DHURATA HAMZAJ: MOIKOM ZEQO, REALITETI I ABSTRAGUAR I METAFORAVE

Tiranë, 13 prill 2017: (Intervistë e Moikom Zeqos dhënë gazetares Dhurata Hamzaj) – Moikom Zeqo në një rrëfim të veçantë për emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv ka folur mbi librin e tij të publikuar së fundmi “Në anën e trilluar të kohës”, konceptin e poezisë moderne të aplikuar në faqet e tij si dhe për shkrimet që qëndrojnë në sirtar duke pritur dritën e botimit.
Zeqo në librin më të ri përshkruan miqësinë mes nobelisit italian Salvatore Quasimodo dhe poetit antifashist shqiptar Dino Kalenja.
Moikom Zeqo shprehet se lidhja mes dy poetëve të cilët përfaqësonin kampet e kundërta të dy vendeve që ishin në luftë, tregon se poezia është përtej kombeve dhe popujve.
– Pse “Në anën e trilluar të kohës?” Pse ky titull, i nderuar Moikom?
– Ç’është letërsia?
Letërsia është një nga format e mëdha të intelektit njerëzor. Është një trillim. Duke filluar që nga Homeri.
Ju mendoni se Odiseu ka qenë me të vërtetë në Had dhe aty u përqafua me hijen e nënës së vdekur?
Apo mendoni se Don Kishoti ka qenë një qytetar real bashkëkohës i Servantesit, apo është një trillim?
Trillim në kuptimin për të cilin ka folur Dostojevski: Letërsia është një gënjeshtër që thotë të vërtetën më shumë se e vërteta.
Në këtë kuptim edhe poezia e metaforat janë një lloj veprimtarie mendore që nuk ndodhen në natyrë, por në kokën e njerëzve.
Dhe kjo bëhet për njerëzit sepse pasuron atë që quhet Qytetërimi i Kujtesës dhe pa kujtesë njerëzit s’mund të ekzistojnë.
Le të kujtoj një mit. Zeusi kur donte të ndeshej më një kundërshtar i merrte kujtesën.
Nëse do ta zhbësh një popull merri kujtesën.
Letërsia është trillim që i shërben jetës.
– Në libër megjithatë je mbështetur në dy personazhe, nobelistin italian Quazimodo dhe një luftëtar të Luftës Nacional Çlirimtare, dëshmorin Dino Kalenja, si e ke njohur lidhjen mes tyre?
– Libri im i dedikohet figurave të ndritura njëri është nobelisti Salvatore Quazimodo, që për mua është poeti më i madh italian i Shekullit XX, dhe Dino Kalenja i cili ka qenë student në Itali.
Ne e dimë që kanë pasur raporte miqësore, por duhej dëshmia.
Dëshmia ishte një kartolinë ku kanë dalë bashkë në një park të Romës në vitin 1941.
Kjo dëshmi do të kishte humbur nëse Quazimodo nuk do ia niste Kalenjës me postë dhe me një shkrim dore. Dino Kalenja ka qenë student në Itali dhe ka shkruar poezi që herët.
Poezia e tij është moderne, ai ka shkruar për luftën, ai ka një koncept estetik të lartë në poezi, ai ka gjasa të ketë shkruar edhe poezi në italisht, sepse nuk kishte si të njihej ndryshe më poetin italian.
Ne s’i dimë dorëshkrimet por dimë që ka pasur një të dashur italiane, që i shkruante poezi dhe me Quazimodon mund të jetë njohur në fushën e dorëshkrimeve poetike.
Dino Kalenja u vra në Shqipëri, është Hero i Popullit. Kjo miqësi mes poetësh ku njëri përfaqësonte Italinë, që kishte pushtuar Shqipërinë në atë kohë dhe Kalenja, që luftoi për të çliruar vendin nga fashizmi lidhet me faktin ,që janë të dy poetë, por edhe antifashistë të mëdhenj.
Kjo lidhje, ka të bëjë me karakterin përtej kombeve e popujve ,që ka poezia në vetvete.
Poezia është një shtegtim ndërnacional shpirtëror.
– Si e zbuluat ju këtë kartolinë?
– Në familjen e pasardhësve të Dino Kalenjës në Fier, njëri prej tyre më ofroi disa dokumente, mes tyre edhe këtë kartolinë. Kishte edhe elemente të tjerë, gjatë kohës kur ai studionte në Itali.
– Janë këto elementë muzealë, që i mungojnë një Heroi të Luftës?
– Besoj se po, janë elementë muzealë, që mund të ishin edhe në Muzeun Historik Kombëtar, jo thjesht në një muze ta zemë në Fier.
– Të kthehemi te fryma e librit, realiteti letrar…
– Elioti thoshte, se Homeri e Shekspiri ekzistonin dikur ndërsa tani ekzistojnë metafizikisht.
Kjo më ka bërë përshtypje dhe unë në këtë libër kam përsiatje të mëdha për atë që quhet metafizika e letërsisë. Shpresoj që nuk gaboj në idenë që letërsia nuk është një pasqyrim adekuat i realitetit, është diçka më shumë, më e abstraguar duke qenë e tillë është edhe më e fuqishme dhe më përfaqësuese sepse fiton simbolikë.
Kam bërë me vetëdije një poezi që mund të cilësohet metafizike ,por jo jashtë realitetit.
– Ka lidhje kjo edhe me individin tuaj?
– Shpresoj se librat janë Shkrimtari.
Ne nuk dimë asgjë në mënyrë shqisore për Migjenin, por nga libri del se është një Fuqi e madhe e Konceptualitetit dhe ndoshta, Ai është shkrimtari më konceptual i të gjitha kohërave.
– Çfarë ka tjetër në këtë libër që mund ta bëjë kurioz lexuesin, përtej lexuesit të kualifikuar?
– Janë dhe format e poezisë dhe këtu për herë të parë kam bërë një gjë që nuk ka ndodhur ndonjëherë në poezinë botërore e njohur.
Shumë poezi brenda për brenda tyre kanë fraza muzikore të kompozitorëve që unë i adhuroj, si Bahu, Bethoven.
Janë fraza muzikore që i di përmendësh dhe mund të krijojnë vështirësi në lexim, për t’i lexuar mirë duhet të njihet edhe pentagrami, solfezhi.
Gjithmonë kam dashur të bëj një poezi, që të mos ngjajë shumë as me kolegët e mi dhe as me poetët botërorë, i nderoj ata, duke bërë diçka, që nuk e kam parë, duke ju shmangur ngjashmerive epigoniste dhe rutinore.
– Ju mbaj mend në rininë e hershme kur bënit poezi dhe kam parasysh që ju e keni shumë të lehtë ta ndërtoni rimën megjithatë nuk e aplikoni…
– Kam botuar edhe poezi me rimë, por nuk besoj se rima është gjithçka.
Rima është element muzikor, që e shpikën arabët. Eposi ynë i Veriut nuk e ka.
Mendoj që edhe poezitë me rimë, duhet të përkthehen pa rime, që të dalë ideja, ndjesia dhe kuptimshmëria e gjërave.
– Po një libër i veçantë me poezi, që ka grafika dhe piktura tuat, ajo pjesa jote edhe e njohur edhe panjohur e pikturës edhe pse jeni autor i disa ekspozitave…
– Të gjitha kopertinat e librave i kam bërë vetë. Ky libri “Anija misterioze” është një libër i kolanës sime që ka të bëjë me arkivin.
Kam një bibliotekë të tërë me dorëshkrime që do mbeteshin të pabotuara që duhen zbardhur dhe nuk e bën dot tjetër njeri përveç meje.
Sepse ka probleme të leximit të shkrimit, në fillim kam shkruar me shkrim shumë të vogël, ndërsa tani, me shkrim edhe më të madh, sepse edhe nuk më shohin më sytë si dikur.
Autori duhet t’i botojë veprat e veta, sa është gjallë.
– Ke përdorur këtu një poezi “Më sill një gotë ujë të ftohtë për etjen time të mijëvjeçarëve” dhe kjo më kujton Ju, me meditimin Tuaj, dijet Tuaja…
– Homeri është një njeri me etje të mijëvjeçarëve.
Nga pikëpamja e konceptit universal Homeri s’ka dallim midis të gjallëve dhe te vdekurve.
Pastaj Rilindja Evrpiane me Danten e Shekspirin.
Ideja që njeriu duhet të ketë kulturë të përgjithshme nuk është thjesht ide librore.
Njeriu i sotëm, është njeriu kibernetik. Kibernetika në fund të fundit është një lloj sinteze eshkencave dhe arteve.
Në letërsinë shqipe përveç Fan Nolit dhe Faik Konicës mungon kjo kulturologji e sipërme, sublimuese, gjithëpërfshirëse.
Nuk mund (nuk duhet) të ketë shkrimtar serioz, të paditur.
Një shkrimtar që nuk njeh pikturën, muzikën, filozofinë është i mangët.
– Keni krijimtari të madhe edhe të bukur që s’mund të kuptohet në një intervistë, ka edhe pak autorë të tjerë të këtij formati, ndërkohë që autorë të rëndomtë dalin në dritën e botimit, si duhet të ndahemi nga kjo?
– Nuk ndahemi dot, mediokriteti do jetë gjithmonë.
Letërsia nuk bëhet nga librat që botohen ajo përbëhet nga 2 lloj shkrimtarësh: të mëdhenj që janë pika referenca që ne nuk kemi shumë në Shqipëri, Migjeni është një nga këta. Dhe pastaj ka shkrimtarët e shumtë, që janë të nivelit mesatar.
Ne duhet të kishim një kritikë për të vlerësuar gjërat, që janë vërtetë origjinale.
Shteti ynë sot është shteti më antikulturë në Evropë.
Kam fatin e madh që kam botuar dy libra në Amerikë dhe janë vlerësuar nga poetët më të mëdhenj amerikane.
Libri im “Zodiak” është krahasuar me “Katër kuartetet “ të Thomas Eliotit dhe me autorë të tjerë të mëdhenj si Rilke, Whitman etj.
Ne nuk kemi një mekanizëm shtetëror, për një kohë të gjatë kështu do të jetë përderisa në ministritë e kulturës që kemi apo qeveri askush nuk e kupton, që letërsia është pjesa më përfaqësuese e një kombi, nuk është politika.
– Libri juaj në sirtar?
– Kam shumë libra.
Janë disa libra që janë në prozë, i kam mbaruar. I kam çuar në shtëpitë botuese por ata duan lekë, unë para nuk kam.
Është një libër proze, që quhet “Sinaksarët e Bizantit”, kam disa vite që ua çoj disa shtëpive botuese me emër.
Kam edhe një libër për mistikën dhe shqiptarët, që nga periudhat antike deri në periudhën e sotme.
Libri i arkeologjisë më ka mbetur pa botuar, do ta përgatis këtë vit.
Unë kam punuar një periudhë shumë të gjatë si arkeolog, shpresoj ta botoj këtë vit atë libër.
– Faleminderit!

Report TV – Moikom Zeqo: 6 qytete ilire pa zbuluar, dështim i arkeologjisë

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura