DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË DHE PRANIA E TRUPAVE USHTARAKE – POLICORE JUGOSLLAVE …

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981

Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë dhe prania e trupave ushtarake-policore jugosllave sipas burimeve arkivore të Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare

Nga Teki KURTI

         Shteti shqiptar në qëndrimin e tij zyrtar, demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, i lidhte me prapambetjen e madhe, mungesën e lirive demokratike dhe të drejtave politike.

         Kështu ai doli hapur në mbështetje të kërkesave të popullit shqiptar në Kosovë për t’u çliruar nga tutela e Serbisë dhe në njohje të statusit të republikës brenda Jugosllavisë.  Udhëheqja jugosllave demonstratat e shqiptarëve dhe kërkesat e tyre i vlerësoi si armiqësore e të nxitura nga armiq të brendshëm dhe të jashtëm të drejtuar nga irredentistët shqiptarë.

         Sipas dokumenteve arkivore, situata në Jugosllavi, kur shpërthyen demonstratat e vitit 1981 në Prishtinë, ishte si vijon:

         “1. Në mbarë Jugosllavinë ka shpërthyer një fushatë e egër propagandistike kundër shqiptarëve, ku në çdo qendër pune organizohen mbledhje për t’u dënuar demonstratat e fundit.

         2. U shpall gjendja e jashtëzakonshme.

         3. Filloi ndalimqarkullimi nga ora 20:00 deri në orën 05:00.

         4. Filloi patrullimi me tanke dhe forca policie sidomos në Prishtinë dhe Podujevë”.

         Në këto rrethana, sipas dokumenteve të kohës, shteti shqiptar mobilizoi gjithë aparatin propagandistik të shtypit, radios, televizionit, për të informuar në mënyrë korrekte popullin shqiptar dhe opinionin botëror mbi situatën në Kosovë.

         Çuditërisht, në analizat politike të kohës del qartë që shteti shqiptar është mbështetur dhe ka përdorur si pikë të fortë referimi për sensibilizimin e opinionit botëror shtypin dhe median gjermano-perëndimore, italiane, amerikane, franceze, turke, austriake, suedeze, zvicerane, angleze, greke etj., mbi gjendjen në Kosovë.

         Drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar nëpërmjet strukturave të inteligjencës dhe radiozbulimit më 6 prill 1981, informohen se zona e 2-të ushtarake e Nishit dhe njësi të zonës së 3-të të Shkupit kishin kaluar në gatishmëri ushtarake.

         Njëkohësisht brigada këmbësorie të zonës së 2-të ushtarake të Nishit kishte lëvizur nga Nishi për në Kosovë dhe ishte dislokuar në afërsi të Podujevës. Gjithashtu, në Prishtinë ishte dërguar një batalion këmbësorie me helikopter. Përforcime të tilla ishin dërguar edhe në Pejë, Gjilan, Ferizaj etj.

         Sipas burimeve arkivore rezulton se në këtë periudhë fillon stërvitja euro-detare e NATO-s në Mesdheun Qendror përfshirë ujërat e Jonit Jugor e emërtuar “Peshkaqeni”. Në këtë stërvitje ishin angazhuar edhe një grup i anijeve luftarake të Flotës së 6-të amerikane, përfshirë edhe aeroplanmbajtësen “FORESTALL”. Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme, vrasjet, arrestimet dhe propaganda e shfrenuar e udhëheqjes jugosllave nuk i gjunjëzoi shqiptarët e Kosovës, përkundrazi informacioni zbulon se më datën 03.04.1981, Prishtina njoftonte Ministrinë e Mbrojtjes dhe Komandën e Armatës së 2-të të Nishit për sa më poshtë:  “Në vlerësim të zhvillimit të situatës së sotme, pati një shkallëzim të mëtejshëm të aktivitetit kundërrevolucionar në territorin e Kosovës, e veçanërisht në rajonet e komunave: Pejë, Deçan, Suharekë, Istog, Kamenicë, Podujevë dhe Lipjan.

         Gjatë ditës së sotme, vazhdon informacioni, shpërthyen demonstrata në Vuçitërnë, Viti, Ferizaj dhe Mitrovicë. Demonstrata më e vogël ishte ajo e Vitisë, ku morën pjesë rreth 100 nxënës, të cilët u shpërndanë shumë shpejt nga forcat e milicisë. Përmasa më të mëdha morën demonstratat e Mitrovicës, Ferizaj dhe Vuçitërnës. Në Vuçitërnë, një grup prej 350-400 vetash, sulmuan shkollën e “kadetëve” të milicisë dhe në këtë përpjekje u arrit deri në përleshje me armë nga të dy palët. Pati të plagosur.

         Në Mitrovicë demonstruan dy grupe, punëtorët e ndërmarrjes së Elektrolizës së Zinkut, dhe u bashkuan me grupin e demonstruesve të Fabrikës së Akumulatorëve. Një grup tjetër prej 3 000-3 500 demonstruesish marshoi nëpër rrugët kryesore të qytetit. Parullat ishin të ndryshme ndërsa mbanin portretin e Titos duke thirrur “Rroftë Tito”, “Rroftë Republika”, “Duam Republikë me hir ose me pahir”…

         Për të mbajtur situatën nën kontroll, Beogradi nisi për në Kosovë trupa speciale të policisë dhe të sigurimit. Kështu në komunikimin me radio-rele Prishtinë-Nish kapet kjo bisedë: “Sot më datën 06.04.1981, …të gjitha pikat i kemi zënë. Ne erdhëm nga Beogradi dhe nuk e dimë kur do të kthehemi. Kanë ardhur edhe nga ushtria, Ka këtu reparte të ushtrisë”.

         Sipas bisedave rezulton se ishin dislokuar edhe reparte helikopterësh. Nga bisedat e kapura del gjithashtu frika dhe pasiguria në radhët e trupave dhe të kuadrit të ushtrisë jugosllave.

         Mbi dislokimin e trupave ushtarake në Kosovë, Ministri i Mbrojtjes së kohës Kadri Hazbiu mbështetur në të dhënat e zbulimit të datës 18.04.1981, do të informonte drejtpërdrejt Enver Hoxhën, që në Kosovë përpara ngjarjeve ishte dislokuar: Grupi i 52-të Operativ me shtab në Prishtinë, në varësi të Armatës së 2-të në Nish, ku në përbërje të tij hynin: 2 brigada këmbësorie (e 15-ta në Prishtinë dhe Brigada e Këmbësorisë Malore në Pejë); 1 Regjiment i Këmbësorisë Autonome në Prishtinë; 3 batalione të ndjekjes.

         Kurse gjatë zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë, Beogradi kishte dislokuar këto forca ushtarake: 2 brigada tankiste (nr. 211 e 243 të ardhura përkohësisht nga Nishi dhe Shkupi); 1 Brigadë e Motorizuar (nr. 592); 1 Regjiment Parashutist (nr. 2); 1 Regjiment i Artilerisë Kundërtanke (nr. 102); 1 Regjiment Kufitar (nr. 20).

         Këtu sqarohet se në vend të Grupit 52 Operativ, vepronte Korpusi 52 me shtab në Prishtinë, në varësi të Armatës së 2-të në Nish. Po ashtu, më datën 24.04.1981, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Veli Llakaj, e informonte udhëheqjen e lartë të shtetit që në bazë të burimeve sekrete jugosllave, pjesëmarrja në demonstrata kishte përfshirë 14 komuna nga 22 që kishte Kosova, dhe kryesisht në Prishtinë, Mitrovicë, Podujevë, Ferizaj, Vuçitërnë, Pejë, Deçan, Kamenicë, Suharekë, Istog, Lipjan, Viti etj. 

         Po në këtë informacion detajohen masat e marra nga udhëheqja jugosllave në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme të vendosur në Kosovë për gatishmërinë e forcave ushtarake të dislokuara aty, të cilat dolën në vendkomandë, për drejtimin e veprimeve luftarake.

–        U ndërprenë lidhjet telefonike të Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë dhe u ndalua qarkullimi i automjeteve në të gjithë territorin, duke lejuar vetëm lëvizje të ushtrisë, policisë e milicisë, por edhe këto të kontrolluara. Në këtë informacion trajtohet edhe pjesëmarrja e ushtrisë dhe e policisë në veprime konkrete në operacionin “AKCIA-81” (Aksioni 81).

–        Kështu: forcat e këmbësorisë realizuan rrethimin e qyteteve e të qendrave të tjera të banuara; helikopterët u përdorën për transportimin e shpejtë të trupave nga një rajon në tjetrin ku situata paraqitej më e rrezikshme; forcat e ushtrisë e të kufirit përforcuan postat e pikat kufitare, sidomos në drejtim të Qafë Morinës, Qafë Prushit (Tropojë) dhe Morinës (Kukës).

         Sipas burimeve arkivore del se gjeneral major Andon Lukeziq, në komandën e Korpusit 52 në Prishtinë, raporton me urgjencë se të gjithë flamujt e njësive ushtarake të dislokuara në Kosovë janë jugosllavë, vetëm njësia në kazermat “Marshall Tito” në Prishtinë ka flamur me mbishkrimin “Brigada e 1-rë maqedonase-kosovare” .

         Por përballë çdo mase aksioni policor e ushtarak, shqiptarët nuk do t’i ndalonin në kërkesat e tyre legjitime.

         Në dokumentet arkivore hasim informacione të vazhdueshme për këto ngjarje. Kështu, informacioni i datës 9 gusht 1981, bënte fjalë mbi një raport të jashtëzakonshëm për qendrat operative të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave dhe të Armatës së 2-të ku flitej mbi aktivitetin armiqësor në territorin e Ferizajt, pasi gjatë natës së datës 31.07-01.08.1981, në Ferizaj ishin shpërndarë pamflete në formë letrare dhe dy buletine. Buletini i parë cilësohej “Revolucioni”, me 14 fletë, i paketuar në zarfe ngjyrë rozë dhe buletini i dytë “Zëri i atdheut”, me 16 fletë, i paketuar me zarfe ngjyrë qielli.

         Në këto buletine i bëhej thirrje popullit, rinisë, punonjësve dhe grave për luftë të mëtejshme. Po në vijim ishte edhe një letër që organizata politike u drejtonte pjesëtarëve të nacionaliteteve serbe, maqedonase, malazeze dhe nacionaliteteve të tjera që jetonin në Kosovë si dhe popujve dhe kombësive të tjera të Jugosllavisë, për të kuptuar situatën në Kosovë me qëllim që të mos cenoheshin marrëdhëniet e mira ekzistuese.

         Letra shpjegonte se populli shqiptar lufton për pavarësi klasore dhe nacionale, si dhe për barazi me popujt e tjerë të Jugosllavisë .

         Thirrja i bënte të qartë opinionit se “kërkesa për krijimin e Republikës shqiptare në kuadrin e Republikës Federative të Jugosllavisë, ka qenë dhe mbetet qëllimi ynë i vetëm nga i cili nuk do të heqim dorë edhe sikur për këtë të duhet revolucioni i armatosur, i cili mesa duket është i paevitueshëm dhe për të cilin nuk do të presim gjatë në qoftë se çështja e jonë nuk do të zgjidhet në mënyrë paqësore”,  – përfundonte thirrja.

         Pikërisht në këtë periudhë të demonstrimeve të popullit të Kosovës, për pavarësi nga Serbia dhe për njohjen e Republikës, masat, reprezaljet dhe forcat ushtarake e policore të Beogradit kishin krijuar një situatë gati shpërthyese në Ballkan e më pas në Evropë.

         Në këtë situatë të jashtëzakonshme sipas burimeve arkivore evidentohet edhe prania e të dy blloqeve ushtarake rivale në Evropë. Stërvitjet kryesore me trupa ato i zhvilluan në pranverë dhe në vjeshtë të vitit 1981, në hapësirën e Evropës Jugore dhe në pellgun e Mesdheut.

         Autoriteteve ushtarake të Shqipërisë i tërheq vëmendjen fakti se në stërvitjen komando-Shtabi i NATO-s “Wintex 81” zhvilluar prej 09-21.03.1981, me pjesëmarrjen e të gjitha komandave dhe shtabeve kryesore të këtij blloku, deri në divizion, për forcat e krahut jugor, u përpunua një variant i ndërhyrjes në Ballkan për të përballuar forcat e Traktatit të Varshavës.

         Sipas burimeve arkivore sa më shumë që rritej prania e forcave ushtarake e policore të sjella nga Beogradi në Kosovë, aq më shumë rritej urrejtja dhe vullneti i popullit martir shqiptar për të intensifikuar qëndresën.

         Kështu nuk kishte ditë që në muret e shkollave, të stacioneve elektrike, në shtëpia private, në autobusë transit, e zyra shtetërore, shkruhej “Kosova Republikë”, “Ne do të fitojmë”, “Rroftë 28 Nëntori, dita e Republikës” etj. Këto kërkesa të ligjshme të shqiptarëve të Kosovës do të përballeshin me rritjen e prezencës ushtarake edhe në rajone të tjera të trevave shqiptare.

         Kështu, gjatë muajit qershor 1981, u dislokuan forca ushtarake edhe në Strugë, Dibër dhe në Tuz të Malit të Zi. Gjithashtu, filluan stërvitje ushtarake në Malin e Zi, Maqedoni dhe në të gjithë territorin ku banonin shqiptarët me qëllim të demonstrimit të forcës dhe moslejimin e përhapjes së demonstrimeve të shqiptarëve në trevat e tjera të Jugosllavisë si: Maqedoni e Mali i Zi.

         Informacionet arkivore japin të dhëna se në qershor-tetor 1981, në Dubrovnik ishin ankoruar anije sovjetike, të cilat do të ishin të gatshme në rast të ndonjë ndërhyrjeje nga Shqipëria.

         Në këto kushte Shqipëria përpunoi një taktikë të re të afrimit me Italinë dhe Greqinë, po që bënte kujdes të mos kuptohej në popull si luajtje nga vija. Kështu, ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, në Seminarin e Sigurimit të Ushtrisë, më 29.06.1981, theksoi se: “Duke ndjekur situatat, shteti ndërton edhe qëndrime taktike të caktuara të cilat duhet t’i kuptojmë dhe të mos i interpretojmë shtrembër” .

         Si përfundim, mund të themi se, shqiptarët e Kosovës nga viti 1968-1981, kishin kuptuar se për të fituar të drejtat e tyre politike duhet të ngriheshin në këmbë dhe të bashkuar të luftonin ndaj pushtuesit serb me çdo çmim deri në fitoren e Republikës, si gjithë republikat e tjera.

         2. Beogradi në përgjigje kundër demonstrimeve dërgoi në Kosovë një ushtri të tërë.

         3. Në planin diplomatik e propagandistik Beogradi e justifikoi prezencën ushtarake në Kosovë me rrezikun shqiptar dhe me pretendimet territoriale të Shqipërisë, ku po përgatitej të sulmonte Jugosllavinë.

         4. Shqipëria mbështeti hapur kërkesat legjitime të shqiptarëve për njohjen e Republikës në kuadër të Federatës, përpunoi taktika, rriti gatishmërinë ushtarake dhe hodhi tërë aparatin politik e shtetëror në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës.

         5. Shtypi botëror nënvizoi faktin se tanket dhe dhuna policore u përdorën nga një shtet në zemër të Evropës.

         6. Demonstratat e popullit të Kosovës mund t’i quajmë vullkanet e para, që tronditën nga themelet falsitetin e Beogradit për bashkëjetesë, midis popujve të Jugosllavisë. Ndërkohë Serbia nuk u ndal por rriti represionin politik dhe ushtarak deri në heqjen e autonomisë. Kështu shqiptarëve nuk u mbeti rrugë tjetër dhe pas viteve ‘90, rrokën armët.

         Pas sakrificave sublime të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe NATO, Kosova fitoi lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur.

         Këto demonstrata, ku në fillim u përfshinë studentët e Universitetit të Prishtinës, e që pastaj shumë shpejt në to do të inkuadrohen masat e gjëra të qytetarëve shqiptarë, patën efekte që u reflektuan në mbarë Jugosllavinë.

         Prandaj, viti 1981, shënohet si një moment kthese që shënon fillimin e një faze të re historike për popullin e Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura