DILAVER GOXHAJ: KUSH KA RËNË NË TRADHËTI?

Tiranë, 01 Qershor 2020: Të gjithë shqiptarët anë e mbanë globit janë dëshmitarë të propagandës së ethshme kundër fitores së Lëvizja Vetëvendosje! në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019. Propaganda ka qenë dhe vijon të jetë sa më e ndezur për ta sfumuar sa më shumë atë fitore të saj. Në këtë propagandë, e cila arriti kulmin me miratimin e mocionit të datës 25 mars 2020, për rëzimin e qeverisë së saj, janë përfshirë pothuajse të gjitha mediet qëndrore e lokale në Kosovë, shifra e të cilave kalon mbi 100 (televizione, gazeta, radio, portale, fejsbuk, twiter e shumë lloje të tjera, pa folur për propagandën gojore të partikëve kundërshtarë kudo që kanë takim me popullin). Dhe e gjithë kjo propagandë e ka përqëndruar “zjarrin” kundër një objektivi të vetëm: dhe ai është ALBIN KURTI.
Cilat janë akuzat kryesore ku është përqëndruar i gjithë “zjarri” mediatik kundër Albin Kurtit?
1. Nuk qe dakort me Rambujenë.
2. Ka dhënë intervistë në burg në Serbi; si rrjedhojë, Albini është bërë tradhëtar.
Le t’u referohemi fakteve se kush ka rënë në tradhëti.
ÇËSHTJA E PARË
Rasti Rambujesë

Dimë që Albin Kurti ishte zëdhënësi i Përfaqësuesit Politik të UÇK-së: ADEM DEMAÇIT, duke vepruar as në male, as në Tiranë, as në Itali, as në Gjermani, as në Zvicër, as në Paris, por në zemër të Kosovës, në Prishtinë, nën bajonetat serbe derisa e burgosën. Dhe, sikundër dihet, Albin Kurti e ka mbështetur Adem Demaçin në çdo hap e në çdo fjalë, ditën dhe natën.

Nëse do pranojmë se Adem Demaçi tradhëtoi pse ai e kundërshtoi projekt-marrëveshjen e Rambujesë, duke mos-shkuar atje, detyrimisht që kështu do të etiketojmë edhe zëdhenësin e tij, Albin Kurtin.
Dhe pyetja shtrohet: A përbën tradhëti qëndrimi i Adem Demaçit për Rambujenë? Kësaj pyetjeje i ka thyer përgjigje vetë Adem Demaçi, në librin e tij “Liria dhe joliria”, (interpress r.company, Prishtinë, tetor 2002, f.30-32), në të cilin rendit 10 (dhjetë) pikat, të cilat, siç thotë ai, “u bënë hyrje, bosht dhe esencë e panegociueshme e takimit të Rambujesë. Unë krejt çfarë kam bërë ka qenë ajo që kam refuzuar të merrja pjesë në një projekt të tillë të pafavorshëm për lirinë tonë. Unë, në atë moment, nuk kam ofruar kurrfarë projekti, as me Artemijen, as pa Artemijen.
Është më se e vërtetë se Rambujeja nuk ishte vendi për të biseduar për pavarësinë e Kosovës. Por se Rambujeja dhe Parisi ishin vendet ku do të nënshkruhej, nga ana e kosovarëve, kapitullimi i plotë dhe pa asnjë kusht i Kosovës.”
Dhe, për të mos e lodhur shumë lexuesin po japim vetëm pikën nr.4 të tyre, e cila thotë: “Rikujtojnë purkushtimin e bashkësisë ndërkombëtare për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë”. Dhe më tej Demaçi vijon: “Me këto kushte ata kanë marrë rrugën për në Rambuje dhe në Paris, duke nënshkruar kapitullimin e plotë dhe pa kushte të Kosovës. Pika IV (e katërt) është esenca e 10 (dhjetë) pikave të panegociueshme. Pikat e tjera vetëm përforcime të pikës së IV (Katërt). Këto dhjetë pika ishin themeli i Rezolutës të KS të OKB-së 1244, pra i “biblës” së z. Shtajner, me të cilën ai po na prin për në “parajsë. Pra, ata kanë hequr dorë nga pavarësia e Kosovës dhe kanë pranuar sovranitetin e Beogradit mbi Kosovën, sepse kanë pranuar të tallen me vetëveten e tyre, duke shkuar të negociojnë për diçka të panegociueshme.”
Këtë mendim Adem Demaçi e ka shprehur edhe në intervistën dhënë gazets “Epoka e re”, e premte, 12 mars 2004, kur po përgatiste themelimin e Lëvizjes Vetëvendosje!: “Nuk dua të festoj me ata që thonë se ishin ushtarë të Adem Jasharit, ndërsa pranuan dokumentin e Rambuje-Parisit, Rezolutën 1244 dhe Kornizën Kushtetuese. . . UNMIK-ut e Serbisë u duhen liderë me bisht të zënë në derë”.
Dhe ja se si reflektohen në Marrëveshjen e Rambujesë ato çfarë kundërshtonin Adem Demaçi dhe Albin Kurti para se të shkohej në Rambuje:
“Neni I: Parimet e vetëqeverisjes demokratike në Kosovë.
Pika 3. Republika Federale e Jugosllavisë mban përgjegjësi në Kosovë për fushat vijuese: (a) integriteti territorial; (b) ruajtja e tregut unik brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, pushteti i së cilës do të ushtrohet në mënyrë të tillë që të mos bëjë diskriminim ndaj Kosovës; (c) politika monetare; (ç) mbrojtja; (d) politika e jashtme; (dh) shërbimet doganore; (e) tatimet federale; (ë) zgjedhjet federale; dhe, (f) fushat e tjera të përcaktuara në këtë Marrëveshje.
Neni II: Kuvendi, pika 1. (ii): Bashkësitë, pjestarët e të cilëve përbëjnë së paku 5 përqind të popullatës së Kosovës, do t’i ndajnë 30 vendet e mbetura në mënyrë të barabartë.” (Mr.Sc.Enver Sopjani “Përmbledhje aktesh ndërkombëtare për Kosovën1999-2004”,Prishtinë,2005, f.22,24)
Pyetja I: Bazuar në sa më sipër, kush ka rënë në tradhëti në këtë rast: anëtarët e Drejtorisë Politike dhe të SHP të UÇK-së që e nënshkruan atë Marrëveshje, apo Demaçi me Albinin që e kundërshtuan?
Pyetja II: Çfarë do të ndodhte me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nëse pala përfaqësuese e Republikës Federale të Jugosllavisë në Rambuje do ta nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë; a do të pranonin luftëtarët e UÇK-së të dorëzonin armët, pasi “Ajo (marrëveshja) do të çarmatoste UÇK-në, do ta mbante Kosovën brenda Jugosllavisë dhe do t’i jepte mundësi ushtrisë së saj të vazhdonte të patrullonte kufirin.”?, sikundër pranon znj. Madelein Albright,(M Albright “Zonja Sekretare”, Tiranë,”Dudaj”, 2004, f. 464)
Pyetja III: Nëse Marrëveshja e Rambujesë do të nënshkruhej edhe nga pala përfaqësuese e Republikës Federale të Jugosllavisë në Rambuje, a do të angazhohej aviacioni i NATO-s dhe cilat forca ushtarake në terren në Kosovë do të ishin objekt goditjeje për atë aviacion?
Pyetja IV: Cila forcë politike këmbënguli për ta dërguar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në gjykatën ndërkombëtare të Hagës me akuzën: ushtri terroriste, partia e udhëhequr nga Albin Kurti, apo partitë e udhëhequra nga ish-anëtarët e Drejtorisë Politike dhe të SHP të UCK-së? Cila nga këto dy palë ka rënë në tradhëti në këtë rast?
Pyetja V: Cila forcë politike këmbënguli për t’i shkëputur territorit të Kosovës 8230 hektarë dhe ia fali Malit të Zi, partia e udhëhequr nga Albin Kurti, apo partitë e udhëhequra nga ish-anëtarët e Drejtorisë Politike dhe të SHP të UCK-së? Cila nga këto dy palë ka rënë në tradhëti në këtë rast?
Pyetja VI: Cila forcë politike ka këmbëngulur e këmbngul të krijohet mini-shteti serb brenda në Kosovë përmes të ashtuquajtur “Zajednica”, partia e udhëhequr nga Albin Kurti, apo partitë e udhëhequra nga ish-anëtarët e Drejtorisë Politike dhe të SHP të UÇK-së? Cila nga këto dy palë ka rënë në tradhëti në këtë rast?
Pyetja VII: Cila forcë politike ka rënë në marrëveshje për t’i dorëzuar Serbisë territore të Kosovës, partia e udhëhequr nga Albin Kurti, apo politikanë të partive të udhëhequra nga ish-anëtarë të Drejtorisë Politike dhe të SHP të UÇK-së? Cila nga këto dy palë ka rënë në tradhëti në këtë rast?
Pyetja VIII: A përbën tradhëti rikthimi i Kosovës në Federatën e Mbetur të Jugosllavisë të riemërtuar Mini-Shengeni Ballkanik dhe kush e mbështët këtë lloj krijese, partia e udhëhequr nga Albin Kurti, apo politikanë të partive të udhëhequra nga ish-anëtarë të Drejtorisë Politike dhe të SHP të UÇK-së?
Pyetje IX: Të keshë “qasja majtiste si Kurti – je pro-sllav”, ndërsa të kesh qasje të djathtë duke falur territore të atdheut shteteve të tjera dhe duke akuzuar ushtrinë çlirimtare të vëndit tënd si ushtri terroriste, atëherë nuk je pro-sllav?
Pyetja X. Pyetje enigmë: Si është e mundur që Millosheviçi nuk pranoi të nënshkruhej ajo Marrëveshje nga delegacioni i përzgjedhur prej tij, ndërkohë që shqiptarët përfaqësues të Kosovës në Rambuje pranonpara gjithë Fuqive të Mëdha Botërore, se Kosova ka qenë dhe do të mbetet pjesë e Sërbisë?! Pse nuk u nënshkruan ajo Marrëveshje nga pala Serbe, Rambujeja dështoi; dhe pse dështoi, prandaj ndërhyri NATO. Ishte ky mos-nënshkrim që e nervozoi Francën të pranonte bombardimet e NATO-s kundër Serbisë. Ata që thonë se ishte Marrëveshja e Rambujë ajo që vendosi ndërhyrjen e NATO-s, ose duan të mbulojnë tradhëtinë, ose e kanë nga injoranca.
ÇËSHTJA E DYTË:
Tradhëtia e Albin Kurtit!
Akuza e parë: Albin Kurti është tradhëtar pse është i majtë.

Kjo akuzë propagandistike e ka zanafillën prej kur Albin Kurti doli në krye të Lëvizjes Vetëvëndosje! Por e përmblodhi ditët e fundit Kyetari i AAK, z.Ramush Haradinaj me shprehjen: “Qasja majtiste e Kurtit është pro-sllave.” Interesante! Të njëjtën akuzë i bënin dikur Fan Nolit edhe latifondistët dhe reaksioni shqiptar, duke e akuzuar për komunist. Kjo është pasojë e mosnjohjes së historisë së majtizmit, i cili nuk ka lindur në vendet sllave por në Perëndim: në Angli, Francë e Gjermani. Sipas kësaj deklarate, po të përkrahësh majtizmin, i cili predikon barazinë shoqërore, do të thotë se je armik i popullit. Ndërsa, je atdhetar i vërtetë kur përpiqesh të bësh polarizimin e popullit në të pasur e në të varfër, duke vjedhur pasurinë kombëtare! A e di kjo klasë politike, se kjo politikë ekonomike e djathtë është katalizatori për ndarjen e thellë të shoqërisë në Kosovë dhe prishjen e konsensusit brenda saj?
Akuza e dytë: Albin Kurti është tradhëtar se ka dhënë intervistë në burgun e Serbisë. Kjo lloj akuze të çon në pyetjen: Po gjithë të burgosurit politikë në Kosovë që janë marrë në pyetje-intervistë vetëm për vetëm me hetuesi me ditë e muaj të tërë, edhe këta janë bërë që të gjithë agjentë të Serbisë?!
Gjithashtu, t’i japësh intervistë Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në prezencën e gjithë të burgosurve të tjerë politikë, duke qenë në burgun e shtetit armik të popullit tënd, si mund të vërtetohet akuza se Albini u bë agjent i Serbisë?
Nëse do të ecim me këtë logjikë, atëherë na lind e drejta të shtyrojmë dyshimin, se edhe z.Ramush, duke qenë i mbajtur në arrest shtëpiak disa muaj resht në Francë, në shtetin amë të ish-Jugosllavisë, vetëm për vetëm me prokurorin-hetues dhe, me të dalë prej atij arrestimi erdhi dhe u bë Kryeministër i Kosovës, a na jepet e drejta t’i bëjmë të njëjtën akuzë që ai ia bën Albin Kurtit? Pa folur për faktin tjetër, se është “Ministria e Integrimit e qeverisë Haradinaj që i ka dhënë fonde një kompanie Franceze për lobim për ndryshimin e kufijve midis dy vendeve (Kosovë-Serbi) në llogari e rekomandim të presidentit Thaçi”. (Enver Bytyçi, “Bota sot” 31 MAJ 2020)
Dhe, ajo që na brengos edhe më shumë, asnjë nga këto 100 medjat kundër Albin Kurtit, nuk e kritikoi këtë akuzë të z.Ramush Haradinaj!
O popull shqiptar, a je në gjendje të dallosh atdhetarin nga tradhëtari?
Kjo është klasa jonë politike 30 vjeçare, e mbushur gjithë ligësi, injorancë e urrejtjen daj çdo shqiptari të aft e të ndershëm. Prandaj kjo klasë politike duhet të flaket sa më shpejt që të jetë e mundur në koshin e zi të historisë.
Tiranë, 01 Qershor 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura