypur në letër kualitative dhe me album fotografish në kolor.

Përurimi i monografisë qe bërë më 4 qershor 2016, në kuadër të Manifestimit tradicional letrar “Sofra e Ymer Prizrenit”, në fshatin Zgatar të Opojës.

Demir Reshiti në librin me ese, studime e kritikë letrare “Endje” ka prezantuar vështrime mbi vepra të çmuara zhanresh të ndryshme. Këto vështrime janë të domosdoshme për krijimin e një atmosfere kulturore dhe një ambienti vlerësues, që ndikojnë edhe në rritjen e cilësisë së veprave, që shkruhen. Libri është i ndarë në tetë pjesë; Publicistikë, II. Ditarë, III. Ex libris, IV. Romane, V. Poezi, VI. Monografi, VII. Nekrologji, dhe VIII. Film/Dramë, ku në secilën nga pjesët që përbëjnë një tërësi, janë shkrime paraqitëse për libra zhanresh të ndryshme, përkatësisht tekste autoriale për libra të botuar të autorëve.

Për kontributin e tij në fushën e gazetarisë, letërsisë e kulturës, i janë ndarë dhjetëra mirënjohje, plaketa, çmime e diploma.

Veçantë viti 2015 për Demir Reshitin ishte njëri nga vitet më të suksesshëm sa i përket krijimtarisë letrare dhe gazetarisë. Këtë vit ai fitoi Çmimin e Tretë në Manifestimin poetik “Takimet tradicionale të krijuesve nga mërgata dhe diaspora” të organizuar nga Lidhja e Krijuesve shqiptarë në Mërgatë.

Më 02 gusht 2015 gazezari Demiri, si dhe historiani nga fshati Blaç, Bejtulla Destani, që të dy nga treva e Opojës së Dragashit, janë nderuar me çmime nga Ministria e Diasporës së Qeverisë së Kosovës. Reshiti është nderuar me çmimin për kontribut të veçantë në promovimin e diasporës dhe mërgatës në kontinuitet me emisionin “Më Afër” në RTK – Radio Kosova, ndërkaq Bejtulla Destani është nderuar me çmimin për kontribut në arsim, shkencë dhe teknologji.

Në vitin 2016 nga lexuesit e portalit “Opoja”, Demiri është vlerësuar si më i miri në kategoritë “Poeti më i mirë në Opojë gjatë vitit 2015” dhe “Gazetari më i mirë në Opojë gjatë vitit 2015”.

Në vitin 2017 në konkursin tradicional letrar të organizuar nga Biblioteka Ndërkomunale e Prizrenit, një konkurrencë prej më shumë se 80 poetëve nga të gjitha trojet shqiptare, poeti Demir Reshiti u vlerësua me Çmimin e Tretë.

Demiri është përfshirë edhe në mesin e 105 shkrimtarëve të përzgjedhur shqiptarë në librin e titulluar “105 vite Sulm e Lot” i cili është botuar në vigjilje të 105 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. 

Me një aktivitet letraro-artistik, të titulluar “Krijuesi Demir Reshiti (Opojë) dhe lidhjet e tij me Kukësin”, i cili u mbajt më 12 shtator 2019, Qendra Kulturore e Bashkisë Kukës, në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut Kukës, e nderuan me çmim të veçantë ish-kryeredaktorin e Shtëpisë së saj Informative, Demir Reshitin, i cili njihet si njëri nga aktivistët më të zellshëm nga Opoja dhe jo vetëm.

Kjo qendër kulture e Kukësit e ndau këtë çmim në shenjë respekti e mirënjohjeje për shkrimtarin dhe publicistin nga Opoja e komunës së Dragashit, Demir Reshitin, i cili ka lidhje të veçanta shpirtërore me qytetin e Kukësit me rrethinë. Në arsyetim thuhet: “Qyteti i Kukësit zë vend të rëndësishëm në krijimtarinë letrare e publicistike të Demir Reshitit, i cili për një kohë edhe ka punuar në Radio Kukës”.

Për krijimtarinë letrare dhe lidhjen shpirtërore të Demirit me Kukësin, folën krijuesit: shkrimtari i mirënjohur kuksian, Petrit Palushi, pedagogia universitare, Helena Halilaj, drejtori i radio Kukësit, Jonuz Hallaçi, kryetari i Këshillit të Qarkut, Abdullah Domi, si dhe intelektualë e miq të tjerë të shkrimtarit. Në “Këndin amerikan” të Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës, u lexuan gjithashtu edhe pjesë të zgjedhura nga krijimtaria letrare e Demir Reshitit.

Ndër çmimet e tjera të shumta, një çmim po i veçantë për Demirin ka qenë edhe ai që i ndau Shoqata Shqiptaro-Turke e Turqisë, me seli në Stamboll, për kontributin e tij kapital në afirmimin e vlerave kulturo-artistike e kombëtare të shqiptarëbe të migruar moti kohë në Turqi. Këtë çmim ia ndau Qamil Bytyqi – drejtor i Qendrës Kulturore Shqiptare.

Është autor dhe bashkautor i një numri të madh punimesh shkencore të publikuar nëpër revista të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.

Gjithashtu jetëshkrimi i tij është përfshirë edhe në librin enciklopedik “Leksikon Enciklopedik” të autorit dr. Flori Bruqi, që mban siglën e Akademisë Shqiptare-Amerikane të Shkencave dhe Arteve me seli në SHBA.

Ishte befasi e këndshme për Demiri ta shoh veten në mesin e rreth 350 personaliteteve më të rëndësishme shqiptare nga gjitha trevat etnike.

Demirin e gjejmë shumë aktiv edhe në rrjetet sociale. Është themelues dhe administrator i disa grupeve e faqeve në facebook ku vend të rëndësishëm zë prezantimi i kulturës opojane.

Aktualisht është duke punuar paralelisht në tre projekte që do të botohen të ardhmen si libra: “Mantelbardhët e Opojësë” (monografi), “Emra që nuk harrohen – opojanët që kanë lënë e po lënë gjurmë” dhe një monografi kushtuar mikut të tij të ndjerë Besnik Hallaçi nga Kukësi.

Uroj nga zemra që Demiri të ketë shëndet, mirëqenie dhe suksese rë rradhës në fushën e krijimtarisë publicistike e letrare!

Me respekt dhe konsideratë të veçantë:

Zekirija Idrizi, Shkup

Berlin – Shkrimtar

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura