Prof. Agim Zogaj: Vuçiçi – farsë, vetë poshtërim, përbuzje!

Pashtriku, 20 dhjetor 2020: Ditë më parë u zbuluan disa varreza masive me gjetjet e 744 shqiptarëve të vrarë në Kosovë, të bartur e të fshehur në malet, fushat e Serbisë. Nuk kishte ndonjë reagim,të organizuar masiv të qytetarëve serbë, nuk kishte as ndonjë reagim të zëshëm të institucioneve të Kosovës, ndërsa të institucioneve të Serbisë, natyrisht se jo. Nuk kishte asnjë reagim as Brukseli zyrtar, thuajse u përkujdesën që, të mos e hidhërojnë udhëheqjen e sotme serbe dhe veçmas kryetarin serb, Vuçiç, të cilin, Perëndimi dhe veçmas Brukseli zyrtar po e ngrit, po e prezanton, po e imponon, si një politikan “të paqes”, si një politikan, cili po na imponohet si politikan, burrështetas që gjoja po i jep dritë paqes në rajon? Ishin disa persona serbë, intelektualë, pjesëtar të organizatave qytetare etj. të cilët e pranuan krimin e kriminelëve serbë të atyre viteve, me në krye Millosheviqin. Kosova, jo vetëm institucionet siç e thamë, por as opinioni qytetar, as media dhe organizatat jo qeveritare, nuk u ambientuan, nuk u sensibilizuan sa duhet dhe si duhet me çështjen e zbulimit të varrezave masive, gjetjen e mbetjeve të vëllezërve dhe motrave tona, të vrarë barbarisht nga ushtria, paramilitarët dhe policia sekrete serbe. Opinioni publik i Kosovës, dhe një pjesë e medieve të pavarura, po kujdesen për t’iu dhënë zjarr luftës politike, betejave ndërpartiake, fraksioniste?!
Sa për ironi dhe farsë të turpshme, ashtu siç dinë, në traditën e tyre serbët, kryetari Vuçiç ka deklaruar se, të gjitha varrezat masive dhe të gjithë të zhdukurit, viktimat e luftës në Kosovë duhet të shënohen,m evidentohen. Kush e tha këtë, kush bëri thirrje që të zbulohen të gjitha varrezat masive nga lufta e Kosovës, luftë në të cilën kishte dhe ka vetëm varreza masive me gjetjet e shqiptarëve të vrarë dhe të bartur e fshehur në Serbi? Pra, ishte serbi, Vuçiç i cili dha ato deklarata. Ishte Vuçiç, i cili në kohën e luftës në Kosovë, kur regjimi fashist serb vrau mbi 13:000 shqiptarë, ishte ministër në Qeverinë e Millosheviçit, madje, ministër i propagandës.
Kaluan dy dekada nga lufta e Kosovës, nga vrasjet masive të civilëve shqiptarë dhe i erdhi radha, pikërisht bashkëpunëtorit të Millosheviçit, dhe anëtarit të Partisë Radikale të çetnikut Vojisllav Sheshel, pra, Vuçiçit që,ta ngrit zërin për varrezat masive dhe të kërkoj, amnisti përmes një kërkim falje të fshehtë! Vuçiçi, dikur inspirator i drejtpërdrejt i krimeve mbi shqiptarët, tani, në cilësi të kryetarit të Serbisë, lider i ri i popullit serb, vazhdues besnik i politikës dhe ideologjisë serbomadhe, çetnike,të Millosheviçit, Sheshelit, Koshtunicës, etj. e mohon historinë e krimeve në të cilat mori pjesë dhe ishte aktor i drejtpërdrejt. Ai hesht, për përgjegjësinë e tij, gati tridhjetë vjeçare të politikës së krimeve barbare ndaj shqiptarëve. Ai hesht, ndaj historisë së tij kriminale, sepse, hesht edhe inteligjenca e popullit serb, sepse hesht edhe BE-ja, e cila , paturpësisht e ngrit në personalitet, politikan të paqes! Të tillë, mjerisht e kanë pranuar edhe klasat politike në Kosovë dhe në Shqipëri, dhe kanë hyrë në bisedime, negociata me te. Të bisedosh dhe të kërkosh marrëveshje historike midis shqiptarëve dhe serbëve, nga politikani Vuçiç, i cili i ka duart dhe e ka mendjen të lyera me gjak, të përgjakura, është e pa kuptimtë! Është absurd i llojit ët vetë. Ta kujtojmë rastin kur, pikërisht Biden, në një takim ku kishte qenë edhe Millosheviçi, këtij të fundit nuk ia kishte zgjatur dorën për tu përshëndetur, duke i thënë se:” Ju jeni i akuzuar për krime lufte”!

Ndërsa, një pjesë e diplomacisë ndërkombëtare, asaj Perëndimore, edhe nën presionin e Rusisë, Kinës dhe aleatëve të Serbisë, po përgatit skenarin sipas të cilit, në emër të arritjes së marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë Vuçiçit t’i zvogëlohet, minimizohet, hiqet një pjesë e së kaluarës së tij kriminale nga koha e luftës! Si mund të arrihet marrëveshje me njeriun i cili, realisht ishte dashur të përgjigjej para gjykatës ndërkombëtare për krimet e lutës kundër shqiptarëve, si mund të ndodh pacifizmi i Serbisë, me një kryetar, siç është serbomadhe, çetniku dhe krimineli i luftës Vuçiç,a mund ta pranojë populli i viktimizur, i Kosovës, një marrëveshje dhe “paqe” të tillë, me njeriun i cili ishte ministër i propagandës së kobshme, antishqiptare, propagandës dhe ideologjisë së luftës? Në rast se, Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, populli serb dhe, fragmente të diplomacisë Perëndimore, të BE-së duan që, paturpësisht ta amnistojnë Vuçiçin, nga historia e tij e kriminelit të luftës, populli i Kosovës nuk duhet të lejoj të vetë poshtërohet, edhe për nderin që duhet ta kemi ndaj 13. 000 viktimave shqiptare nga krimet e Serbisë! Vallë, a na duhet një marrëveshje e tillë me nënshkrimin e kryetarit të sotëm serb, i cili,është pjesë e historisë së krimit serb ndaj popullit tonë, me një politikan, i cili, realisht nuk e përfaqëson opinionin demokratik serb? A guxojmë t’i lejojmë vetes dhe të turpërohemi para historisë, dhe të ardhmes së nipave, mbesave tanë, që, të përulemi para shovinistit Vuçiç dhe ta pranojmë “paqen”, “marrëveshjen” me kriminelin serb, me politikanin i cili, edhe si ministër i propagandës në Qeverinë e luftës së Serbisë, ishte veshur me uniformë të paramilitarëve (Partisë Radikale Serbe) të çetnikut Sheshel! Serbomadhi Vuçiç, jo që nuk e heq emrin e Kosovës nga premabulla e Kushtetutës së Serbisë, jo që nuk flet për mundësinë e njohjes së shtetit të Kosovës, por, njëjtë si dikur, çetnikët para tij, tani, me diplomaci , pranë tryezës së bisedimeve, po synon të sigurojë Autonomi territoriale për serbët e në Veri të Kosovës, Asociacion me Kuvend autonom , një model i Republika Srpskës në shtetin e Kosovës! Ja kush është Vuçiçi? A mund të ketë paqe, a mund të presim drejtësi për viktimat shqiptare të vrarë nga hordhitë barbare serbe, edhe me urdhrat, edhe me ideologjinë vrastare e cila ka dalë nga Ministria e propagandës së luftës, të cilën e ka udhëhequr, zbatuar, ideuar serbomadhi Vuçiç?
Prishtinë, 21 tetor 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura