Tiranë, 5 maj 2019: Në çdo luftim, betejë apo operacion suksesi do të jetë përherë pasojë e llogaritjeve të përafërta sa më pranë të vërtetës. Ky relativitet është gjithmonë i pandarë nga lufta, sepse cilado qoftë thellësija e dijeve tona në shkencën e luftës, mjeshtëria qëndron, në fund të fundit, tek arti me të cilin do të zbatohet ky luftim, kjo betejë apo ky operacion. Dhe përgjegjësia kryesore për të bërë këto llogaritje u bie njësoj si komandantit ashtu edhe shtabit të atij formacioni luftarak.
Qysh në shkrimin e parë të analizës për “Betejën e Koshares” pata thënë: “Në qendër të kësaj analize ushtarake kuptohet që do të kem komandantin dhe shtabin e Br.138, të cilët janë autorët e vendimeve plotësisht të pavarur dhe që me shembullin e tyre kanë drejtuar vartësit në ato 70 ditë lufte”.
Gjithkush mund të pyesë se pse unë ngarkoj me përgjegjësi edhe Shtabin e Br.138, për mos realzimin e detyrës nga ai formacion luftarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?
E them këtë, duke u nisur edhe nga përgjigjia që botoi sot me shkrim gjenerali Hysen Berisha, i cili nuk u jep përgjigje çështjeve që unë trajtoj, edhe pse shprehet se nuk është dakort me dy shkrimet e mia të mëparshme. Pra, faktikisht, z.Hysen nuk kundërshton asnjë prej shkaqeve që unë tregoj për mos realizimin e detyrës nga Br.138. Dhe në vend që të diskutojmë si specialistë ushtarakë, për të evidentuar shkaqet e mosrealizimit të asaj detyre, Ai merret duke folur për lavdinë e kuadrove të asaj brigade, si dhe me këngën që ushtarët e saj kanë kënduar(!).
Së dyti, unë do të qëndroj në përgjegjësinë që ka Shtabi i Br.138, pasi Shtabi i asaj brigade, si çdo shtab tjetër i çdo formacioni dhe i çdo ushtrie, ka përgjegjësi të dyfishtë: ta ndihmoi komandantin nga ngarkesa e punëve të shumta administrative të organizimit të përditshëm dhe nga hollësitë teknike të punës së shtabit, si dhe ta këshilloi komandantin për të gjitha çështjet duke pasur të drejtën e përkujdesjes ndaj tij. Kjo e fundit i bën oficerat e shtabit të Br.138 që të kenë pasur një pozitë që i dallon nga pjesa tjetër e oficerave të saj. Pra, të gjithë oficerat e tjerë të brigadës u japin mendime oficerave të tyre vartës; ndërsa oficerat e Shtabit të Br.138 kanë pas detyrë t’i jepnin këshilla komandantit të brigadës për të gjitha çështjet që lidheshin me detyrën e asaj njësie.
Me këtë duam të tregojmë se të gjithë shefat e armëve e shëbimeve anëtarë të Shtabit të Br.138 kanë pas të drejtë t’i sugjeronin komandantit Rrustem Berisha në marrjen e vendimit. Prandaj dhe komandant Rrustemi, sikundër ka thënë në intervistën e para 5 viteve, i ka dëgjuar ata, sepse ata e kanë pas për detyrë ta siguronin komandantin me informacion për ta ndihmuar në përgatitjen e vendimit, në kalimin e tij në urdhëra dhe më pas në masa për sigurimin e zbatimit të tyre. Gjithmonë duke pas parasysh që mendimet dhe veprimet e tyre janë udhëhiqur nga detyra që i ishte vënë brigadës prej Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Me këtë duam të themi se Shtabi i Br.138 ka qenë “mendja tjetër” e komandantit të asaj brigade; prandaj edhe Shtabi i kësaj brigade mban përgjegjësi të plotë e duhet të japë llogari për mendimet e dhëna.
Si rrjedhojë, oficerat e Shtabit të Br.138 kanë pas një detyrë relativisht të lartë. Për këtë arsye kam theksuar duke i bërë bashkëpërgjegjës, sepse anëtarët e shtabit të Br.138, ngaqë e kanë pas detyrë të merrnin pjesë aktivisht në të gjitha fazat e komandimit dhe të drejtimit të forcave gjatë atyre 70 ditëve, 09 prill – 19 qershor 1999; së bashku me komandantin, ata kanë analizuar detyrat, kanë vlerësuar situatën dhe kanë përpunuar vendimin. Pas këtij procesi nuk është më nevoja se kush e dha kontributin, pavarësishtë se vetëm komandant Rrustemi ka pas të drejtë të marrë vendimin. Me t’u marrë vendimi, oficerat e Shtabit të Br. 138 kanë zbatuar urdhërat e tij.
Po pse po zgjatemi për këtë lloj “beteje”?
Sepse deri tash në vend që të na kthejnë përgjigje anëtarët e Shtabi të Br.138 dhe komandanti i tyre: pse e quajnë herë operacion e herë betejë, dhe pse nuk u arrit të kryhej detyra e vënë atij formacioni luftarak, merren me çështje abstrakte: kush jemi ne, e kush jeni ju.
Prandaj, në pritje të këtyre përgjigjeve, për të na sqaruar se cili ishte vendimi që morën dhe cilat ishin detyrat e dhëna, po trajtojmë pasojat e kësaj lloj propagande glorifikuese të tyre.
Lufta në Kosovë ka 20 vjet që ka mbaruar dhe ne e kemi fituar atë luftë në bashkëveprim me aviacionin e NATO-s. Por, me qenë se komandanti dhe anëtarët e Shtabit të Br.138 kanë më se 5 vjet që po shpërthejnë ekranet e televizioneve në Kosovë, duke arritur deri atje sa të krijojnë opinionin në popull, derisa edhe ish-Drejtori Politik i UÇK-së, sot President i Republikës së Kosovës, t’i dekoroi duke thënë më 9 prill 2016: “Beteja e Koshares, e zhvilluar 17 vjet më parë është ndër betejat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”, edhe pse e ka ditur që ajo njësi e UÇK-së nuk arriti ta kryente të vetmen detyrë të ngarkuar: hapjen e korridorit për të furnizuar formacionet e UÇK-së brenda Kosovës dhe popullsinë që ishte grumbulluar në zonat e mbrojtura nga formacionet e UÇK-së. Me atë dekorim të pashoq deri sot, Presidenti Thaçi nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka nënvleftësuar gjithë pjesën tjetër të luftës së UÇK-së.
Mirëpo, kjo lloj propagande është një fyerje e madhe që po i bëhet gjithë Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe jo vetëm UÇK-së, gjithë legjionit të dëshmorëve të asaj lufte.
Në këto kushte na del për detyrë që të themi të vërtetën, pa e mohuar aspak luftën, sakrificat dhe gjakun që derdhën 114 dëshmorët e Br.138, të cilët luftuan duke dhënë gjithçka për lirinë e Kosovës, por jo që të kalojë në harresë lufta dy vjeçare e gjashtë zonave operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e gjithë popullit të saj. Ky është edhe qëllimi i këtyre shkrimeve, për t’ia bërë të qartë opinionit të gjerë në Kosovë se deri ku arrin kontributi i Br.138 në atë luftë çlirimtare, pa ia mohuar aspak kontributin që dhanë luftëtarët e saj. E bëjmë këtë, duke u nisur nga postulati: kur historia nuk është e saktë, populli e ka të vështirë të gjykoi edhe të tashmen.
E themi me plot gojën, se e vetmia vlerë pozitive e luftimeve të kryera nga Br.138, që duhet theksuar medoemos, është tërheqja në ato luftime e rreth 2000 forcave nga më specialet të Ushtrisë Serbe, duke ua lehtësuar disi detyrat formacioneve luftarake të Zonës III Operative të Dukagjinit dhe asaj të II të Pashtrikut.
Por, duke e cilësuar veprimtarinë luftarake të Br.138 si “Beteja vendimtare për çlirimnin e Kosovës”, ne e shtrembërojmë historinë e asaj lufte. Nëse historia nuk jepet e saktë dhe e plotë, populli do të ngatërrohet dhe do t’ia vështiresojmë njohjen e rrugës në të cilën do të ecë në të ardhmen, duke e penguar të dijë nga ka ardhur e si ka ardhur liria e tij.
Dhe unë këtu e shoh humbjen graduale të shpresës së popullit tonë në këto dy dekadat e para të shekullit të XXI, i cili po ikën nga atdheu çdo vit e më shumë, edhe pse jemi fitues të asaj lufte për liri.
Kjo lloj propagande bëhet identike edhe në atdheun amë, në Shqipëri, ku jo vetëm që veteranëve të LANÇ-it të viteve 1939-1944 u thuhet nga tre forcat kryesore politike me gojën e Kryeministrit: “uleni kokën para ish-kolaboracionistëve!”. E njëjta gjë po bëhet edhe për periudhën 45 vjeçare për ndërtimin e socializmit, periudhë që e nxorri Shqipërinë nga mesjeta dhe e reshtoi krahas me vendet e tjera të Evropës, përfshi të gjitha fushat e jetës; edhe pse ishte periudha që e gjeti shqipërinë me 800 mijë banorë dhe e çoi në 4 milionë banorë, dhe sot mundohen ta cilësojnë si periudha më e errët e historisë së saj! Është kjo propagandë, e cila ka bërë që sot popullsia e Shqipërisë të zbresë në nivelet e vitit 1945.
Duke u ndjekur e njëjta propagandë e njëkohëshme si në Shqipëri edhe në Kosovë kemi të drejtën të shprehim dyshimin, se kjo gjë nuk është rastësi, por një kombinacion agjenturash antishqiptare.
Me këtë reagim, i detyruar nga fyerjet dhe akuzat e bëra prej oficerave të Shtabit të Br.138 të UÇK-së, lidhur me një të vërtetë që shpreha më 10 tetor 2018 në TV Dukagjini, për mosrealizimin e detyrës nga ajo brigadë, do të mundohem të nxjerr në pah veçoritë e asaj që ata e quajnë “Beteja e Koshares”, si beteja vendimtare për çlirimin e Kosovës.
Ata gabohen qysh kur shprehen se lufta e tyre ishte “beteja vendimtare, nderi më i madh i luftës në Kosovë”. Betejë vendimtare quhet ajo betejë që rrethon dhe asgjëson forcat e mjetet kryesore të armikut. Mirëpo Serbia në Koshare nuk grumbulloi më shumë se 2000 forca dhe i janë asgjsuar vetëm 108 forca prej tyre, vetëm 5%. Atëhere si mund të pranojmë se kjo brigadë asgjësoi pjesën kryesore të atyre forcave? Ja pra se deri ku arrin megalomania e asaj propagande, në kurthin e të cilës bie edhe Presidenti i Kosovës.
Dhe që të binden këta glorifikues, të cilët nuk e kuptojnë se çfarë dëmi të madh po i bëjnë histories së Kosovës, do të mundohemi të bëjmë të qartë dëmin që sjell propaganda glorifikuese e tyre.
Gjatë periudhës midis dy shkrimeve të mëparshme lidhur me të ashtuquajturën “Beteja e Koshares” pati shumë reagime nga më agresivet nga shumë kuadro të asaj brigade dhe simpatizantët e tyre, madje dhe fyerje nga më të ndryshme që ka fjalori i gjuhës shqipe, sulme të pa mbështetur aspak në ato çfarë unë kam reshtuar si shkaqe për mos cilësimin e veprimtarisë luftarake të asaj Brigade si “shpëtimtaria e Kosovës”; duke mos i dhënë asnjë përgjigje atyre shkaqeve që unë reshtoj. Vështirë se mund të gjesh një analizë luftimesh për Luftën Çlirimtare të Kosovës që të jetë ndeshur me kaq shumë debate fyese. Gjë që do të thotë se i jemi afruar shumë të vërtetës, pasi dihet se e vërteta është e hidhur.
E di i madh e i vogël në të gjitha trojet shqiptare se, me të dalë në skenë Ushtria Çlirimtar e Kosovës e në vijim, ajo është bërë objekt akuzash monstruoze jo vetëm nga armiqtë shekullorë të popullit e të kombit tonë, por edhe nga shumica e mediave në Kosovë, me disa simotra edhe në Tiranë, duke e cilësuar këtë ushtri çlirimtare si një organizëm terrorist professional.
Edhe kjo propagandë glorifikuese e “Betejës së Koshares” në atë mulli çon ujë.
Pse e themi këtë?
E themi sepse kjo lloj propagande po bën të pamundurën për ta trajtuar Br.138 si një lloj ushtrie krejt e pavarur; si një ushtri që nuk varej as nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, as nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, as nga Qeveria Bukoshi si dhe as nga Komandanti i Zonës III Operative të Dukagjinit, ku bënte pjesë. Kushdo që është kurioz për këtë cilësim që i bëhet Br.138, e lusim të dëgjoi intervistën e ish-Komandantit të saj, Rrustem Berisha dhënë më 08 prill 2014, si dhe atë të gjeneral Hysen Berisha dhënë më 16 prill 2019. Në disa media të tjera shkohet deri atje sa të shprehen haptas e pa droje, se “oficerat e Br.138 nuk mund të pranonin të komandoheshin nga një çoban”, me të cilën duan të fyejnë Komandantin e Zonës III Operative të Dukagjinit, i vetmi komandant që nuk u largua nga territori i Kosovës dhe lufta, sikundër u larguan në verën e vitit 1998 këta oficerët me akademira ushtarake.
Qëllimi tjetër i gjithë kësaj propagande është që Ushtra Çlirimtare e Kosovës të ngelet një çështje e hapur.
Dhe gjithë kjo “çështje e hapur” filloi kur nisi propaganda e të qenit të Br.138, “ushtri e pavarur”. Dhe më në fund ajo ia arriti qëllimit. U arrit që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të dalë nga rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (me disa përjashtime që numurohen me gishtat e një dore), përfshi të gjithë udhëheqjen e lartë politike e ushtarake të UÇK-së, bënë të pamundurën për themelimin e një Gjykate Ndërkombëtare kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ta dënuar të gjithë këtë ushtri 20 mijëshe, si ushtri terroristësh. Kuptohet, me përjashtim të Br.138!
Ky vendim i Kuvndit të Kosovës të kujton një nga thëniet e Uinston Çurçillit në kujtimet e tij të pas Luftës së Dytë Botërore: “Në qoftë se ne arrijmë dhe pushkatojmë çdo oficer të Shtabit gjerman, ne do të kemi paqe për 50 vjetët e ardhshëm”.
Identike është edhe qëllimi i ngritjes së kësaj Gjykate Ndërkombëtare, për të gjithë kuadrin komandues të të gjithë formacioneve të Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përjashtuar ata të Br.138.
Qëllimi tjetër i kësaj propagande është që të delet edhe në përfundimin: Nëse arrihet të shpallet UÇK-ja ushtri terroriste, automatikisht që do të kërkohet ndoshta edhe nga shtete të Evropës që Lufta êlirimtare e Kosovës të shpallet luftë e padrejtë, dhe, si përfundim të kërkohet që Kosova t’i kthehet Serbisë.
Mos vallë edhe inicimi nga Presidenti Thaçi për diskutimin e kufijve të Kosovës, duke u mbështetur nga i gjithë Kuvendi dhe partitë politike të Kosovës përjashtuar LVV, ka pas këtë qëllim?
Dalim në këto dyshime, duke pas parasysh edhe Marrëveshjen e Konferencës së Rambujesë dhe Rezolutën 1244, të cilat UÇK-në nuk kanë denjuar t’i përmendin as emërin, me paramendim për ta akuzuar më pas si organizatë kriminale. Kjo mendojmë se duhet të jetë arsyeja pse nuk u pranua që ajo të ishte vijim i ushtrisë së Kosovës. E më katastrofikja ishte se në atë kurth të Rambujesë ranë edhe përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me apo pa vetëdije. Këtë nuk e dimë ende.
Prandaj dhe thash më lartë se në këtë mulli çon ujë edhe shpallja e Br.138 si “ushtri e pavarur”, si ushtri që nuk ka lidhje me UÇK-në, duke arritur deri atje sa të akuzojnë, si me gjysëm zëri, edhe NATO-n si armike të saj.
Që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nuk dimë të ketë pas ndonjë institucion shtetëror që të ketë luajtur një rol kaq shkatërrues sesa kjo propagandë e dekadës së fundit kundër dy luftrave çlirimtare shqiptare: si ndaj LANÇ-it të Shqipërisë, (1939-1944), ashtu edhe ndaj asaj të Kosovës, 1997-1999.
(VIJON)
Tiranë, 2 maj 2019
Ilustrimi © Pashtriku.org
__________________
DILAVER GOXHAJ: ‘BETEJA E KOSHARES’ – GJENERAL, KA DAVA KOSHARJA! (II)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8741