Tiranë, 13 janar 2018: Me rastin e 19 vjetorit të vënies në funksionim të agjensisë së lajmeve “Kosovapress” dhe radio “Kosova e Lirë”.
Të shkruash historikun e Luftës Çlirimtare në Kosovë nuk është një punë e lehtë dhe as nuk mund të bëhet shkel e shko. Ashtu si çdo lloj punë tjetër letrare, edhe historia e kësaj lufte kërkon kujdesin më të madh, në qoftë se duam të krijojmë një përmendore të përjetshme për atë luftë dhe forcën e saj kryesore goditëse, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Të shkruarit e historisë nuk ka lirinë e poezisë, thjesht vullnetin e poetit. Historia, sikur të mbështetet thjesht në vullnetin e X a Y personi do të katandisej në një prozë poetike e asgjë më shumë. Historia ka vetëm një detyrë e një qëllim – vetëm të vërtetën. Dhe kjo e vërtetë duhet të mbështetet kryesishtë në dokumenta, sikundër janë arkivat, në ditare, në botimet dhe shkrimet mbarëshqiptare të kohës përkatëse si dhe në kujtimet e protagonistëve dhe dëshmitarëve okularë të asaj kohe. Por, më të rëndësishmet janë arkivat.
Dhe arkivat më të rëndësishëm për të përpiluar historinë e plotë të asaj lufte çlirimtare janë arkivat e dokumentave kryesore të forcave politike të kohës si dhe dokumentacioni i formacioneve ushtarake të UÇK-së dhe ato të institucioneve të propagandimit të asaj lufte çlirimtare. Aktualisht lexuesit i është dhënë në dorë arkivi i organit propagandistik “Çlirimi” i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (por jo ai i vetë partisë të atij organi), ai i Radio “Kosova e Lirë” dhe kohët e fundit ai i agjensisë së lajmeve “Kosovapress”.
Ngritja brenda në Kosovë e institucioneve propagandistike të fuqishme për luftën çlirimtare, sikundër ishin ai i agjensisë “Kosovapress”, njëkohësishtë me Radio “Kosova e Lirë”, në 4 janar 1999, vinte pas katërmbëdhjetë muajve luftë çlirimtare në shkallë të gjerë, ose, që të jemi edhe më konkretë, pas tetë muajve si pat filluar dalja për herë të parë publikisht e njërit prej derejtuesve kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ai edhe “zedhënës dhe përfaqësues politik i UÇK-së”, Jakup Krasniqi, (sikundër thuhet në lajmin e orës së parë të kësaj Agjensie Lajmesh dhe të Radio “Kosova e Lirë”), përbën një nga ngjarjet historike më të rëndësishme të asaj lufte çlirimtare në Kosovë. Pararendëse e tyre, në ilgalitet të thellë, brenda në Kosovë, kish filluar vite më herët dhe broshura “Çlirimi” e LKÇK-së.
Sikundër shihet, në këtë shkrim do të përqëndrohemi për institucionet propagandistike që vepronin brenda në Kosovë, pasi dihet që organi më i hershëm propagandistik dhe shumë i rëndësishëm për shpërthimin e luftës në Kosovë dhe gjatë saj është gazeta e Lëvizjes Popullore e Kosovës (LPK -Dega Jashtë Vendit), “Zëri i Kosovës”, por që botohej në Përëndim dhe futej e shpërndahej në ilegalitet të thellë në Kosovë.
Pavarësishtë se ngritja në 4 janar 1999 e këtyre dy institucioneve mediatike ishte me shumë vonesë, megjithatë, edhe atëhere ishin më se të domosdoshme, për faktin se bënë kompesimin urgjent të mosekzistencës të një udhëheqje të organizuar politke të Luftës Çlirimtare në Kosovë të shtrirë në të gjithë vendin, si dhe të vetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ngritjen e“Kosovapress” dhe radio “Kosova e Lirë i bënte edhe më të domsdoshme ekzistenca tepër aktive e propagandaës pacifiste, që predikonte rezistencë jo të dhunshme, saqë edhe ato vetë nuk i besonin; e megjithatë ato organe i bënin thirrje popullit që të mos përkrahte çdo kundërveprim të dhunshëm kundër policisë dhe ushtrisë së dhunshme serbe. Predikimi i tyre ishte: përgatituni të vuani, ndryshe na shtyp Serbia. Mirëpo, kjo propagandë nuk ngjall urrejte ndaj pushtuesit; pa urrejtje krahët s’kanë forcë të rrokin armët. Ndërsa çdo argument i “Zëri i Kosovës”, radio “Kosova e lirë” dhe agjensisë “Kosovapress” e bënin diagnozën e çlirimit shumë bindëse, e cila ishte në funksion të rrokjes së armëve si nevojë për veprim me luftë të armatosur.
E veçanta e veprimtarisë së këtyre dy institucioneve të ngritura në 4 janar 1999 qëndron në faktin se, radio “Kosova e Lirë” bënte informimin e formacioneve të UÇK-së dhe të popullit në Kosovë, për luftën që zhvillohej dhe propagandimin e saj; ndërsa agjensia “Kosovapress” bënte informimin e opinionit ndërkombëtar e kombëtar, si dhe të gjithë diasporës shqiptare në botë. Kurse “Zëri i Kosovës” dhe “Çlirimi” bënin kryesisht propagandim të asaj lufte, përmes analizave të tyre. Ndihmëse të tyre më vonë u bë edhe gazeta “Bota e Re”, që botohej në Prishtinë.
Çasti historik i deshte këto dy institucionet e propagandimit me zë për të gatitur popullin për luftë domosdoshmërisht edhe më herët se të kërciste pushka e formacionit të parë luftarak i UÇK-së, pasi “Zëri I Kosovës” dhe “Çlirimi” ishin shumë të ralla, periodike, dhe shpërndaheshin individualisht e ilegalisht, gjë që ishte e pamjaftueshme. Domosdoshmërinë e ekzistencës së vijueshme të një institucioni të fuqishëm propagandistik e ka konfirmuar përvoja e gjithë luftrave çlirimtare, pasi “Luftrat nuk fitohen vetëm në fushat e betejave. Duhet të dish të shfrytëzosh të gjitha marifetet e propagandës.”, sikundër thotë Napoleon Bonoparti.
Para çdo gjëje, luftës çlirimtare në Kosovë i nevojitej të paktën një organ periodik që të botohej e shpërndahej brenda në Kosovë, sa më shpesh që të ishte e mundur. Pa atë organ, sikundër e tregoi praktika, ishte e pamundur zhvillimi sistematik i një propagande dhe agjitacioni parimor e të gjithanshëm, i cili do të përbënte detyrën e përhershme dhe kryesore të udhëheqjes politke të luftës çlirimtare, veçanërisht kur në shtresat më të gjera të popull në Kosovë e jashtë saj ishte ngjallur e krijuar gjithnjë e më shumë bindja se zgjidhja e çështjes së Kosovës mund të bëhej vetëm me luftë të armatosur.
Mungesa e propagandimit të organizuar të Luftës Çlirimtare në Kosovë, në të gjithë territorin e vendit, kundër Armatës së madhe e të fuqishme të Serbisë, (një shtet shumë i konsoliduar dhe me përvojë lufte gati dhjetë vejçare dhe e mbështetur nga shumica e shteteve të Evoripës), bëri të mundur që të zinte vend propaganda anti-UÇK, jo vetëm në Evropë e SHBA por edhe në opinionin e mbarë kombit shqiptar, se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një ushtri terroriste”.
Parimisht dihet që luftrat çlirimtare e kanë fillesën me njësitet ilegale guerile në qytete dhe fshatra, dhe padyshim që këto konsiderohen edhe elementë terrori. Ai është një nga veprimet ushtarake që mund të jetë krejt i dobishëm, bile edhe i domosdoshem në çaste të caktuar të luftës për çlirim kombëtar, në një gjendje të caktuar të terrorit të pushtuesit, në një gendje të caktuar të ushtrisë e policisë së tij, sikundër ishin p.sh. aksionet e udhëhequra e të kryera nga Heroi i Kosovës Zahir Pajaziti. Por thelbi i çështjes qëndron pikërisht në faktin se ky lloj “terrori” në Kosovë nuk u paraqit aspak si një nga operaconet e ushtrisë çlrimtare në krijim e sipër, apo i lidhur ngushtë dhe i koordinuar me tërë sistemin e luftës, por si një mjet sulmi i veçuar, autonom; ato aksione të Zahirit ishin një mjet lufte kundër terrorit policor e ushtarak serb, një “terror” që thjeshtë çorietonte forcat terroriste të pushtuesit.
Për të kuptuar pasojën e mos-ekzistencës së një institucioni të fuqishëm propagandistik në interes të luftës për çlirim kombëtar, sikundër ishin agjensia e lameve “Kosovapress” dhe të radio “Kosova e Lirë”, mjafton të kujtojmë ngarjet e vitit 1998: lufta jonë çlirimtare si nga pikëpamja politke, ashtu edhe nga pikëpamja praktike e organizative vuante për arsye të coptimt të saj, për arsye se të gjithë komandat e nënzonave dhe zonave operative ishin zhytur pothuajse krejt në një luftë thjeshtë lokale, e cila ngushtonte edhe horizontin e tyre, edhe përpjestimet e veprimtarisë së tyre, edhe përvojën dhe përgatitjen e tyre në punën e planizimit të luftimeve. Pikërisht në atë coptim duhen kërkuar rrënjët më të thella të shpartallimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në verën dhe fillimvjeshtën e vitit 1998.
Dhe hapi më i mirë dhe më adekuat në rrugën e zhdukjes së kësaj të mete, në rrugën e shndërrimt nga luftë lokale në një luftë të vetme për gjithë Kosovën, ishte krijimi i agjensisë “Kosovapress” dhe radio “Kosova e Lirë”.
Këto dy institicione, si dhe më herët “Zëri i Kosovës” dhe broshura “Çlirimi”, nuk kishin për mision të propagandonin thjeshtë zgjidhjen parimore të çështjes së popullit shqiptar që jeton në Kosovë, skundër po bënte propaganda pacifiste, por flisnin për zgjidhjen praktike të saj; këto institucione filluan të bënin qysh ditën e parë të funksionimit si të tilla jo vetëm sqarimin e popullit e më pas të vullnetarëve të formacioneve të UÇK-së se për çfarë ishte e domsdoshme UÇK-ja, por po e sqaronin popullin në Kosovë dhe tërë kombin shqiptar me planin e kësaj luftë çlirimtare, e cila synonte të shkonte deri në bashkimin e Kosovës me shtetin amë.
Pa këto institucione politike nuk mund të merrej me mend në Evropën e shekullit të XX se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte thjeshtë një “tërësi bandash rivale”, sikundër propagandonte shtypi i forcave politke të djathta në Prishtinë e Tiranë si dhe të gjitha mediat në Serbi, por ishte një lëvizje çlirimare kombëtare që meritohej të quhej një organizatë e mirëfilltë ushtarako-politke. Pa këto institucione do të ishte e parealizueshme mbështetja ndërkombëtare e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe bërja e saj më vonë aleate e aleancës Ushtarako-Politike e NATO-s.
Përmes këtyre dy institucionave që e filluan aktivitetin e tyre në 4 janar 1999 u arrit gradualisht të përgënjeshtroheshin të gjitha etiketimet dashakeqe kombëtare e ndërkombëtare përkundrejt UÇK-së, por edhe e demaskimit të gjendjes së vërtetë të terrorit ushtarako-policor të Serbisë në Kosovë, si dhe u hodh hapi tjetër: zgjimi në të gjitha shtresat pak a shumë të ndërgjegjëshme të popullit pasionin e demaskimeve politike pacifiste. Kështu që agjensia e lajmeve “Kosvapress” dhe radio “Kosova e Lirë” u shndërruan në tribunë nga e cila mund të flitej për të vërtetën e asaj lufte, – populli tashmë kishte një auditor më shumë dhe më të fuqishëm që e dëgjonte me vemendje, e cila inkurajonte oratorët propagandistikë të luftës me armë – se populli filloi të shohi faktikisht një forcë ushtarake të tillë, të cilës ia vlente t’i drejtoheshin nëse donin të luftonin kundër ushtrisë e policisë pushtuese e gjakatare serbe. Dhe prej atëherë e gjithë kjo propagandë filloi të ndryshoi me një shpejtësi të habitshme.
Fillimi nga puna i institucioneve agjitative e propagandistike, “Kosvapress” dhe radio “Kosova e Lirë”, ishte shndërrimi i luftës në Kosovë në luftë mbarë kombëtare për çlirim, dhe populli shqiptar tashmë ishte i gatshëm jo vetëm që t’i dëgjonte ato dhe të përkrahte thirrrjen për luftë çlirimtare, por edhe filloi të hidhej masivisht me guxim në luftë.
Por roli i agjensisë së lajmeve “Kosvapress” dhe radio “Kosova e Lirë” nuk kufizohej vetëm me përhapjen e ideve për çlirim dhe vetëm me edukimin politik dhe me tërheqjen e aleatëve politikë shqiptarë e ndërkombëtarë. Këto dy institucione si dhe “Zëri I Kosovës” dhe broshura “Çlirimi” nuk ishn vetëm një propagandë kolektive dhe një agjitacion kolektiv, por edhe një organizator kolektiv.
Nga kjo pikëpamje e fundit ato mund të krahasohen me skelat, të cilat ngrihen rreth e përqark një godine që është në ndërtim e sipër dhe të cilat caktojnë konturet e godinës, lehtësojnë lidhjet midis ndërtuesve të veçantë, i ndihmojnë ata të ndajnë punën dhe të shohin rezultatet e përgithshme, të arritura nga puna e organizuar. Elementët e parë të kësaj “skele” i hodhën gazeta “Zëri i Kosovës” dhe broshura “Çlirimi”.
Me ndihmën e këtyre dy institucioneve, të drejtuara nga Berat Luzha e Ahmet Qeriqi atëherë u formua plotësishtë dhe ashtu siç duhej një organizatë e përherëshme solide me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila nuk do të bënte më luftë lokale, por luftë të organizuar e të rregullt në tërë territorin e Kosovës, një organizatë që do t’i mësonte të gjithë luftëtarët e asaj ushtrie çlirimtare të ndiqnin me vemendje ngjarjet politike në Kosovë, në Evropë e më gjerë; të çmonin rëndësinë e tyre dhe ndikimin që po bënte lufta e tyre në shtresat e gjera të popullit; të përpunonin metodat dhe taktikat e luftimit përmes përvojës agjitative të këtyre dy institucioneve propagandistike, me anën e të cilave Ushtria Çlirimtare e Kosovë arriti të ushtronte ndikimin e vet mbi institucionet politike e diplomatike ndërkombëtare e kombëtare.
Agjensia “Kosovapress” dhe radio “Kosova e Lirë” porsa filluan nga aktiviteti i tyre siguruan furnizimin e rregullt me materialet nga terreni dhe bota me pëhapjen e rregullt të tyre, duke krijuar një rrjet gazetarësh si në frontet e luftës dhe në qytetet e Kosovës ashtu edhe në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë, Evropë e në SHBA, të cilët njihnin gjëndjen e atjeshme ku vepronin dhe i raportonin në kohë. Ky rrjet gazetarësh në frontet e luftës, në qytetet e Kosovës dhe jashtë saj formoi skeletin pikërisht të asaj organizate që nvojitej: mjaft të madhe, që përfshinte gjithë Kosovën; mjaft të gjerë e të gjithanshme; mjaft konseguente, përmes të cilit Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe gjithë formacionet e saj të dinin në çfarëdo rrethanash, në çfarëdo “kthesash” politike dhe të papriturash, ta zhvillonin pa rreshtur luftën çlirimtare; mjaft elastikë, që arritën të ishin në gjendje, nga njera anë, t’i shmangnin luftimet frontale e në fushë të hapët kundër një armiku shumë më superior kur ai përqëndronte shumë forca në një pikë, dhe nga ana tjetër, u aftësuan të përfitonin nga ngathtësia e formacioneve të armikut, duke e sulmuar atë atëherë dhe atje, ku më pak se kudo gjetkë e prisnin sulmin. Një rol të madh për arritjen e kësaj shkalle gatishmërie e zhvilluar nga Ushtrisa Çlirimtare e Kosovës u takon edhe emisioneve të Radio “Kosova e Lirë” dhe Agjensisë “Kosovapress”, duke u bërë të gjithë komandantët e gjithë rendimeve të saj luftarakë jo vetëm propagandistë të mirë e të zotë, por edhe organizatorë më të shkathët, udhëheqës ushtarakë e politikë më të talentuar, të aftë që në çastin e duhur të drejtonin formacionin e tyre luftarak për sulm vendimtar e ta udhëhiqnin atë, duke u mbështetur sa më pak në të papriturat, duke mos u kapur në befasi nga kurrfarë “kthesash politike”.
Detyra e institucioneve propagandistike të asaj lufte çlirimtare ishte edhe që të paralajmëronin popullin me tërë energjinë e tyre për rëndësinë e rrëmbimit të armëve nga i gjithë populli dhe të mbushnin rradhët e formacioneve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si mjetin kryesor dhe themelor të luftës, nga e cila anonin shumë e shumë njerëz jo vetëm në Kosovë por edhe në tërë diasporën shqiptare. Dhe asnjëherë në Kosovë nuk ishte ndjerë me një forcë kaq të madhe nevoja e plotësimit të agjitacionit të shkëputur – që bëhet me anën e ndikimit personal, të trakteve, komunkatave, broshurave etj., – me agjtacionin e përgjithësuar e të rregullt, i cili mund të bëhej vetëm me ndihmën e organve të ngjashme me institucionet që u ngritën në 4 janar 1999. Por ngritja e këtyre dy institucioneve e bënte këtë agjitacion e propagandë shumë e më shumë herë se shtypi periodik, 24 orë në 24 orë në çdo skaj të Kosovës.
Mund të themi pa e tepëruar se ngritja e agjensisë “Kosovapress” dhe e radio “Kosova e Lirë” i dha luftës sonë një dinamizëm tepër jetik, duke bërë të mundur edhe mbështetjen ndërkombëtare. Dhe nuk ishte rastësi që menjëherë sa u bë prezent përmes këtyre dy institucione, tre ditë pas funksionimit të tyre, shkëmbimi i rrobërve midis UÇK-së dhe Ushtrisë së shteti të Serbisë, të cilat njoftuan mbarë opinionin vendas e atë ndërkombëtar se Ushtra Çlirimtare e Kosovës, përmes këtij shkëmbimi kish arritur të bëhej forca krysore politike e ushtarake në Kosovë. Atëherë diplomacia ndërkombëtare lëvizi me një urgjencë të jashtëzakonshme për të organzouar një mbledhje ndërkombëtare, Rambujenë, me qëllimin e vetëm: për ta shuar urgjentisht Ushtrinë Çlirmtare të Kosovës, e cila do t’u prishte të gjitha planet që ajo diplomaci ka pasur e ka për trojet shqiptare. Ishin këto dy institucione që e ngritën në këmbë diplomacinë ndërkombëtare, pasi e bënë prezente aftësinë e Ushtisë Çlirimtare të Kosovës.
Masën kryesore të UÇK-së e përbënin vullnetarët dhe kryengritësit që kishin vuajtur nëpër kazamatet e ish-Jugosllavisë. Në periudhën kur u instaluan këto dy institucione propagandistike të Luftës Çlirimtare në Kosovë, si ushtri të përhershme kishim 6 zona operative me 26 brigada luftarake, mirëpo as këto nuk ishin të informuara se çfarë veprimesh luftarake kryenin brigadat e zonave të tjera operative, prandaj dhe nuk ishin të lidhura midis tyre ashtu sikundër ishte e domosdoshme të ishin. Kur këto dy institucione filluan nga funksionimi, sikundër e theksuam më lart, lufta në Kosovë arriti që gradualisht të drejtohej në mënyrë të centralizuar tërësishtë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, i cili jo vetëm që urdhëronte, por tashmë edhe kontrollonte veprimtarinë e formacioneve të saj si dhe mbajti bahkëveprimin luftarak midis kësaj Ushtrie dhe Komandës së NATO-s.
Dhe të gjithë këtë veprimtari ushtarako-politike të këtyre institucioneve politikë propagandistkë, agjensisë “Kosovapress”, radio “Kosova e lirë”dhe broshura “Çlirimi” gjithkush e gjen në botimin e arkivit të gjithë veprimtarisë së tyre, e cila përfshihet në 9 (nëntë) vëllime voluminozë: 3 (tri) libra arkivi i radio “Kosova e lirë” botuar në vitin 2009, në 4 (katër) libra arkivi i agjnsisë “Kosovapress”, botuar në vitin 2016 dhe në 2 (dy) libra arkivi i broshurës “Çlirimi” botuar në vitin 2000.
Botimi i këtyre tre arkivave të institucioneve propagandistike të Luftës Çlirimtare në Kosovë, që vepronin brenda territorit të Kosovës, është bërë me nismën dhe përpjekjet individuale të ish-drejtuesve të tyre gjatë luftës, e cila është një ndihmesë e jashtëzanshme për hitorikun e asaj lufte çlirimtare. Por vetëm botimi i këtyre tre arkivave nuk mund të jetë i plotë për hartimin e historikut të asaj lufte çlirimtare.
Shpresojmë se nuk do të jetë e vonët dita që ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të zonave e brigadave luftarake, të cilët kanë gati 20 vjet në krye të pushtetit në Kosovë, të botojnë dokumentat luftarake të atyre shtabeve lufte, si dhe dokumentat kryesore të udhëheqjes së LPK-së, për të dalë në dritë se si ajo e organizoi dhe realizoi udhëheqjen strategjike të Luftës Çlirimtare të Kosovës, si dhe po ato dokumenta të udhëheqjes së LKÇK-së; por edhe ato të udheheqjes së LDK-së dhe të partive satelite të saj politikë që ishin në opozitë me LPK-në e LKÇK-në, dokumentat kryesore të tyre që kanë pas lidhje me luftën që po zhvillohej në vitet 1997-1999, pa lënë mënjanë gazetën “Zëri i Kosovës”. Vetëm botimi i gjithë këtyre dokumentave do të mundësonte hartimin e saktë e të plotë të luftës për çlirimin e Kosovës.
– Autori gjatë luftës ishte zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të UҪK’së, (mars-qershor 1999)
Tiranë, më 03.01.2017