DEMONSTRATAT E VITIT 1981 SOLLËN NDRYSHIME EDHE NË SJELLJEN POLITIKE TË SHTETIT SHQIPTAR
Nga Skënder Gjinushi, Pashtriku 26 Maj 2022
Fjala e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, në Konferencën shkencore: “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”
I nderuar prof. Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri”,
E nderuar znj. Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Teknologjisë dhe Inovacionit,
I nderuar akademik Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,
I nderuar z. Hydajet Hyseni, kryetar i Këshillit Pranvera shqiptare 1981,
I nderuar akademik Marenglen Verli, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike,
Të dashur miq e kolegë të pranishëm,
Kam kënaqësinë dhe nderin që, në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të përshëndes përzemërsisht nismëtarët dhe organizuesit e kësaj konference shkencore-jubilare, që i kushtohet një prej ngjarjeve-nyja të historisë së Kosovës, të historisë së shqiptarëve, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX: demonstratave të vitit 1981. x
Nderimi ynë sot i drejtohet asaj breznie të lavdishme të rinisë së Kosovës, përfaqësues të së cilës janë të pranishëm edhe këtu; asaj breznie që shpalli për herë të parë botërisht, me veprim e me ide, se kushtetutës jugosllave të vitit 1974 dhe vetë federatës po i mbaronte koha dhe se shqiptarët s’mund të pranonin të bashkëjetonin më nën kornizën e saj, si qytetarë të dorës së dytë. x
Epokat dhe breznitë, ngjarjet e mëdha dhe kthesat historike, gjykohen para së gjithash nga gjurmët që lënë e mesazhet që përcjellin për të ardhmen. Për këtë ne sot vlerësojmë e nderojmë 40-vjetorin e ngjarjeve të mëdha të vitit 1981, të cilat, sido që të rrotullohet historia, do të vlerësohen e gjykohen me rëndësi paracaktuese për gjithçka ndodhi më vonë në Kosovë deri në pavarësimin e saj.
Nëse në vitin 1968 shqiptarët në Kosovë shpallën kërkesën për republikë dhe vetëvendosje, në vitin 1981 kërkesat e shqiptarëve u bënë më themelore: republikë me hir a me pahir; ja me hatër ja me luftë; milom ali silom; vetëvendosje deri në shkëputje, të shoqëruara këto dhe me parullën për bashkim. Studentët, rinia dhe atdhetarët shqiptarë në vitin 1981 i maksimalizuan kërkesat e tyre të ligjshme të shprehura si vullnet politik njerëzish të lirë pa u stepur para maksimalizimit të terrorit nga regjimi gjenocidist jugosllav i kohës. x
Viti 1981 provoi para botës mbarë se durimi shqiptar kishte marrë fund. Nisi si një lëvizje studentësh dhe u mbyll si një kryengritje kombëtare. Nëse breznia e vitit 1968 e shënjoi misionin e vet historik me imponimin e ndryshimit të statusit kushtetues të Kosovës në ish-Jugosllavi, breznia e vitit 1981 tronditi vetë rendin evropian të pas Luftës së Dytë Botërore dhe bëri të ditur se çështjet kombëtare të arkivuara nga konferencat ndërkombëtare si çështje për t’u mbyllur përgjithnjë kishin arritur afatin e rihapjes së tyre; se federatat dhe bashkimet artificiale të ngritura mbi parime të ndryshme nga ato të Evropës Perëndimore e të bazuara mbi modelin popuj sundues e popuj të sunduar nuk mund të mbijetonin më në Evropën e fundshekullit XX. Ashtu siç ishin, ato s’mund të bëheshin pjesë e Evropës së bashkuar.
Këto brezni, bashkë me brezninë e luftës çlirimtare të Kosovës, janë tri gjenerata orientuese të fateve të lëvizjes kombëtare shqiptare në Kosovë e në përgjithësi dhe zënë një vend të rëndësishëm në historinë e re të Kosovës. Ngjarjet e vitit 1981 dhe të mëpastajme ia ndryshuan përgjithnjë statusin vetë çështjes së Kosovës, duke e shndërruar atë nga një problem i brendshëm jugosllav në një kauzë me karakter evropian dhe ndërkombëtar.
Ai brez, duke shpallur botërisht dështimin dhe paralajmërimin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë së dytë, vuri në provë mendimin politik të Perëndimit; vuri në provë qartësisht qëndrimet e Fuqive të Mëdha, të vjetra e të reja, ndaj çështjes shqiptare.
Demonstratat e brezit 1981 zgjuan e sollën ndryshime edhe në sjelljen politike të vet shtetit shqiptar. Ato shërbyen si një rizgjim edhe tek vetë shqiptarët në Shqipërinë shtetërore dhe ndikuan fort për t’iu rikthyer çështjes kombëtare e për të kuptuar se kjo çështje nuk ishte zgjidhur me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Për herë të parë çështja shqiptare në ish-Jugosllav dhe statusi i Kosovës dolën jashtë monopolit të lidershipit politik dhe akademizmit katedral. Kjo është koha kur inteligjenca shqiptare u ftua të shfaqet me emër e mbiemër me qëndrimet e saj lidhur me çfarë po ndodhte në Kosovë. Kjo është një nga periudhat më aktive kombëtare të akademikëve senjorë, si: Aleks Buda, Arben Puto, Kristo Frashëri, Ismail Kadare, Dritëro Agolli e Dhimitër Shuteriqi, të cilët, në polemikë e sipër, zbuluan jo vetëm kompetencën e tyre shkencore, por edhe pasionin atdhetar. Ngjarjet e atij viti si rrallëherë përcilleshin me të njëjtin atdhetarizëm dhe realizëm nga shtypi, si në Shqipëri dhe në diasporë, çka tregonte kështu se çështja kombëtare ishte parësore, qëndronte mbi ideologjitë, dhe nuk mund të mbahej e mbyllur as nga barrierat e kufizimet që vinin nga sistemet e ndryshme politike. Prandaj e vlerësojmë lart këtë iniciativë, ku janë ftuar studiues të njohur nga trevat shqiptare për të shprehur me kompetencë rolin dhe vendin në histori të këtyre ngjarjeve. x
Dihet se, çuditërisht, historia e re është më e vështirë për t’u shkruar se ajo e periudhave të mëparshme, sepse, me ç’duket, është më e lehtë të rrëmosh për nxjerrjen e fakteve deri edhe për lashtësinë, se sa të përzgjedhësh nga moria e fakteve dhe dëshmive të ngjarjeve të kohës. Por,x paraqitja me realizëm e misionit të rinisë në momente kulmore politike, si pararendëse dhe kontribuuese kryesore e ndryshimeve të mëdha, e rolit të rinisë studentore, pa u ndikuar nga protagonizmi, konformizmi, pragmatizmi dhe ndikimet politike, nuk është vlerësim e respekt vetëm për vetë pjesëmarrësit, por për tërë gjeneratat e kohës, për vetë popullin, pasi ato ngjarje janë shprehje të akumulimit të pakënaqësisë popullore, janë maja e aisbergut të saj. E tillë ishte lëvizja studentore e vitit 1981, e tillë ishte dhe ajo e studentëve në Tiranë, më 1990.
Ne do t’u jemi gjithnjë mirënjohës atyre djemve e vajzave të reja shqiptare që sollën në jetën tonë ndryshimin e sjelljes politike dhe të ndërkomunikimit, ndryshimin në moralin politik dhe në botën e ideve, duke konfirmuar se e pamundura mund të bëhet e mundur.
Faleminderit! x