DILAVER GOXHAJ: HEREZIA E VETON SURROIT TE ‘KËMBËT E GJARPRIT’!

Tiranë, 20. 08. 2014: Rreth librit të fundit të Veton Surroit, “Këmbët e gjarpërit”, i botuar në pragun e zgjedhjeve të 8 Qershorit 2014, në Kosovë, ka tërhequr së shumti vëmendjen e mediave kosovare, si dhe ka pas reagime nga më të ndryshmet, deri edhe një ceremoni televzive të djegies së disa kopjeve të atij libri, duke i krijuar mundësinë autorit të thoshte se këta njerëz nesër me siguri do të veshin këmishat e zeza. Të gjitha këto ngjarje, por edhe shkrimet kundër librit, i kanë bërë librit një publicitet shumë të madh, duke tërhequr vëmendjen e gjithë opinionit publik, ndaj dhe ka patur një seri botimesh brenda një muaji. Kështu ndodhi edhe me mua, prandaj iu luta një mikut tim në Prishtinë të mund të ma siguronte një kopje të tij.
Qysh sa libri të bie në dorë, të tërheq vëmendjen nëntitulli që autori i ka vënë librit: “Shënime heretike”! Dhe, kur vetëm pasi ke përfunduar pjesën e IV të tij, e kupton se pse autori i ka vendosur këtë nëntitull librit, i cili mund të quhet një roman politik dokumentar. Them dokumentar, pasi personazhet e tij janë realë si dhe mbështetet në ngjarje reale, sikundër është Konferenca e Rambujesë, ku edhe autori ka qenë pjesë e atij samiti. Autori e quan vepër heretike, për vet faktin se është i bindur, ose ka dëshirë të thirret i tillë prej lexuesit, ngaqë me vetëdije del në kundërshtim me historinë e vërtetë e të trajtuar për UÇK-në deri sot, veçanërisht kundër disa drejtuesve të saj. Si i tillë, autori i shkel, si pikpamjet orale, (që ai i quan folklorike) dhe ato çfarë janë shkruar der tash për UÇK-në, por duke dalë në kundërshtim edhe me normat panegjerike të vendosura deri tash mbi historinë e UÇK-së, e cila është një çështje mjaft e ndjeshme për shumicën absolute të opinionit popullor shqiptar brenda e jashtë Kosove. Si i tillë, Veton Surroi del jashtë kësaj praktike për këtë histori të deritashme, të cilën e qaun një dogmë. Për këtë qëllim ai e vetëquan veprën e tij herezi, ngaqë është pozicionuar me vetëdije kundër kësaj historie të njohur e të saktë për UÇK-në.

Por, e meta kryesore e autorit në këtë libër heretik, historik, dokumentar dhe politik qëndron në faktin se ai edhe pse mundohet të bëjë histori, në fakt bën politikë dhe jo histori, duke shfrytëzuar me mjeshtëri artistike shumë fakte që i ka përjetuar vetë ose ka qenë protagonist i tyre; dhe, së dyti, ai i përzien qëllimisht dy periudhat historike, krejt të ndryshme me njëra-tjetrën: Përiudhën e Luftës Çlirimtare në Kosovë, (që shumë autorë kosovarë kanë dëshirë ta quajnë “Lufta e UÇK’së” dhe jo Lufta Çlirimtare e Popullit Shqiptar në Kosovë), duke e mpleksur atë edhe me periudhën e pasluftës, për të cilën mendoj se bën një analizë politiko-ekonomike të përafërt me realitetin, prandaj dhe në këtë të dytën dakordohet edhe Albin Kurti. Vetoni, qëllimisht e bën këtë mpleksie periudhash, me qëllim që të sfumoi sa të jetë e mundur periudhën e asaj lufte çlirimtare.
Unë nuk kam ndërmend të merrem me të dy periudhat që mpleks autori në këtë libër, as me protagonistët realë historikë që ai i vë në spikamë dhe që jetojnë ende dhe që janë tepër aktivë në politikë, pasi ajo është e drejtë e vetë atyre si dhe e biografëve dhe e kalemxhinjve të tyre të mirëpaguar; por do të merrem me atë pjesë, në të cilën Veton Surroi trajton UÇK-në, ku edhe unë kam qenë për një periudhë goxha të mirë pjestar i formacioneve të saj në terrenin e Kosovës. Si i tillë kam të drejtë dhe detyrë të replikoj, pasi kam qenë edhe kuadër i lartë ushtarak i asaj Ushtrie Çlirimtare
Qysh në fillim dua të them se autori ka gjetur një stil dhe gjuhë të tillë në trajtimin e librit, që është për ta patur lakmi. Kjo është edhe një nga arsyet kryesore pse libri “Këmbët e gjarprit” ka patur disa botime. Dhe ai nuk e ka zgjedhur rastësishtë këtë lloj trajtese artistike, me qëllimin e vetëm që të bëhet i besueshëm për gjithçka ai shkruan dhe të mbahet mend gjatë në kujtesën e lexuesve dhe, pa dyshim, për të nxjerrë sa më shumë përfitime material dhe morale për veten e vet.
Dhe këtyre qëllimeve mendoj se ja ka arritur jo pak.
Përsa i përket UÇK-së ai mundohet ta eleminoi krejtësisht ekzistencën e saj, jo vetëm si emër, por ta bëjë mundësishtë të urrejtshëm për brezat e lindur pas asaj lufte, si dhe ta shumëzoi me zero gjithë akivitetin luftarak të saj, duke mos shprehur as edhë një fjalë të vetme për mijëra dëshmorë të saj, që dhanë jetën për lirinë e popullit ku vetë autori është pjesë e tij. Dhe këtë e ka bërë në mënyrë graduale e mjeshtërore. Kija inatin, por jepi hakun. Mirëpo, me këtë mohim të kontributit madhor të UÇK-së, Surroi e vendos veten përkrah Rugovës, edhe pse gjatë gjithë kohës së tij si publiçist ai e ka anatemuar Rugovën. Por, mesa duket, duke shkruar me urrejtje patologjike për Hashim Thaçin dhe vëllezërit siamezë të tij, ndërgjegja e Vetonit është bërë gjithnjë e më shumë negativiste dhe, për inerci, UÇK-në e personalizon tek Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e Azem Syla.
Si rjedhojë, urrejtja ndaj këtyre personave e bën të pakujdesshëm dhe negativist, duke e çuar në mohimin total ekzsiztencën dhe kontributin madhor të UÇK-së.
Shtrohet pyetja: Për herë të parë del Veton Surroi me këtë tezë të mohimit të UÇK-së, ndaj dhe pati aq reagime të ashpra nga intelelektualë dhe disa ish luftëtarë të UÇK-së? Faktet tregojnë se jo. Veton Surroi këto mohime të vlerave të UÇKsë i ka bërë publike edhe në letrën e hapur dërguar simbolit të rezistencës, Adem Demaçit, në fillim të vjeshtës së parë të vitit 2002, botuar në gazetën e tij “Koha ditore”. Por çuditërisht, përveç drejtuesit të Radio Kosova e Lirë, të gjithë të tjerët në Kosovë heshtën atëherë, duke u justifikuar si puna e priftit: larg b….. sime. Unë ndoshta nuk do të them më shumë se sa ka trajtuar për luftën e popullit shqiptar në Kosovë dhe për UÇK-në baca Adem, në përgjigjen që i dha atëherë Veton Surroit, por është rasti ta citoj bacën, kur i thotë: “Një ego e tillë si ti ka kapacitet të mjaftueshëm që të bëjë njëqind maskarallëqe, që t’i bëjë njëqind sherre Kosovës, vetëm e vetëm që të nxjerrë fitime për veten e vet dhe, i cili, me çdo kusht po mundohet të zbukurojë imazhin e vet të rremë para qytetarëve të Kosovës dhe të botës.” Dhe, çuditërisht, me librin “Këmbët e gjarprit” u vërtetua përcaktimi i zotit Demaçi!
Duke qenë se Vetoni ka shkruar për UÇK-në qysh në vitin 2002, nuk ka të drejtë që të kritikoi në këtë libër Jakup Krasniqin e t’i thotë se ngutet të shkruajë pas shtatë vjetësh për historinë, (f.23), ngaqë botoi “Kthesa e madhe” në vitin 2006, duke e këshilluar që të priste të paktën 20 vjet. Kjo jo vetëm që tregon një lajthitje të tij, por bie në grackën e asaj që ai akuzon Hashim Thaçin: “Do të thotë, do ta posedojë historinë. Do të thotë, do ta konsiderojë historinë pronë”, (f.25). Me këtë, Vetoni kërkon të na thotë se, vetëm Vetoni ka të drejtë të shkruajë historinë e periudhës së asaj lufte, ngaqë ka qenë i përkëdhelur nga diplomatët perëndimorë si dhe firmëtari i parë entusiast në Rambuje për eleminimin e UÇK-së, për të cilën edhe mburet në letrën dërguar Adem Demaçit. Prandaj dhe na thotë: “Ai që shkruan më shpejt, e posaçërisht ai që shkruan nga pozitat
e së vërtetës zyrtare, do që ta ketë historinë për vete. Do të thotë, do që të posedojë historinë. Do të thotë, ta konsiderojë historinë pronë.” (f.25)
Por, të befason fakti se si nuk pati në vjeshtën e vitit 2002 dhe as sot asnjë lloj reagimi nga protagonistët e UÇK-së, që Vetoni i ka vënë në spikamë! Këtu qëndron edhe enigma e “suksesit” të Vetonit, tek ai mosreagim, të cilët e lanë Demaçin të vetëm në përballjen me Surroin, pavarësisht se Demaçi në replika të tilla është sa për njëqind sosh. Vetoni, duke marrë zemër nga ai mosreagimi i atëhershëm i ish drejtuesve të lartë politikë e ushtarakë të UÇK-së, e thellon urrejtjen kundër Adem Demaçit, duke e barazuar me veten e tij: “Demaçi nuk ishte UÇK-ja; ishte si gjithë ne të tjerët”, f.47), si dhe na hedh tullumbacen tjetër, duke e krahasuar UÇK-në me katalizatorin në reaksionet kimike: “UÇK-ja ka qenë ajo përbërje “substancash” që ka ndryshuar shpejtësinë e reaksionit kimik, pra ka ndikuar në shpejtësinë e çlirimit, ndonse nuk ka sjellë ndonjë energji a marrë pjesë në të”, f. 89).
Ne, dëshmitarët okularë, midis tyre dhe unë, si një prej drejtuesve dhe luftëtarëve aktivë në terren, në luftë me ushtrinë dhe policinë serbe, si oficeri kryesor në mbajtjen e bashkëveprimit midis UÇK-së dhe aviacionit të NATO-s, e hedh poshtë me fakte këtë minimizim të kontributit të UÇK-së për çlirimin e Kosovës.
Së pari dua t’i them Veton Surroit se është vetë presidenti SHBA, Bill Klinton, i cili më 23 Maj 1999 i tha kombit amerikan: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës po shtohet dita ditës, ajo ka filluar të ndërmarrë ofensiva kundër forcave serbe..”, ndërsa Komandanti i NATO-s, Uesli Klark pohon, duke thënë: “UÇK-ja, shpesh i detyronte forcat serbe të dilnin në terren të hapur, ku kishim mundësi t’i sulmonim ato” (“Të bësh luftë moderne”, Prishtinë, 2003, f. 372). Ndërsa Ministri i Mbrojtjes së SHBA, z.Cohen, po në 16 Prill 1999 thoshte: “Millosheviçi mund të mendojë se e ka eleminuar UÇK-në, por gabon”, (Eilen Yan: “High Risk of Casualties”, Newsday, 16 Prill 1999). Po të mos qe UÇK-ja me luftën e saj “NATO-ja, sipas të gjitha gjasave, nuk do të kishte mundur të mbijetonte në formën ekzistuese”, shton po në atë vazhdim Wesli Klark, (po aty, f.18). Vetëm këto citime besoj se e rëzojnë konstatimin e shtrembër qëllimor të Vetonit për UÇK-në, duke e krahasuar me katalizatorin që ndihmon, por që nuk merr pjesë në reaksion. Dhe, shpërblimi i pasluftës për UÇK-në është kjo që gëzohesh ty, zoti Veton, dhe ata që e tradhëtuan atë pas lufte: Në arrest!
Por që ta bëni edhe më të bindshëm etiketimin tuaj për UÇK-në si katalizator për çlirimin e Kosovës më pas shpreheni: “Çlirimin e Kosovës e kanë bërë forcat e NATO-s. Ushtria serbe është tërhequr nga Kosova në sajë të bombardimit të NATO-s dhe hyrjes së këmbsorisë së KFOR-it, e jo për shkak të veprimeve të UÇK-së”, (f.79). Më çudit fakti se në këtë pikë puqeni me Kadarenë, i cili, në kohën që Rugova i dha titullin “Honorus cazus” në Prishtinë, e drodhi, shprehu të njëjtin mendim si dhe ju tashti: “Kosovën nuk e çliroi UÇK-ja, por Evropa Perëndimore”.
Që ta kuptosh edhe më mirë që jini gabuar rëndë në këtë konstatim, zoti Veton, po të jap një pjesë të përgjigjes që i kam dhënë atëherë Kadaresë, për këtë lloj deklarate të ngjashme me tuajën, në librin tim “UÇK-ja dhe Kadare-ja”, pasi jam i bindur se nuk e ke lexuar, ngaqë ju lexoni vetëm Vetonin dhe asnjë autor tjetër: “Zoti Kadare, të thuash: Kosovën e çliroi Europa Perëndimore dhe askush tjetër, është ekstremizëm i mbështetur në parimet e servilizmit pacifist. Të thuash: Kosovën e çliroi UÇK – ja dhe askush tjetër, është ekstremizëm i mbështetur në mosmirënjohjen njerëzore dhe kapadaillëk. Çdo ekstrem, është i papranueshëm dhe i dëmshëm. Prandaj, le të kemi kurajon e të themi të vërtetën: Kosovën e çliroi bashkëveprimi luftarak midis UÇK-së dhe NATO-s, të paraprirë nga SHBA-të.
Ju, zoti Kadare, e dini më së miri se NATO-ja veproi vetëm përmes ajrit, me aviacionin e saj luftarak. Mirëpo nuk besoj ta dini se aviacioni luftarak i frontit, (ai që godet forcat dhe mjetet luftarake të kundërshtarit në fushën e luftimit, betejës), nuk mund të realizojë në kohë asnjë lloj goditje të saktë kundër objektivave tokëserë taktikë të armikut, pa iu dhënë shenjëtregimi nga toka ose nga aviacioni – helikopter i tij, që qendron në afërsi të vijës së frontit, por që rrezikon të asgjësohet nga momenti në moment. “Zotërimi i ajrit është i parëndësishëm, në rast se forcat ajrore nuk kanë një shënjëtregim të saktë”, thuhet pothuajse në të gjitha doktrinat ushtarake të sotme. Dhe ky është një parim ushtarak, zoti Kadare,që juve iu falet të mos e dini. Këtu, mendoj unë, është një nga burimet e pozicionimit tuaj mohues ndaj UÇK-së, duke i hequr asaj të drejtën e të qenit çlirimtare.
Detyrën e shenjëtregimit për aviacionin e NATO-s, e kryenim ne, UÇK-ja, zoti Kadare, duke iu dhënë atyre koordinatat për objektivat ushtarakë tokësorë serbë të lëvizëshëm e të palëvizëshëm, me saktësi të lartë dhe, madje, jo një herë, por disa herë gjatë gjithë ditës e gjithë natës, pa pushim, në çdo dy-tre orë, falë ndërlidhjes moderne me të cilën na kish pajisur Gjermania. Për këtë veprimtari të dendur, kemi edhe dokumente, pavarësisht se ato, Shtabi i Përgjithëshëm i TMK-së nuk i ka dorëzuar në asnjë arkivë të Kosovës apo të Shqipërisë dhe, në kundërshtim me rregullat e ruajtjes së dokumenteve luftarake, janë marrë disa herë nga ushtarët e KFOR-it, gjoja për verifikim, sa që tani, vetëm një zot e di se ç’është bërë e ç’po bëhet me to. Do të ishte mirë për historinë e popullit tonë, që ato dokumente të shumëfishoheshin duke i botuar, për qëllime të tilla përdorimi, ndërsa origjinalet të dorëzoheshin në Arkivin e Kosovës qysh në korrik të vitit 1999, porsa mbërritëm në Prishtinë dhe të mos mbaheshin dosido nëpër sirtarë, aq sa sot janë dhënë edhe shenja se po vihet dorë në to…
Ndoshta u zgjata pak, zoti Kadare, por ua përmenda këto mori faktesh dhe argumenta për t’u treguar juve dhe gjith atyre që nuk e njohin UÇK-në dhe luftën e saj, jo vetëm se çfarë lufte të suksesëshme bëri UÇK-ja, por edhe për t’u thënë se ajo gjysma e popullit shqiptar të Kosovës, gati një milionë që nuk e la Kosovën nga që pati besim te UÇK–ja dhe e ndau fatin me të, nuk u zhgënjye nga ushtria e vet, pasi ajo e mbrojti popullin e saj denjësisht dhe e justifikoi besimin dhe ndihmën e popullit edhe pse ishte shumë herë më inferiore në numur dhe armatim ndaj kundërshtarit me të cilin luftoi. Gjithashtu po u dëshmoj për të bindur juve dhe të tjerët se UÇK’ja ishte njëri prej faktorëve kryesorë që ia bëri Serbisë të pamundur qëndrimin në Kosovë.
Por, shumë më mirë e më saktë se unë, vetë ju, zoti Kadare, i nxirrni në pah vlerat e UÇK-së, sidomos tek libri “Shqiptarët në kërkim të një fati të ri”, f. 32: “Ishte UÇK-ja ajo që i ra kambanës së alarmit për të zgjuar gjithë planetin. Ishte ajo që u vra e u coptua për t’i bërë të qartë botës se ç’po ndodhte në Kosovë. Ishte ajo që duke shërbyer si pararojë e NATO-s, arriti të tërhiqte makinën e rëndë ushtarake të saj në vendin e harruar që quhej Kosovë…”. “Për çlirimin e Kosovës, vazhdoni në f. 54, midis popullit shqiptar dhe Aleancës Atlantike u sajua ai bashkim i çuditshëm, ku shpenzimin më të vjetër të luftës, gjakun, e vuri populli i paktë shqiptar, kurse armët, NATO-ja e fuqishme.”,(shih “UÇK dhe Kadare”, Prishtinë, 2004, f.144-145)
Mirëpo, të befason fakti që këtij mohimi të kontributit të UÇK-së në çlirimin e Kosovës, që po e thekson Veton Surroi tash në librin e tij “Këmbët e gjarprit”, i ka paraprirë me kohë zoti Xhavit Haliti, duke e përsëritur tre herë rresht, brenda 14 vjetëve: fillimisht në Korrikun e viti 1998, kur është takuar në Tiranë me Vetonin dhe Blerim Shalën; për herë të dytë në Tetorin e vitit 1999, kur dha intervisëtn e parë tek “Zëri” i Blerim Shalës si dhe në Korrikun e vitit 2013, duke thenë: “Ne nuk mund ta fitojmë luftën. Orientimi ynë është që përmes rezistencës të krijojmë rrethana që pakti i NATO-s të vijë në Kosovë…”. Prandaj, edhe unë, si kushdo që i ka ndjekur këto zhvillime, i bëj pyetje vetes: pse nuk pati reagime si në rastin kundër Surroit, kur Xhavit Haliti e ka thënë këtë mohim të UÇK-së tre herë rresht e me zë edhe më të lartë se Veton Surroi? Prandaj, ata ish
luftëtarë të UÇK-së, që u indinjuan nga libri i Vetonit dhe dogjën demonstrativisht disa kopje të tij, nuk duhet të kenë dy lloj kandarësh (peshoresh) për të njëjtën dukuri (fenomen). Po ashtu, pse nuk reaguan as këta të indinjuarit e fundit as edhe ata që mundohet t’i fyej Veton Surroi, kur Jakup Krasniqi, në vitin 2006 shkruajti në librin “Kthesa e madhe”: “Lufta Guerile e tipit “sulm e tërheqje nga vendi i ngjarjes”, u tregua e dëmshme, sepse armiku po hakmerrej mbi popullsinë civile… Veprimi kësisoj ishte i detyrueshëm sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të përballej tash e tutje jo vetëm me luftën, por edhe me ruajtjen dhe evakuimin e UÇK-së.” Si do të çlirohej Kosova, duke u mbrojtur për vete apo duke e sulmuar ushtrinë serbe?
Që Veton Surroi fillimisht ka pas besim tek UÇK-ja, këtë e thekson disa herë në libër, por, mesa duket, me t’u takuar në Tiranë me Xhavit Halitin, në Korrikun e vitit 1998, i iku ai besim, prandaj dhe nuk ka pranuar që të bashkohej me Demaçin, edhe pse ky e ftoi me tërë sinqeritet kur pranoi detyrën e Përfaqësuesit Politik të UÇK-së një muaj më pas. Por ajo çka është fare e papranueshme, çka thotë Vetoni, është ajo kur thotë: UÇK-ja nuk ishte as ushtri, as çlirimtare, as tërësishtë kosovare, por thjeshtë një instrument për të marrë pushtetin e Rugovës, (f.84). Gjithë ky farë intelektuali që ka në dispozicion jo vetëm gazeta, shtypshkronjë por edhe stacione televizivë, thua të mos e dijë që pushteti merret: ose me votë, ose me puç ushtarak, ose me luftë, sikundër është lufta çlirimtare! Duke qenë vetëm instrument, as ushtri, as e gjitha prej kosovarësh, si mundej ta merrte pushtetin? Apo druan të thotë se UÇK-ja na paska qenë një turmë banditësh, edhe pse e pranon që është libër heretik?!
Këtë etiketim Vetoni nuk guxon ta thotë troç, por e lë të kuptohet, duke u shprehur: “Por ja që jam i gatshëm të marr përsipër edhe konseguencat e herezisë dhe të them se nuk ka ekzistuar ndonjëherë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, (f.76). Nëse do të ishte kështu, si mund të shpjegohet, zoti Veton, që në Kosovë Serbia pati sjellë 95.000 forca ushtarako-policore, baraz me sasinë e forcave që sollën si Italia fashiste ashtu edhe Gjermania naziste në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që sipërfaqja e Kosovës është 2,33 herë më e vogël se ajo e Shqipërisë dhe terreni i Kosovës është gati i rrafshtë në raport me terrenin malor e tepër malor të Shqipërisë? Përse i solli Serbia gati 100 mijë ushtarë, zoti Veton, për paradë ushtarake apo për të luftuar kundër UÇK-së? Dhe mos harro që këto forca i pat sjellë shumë më herët se të flitej për Konferencën e Rambujesë. Nëse
në Kosovë nuk do të kish Ushtri Çlirimtare, pse atëherë u ftua kjo UÇK-ja mosekzistuese nga ndërkombëtarët në Rambuje? Nëse nuk do të ekzistonte UÇK-ja, si ndodhi që kryetari i delegacionit në Rambuje u zgjodh drejtori politik i asaj ushtrie mosekzistuese? Nëse nuk do të ekzistonte UÇK-ja, pse zonja Ollbrajt propozoi që mandatori i Qeverisë së Përkohëshme e Kosovës të delte nga kjo ushtria mosekzistuese? Nëse nuk do të kish UÇK, pse Rugova pranoi që Qeverinë e Përkoheshme ta udhëhiqte kryeministri i dalë nga ushtria mosekzistuese? A e kupton zoti Veton se ke vrarë veten me këto shprehje të bukura por gjithë helm e nonsens?
Dhe kjo pyetje e ka përgjigjen: Vetoni ka gjasa të ketë mbritur në këtë përfundim qysh në Korrikun e vitit 1998, sepse është një djalë i rritur me pekule, nëpër kryeqytetet e Evropës, ku e dërgonte babanë e tij Titua si ambasador të Jugosllavisë, gjë që njeh vetëm frikën. Duke qenë i rritur me pekule, Vetoni nuk e njeh as vuajtjen dhe as urinë dhe, duke mos njohur vuajtjet e sakrificat, Vetoni nuk di se vuajtjet dhe uria shkaktojnë urrejtje, e cila, sikundër thotë Balzaku: “Urrejtja është ilaç për fuqi, të bën të rrosh, të ngjall ndjenjën e hakmarrjes”. E veçanta qëndron se, Veton Surroi është një ndër titistët më të thekur, ndaj dhe e heq veten qytetar të botës (kosmopolit), ndaj e kritikon mënyrën e fitores së lirisë nëpërmjet luftës guerile, ngaqë lufta e armatosur i duket jashtë mode. Dhe për këtë unë i jap të drejtë Vetonit dhe e kuptoj pse i bën sulm të pakuptimtë LPK-së ilegale. Kjo, për të vetmen arsye se Vetoni ka mendësi krejt të ndryshme për lëvizjet ilegale në Kosovë, në raport me ne që guxuam e rrëmbyem armët si dhe nga populli që na mbështeti; sepse formimi i Vetonit është bërë jo vetëm në shkollat serbe dhe në mes të serbëve, por edhe në shkolla europiane, i financuar nga shteti serb si biri i një ambasadori të Jugosllavisë. Dhe për këtë nuk ka pse t’i vemë faj. Madje edhe pse ti Veton e mohon kategorikisht kontributin e UÇK-së, duke e ulur në rolin e katalizatorit, përsëri vlen të vlerësohesh si njeri mirënjohës ndaj Serbisë, sepse ai shtet të mësoi e të edukoi me shpenzimet si bir ambasadori; ai shtet të mundësoi të mësoje disa gjuhë të huaja të të gjithë shteteve ku shkonte yt atë si ambasador; ai shtet të formoi me shpezat falas të tij si intelektual; ai shtet të mundësoi të hyje në politikë dhe të pasuroi me shuma përrallore; ai shtet të mundësoi të çelje gazetën e “ pavarur” “Koha ditore” si dhe të ngrije shtypshkronjë dhe, mbi të gjitha, duke të krijuar të tilla mundësi, ai shtet të formoi si kozmopolit duke të zhveshur nga ndjenjat kombëtare. Ndaj dhe nuk të akuzoj se pse je kaq mirënjohës ndaj atij shteti, pasi mirënjohja është virtyt, gjë që të stigmatizuarit e tu janë tepër imunë ndaj atij virtyti, ndaj dhe çdo ditë e më shumë ata shpërblehen me indiferentizmin e popullit shqiptar në Kosovë si dhe me urrejtjen e tij, sikundër po shihet në pjesmarrjen e ulët në votime dhe në ngjarjet e
ditëve të fundit. Duke qenë mirënjohës, kjo të vendos ty si një intelektual mbi ata. Diplomatët ndërkombëtarë, duke parë tek ty se, kishin të bënin me një kozmopolit dhe njeri mirënjohës ndaj atyre që i mundësojnë ecjen përpara, të pëlqyen duke të patur krah të djathtë në negociatat për eleminimin e UÇK-së, ndaj edhe të vunë në kryesinë e delegacionit kosovar në Rambuje. Dhe, mirënjohja që tregove ndaj tyre, bëri që ata të të shpërblenin, me mundësinë qe ata kishin, duke të bërë faktor politik menjëherë pas luftës në Kosovë, pasi asgjë nuk realizohet në Kosovë (por edhe në Shqipëri) pa një ndihmë të të huajve, sado i zoti të jesh: “Kandili, qoftë edhe prej floriri, nuk ndriçon po nuk pati vaj”, thotë Marie Kyri.
Të gjitha këto kanë ndikuar që në formimin tuaj si intelektual, zoti Veton, të kini njohuri të cunguara për lëvizjet ilegale dhe luftrat çlirimtare, prandaj e quani LPK-në “organizatë e heshtjes”. Dhe kjo ndodh ngaqë nuk e dini se çdo lëvizje guerile i ka fillesat e saj tek klandestiniteti (konspiracioni) i thellë. Në të kundërt, çdo lëvizje çlirimtare do të eleminohej qysh në embrion. Ngaqë kini këto lloj bindje për lëvizjet ilegale, prandaj dhe e urreni edhe Adem Demaçin; madje tërboheni kur dëgjoni apo lexoni se populli atij i thërret: “simboli i rezistencës”, ndërkohë që ndaj jush, masa e gjerë popullore nuk shprej ndonjë lloj afeksioni e që u vërtetua në fushatën tuaj elektorale. Kjo u ka bërë e u bën xheloz, e cila është pasion i mendjes së verbuar dhe i shpirtit të vockël, e cila i ngjan një tufani shkatërrues, duke i bërë shërbimet më të forta egërsisë me rezultate negative.
Vetoni dhe soi i tij mendojnë kështu, pasi i ka trëmbur jo vetëm politika pacifiste absolute, por dhe i ka mashtruar teknologjia moderne ushtarake, e cila sot është shumë e përparuar. Mirëpo, po të kemi parasysh terrenin, që ishte i yni, llojin e luftës që bënim ne, si dhe gatishmërinë tonë për të pranuar edhe koston më të lartë të humbjeve, vetflijimin tonë, nuk do të mjaftonte teknika dhe armatimi i Sërbisë për ta mposhtur luftën tonë. Vetoni nuk e di se faktori kryesor në luftrat çlirimtare është njeriu, është morali tij dhe jo arma. Jo më kot Napoleon Bonoparti pat thënë: “Në luftë, gjendja morale përbën tre të katërtat e betejës. Pjesa që mbetet varet nga fuqitë fizike”.
Mendoj se hë për hë nuk është e nevojshme të zgjatem më tej në këtë drejtim, pasi edhe këto çka thashë nuk kanë për ta detyruar Veton Surroin të ndryshoi mendim, pasi i tillë është brumosur. Ndaj dhe jo më kot Adem Demaçi i tha para 12 vjetësh: “Ti, duke u nisur nga egoja yt, nuk je i gatshëm të paguash kurrfarë çmimi për lirinë e popullit tënd. Ti nuk je në gjendje të japësh as gishtin për lirinë e popullit tend.”

– Kontakti me autorin: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura