DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË SIPAS DOKUMENTEVE BRITANIKE

DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË SIPAS DOKUMENTEVE BRITANIKE

Nga Prof. dr. Sabit SYLA

Drejtor i Institutit të Historisë – Prishtinë

Pashtriku, 2 Maj 2022

Në fillim të dekadës së tetë të shekullit njëzetë, kur Lufta e Ftohtë midis Lindjes dhe Perëndimit, apo midis shteteve komuniste të prira nga Bashkimi Sovjetik dhe demokracive perëndimore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte gjithnjë e më e ashpër, dy ngjarje me rëndësi, vdekja e liderit suprem jugosllav, Josip Broz Tito dhe demonstratat shqiptare të vitit 1981 në Kosovë, e vunë ish-Republikën Federative të Jugosllavisë në qendër të interesimit publik dhe politik ndërkombëtar. Jugosllavia, si një shtet që kufizohej me vende që bënin pjesë në dy blloqet rivale, paraqiste rëndësi specifike sepse paqëndrueshmëria e saj do t’i përfshinte pa asnjë dyshim edhe shtetet fqinje, e me këtë edhe blloqet rivale. Perëndimi druante se, rivendosja e ndikimit politik sovjetik në Jugosllavi, do të rezultonte me ndryshimin e politikës së jashtme jugosllave. Në rrethana të tilla, ngjarjet në Jugosllavi u ndoqën me një kujdes të theksuar. Një qasje të tillë e ndoqi edhe Britania e Madhe, si njëra nga aleatet më të fuqishme në bllokun e demokracive perëndimore. Kjo dëshmohet nga një korrespondencë e dendur në zinxhirin e diplomacisë britanike, që përfshiu, krahas relacionit Londër-Beograd, edhe relacione tjera si Londër-Athinë, Ankara, Moskë, Vjenë, etj. Prandaj punimi “Demonstratat e vitit 1981 sipas dokumenteve britanike” synon t’i shtjellojë zhvillimet në Kosovë, respektivisht demonstratat e vitit 1981, nga optika e diplomacisë britanike. Si i vështruan britanikët këto ngjarje, si i interpretuan kërkesat shqiptare, a ishin të ndikuara nga jashtë këto zhvillime, marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi, dhe nacionalizmi shqiptar në Jugosllavi, janë disa nga çështjet kryesore që do të shtjellohen bazuar në materiale të vjela nga arkivat britanikë, të cilat për shkak të kufizimeve kohore të lëndës arkivore nuk kishin qenë më parë në dispozicion të studiuesve.

***

Në fillim të viteve ‘80-të bota hyri në një fazë të re të Luftës së Ftohtë, që u karakterizua nga ngritja e tensioneve midis bllokut të vendeve komuniste të prira nga Bashkimi Sovjetik dhe demokracive perëndimore të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ndryshe u njoh si lufta midis Lindjes dhe Perëndimit. Një ngritje e tensioneve midis blloqeve ishte rezultat i ndryshimeve në udhëheqjen më të lartë të koalicionit të demokracive perëndimore. Në SHBA zgjedhjet presidenciale të vitit 1980 i kishte fituar Ronald Regan, i cili shprehu një qëndrim për një ballafaqim pa kompromis kundër komunizmit, respektivisht Bashkimit Sovjetik, duke e quajtur atë si një “perandori e ligë”.

Në kursin e ri politik kundër komunizmit, Regani pati mbështetjen e fuqishme të aleates së saj më të ngushtë, Britanisë së Madhe. Margaret Thatcher, e cila në vitin 1979 kishte marr përsipër drejtimin e qeverisë britanike, ishte “instinktivisht e orientuar kah Atlantiku” dhe ishte e bindur, sikurse presidenti Regan, se Perëndimi mund dhe duhet të përdorë forcën kundër çdo lëvizjeje apo qeverie komuniste, ose të ngjashme, të cilat do të mund t’i rrezikonin seriozisht interesat e Perëndimit.

Një qasje e tillë shënonte periudhën kur Britania e Madhe kishte filluar ta orientonte fokusin e saj politik drejt Evropës, prandaj në orbitën e luftës kundër Bashkimit Sovjetik një vëmendje e theksuar i ishte kushtuar edhe Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si njëra nga shtetet komuniste që nuk ishte anëtare e bllokut komunist. Interesimi për Jugosllavinë buronte nga fakti i pozitës së saj gjeografike, i kapaciteteve ekonomike dhe përbërjes së saj shumetnike. Njëri nga ambasadorët e Britanisë së Madhe në Beograd gjatë epokës së Titos, e kishte përshkruar këtë të fundit si një lider pragmatik autoriteti i të cilit ndikonte në arritjen e kompromiseve dhe të ndërmjetësimit midis forcave oponentë brenda shtetit shumetnik.

Tek blloku Perëndimor, më saktësisht tek administrata e SHBA-së, që përfaqësonte bllokun e demokracive perëndimore, ekzistonte bindja se vdekja e Titos do t’i ofronte mundësinë Bashkimit Sovjetik që ta rivendoste ndikimin e tij në Jugosllavi, apo ta përmbyste garniturën politike jugosllave e me këtë të ndryshonte edhe orientimet në politikën e jashtme jugosllave.  Prandaj, në frymën e një qëndrimi të tillë, kah pjesa e tretë e shtatorit të vitit 1980 kryeministrja britanike, Margaret Thatcher, zhvilloi një vizitë zyrtare në Jugosllavi. Ajo u bëri me dije zyrtarëve më të lartë jugosllavë rëndësinë që Britania e Madhe i kushtonte unitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Jugosllavisë.

Në frymën e një qëndrimi të tillë Britania e Madhe ndoqi zhvillimet e brendshme në Jugosllavi, gjegjësisht edhe demonstratat shqiptare të pranverës së vitit 1981. Kështu, në një raportim përmbledhës, duke u bazuar kryesisht në burimet informative jugosllave, ambasadori britanik në Beograd, E. Bolland, njoftonte Ministrinë e Jashtme britanike se në orët e vonshme të pasdites së 11 marsit 1981 në Mensën e Studentëve në Prishtinë kishte shpërthyer një revoltë në shenjë pakënaqësie me kushtet e ushqimit. Flakja e tabakut me ushqim nga një student nuk e kishte nxitur revoltën, por ajo ishte ndezur më pas nga tridhjetë studentë tjerë, të cilët filluan ta demolonin Mensën. Si pasojë e revoltës u formua një turmë prej rreth 400 studentësh të cilët vërshuan rrugët e qendrës së qytetit të Prishtinës duke brohoritur kërkesa politike, ku u përplasën me policinë. Policia arriti ta shtypte demonstratën dhe t’i kthente studentët prapa në konvikte. Në përpjekje për t’i qetësuar studentët dhe për të diskutuar për përmirësimin e kushteve, më 26 mars 1981 u mbajt një takim midis stafit drejtues të Universitetit dhe studentëve. Por, takimi u ndërpre sapo studentët parashtruan kërkesa politike. Demonstratat rifilluan mu në këtë pikë kur demonstruesit nxorën flamujt e bërë gati dhe thirrën me zë të lartë kërkesa politike. Studentët u ballafaquan me policinë kur ata tentuan të dilnin në qytet ku ishin mbledhur rreth 40 000 njerëz për të përcjellë kalimin e stafetën e përvitshme të rinisë nëpër Kosovë. Policia u përgjigj ashpër dhe si rezultat disa23 demonstrues u plagosën, të tjerë 22 u ndaluan dhe , kurse u plagosën 14 policë.

Demonstratat filluan të marrin një karakter më serioz më 1 prill 1981, kur studentëve filluan t’i bashkoheshin nxënësit e shkollave të mesme. Në raportin e tij lidhur me demonstratat, ambasadori britanik në Beograd citonte një dëshmitar okular britanik, i cili kishte theksuar se dhuna kishte filluar atëherë kur me studentët u bashkuan punëtorët, dhe kur demonstruesit filluan të thyenin xhama të dritareve dhe t’i vinin flakën makinave gjatë marshimit drejt ndërtesës së Komitetit Krahinor. Këtu, rreth orës 15:00, rreth 600-800 vetë valëvitnin flamuj, brohoritnin parulla, të cilat qarkullonin në formë letre, të tilla si: “Kosova Republikë”, “Jemi shqiptarë, jo jugosllavë”, “Nuk e duam kapitalizmin, e duam socializmin”, “Poshtë revizionizmi”, “Duam Shqipërinë e bashkuar”, etj.  U vlerësua se në këto demonstrata kishin marr pjesë rreth 3 000 -4 000 shqiptarë prej të cilëve rreth 2 700 studentë. Shtypja e demonstratave të kësaj dite rezultoi me 18 demonstrues të plagosur.

Duket se demonstratat e marsit në Kosovë i kishin zënë të papërgatitur jo vetëm udhëheqjen komuniste kosovare e jugosllave, por edhe përfaqësuesit e komunitetit diplomatik ndërkombëtar të akredituar në Beograd dhe qytete tjera. Kështu, gjatë marsit diplomatët britanikë në Beograd ishin kufizuar vetëm në ndjekjen e zhvillimeve në Kosovë, duke menduar se ato ishin demonstrata spontane që do të menaxhoheshin lehtë nga udhëheqja jugosllave, parullat, kërkesat dhe serioziteti ndikuan që gjatë prillit e më tej, këta diplomatë të angazhoheshin të kuptonin esencën e këtyre demonstratave. Në krye të një misioni të tillë u vu vetë ambasadori britanik në Beograd, Sir Edwin Bolland, që shërbeu në Beograd gjatë viteve 1980-1982, i njohur për ekspertizën e tij lidhur me zhvillimet në botën komuniste. Ai ishte takuar personalisht me figura të larta politike në Jugosllavi. Në raportin e tij që mbante datën 6 prill 1981, ai shënonte se anëtari i Kryesisë së Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, Gerlickovi, i kishte thënë se demonstratat ishin pasojë e kushteve sociale dhe ekonomike që u shfaqën në Kosovë. Por, Gerlickovi nuk kishte harruar t’ia atribuonte frymën irredentiste demonstratave shqiptare, të frymëzuara nga jashtë. Kërkesa për Republikë përfshinte edhe pjesët tjera të banuara me shqiptarë në Jugosllavi, si fazë kalimtare drejt bashkimit me Shqipërinë.  Por, po në të njëjtin raport, Bolland vinte në dukje se udhëheqja e lartë jugosllave nuk kishte prova për përfshirjen e sovjetikëve në organizimin e demonstratave, kurse po ashtu e dinin se udhëheqësi i Shqipërisë, Enver Hoxha, ishte në gjendje të dobët shëndetësore dhe se kishte vështirësi të brendshme.

Në një raport tjetër të Bollandit pasqyrohet mbledhja e përbashkët e Kryesisë federale dhe Kryesisë së Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, e mbajtur më 2 prill 1981, lidhur me zhvillimet në Kosovë. Konkluzionet e dala nga një takim e cilësonin të rrezikuar integritetin territorial të Jugosllavisë nga bashkëveprimi i organizuar i “armikut të brendshëm me atë të jashtëm”. Këto konkluzione u përforcuan një ditë më pas, kur zyrtari i lartë partiak dhe federativ, Fadil Hoxha, para aktivistëve të partisë në Prishtinë, duke i përshkruar demonstratat si kundërrevolucionare, situatën në Kosovë e ndërlidhi me një kontekst më të gjerë, duke theksuar se në rrethanat e rënduara politike ndërkombëtare “ishte e qartë se nuk ishte në interesin e disa që Jugosllavia të ishte e qëndrueshme”, dhe se “nacionalizmi e shovinizmi” në Kosovë ishin në frymën e koncepteve majtiste dogmatike që nuk ndryshonin nga parullat e euforisë informbyroistë.

Mbledhja dhe konkluzionet e cekura më lart si dhe masat e ndërmarra ishin përgjigje ndaj demonstratave të datës 2 prill 1981 kur demonstruesit në Prishtinë brohoritnin “Jemi fëmijë të Skënderbeut, ushtarë të Enver Hoxhës”. Demonstrata kishte edhe në Podujevë, Vushtrri, Lipjan, Gjilan, Drenas e Gjakovë. Një ndër masat e ndërmarra ishte ndalim-qarkullimi në qytetet e cekura nga ora 20:00 deri në ora 05:00 dhe ndalim grumbullimi i më shumë se pesë personave në vende publike, ndërsa Komiteti për Mbrojtje Popullore nënshkroi një urdhër për të rrethuar Prishtinën me tanke. Për të ndihmuar shtypjen e demonstratave në Kosovë arritën forca tjera policore nga republikat jugosllave dhe Vojvodina.  Situatë më alarmante ishte në Podujevë, dhe vetëm pas përforcimeve të shtuara forcat policore arritën të depërtonin në qytet, ndërsa demonstruesit dogjën 34 shtëpi të serbëve e malazezëve.  Padyshim se informacioni mbi djegien e shtëpive serbe e malazeze ishte sajuar nga propaganda e gazetave serbe, pre e të cilave ishin sidomos pjesëtarët e komunitetit ndërkombëtar në Jugosllavi e në këtë rast edhe ato britanike. Propaganda serbe synonte që demonstratave t’i jepte një karakter tjetër, në mënyrë që t’i shtrembëronte kërkesat e vërteta të shqiptarëve. Demonstratat shqiptare nuk ishin të orientuara kundër ndonjë etnie tjetër, ato ishin thjesht kërkesa për avancimin e statusit juridik të Kosovës dhe për barazi me popujt tjerë në Jugosllavi.

Demonstratat vazhduan edhe më datë 3 dhe 4 prill 1981. Sipas informacioneve të pranuara demonstruesit në Ferizaj thyen xhamat e dyqaneve dhe dëmtuan rënd Hotel Lubotenin, kurse bërtitën “Nuk duam që fëmijët tanë të rrihen nga policët jashtë krahinës”, “Nxirrni shokët tanë nga burgu”, “Tanket jashtë krahinës”, etj. Situatë e rënduar ishte edhe në Mitrovicë, ku 80 punëtorë braktisën vendet e tyre të punës dhe u bashkuan me demonstrues duke brohoritur “Trepça punon për Serbinë”, “Rroftë Kosova Republikë” etj.

Në rrethana të tilla, kur gjendja politike dhe e sigurisë ishte seriozisht e rënduar, një rëndësi të veçantë për diplomatët britanikë në Jugosllavi paraqiti prononcimi zyrtar i Stane Dollancit, njëri nga bashkëpunëtorët e Titos dhe ministër federal i Punëve të Brendshme gjatë viteve 1982-1984. Në konferencën për shtyp të datës 6 prill 1981, Dollanci bëri përshkrimin më të detajuar të ngjarjeve në Kosovë. Ajo që vihej në pah ishte se Dollanc fliste për një lidhje midis grupeve nacionaliste në Kosovë me qarqe të caktuara emigrantësh jashtë vendit, në veçanti me një grup në Shtutgart dhe një në Bruksel, të cilat i përshkroi si “profashistëe apo informbyroistë”. Ai vlerësoi se në demonstrata kishin marr pjesë rreth 2 000 demonstrues, prej të cilëve 200 kishin prirje të dhunshme. Dollanc mohoi përfshirjen e ushtrisë jugosllave në shtypjen e demonstratave, kurse si pasojë e ngjarjeve kishte 11 viktima, nga të cilët 9 demonstrues dhe 2 anëtarë të forcave të sigurisë.

Lidhur me Shqipërinë, Dollanc shprehu besimin se nuk mund të thoshte se qeveria shqiptare qëndronte pas këtyre ngjarjeve, duke shpresuar se Shqipëria do të vazhdonte të ndiqte politikën e Enver Hoxhës në interes të pavarësisë, integritetit dhe qëndrueshmërisë së kufijve të Jugosllavisë. Për më tepër, ai e vlerësonte kundërkushtetues dhe të pamundur krijimin e republikës së Kosovës, sepse në një rast të tillë do të shpërbëhej Jugosllavia, ndërsa e shihte të dobishëm vazhdimësinë e lidhjeve kulturore midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Pavarësisht prononcimeve të Dollancit lidhur me Shqipërinë, megjithatë qarqet jugosllave ngjarjet në Kosovë ia atribuonin nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar dhe ndikimit të Shqipërisë. Në raportin e ambasadorit Bolland, të datës 9 prill 1981, vihen në dukje ballafaqimet midis shtypit të Tiranës (gazeta “Zëri i popullit”) dhe atij të Prishtinës (gazeta “Rilindja”). Ndër të tjera ai vuri theksin edhe tek mbështetja e “Zërit të popullit” për ngritjen e Kosovës në statusin e Republikës në kuadër të Federatës, gjë që për “Rilindjen” ishte një element për të dyshuar se Shqipëria është “kazani apo një nxitëse e tendencave të tilla armiqësore”.  Duke pasur parasysh se në sistemet komuniste shtypi ishte një nga mekanizmat e pushtetit, atëherë nuk ka asnjë dyshim se përshkrimi i qëndrimeve të tilla është pasqyrimin i perceptimeve të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, të transmetuara përmes këtij mekanizmi.

Ndonëse polemikat Shqipëri-Jugosllavi vazhdonin përmes mjeteve të shtypit, diplomatët britanikë në Beograd kishin vënë re se raportet ekonomike dhe ato kulturore shqiptaro-jugosllave vazhdonin normalisht. Oda jugosllave e ekonomisë vlerësonte se volumi i tregtisë dypalëshe këtë vit do të arrinte shifrën prej 135 milionë dollarësh, 15 milionë më tepër se sa në vitin paraprak, ndërsa gjatë prillit të vitit 1981 u lidhën marrëveshje të bashkëpunimit kulturor-shkencor midis Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe Shqipërisë e Maqedonisë.  Një qasje e tillë nga dy vendet jep të kuptohet se dyja vendet kishin nevojë për stabilitet dhe këtë stabilitet tentonin ta ruanin përmes marrëdhënieve tregtare dhe kulturore-shkencore. Në rastin e marrëdhënieve kulturore-shkencore, mund të supozohet se pala jugosllave ishte e interesuar për të zhvendosur bashkëpunimin kulturor-shkencor nga Kosova në republikat tjera jugosllave. Por, me ashpërsimin e akuzave reciproke, marrëveshjet për shkëmbime kulturore-shkencore ishin pezulluar, ndërsa profesorët nga Shqipëria ishin akuzuar se kishin përhapur nacionalizmin shqiptar në Kosovë.

Kah mesi i prillit situata në Kosovë filloi të normalizohej. U rihapën shkollat fillore, kurse ishin duke u bërë përgatitje edhe për rifillimin e mësimit në shkolla të mesme dhe në Universitet të Prishtinës. Por, forcat e sigurisë qëndronin në pika strategjike dhe vazhdonte të ishte në fuqi ndalimi i tubimeve publike.  Një vlerësim i pasojave të demonstratave fliste për 9 persona të vdekur, 257 të plagosur: 75 demonstrues të plagosur rënd, 55 të plagosur lehtë; 127 anëtarë të forcave të sigurisë të plagosur.

Pas rivendosjes së rendit dhe të qetësisë filloi një fushatë e ashpër kundërshqiptare. Udhëheqja më e lartë jugosllave i cilësoi zhvillimet në Kosovë si të orientuara kundër rendit kushtetues në Jugosllavi. Zyrtari i lartë partiak, Lazar Mojsov, e cilësoi “Partinë Komuniste Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve në Jugosllavi” si organizatore të demonstratave, dhe si një “Qendër e agjencive të huaja” që fshihej prapa parullave marksiste-leniniste.  Njëjtë kishte deklaruar edhe Heljeviqi, zyrtar i lartë federal i sigurisë, por ai e shtonte edhe një organizatë tjetër shqiptare, atë të “Lëvizjes për Çlirimin e Kosovës”.  Që të dy, pretendonin se këto organizata kishin lidhje me regjimin në Shqipëri. Bazuar në këto qëndrime filloi një fushatë e egër e diferencimit ideopolitik që preku udhëheqjen e Kosovës. Në strukturat partiake në Kosovë u vunë njerëz besnikë të idesë jugosllave.

Në kohën kur gjendja në Kosovë ishte qetësuar ambasadori Bolland pas analizimit të ngjarjeve dhe bisedave me palë të ndryshme arriti në konkluzionin se demonstratat kishin qenë të organizuara dhe të drejtuara nga shqiptarë të motivuar politikisht, kryesisht studentë. Parullat dhe banderolat kishin qartazi natyrë irredentiste dhe nacionaliste shqiptare. Ndonëse në këto demonstrata mund të ishin përfshirë elemente nga spektri i majtë dhe i djathtë shqiptar, Bollandi shkakun e këtyre ngjarjeve e adresonte tek nacionalizmi shqiptar.

Ndërsa fliste për nacionalizmin shqiptar në Kosovë, Bollandi rrënjët e një nacionalizmi të tillë i shihte tek përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, pra vitet 1944-1945, kur ishte shtypur pa mëshirë rezistenca e shqiptarëve të Kosovës të cilët nuk kishin dashur të bashkoheshin me Jugosllavinë. Rezistenca shqiptare kishte vazhduar në njëfarë shkalle të kufizuar gjatë viteve pasuese. Gjatë viteve ‘70-të u burgosën disa anëtarë të “Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”. Duke i bërë një analizë kërkesave politike të demonstratave, Bollandi erdhi në përfundim se kërkesat e nacionalistëve shqiptarë të Kosovës luhateshin midis bashkimit me Shqipërinë dhe pavarësisë nga Serbia si Republikë brenda Jugosllavisë, megjithëse kjo e fundit mund të ishte vetëm një fazë drejt së parës. Në fund ai theksonte se përmes ndryshimeve të statusit kushtetues përgjatë viteve, Kosova kishte lëvizur një hap më afër vetëvendosjes në Jugosllavi, por ishte e qartë se nacionalistët nuk ishin të kënaqur me tutelën e Serbisë, edhe pse ata kanë fituar barazinë pothuaj në çdo drejtim tjetër me republikat e Jugosllavisë.

Me fjalë tjera, Bolland tërthorazi e konsideronte nacionalizmin e shqiptarëve të Kosovës si një nacionalizëm autentik, duke reflektuar tone të mospërfshirjes së Shqipërisë në këto demonstrata, edhe pse një gjë e tillë ishte e vështirë të vërtetohej për shkak të retorikës që ndiqte shteti shqiptar lidhur me të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, sidomos kur ambasadori shqiptar në Beograd kishte shprehur pakënaqësi me kufijtë aktualë të Jugosllavisë.

Britanikët nuk kishin gjetur as prova të përfshirjes së sovjetikëve. Së pari, politika sovjetike kundrejt Jugosllavisë nuk kishte ndryshuar pas vdekjes së Titos, marrëdhëniet vazhdonin të mbeteshin të qeta, ndërsa çdo ndërhyrje sovjetike mund të pasohej me zgjimin e armiqësisë jugosllave kundër Bashkimit Sovjetik. Akuzat për “kominformistët” nuk ishin vërtetuar asnjëherë, e po ashtu u vlerësua se Jugosllavia nuk kishte asnjë interes të ndërhynte në çështjen e Polonisë e t’i rrezikonte marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Në analizën që i bënë deklaratave të politikanëve jugosllavë, britanikët erdhën në përfundim se nuk kishte ndërhyrje sovjetike, kurse deklarata e ambasadorit jugosllav se prapa demonstratave qëndronin sovjetikët, u vlerësua si përpjekje që përgjegjësia t’u hidhet agjencive të huaja.

Pasi nuk kishin gjetur prova të përfshirjes së sovjetikëve në demonstrata, britanikët nuk e përjashtonin mundësinë që shkaqet politike të demonstratave të kishin qenë derivat i ankesave ekonomike dhe sociale. Krizën e problemeve ajo e shihte brenda në Jugosllavi. Me gjithë përpjekjet për zhvillim Kosova megjithatë ishte rajoni më i pazhvilluar ekonomik në Jugosllavi, kurse një numër i madh studentësh të diplomuar përballeshin me papunësi.

Por, krahas kërkesave shqiptare, në dokumentet britanike jepet edhe një vështrim mbi pretendimet e nacionalizmit serb, duke argumentuar arsyet e mospërmbushjes së kërkesave shqiptare. Në këtë kontekst, duke u bazuar në çdo kriter logjik, sipas raportit që reflektonte perceptimet e diplomatit britanik, Kosova duhej të kishte status të barabartë me republikat e Sllovenisë, Malit të Zi e të Maqedonisë, meqenëse popullsia e saj është aq e madhe dhe etnikisht homogjene. Por, Partia Komuniste e Jugosllavisë nuk kishte pasur vullnet t’i kundërvihej serbëve ngaqë këta e kishin humbur Maqedoninë dhe Bosnjë-Hercegovinën nga Serbia e Madhe e para Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu, Kosova trajtohej nga serbët si zemra e mbretërisë mesjetare serbe e shkatërruar nga turqit më 1389. Për më tepër, pas vitit 1948 Shqipëria ishte në raporte armiqësie me Jugosllavinë, dhe kjo e fundit nuk mund të kishte një republikë shqiptare në Kosovë e cila mund të tjetërsohej. Në këtë mënyrë, Partia u detyrua të ndiqte një politikë pa kompromis në këtë drejtim, sepse me Republikën e Kosovës do të donin të bashkoheshin komunitetet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, e më pas diçka të tillë do të kërkonin edhe pakicat tjera në Jugosllavi. Këto konstatime mbështeteshin me citimet e Stane Dollancit se “Krijimi i një Republike do të thoshte absolutisht padyshim një sulm për integritetin e Jugosllavisë”, dhe të sekretarit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Dragosavcit se “Çështja e Kosovës është e zgjidhur, ajo është pjesë integrale e Serbisë dhe Federatës Jugosllave”.

Në sytë e britanikëve, çështja e Kosovës ishte një problem endemik të cilin nuk kishte arritur ta zgjidhte Tito me gjithë autoritetin dhe karizmin e tij, ndërsa udhëheqja jugosllave pas Titos veçse e kishte pranuar se nuk mund t’i jepnin një zgjidhje këtij problemi. Por, megjithatë, përmes përdorimit të forcës ata arritën t’i mbanin trazirat nën kontroll.

Në fund të raportit Bollandi paraqiti edhe pozicionimin e Britanisë së Madhe karshi çështjes së Kosovës. Britania, thoshte ai, nuk e ka ndërmend të përfshihej në mosmarrëveshjet lokale ballkanike e as t’i përmbahet kërkesave jugosllave për t’i kufizuar emigrantët shqiptarë. Kryeministra jonë, kishte deklaruar atë çfarë jugosllavët e perceptuan me kënaqësi – vlerat që Britania i jepte integritetit territorial dhe pavarësisë së Jugosllavisë.  Me këtë qëndrim, Britania nuk i mbështeti kërkesat shqiptare për Republikë, sepse kjo do të çonte në shpërbërjen e Jugosllavisë. Prandaj, ndonëse preferonte të mos ngatërrohej në çështjet ballkanike, megjithatë qeveria britanike ndërmori edhe një veprim konkret në favor të stabilitetit dhe të tërësisë territoriale të Jugosllavisë – ajo miratoi vendimin  për të eksportuar në Jugosllavi një sasi të konsiderueshme të pajisjeve për kontrollimin e trazirave.

Përfundim

Në mars dhe prill të vitit 1981 në Kosovë shpërthyen demonstratat studentore shqiptare me kërkesën kryesore për ngritjen e statusit juridik të Kosovës. Këto demonstrata u zhvilluan në një kohë kur bota ishte në kulmin e Luftës së Ftohtë midis Lindjes dhe Perëndimit dhe kur dy blloqet në fjalë po e vëzhgonin qëndrueshmërinë e Jugosllavisë pas vdekjes së liderit të saj suprem, Titos. Një vëmendje ndaj Jugosllavisë dhe ngjarjeve në Kosovë i kushtoi edhe Britania e Madhe, si njëra nga shtetet më të fuqishme të bllokut të demokracive perëndimore. Diplomatët britanikë të akredituar në Beograd ndoqën gjitha zhvillimet lidhur me Kosovën. Interesimi britanik, përveç rrjedhës së ngjarjeve, orientohej edhe në gjendjen e përgjithshme në Kosovë, origjinën dhe kërkesat e demonstratave, përfshirjen e shteteve tjera, pasojat etj. Duke analizuar dokumentacionin në dispozicion mund të arrihet përfundimi se britanikët i shihnin të logjikshme kërkesat për avancimin e statusit juridik të Kosovës ngaqë Kosova kishte një popullatë të madhe homogjene njëjtë sikurse republikat e Sllovenisë, Maqedonisë dhe e Malit të Zi. Por, ajo vinte theksin edhe në mundësinë e shpërbërjes së Jugosllavisë në rast se një kërkesë e tillë mund të aprovohej, duke pretenduar kundërshtimin e ashpër të nacionalizmit serb. Një pistë tjetër e interesimit britanik ishte përfshirja e shteteve tjera, në veçanti e Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë. Tek aleatët perëndimorë ekzistonte frika e vendosjes së ndikimit sovjetik në Jugosllavi. Duke mos gjetur prova të përfshirjes sovjetike, dhe duke mos mundur të vërtetohet përfshirja e Shqipërisë, diplomatët britanikë vunë në pah nacionalizmin e shqiptarëve të Kosovës, i cili që nga mbetja e Kosovës në Jugosllavinë socialiste kishte luftuar në forma dhe mënyra të ndryshme për të drejta kombëtare. Në këtë aspekt, britanikët origjinën e demonstratave e shihnin tek shqiptarët e Kosovës, kurse si shkas tjetër përveç të drejtave kombëtare, e shihnin edhe gjendjen e rëndë ekonomike në Kosovë. Si përfundim, Britania e Madhe mbeti e rezervuar ndaj zhvillimeve në Kosovë, duke u shmangur nga çdo përfshirje e mundshme në problemet ballkanike. Në të njëjtën kohë, ajo shprehu pozicionin e saj në aspekt të respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë.

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura