PËRPARIM DEMI: NDARJA E KOSOVËS – PLAN I VJETËR NË ZBATIM!

Bukuresht, 22 Prill 2020: Ky plan nuk doli pa pritur nga sirtari. Trupat franceze nuk ndaluan pa dashur tek ura e Ibrit në Mitrovicë dhe Thaci nuk vajti atje rastësisht, se e zuri rruga andej, që ti ndalonte shqipetarët mos të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Atëhere ai i mashtroi, i gënjeu, u premtoi se banorët shqipetarë do ktheheshin në pronat e tyre shpejt. Sa i pa ftyrë dhe sa i poshtër më duket sa herë e shoh atë filmim. Kulmi është se dhe tani, pasi bëri pazaret me Vuçiçin për ta ndarë Kosovën, del dhe flet për integritetin e shtetit të Kosovës, flet për pavarsinë ndërkohë që po e bën atë edhe më të varur. Shqipetarët u zbuan, u linçuan, u vranë, u rrahën dhe u përzunë pa të drejtë kthimi në tokat e tyre brënda në Kosovën “sovrane”. Ndërkohë sërbët u rehatuan, u shtuan në tokat e kujt? U financuan nga Sërbia + Kosova dhe iu dhuruan shtepia te reja, lagje rezidenciale, ata u mbrojtën nga trupat e tyre paramilitare të formuara nga ish kriminelat në bashkëpunim me policinë kosovare, ju dha mundësia të bëjnë punë të zeza, kontrabandë, trafiqe të ndryshme për ti fuqizuar ekonomikisht. Për shqipetarë s’ka punë, s’ka shpresë, veç të ikin ku të duan dhe ku të mundin.
Kosova e pa ndarë në fjalime dhe mbeti e ndarë në fakt.
Kosova e pavarur në fjalime dhe mbeti e varur në fakt.
Populli e besoi “komandantin”, kryeministrin dhe tash presidentin renegat. E besoi atëhere po jo dhe tani, pasi kaluan 20 vjet me zig-zake politike, me premtime të pa mbajtura, me intriga dhe vjedhje masive të fondeve, me shkatërimin e ekonomisë dhe papunësinë në rritje, me migrim të imponuar, me krime të mbuluara dhe të mbrojtura nga “drejtësia”, me krijim çifliqesh dhe pasurim të oligarkëve, me varfërim ekstrem të popullsisë shqipëtare dhe me privilegje selektive të minoritetit sërb dhe listës, me….

Tash do fillojnë bisedime nga e para? Pasi të heqin qafe qeverinë Kurti, pengesë e pakapërcyshme për Sërbinë. Jo nuk do fillojnë kurfarë bisedimesh, nuk do bëjnë kurfare diallogu, thjesht do firmosin dhe do legalizojnë atë plan që e kanë pranuar kohë më parë. Do nxjerrin në sipërfaqe marrveshjen e fshehur kaq kohë në sirtaret e kancelarive. Do e lëpijnë gënjeshtrën e tyre në emër të “miqësisë” me Amerikën. Do zbulojnë tradhëtinë e bërë kohë më parë, të cilën nuk guxuan ta deklarojnë nga frika e zëmërimit të popullit, atëhere të armatosur dhe tani të ç’armatosur.
Janë po ata protagonistët që ndaluan atëhere popullin të kalonte urrën e Ibrit, zbatuesit e planit të vjetër, komandantët e prapaskenës me vjedhësit e fondeve të diasporës. Janë po ata, që “privatizuan” asetet e Kosovës, që i shitën për para xhepi. Ata të pangopurit që kanë 20 vjet që bredhin nga hoteli në hotel, nga avioni në avion, nga restauranti në restaurant, nga dreka në drekë. Ata të rogave të majme që “punojnë” në shumë vënde, që kontrollojnë bordet ku janë dhe financojnë firmat e tyre me tendera fallco.
Duan të mbyllin “marrveshjen” para zgjedhjeve në Sërbi, para zgjedhjeve në Amerikë, para zgjedhjeve në Kosovë. Mendojnë për “paqen” në Ballkan këta, posi, në djall të shkojë populli shqipëtar, ky “ngatrestar” i politikës së madhe, gjeopolitikës. Çfarë drejtësie do VV-ja, kujt do i shërbejë? Sërbisë jo, Amerikës jo, Rusisë jo që jo, Brukselit me halle pandemie jo, Ramës, as që bëhet fjalë. Thaçi-Mustafa-Veseli-Ramushi kanë hall miqësitë me jashtë se Kosova s’lun prej vendit, prap lopë për tu mjelë do jetë edhe pas marrveshjes, u mjafton, kënaqen me pak këta ish brekgrisurit. Të fitojë Vuçiçi me Trumpin edhe nga një mandat pa shohim e bëjmë, se Putini e ka siguruar të vetin. Puna është ke Thaçi, si do i vej hallit po humbi miqtë e shtrënjt, po e presin ata të Hagës me padurim me e fut në dorë. Deri tani u ka rreshqit si ngjala nëpër gishta, e s’po e kapin dot se ka imunitet, ka mandat maskarai.
Kështu po e shoh unë gjëndjen dhe nuk e egzagjëroj, nuk po e nxij fare. Lej të dal kush të më thotë se nuk është ashtu, se jam tendencioz, se kam informacion të gabuar, se populli shqipetar në Kosovë jeton i lumtur, se Kosova është e pavarur dhe demokratike, se populli atje është Sovran, se pasuritë e saj nuk po shkojnë tek spekullantët, përfituesit, se në Kosovë s’ka korupsion dhe krime nuk ka patur. Lej të më mbushi mëndjen dikush se Thaçi-Mustafa-Veseli-Hajrendinaj &Co nuk janë pasuruar dhe milionat, vilat, veturat e shtrënjta i kanë fituar me djersën e ballit dhe se shëtitjet nëpër aviona, hotele, restaurante i kanë paguar nga xhepi i tyre. Se këta delenxhinj po “punojnë” për Kosovën, për popullin e saj. Nëse ndodh kjo do e pranoj se jam i çmëndur dhe po shoh ëndra me sy hapur. E deri atëhere unë do vazhdoj të shkruaj sa të mundem.
Bukuresht, 22.04.2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura