SHERADIN BERISHA: ROLI HISTORIK I DEMONSTRATAVE SHQIPTARE (TETOR – DHJETOR 1968) /II/

Pashtriku.org, 26. 11. 2013 – Demonstrata në Pejë – Demonstrata e tretë u mbajtë më 19 tetor 1968 në Pejë, ku poashtu në këtë datë ishte ditë tregu dhe prania e qytetarëve ishte më e madhe se ditëve tjera. Organizatorë të demonstratës ishin: 1. Isa Demaj, 2. Zymer Neziri, 3. Sylë Kuçi, 4. Ramadan Blakaj, 5. Xhemail Gashi etj, të cilët për të qenë pjesmarrja sa më masovike në demonstratë shkruan dhe shpërndanë një thirrje drejtuar popullit. Ditën e caktuar, në orën 14 nxënësit dhe studentët e Shkollës së Lartë ekonomike-Komerciale në Pejë, u grumbulluan në oborrin e shkollës Normale ”Ali Kelmendi” në Vitomiricë, afër Pejës, dhe ishte buzë rrugës Pejë – Mitrovicë. Pjesëmarrës të fillimit ishin nxënësit e Shkollës Normale dhe të Shkollës Bujqësore, si dhe disa arsimtarë. Nisja u bë me flamur kombëtar përpara kolonës në krye, në drejtim të qytetit. Bartësit e flamurit ndërroheshin me radhë. Bartës i parë ishte Demë Mulliqi, normalist. Në pika të rrezikshme bartës ishin edhe Ramadan Blakaj, Zymer Neziri dhe Xhemajl Gashi.


– Peja –

 Gjatë rrugëtimit, demonstruesit u përpoq t´i ndalonte Kryetari i Komitetit të Lidhjes së Rinisë së Pejës Lekë Vuksani, por nuk pati sukses. Një pjesë e demonstruesve, ndërkohë shkuan në tregun e qytetit dhe ju bënë thirrje tregëtarëve që t´i bashkohen demonstratës. Me këtë rast tregu u boshatis dhe të gjithë u solidarizuan me studentët dhe nxënësit. Në ato momente numri i demonstruesve arriti në mijëra veta. Kjo masë demonstruesish në orën 15 u grumbulluan në sheshin e qytetit, përpara Kuvendit të Komunës dhe aty mbi çoshkun e “Borbës dhe Rilindjes” (që ishte përskaj ndërtesës së Komunës) përreth 20 minuta e mbajti një fjalim S.Kuçi që e kishte përgatitur paraprakisht Zymer Neziri. Më pastaj edhe 2-3 të rinjë tjerë hipën përmbi çoshk dhe brohoritën parulla për: flamurin, për Kushtetutën, për Republikën, për universitetin etj.,12 dhe masa e tubuar me ovacione të vazhdueshme i përsëriste këto parulla dhe këndonin këngët: “Kur u hap kushtrimi n`Kosovë”, “Lidhja e Prizrenit”, “Oj Kosovë, mos thuaj mbarova”, “Këngë për Skënderbeun”, “Mori Shkodër, moj mizore”, “Këngë për Ali Pashë Tepelenën”, etj. Që nga fillimi i kolonës së demonstruesve, policia, disa herë, u përpoq ta rrëmbente flamurin nga duart e çelikta të rinisë. Herën e parë u përpoq ta largonte nga kulmi i shkollës “Ali Kelmendi”, por kjo u pengua nga nxënësit. Po ashtu, edhe disa herë gjatë marshimit të kolonës, policia u përpoq ta merrte flamurin, por pa sukses.
Pas afër katër orësh demonstrimi nëpër qytetin e Pejës, me flamurin kombëtar në ballë, si dhe duke i brohoritur Kosovës, Republikës së Kosovës, Kushtetutës së Kosovës, dhe duke kënduar këngë atdhetare, përfundoi kjo demonstratë për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, që ishte manifestimi më i rëndësishëm në Pejë pas Luftës së Dytë Botërore. Pas përfundimit të demonstratës, flamuri kombëtar përsëri u vendos mbi kulmin e shkollës normale “Ali Kelmendi”. Pas përfundimit të suksesshëm të demonstratës në Pejë, filloi ndjekja e organizatorëve nga UDB’a dhe Komiteti. Fillimisht u larguan nga puna në arsim: Ramadan Blakaj, Xhemajl Gashi dhe të Zymer Neziri, ndërsa më pastaj u burgosën dhe me këtë rast: Ramadan Blakaj u dënua me 15 ditë burg, Xhemajl Gashi me 30 ditë dhe Zymer Neziri po ashtu me 30 ditë burg. Me dënim me burg u dënua edhe Riza Smaka. 12
Me demonstratën e Pejës u përmbyllë cikli i parë i demonstratave shqiptare, të cilat pushteti, duke dashur t´i minimizojë ato, organizatorët e saj nuk i dënoi shumë, përveçse me disa ditë burg për kundërvajtje.
Kush e përbënte ”Komitetin e Studentëve”, që i përgatiti demonstratat e nëntorit 1968?

Osman Dumoshi

Vazhdimi i demonstratave në muajin nëntor 1968 shënon artikulim më të zëshëm të kërkesës për vetëvendosje të shqiptarëve. Grupin e organizatorëve të demonstratave të nëntorit 68, që do të quhej “Komiteti i demonstratave” e përbënin studentë të fakulteteve të Prishtinës. Anëtarë të këtij grupimi ilegal politik ishin:
– Osman (Xhemail) Dumoshi, nga Prishtina – student i Fakultetit Teknik dega e Maqinerisë;
– Adil (Murat) Pireva – nga Lupçi i Poshtëm komuna e Podujevës, gazetar student me korrespodencë i Fakultetit Filozofik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe;
– Selatin (Ismail) Novosella – nga Vushtrria me vendbanim në Prishtinë, student i Fakultetit Filozofik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe;
– Ilaz (Ejup) Pireva – nga Lupçi i Poshtëm komuna e Podujevës – student i Fakultetit Teknik-dega e Maqinerisë;
– Xheladin (Jetish) Rekaliu – nga fshati Dobratin i Podujevës, student i Fakultetit Teknik-dega e Maqinerisë;
– Afrim (Ragip) Loxha – nga Peja, student i Fakultetit Teknik – dega e Maqinerisë;
– Skënder (Ismail) Muçolli – nga fshati Bajçinë i Podujevës, student i Fakultetit Teknik, dega e Ndërtimtarisë;
– Skënder (Ibrahim) Kastrati – nga fshati Karaçevë komuna Kamenicës, student i Fakultetit Ekonomik dhe
– Hasan (Hasan) Dërmaku -nga fshati Shipashnicë, komuna e Kamenicës, student i Fakultetit Filozofik – dega e Historisë. 13
Bërthama e këtij grupi formohet në qershor 1964, vetëm disa ditë pas zbulimit dhe arrestimit të organizatës atdhetare ”Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” LRBSH’së në krye me Adem Demaçin. Ky grup, duke pasur parasysh pasojat e burgosjeve të anëtarëve të LRBSH’së, fillimisht veprimtarinë e tij e përqëndroi në ngritjen ideopolitike, përmes leximit të veprave të ndryshme letrare e historiografike, përmes zhvillimit të debateve për çështje të ndryshme politike dhe pas një periudhe tri vjeçare, në gusht 1967 nis veprimtarinë konkrete në mënyrë të organizuar. Ky grup politik (fillimisht i paemërtuar) me rastin e riorganizimit më 1967, fushëveprimin e vet e përcaktoi duke u bazuar në programin dhe statutin e LRBSH’së, 14 ashtu sikurse të gjitha grupet dhe organizatat tjera të mëvonshme, edhe pse mbanin emra të ndryshëm, programet do t´i kenë të njëjta, të LRBSH’s. Dhe jo rastësisht është thënë se të gjitha organizatat politike ilegale të asaj kohe, ishin vazhdim (transformim) i organizatës së Adem Demaçit.

Vendimi për organizimin e demonstratave në disa qytete të Kosovës – më 27 nëntor 1968
Gjatë periudhës gusht 1967 – gusht 1968, kur Kosova dhe viset tjera shqiptare jetonin nën ankthin e debatit publik për ndryshimet kushtetuese, ky grup dhe shumë intelektualë të tjerë atdhetarë u kyqën aktivisht në avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës. Në mbledhjet e tyre të shpeshta që mbaheshin në shtëpitë e Osman Dumoshit, të Selatin Novosellës dhe të Adil Pirevës, 15 grupi me seriozitetin më të madh i analizonte rrethanat politiko-shoqërore dhe reagimet e pushtetit serbo-jugosllavë dhe të burokracisë politike shqiptare, kundër vullnetit të Shqiptarëve për të qenë të barabart, në kuadër të federatës jugosllave. Në varshmëri me situatën e krijuar, asokohe grupi i studentëve pas një sërë takimesh në fshatrat Lupç i Poshtëm dhe Bajçinë të Llapit dhe zhvillimit të një ankete gojore me të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, hodhën idenë për organizimin e demonstratave në disa qytete të Kosovës. Gjatë mujave shtator, tetor dhe gjysmës së parë të nëntorit 1968 grupi politik i studentëve që tanimë do të emërtohet me emrin ”Komiteti i Demonstratave”,i bëri të gjitha përgatitjet për organizimin e demonstratave.
Rol të rëndësishëm në organizimin dhe orientimin politik të demonstratave të nëntorit 1968 kanë luajtur edhe atdhetarët: Ismail Dumoshi 16 dhe Metush Krasniqi, 17 të cilët qëndruan në prapaskenë (me insistimin e Osman Dumoshit) me qëllim që të ruheshin nga burgosja, për të vazhduar aktivitetin e tyre pa u hetuar nga UDB-a. Në një takim të mbajtur më 16 nëntor 1968 në shtëpinë e Osman Dumoshit, ku morën pjesë: Osman Dumoshi, Selatin Novosella, Adil Pireva, Ilaz Pireva, Afrim Loxha dhe Skënder Muçolli, është vendosur që më 27 Nëntor 1968 të organizohen demonstrata në disa qytete të Kosovës, si në: Prishtinë, Podujevë, Ferizaj dhe Gjilan. Të pranishmit morën detyra që të përfitojnë sa më shumë nxënës dhe studentë për pjesëmarrjen e tyre në demonstrata. 18 Më 16 Nëntor 1968 Adil Pireva ka shkruar edhe një thirrje për demonstratë në vargje me titull: ”Eni në demonstratë”. 19 Në Prishtinë është vendosur që demonstrata të filloi nga Fakulteti Filozofik.
Pas aktivitetit një javorë, më 23 Nëntor grupi takohet në shtëpinë e Selatin Novosellës, ku marrin pjesë edhe Xheladin Rekalu dhe Hasan Dërmaku dhe secili raporton për “aktivitetin e vet në përgatitjen e demonstratave”. Në këtë takim u vendos gjithashtu që të shkruhen parollat: ”Duam vetëvendosje”, ”Askush të mos luaj me fatin tonë”, ”Poshtë politika kolonialiste ndaj Kosovës”, ”Viset e banuara me shqiptarë t´i bashkohen Kosovës”, ”Për të drejtat tona gjakë do të derdhim”, ”Në një dorë kazmën e në tjetrën pushkën”, ”Duam Republikë” etj, të shumëzohen ato; të shkruhet një fjalim (që do të lexohet para demonstruesve); të sigurohen flamujë kombëtar etj. Dhe ky takim rezultoi me detyra konkrete: Osman Dumoshi, Hasan Dërmaku dhe Adil Pireva morën përsipër që të përpilojnë fjalimin; Skënder Muçolli dhe Ilaz Pireva t´i shkruajnë parollat sipas propozimeve të bëra në mbledhje; ndërsa Afrim Loxha dhe Skënder Muçolli u caktuan si roje e atyre që do ta lexojnë fjalimin para demonstruesve. Përveç këtyre detyrave, Osman Dumoshi ka shumzuar edhe këngën ”Poshtë Padrona padrejtësia…” të cilën ua shpërndau pjesëmarrësve me qëllim që të këndohet gjatë demonstratave. 20
Me qëllim të koordinimit, Komiteti i demonstratave angazhoi Xheladin Rekaliun dhe Ilaz Pirevën të kontaktojnë me grupin e Podujevës: Hamit Abdullahu, Hakif Sheholli, Sabit Syla, Hasan Shala etj; ndërsa Skënder Kastratin dhe Hasan Dërmakun të kontaktojë me grupin e Ferizajit: Ramadan Hazirin, Ismet Ramadanin, Hasan Abazin…. dhe grupin e Gjilanit: Rexhep Malën, Fatmir Salihun, Irfan Shaqirin etj. 21 Në këto takime, grupet u njoftuan edhe me platformën e organizimit të demonstratave.
Si u zhvilluan demonstratat e 27 nëntorit 1968, në Prishtinë,në Ferizaj, në Gjilan dhe në Besianë (ish-Podujevë) ?!
1. Demonstrata në Prishtinë
Ndonëse masat e rinisë studentore dhe masat e gjera popullore ishin njoftuar për kohën dhe vendin e fillimit të demonstratave, që në orët e para të pasdites, përkundër forcave të mëdha policore të përqëndruara nëpër udhëkryqet kryesore të Prishtinës, ato ishin tubuar nëpër fushat sportive të qytetit, nëpër konviktet e studentëve, nëpë shkolla fillore dhe të mesme si dhe nëpër vende tjera publike, duke pritur çastin e filllimit të demonstratës. Ashtu siç ishte përcaktuar, demonstrata nisi në orën 16 e 55 minuta, para Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Deri në orën 17 masa e demonstruesve u rrit në rreth 8 mijë veta. 22 Duke qenë në ballë të masës së grumbulluar, organizatorët e demonstratës dhe disa të rinjë me flamuj kombëtar, kolona fillloi marshimin nëpër rrugën: Marshali Tito” 23 në drejtim të qendrës së qytetit.
Demonstruesit, mbanin në duar shumë transparente me parulla të shkruara si:
– ”Duam vetvendosje deri në shkëputje”,
– ”Poshtë politika kolonialoste ndaj Kosovës”,
– ”Duam bashkimin e të gjitha viseve shqiptare me Kosovën”,
– ”LNÇ-ja nuk na solli lirinë!”,
– ”Duam Kushtetutë!”,
– ”Duam Universitet!”,
– ”Duam bashkimin e Preshevës… me Kosovën!”,
– ”Për të drejtat tona edhe gjak do të derdhim!”,
– ”Askush të mos luaj me fatin tonë!”,
– ”Në një dorë kazmën, në një dorë pushkën!”… 24
Para qendrës së studentëve, tash rektorati i Universitetit të Prishtinës, demonstruesit u përballën me kordonin e policisë dhe gjatë përleshjeve masa e demonstruesve e shpërtheu bllokimin. Pas kësaj fitoreje, masa vazhdoi marshimin rrugës krysore duke brohoritur e kënduar këngën: ”Bashkohuni, bashkohuni!… Ejani mblidhuni këtu, këtu, këtu…!” 25 Masa e demonstruesve pas parakalimit nëpër rrugën kryesore, përgjatë ndërtesës së Kuvendit Krahinor, u grumbullua në platonë (sheshin) përpara Tetarit Popullor. Me këtë rast Osman Dumoshi dhe Skënder Kastrati që të dy ideatorë të kësaj demonstrate u ngjitën mbi kioskën ”Optika” dhe lexuan një fjalim para masës së tubuar.

– Adem Demaçi –

Masa e demonstruesve leximin e referatit e priti me ovacione duke brohoritur parollat:
– ”Duam Republikë!”,
– ”Republikë, republikë!”,
– ”Duam-vetëvendosje!”,
– ”Vetëvendosje-vetëvendosje!”,
– ”Republikë-Kushtetut”,
– ”Kushtetut-kushtetut!”,
– ”Duam Universitetë!”,
– ”Universitet, universitet!”etj. 26
Masa, me të përfunduar referati, zuri të lëvizte rrugës kryesore drejt Kuvendit Krahinor dhe me këtë rast qyteti buçiste nga brohoritjet për vetvendosje deri në shkëputje, për Republikën e Kosovës, për Kushtetutën, për Universitetin… dhe nga këngët atdhetare:
”Frynë murlani me stuhi
Qielli ç´bubullonte,
Nën flamurin kuq e zi
Skënderbeu luftonte…”,
”Besa besë, besën ta kam dhënë
për Kosovën jetën ka me dhanë!…”. 27
Masa e demonstruesve që kishte arritur në disa mijëra vetë, u ndalë para ndërtesës së Kuvendit Krahinor, e cila ishte e rrethuar nga kordonet e policisë të paisur me automatik dhe me helmeta në kokë. Me këtë rast masa kërkonte t´ju fliste Fadil Hoxha ose do të hynin me dhunë në objekt të Kuvendit. 28 Ndërkohë masa e revoltuar brohoriti parulla kundër burokracisë politike si:
– ”Poshtë burokracia!”,
– ”Poshtë tradhëtarët!”,
– ”Poshtë Veli Deva!”,
– ”Rroftë Klasa punëtore!”,
– ”Rrofshin minatorët”,
– ”Rroftë fshatarësia”,
– ”Rroftë rinia”,
– ”Poshtë Fadil Hoxha”,
– ”Rroftë vëllazëria shqiptare”… 29
Para Kuvendit Krahinor, forca të mëdha policore dhe njësitë e zjarrëfikësve, me qëllim të shpërndarjes i sulmuan demonstruesit me shkopinjë gome e vrushkuj uji, ndërsa demonstruesit iu kundërvunë me gurë të kalldermit. 30 Me këtë rast policia e kishte izoluar një numër demonstruesish afër ëmbëltores ”Pçella” (Bleta), përballë ndërtesës së Kuvendit Krahinor dhe i rrihte pamëshirë me shkopinjë gome e me shqelma. Në ato momente një grup tjetër demonstruesish arritën t´i marrin në duar të veta cisternat e zjarrfikësve dhe me ujin e ftoftë sulmuan policinë dhe i nxorën nga rrethimi demonstruesit tjerë. 31 Policia në këto rrethana tërhiqet dhe gjatë tërheqjes kishte mundur t´i ndajë nga turma disa demonstrues, të cilët edhe i arrestuan. Pas këtyre përleshjeve, ku pati edhe shumë të lënduar nga të dya palët, masa e demonstruesve me buçima këngësh e brohoritjesh, vazhdoi demonstrimin nëpër rrugën kryesore, në drejtim të Fakultetit Filozofik.
Mbi një tarac përpara ndërtesës së Fakultetit Filozofik (ku u rikthyen sërish demonstruesit) u zhvillua një tribunë popullore. Aty shumë oratorë folën për vuajtjet e popullit shqiptar nën robërinë serbo (jugo)sllave, për krimet që kishin bërë ata, qysh prej vitit 1912 mbi popullin tonë, për historinë e qëndresës shqiptare kundër kësaj robërie mesjetare etj. Më pastaj u nderuan edhe dëshmorët: Shaban Shala e Fazli Gajçevci, si dhe u fol me pietet për simbolin e qëndresës shqiptare Adem Demaçi, i cili atëkohë vuante dënimin prej 15 vjetësh, nëpër kazamatet serbe, së bashku me shumë të burgosur tjerë. Demonstruesit me të dëgjuar emrin e Adem Demaçit filluan ta kërkojnë lirimin e tij nga burgu, duke brohoritur:
– ”Rroftë Adem Demaçi”,
– ”Rroftë Kadri Halimi”,
– ”Duam lirimin e të burgosurve politikë”… 32
Strukturat e burokracisë plitike për t´i bindur demonstruesit se duhej të shpërndahen, me qëllim të qetësimit të situatës, kishin caktuar Ismail Bajrën për të biseduar me ta. Ai për t´i shqyrtuar kërkesat e shtruara përmes bisedimeve, kërkojë nga demonstruesit që të formohet një Kryesi të tyre, mirëpo masa e tubuar njëzëri ju përgjigjë se ”Të gjithë jemi kryesi!….” 33 të gjithë jemi kryesi!” Kur pushoi së foluri z.Bajra, filloi të buças zëri i demonstruesve për lirimin e shokëve të burgosur, gjatë këtij demonstrimi. Me brohoritjet ”Lironi shokët, lironi shokët”, masa e tubuar nisi marshimin në drejtim të burgut famkeq të Prishtinës. Nga udhëkryqi, përballë shtëpisë së vjetër të mallrave, masa mori rrugën në drejtim të shtëpisë së armatës (APJ) dhe u grumbulluan para hotelit”Avalla”, në afërsi të burgut. Forcat policore për ta shpërndarë masën e tubuar përdori gazin lotësjellës, shkopinj gome dhe armë zjarri. Në ndihmë të policisë me këtë rast kishin ardhur edhe ushtria. Gjatë kësaj përleshjeje nga breshëritë e plumbave që vinin nga banesat e ballkoneve shtetërore,që gjendeshin mbi hotelin”Avalla”, vritet i riu 17 vjeçar Murat Mehmeti, nxënës i shkollës së mesme teknike në Prishtinë dhe u plagosën shumë të tjerë. 34
Pas këtij sulmi barbarë nga ana e policisë dhe ushtrisë, masa tërhiqet në mënyrë të çrregullt (kaotike) në drejtim të Kuvendit Krahinor, shkojnë deri te shkolla teknike dhe prej andej marshojne rrugës për t´u kthyer sërish rreth orss 22 të mbrëmjes në oborrin e Fakultetit Filozofik. Gjatë rrugëtimit, masa e revoltuar nga gjakderdhja e shkaktuar, duke brohoritur parullat:
– ”Gjakatarët-gjakatarët”,
– ”Barbarët,barbarët”,
– ”Ja vdekje-ja liri! Më mirë vdekje se robëri”,
– ”Hakmarrje, hakmarrje”!… i rrotulluan disa automjete dhe me gurë thyen dhjetra vitrina të shitoreve shtetërore. 35


Dëshmori Murat Mehmeti

Në sheshin e Fakultetit Filozofik, pasi u nderua me një minut heshtje dëshmori i sapo rënë i lirisë Murat Mehmeti, para masës folën shumë oratorë nga radhët e studentëve, nxënësve, punëtorëve, minatorëve, fshatarëve etj, të cilët shfryn mllefin e tyre kundër pushtetit titist serbo(jugo)sllavë. Për të qetësuar studentët, me kërkesën e strukturave pushtetore, para masës paraqitet edhe prof.Mark Krasniqi, i cili u bëri thirrje demonstruesve që të shpërndahen, por masa nuk e përfilli kërkesën e tij. Duke brohoritur parulla tani më të njohura dhe duke kënduar këngë të ndryshme patriotike, një pjesë e demonstruesve qëndruan në platonë e Fakulteti Filozofik, deri në orën 3 të mëngjesit, të datës 28 nëntor 1968. 36 Atë mëngjes kur populli shqiptar ishte përgatitur ta festoj ditën e Flamurit, Prishtina ishte vënë në një shtetërrethim të plotë ushtarako-plicor!
2. Demonstrata në Ferizaj
Demonstrata e dytë për nga fuqia dhe intenziteti u zhvillua në Ferizaj, në orët e para të mesditës së 27 nëntorit 1968. Atë ditë ndonëse ishte ditë tregu në qytet, masa e demonstruesve, të cilën e përbënin nxënës të shkolllës së mesme ”Hivzi Sylejmani”, studentë, punëtorë e fshatarë, lëvizi nga shumë drejtime për në qendër të qytetit… Afër shtëpisë së kulturës, kolonës së demonstruesve u doli përpara Sinan Sahiti, kryetar i Komitetit Komunal të LK të Feizajt, i cili kërkojë që të mos marshojnë në drejtim të qendrës së qytetit, por masa nuk e dëgjon dot. 37 Në këtë situatë një kordon i policisë përpiqet t´i pengojë demonstruesit, por nuk patën sukses. Para demonstruesve (mbi 3 000 veta) të cilët u mblodhën në platonë para ndërtesës së Kuvendit Komunal, mbajti një fjalim veprimtari Ismet Ramadani. Gjatë tërë kohës masa e tubuar brohoritën parulla:
– ”Duam vetëvendosje!”,
– ”Kosova Republikë!”,
– ”Barazi-Liri!”,
– ”Duam Kushtetut!”,
– ”Duam Universitet!”…
Ndërkohë forcat policore të ndihmuar nga ekipi i zjarëfikësve, intervenuan për t´i shpërndarë demonstruesit, mirëpo masa e revoltuar u mbrojtën, duke hedhur gurë dhe gjësende tjera të forta në drejtim të tyre. Meqë përleshjet qenë të ashpra u lënduan dhjetra demonstrues dhe disa policë. Demonstrata në Ferizaj përfundojë rreth orës 16 dhe zgjati katër orë. Pas shpërndarjes të saj, shumica e pjesëmarrësve shkuan për t´ju bashkuar demonstratës në Prishtinë. 38
3. Demonstrata në Gjilan
Për organizimin e demonstratës në Gjilan, më 10 nëntor 1968 dy studentë të Komitetit të Demonstratave takohen me Rexhep Malën, Fatmir Salihun dhe Irfan Shaqirin, në këtë qytet. Në takim u caktuan detyrat organizative dhe teknike, të cilat duhej të kryheshin për mbarëvajtjen e demonstratës dhe masovizimin e saj. 39 Që nga 21 nëntori grupi organizativ është takuar për çdo ditë në një strehimore (bunker) afër shtëpisë së Fatmir Salihut dhe aty kanë përgatitur parullat që do të barteshin në dorë nga demonstruesit…

– Rexhep Mala – 

Më 26 nëntor 1968 në shtëpinë e Rexhep Malës mbahet mbledhja e fundit e grupit dhe aty finalizohet mbarëvajtja e demonstratës. Në këtë demonstratë u dalluan nxënësit dhe studentët:
1. Vahide Hoxha-Braha,
2. Mynivere Kastrati,
3. Vildane Ahmeti,
4. Fetije Bajrami,
5. Zija Shemsiu,
6. Fazli Abdullahu,
7. Xhavit Dërmaku,
8. Njazi Korça,
9. Ilmi Ramadani,
10. Shemsidin Kastrati etj. 40
Demonstrata filloi në orën 12:05 dhe parakalimi u bë nga shkolla e mesme ekonomike deri të stacioni i autobusve. Në ballë të demonstruesve, numri i të cilëve arrinte në rreth 2 mijë vetë, ishin organizatorët e demonstratës dhe flamuri kombëtar që e mbante në duar Vahide Hoxha’Braha, ndërsa Mehmet Emini e mbante flamurin jugosllavë. Gjatë rrugëtimit demonstruesit brohoritën parullat, të cilat edhe i mbanin në duar të shkruara në transparente:
– ”Duam Vetëvendosje”,
– ”Duam Kushtetutë”,
– ”Kushtetutë-Republikë”,
– ”Duam Universitet”,
– ”Duam barabarësi të gjuhës” etj. 41
Me qëllim të parandalimit, para masës së demonstruesve dolën aktivistët e Kuvendit komunal të LK të Gjilanit, mirëpo masa kishte marrë hovë dhe demagogjitë e tyre nuk mundën ta ndalin dot marshimin nëpër qytet. Meqë strukturat shtetërore dështuan, kundër demonstruesve paqësorë intervenuan forcat policore të paisur me shkopinj gome. Me këtë rast edhe demonstruesit ju kundërvunë me gurë dhe gjatë përleshjeve u lënduan shumë demonstrues por edhe disa “ruajtës të rendit”. Pas 4 orësh, demonstruesit u shpërndanë, ndërsa shumica prej tyre udhëtuan për të marrë pjesë në demonstratën e Prishtinës. 42
4. Demonstrata në Besian (ish’Podujevë)
Edhe demonstrata e Podujevës u zhvillzua në orët e paradites, të datës 27 nëntor. Masa e demonstruesve fillimisht u mblodhë në sheshin e qytetit, në qendër ku përfshihej edhe hapsira e parkut. Në ballë të demonstruesve (ku u bashkuan edhe fshatarë që kishin ardhur për të bërë treg) valonte flamuri kombëtar, i qëndisur nga Elhame Shala-Bogujevci. Demonstruesit hodhën përulla për vetëvendosje, për kushtetutë dhe për barazi kombëtare. Para demonastruesve folën: Sabit Syla – student nga fshati Obraqë i Podujevës, Hasan Shala (vëllai i dëshmorit Shaban Shala) nga fshati Letancë etj. 43 Meqenëse demonstruesit nuk u provokuan nga policia, demonstrata përfundojë e qet pa asnjë eksces. Më pas shumë llapjanë do t´i bashkohen edhe demonstratës së madhe në Prishtinë.
Çfarë masash politike propozoi Veli Deva ndaj organizatorëve të demonstratave?!
Ndonëse demonstratat e nëntorit, përmes agjensive telegrafike botërore, shtrypit,radios dhe televizionit jehuan fuqishëm, kryetari J.B.Tito ndërmori një propagandë intensive për të dezinformuar opinionin ndërkombëtar për këto ngjarje. Në intervistat që dha për gazetarët vendas e të huaj, në Jajcë (ku ishte duke festuar 29 nëntorin) Titoja me kujdes i anashkalojë kërkesat themelore të demonstratave për vetëvendosje e republikë dhe mundohej t´i paraqiste ato si trazira të zakonshme studentësh, të cilat sipas tij nuk duheshin dramatizuar e hiperbolizuar dhe nuk duhej t´u jepej rëndësia që nuk e kishin. 44

– Veli Deva –

Megjithatë këto demonstrata do të bëhen objekt shqyrtimi dhe analize në të gjitha strukturat partiake e shtetërore të fedratës, të Serbisë dhe të Kosovës dhe kundër tyre do të organizohet një fushatë e egër shoviniste. Qysh në mbledhjen e parë të jashtëzakonshme, të mbajtur në mbrëmjen e 27/28 nëntorit 1968, në Prishtinë, Komiteti Krahinor – demonstratat e asaj dite në Prishtinë e gjetiu i cilësoi si ”armiqësore të organizuara nga elementët armiqësorë, kundër rendit kushtetues dhe shoqërisë socialiste vetëçeverisëse, kundër platformës ideologjike të LKJ’së dhe kundër vllaznim’bashkimit të kombeve dhe kombësive tona”. 45
Ndërkaq kërkesat e demonstruesve u kualifikuan si ”platformë e fuqive më reaksionare në shoqëri” dhe se demonstruesit ishin të lidhur” me agjenturat e huja…, me mbeturinat e forcave reaksionare shoviniste e deri te devijuesit e ndryshëm brenda Lidhjes së komunistëve”.46 Në këtë mbledhje ende pa u ditur zhvillimet e demonstratave dhe pa u analizuar mirë shkaqet që quan në shpërthimin e tyre, Veli Deva, kryetar i Kryesisë së KK të LK të Kosovës, kërkojë që “të merren masa energjike kundër nxitësve të çrregullimeve… të qërohen hesapet me nxitësit e mërisë nacionale dhe veprimtarisë armiqësore”. 47
Kush i gjykoi – denoi në „emër të popullit“ organizatorët e demonstratave?
Këto vlerësime pashmangshëm, i hapën rrugë burgosjes së organizatorëve të demonstratave. Më 28 nëntor 1968 arrestohen: Osman Dumoshi. Afrim Loxha dhe Skënder Muçolli; më 1 dhjetor arrestohen: Hasan Dërmaku, dhe Skënder Kastrati; më 3 dhjetor arrestohet Xheladin Rekaliu; më 11 dhjetor arrestohet Adil Pireva; më 25 dhjetor Ilaz Pireva, ndërsa më 27 janar 1969 arrestohet Selatin Novosella. 48
Gjatë kësaj periudhe arrestohen edhe dhjetra studentë, nxënës, mësues e punëtorë, që morën pjesë në demonstrata, mirëpo shumica prej tyre do të lirohen, ndërsa një pjesë e tyre denohen për kundërvajtje. Pas katër muaj hetimesh, më 2, 3, 4 e 7 prill 1969, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë u mbajtë një proces gjyqësorë kundër organizatorëve të demonstratave.
Në këtë proces u përfshi, trupi gjykues i përbërë nga:
– Nazmi Juniku – kryetar,
– me gjyqtarët – porotë: Beçir Shehi dhe Mehmet Sponca,
– si procesmbajtës ishte Hysamedin Oruçi,
– ndërsa Prokuror ishte Sahit Meraku i deleguar nga Peja.
Kjo trupë gjyqtarësh – porotësh më 7 prill 1969 ”në emër të popullit” për shkak të “krimit – propaganda armiqësore nga neni 118 al. 1 e KP” 49 këta studentë i shpalli fajtorë dhe ua shqiptoi dënimin prej 37 vjetësh burg të rëndë.
Me këtë rast studentët:
– Osman Dumoshi, Hasan Dërmaku, Selatin Novosella dhe Adil Pireva, u dënuan me nga 5 vjet burg;
– Skënder Kastrati dhe Xheladin Rekaliu me nga 4 vjet burg,
– ndërsa Ilaz Pireva, Skënder Muçolli dhe Afrim Loxha dënohen me nga 3 vjet burg. 50


Faksimili i aktgjykimit të grupit të Osman Dumoshit

Për pjesëmarrje aktive në demonstratën e Prishtinës, u denuan edhe studentët: Asllan Kastrati, me 6 muaj burg; Sylejman Kastrati me 3 muaj burg; Skënder Berisha me 2 muaj, Bedri Novosella, Sylejman Peposhi dhe Halil Qosja me nga 1 muaj; ndërsa Tefik Qitaku dhe Ramadan Ramadani (që të dy rrobaqepës) u dënuan me nga 2 muaj burg.
Për demonstratën e Ferizajit u denuan:Ali Mehmeti, arsimtar me 1 vit burg, Ismet Ramadani dhe Hasan Abazi (që të dy studentë) me nga 10 muaj; ndërkaq me nga 1 muaj u denuan; Beqir Qerimi, student dhe nxënësit: Sylejman Bytyqi, Hasan Muhaxheri dhe Ekrem Beqiri.
Për demonstratën e Gjilanit u denuan studenti: Irfan Shaqiri me 1 vjet burg, ndërsa me nga 1 muaj burg u denuan: Beqir Qerimi, student dhe nxënësit: Rexhep Mala, Fatmir Salihu, Ahmet Hoti etj
Ndërkaq për demonstratën e Podujevës u denuan: Hamit Abdullahu (berber)me 1,6 muaj burg; Sabit Syla (student) me 1,4 muaj burg; Haki Sheholli me 1 vjet burg; ndërsa me nga 1 muaj burg u denuan: Hasan Sh.Shala dhe Bahri Shabani, që të dy studentë. Po me nga 1 muaj u denuan edhe mësuesit: Hasan Shala, Xhafer Ejupi, Skënder Hoxha, Shaqir Shala dhe Selatin Vokrri si dhe Nexhip Ejupi e Abdulla Nishevci, që të dy me profesion rrobaqepës. 51

( VIJON… )

_________________________
SHERADIN BERISHA: ROLI HISTORIK I DEMONSTRATAVE SHQIPTARE (TETOR – DHJETOR 1968) /I/
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2141
***
SHERADIN BERISHA: ROLI HISTORIK I DEMONSTRATAVE SHQIPTARE (TETOR – DHJETOR 1968) /II/
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2142
***
SHERADIN BERISHA: ROLI HISTORIK I DEMONSTRATAVE SHQIPTARE (TETOR – DHJETOR 1968) /III/
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2143

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura